Luniku: Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së ka përgjegjësi për vjedhjen

721
Sigal

Ish-guvernatori: Në krye të BSH një person me eksperiencë për ekonominë. Unë nuk do të konkurroj

Ngjarjet që kanë shoqëruar vjedhjen e Bankës Qendrore në Shqipëri, kanë shkaktuar një debat të gjerë që përfshin si vetë bankën qendrore, mënyrën se si funksionojnë organet e saj drejtuese, lidhjet e drejtuesve të saj me politikën, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, por edhe aftësinë e drejtësisë shqiptare,  për t’ u marrë me këtë problem. Për këtë çështje flet për Zërin e Amerikës ish- guvernatori i bankës së Shqipërisë në vitet 1994-1997 dhe sot këshilltar për strategjinë në Bankën Botërore, zoti Kristaq Luniku.

Ish-Guvernatori Luniku nuk nguroi të listojë problemet që shfaq sot institucioni i Bankës së Shqipërisë, sidomos sa i takon drejtimit, auditimit dhe raportimit.  “Këshilli Mbikëqyrës ka përgjegjësi për vjedhjen. Banka ka nevojë për një adresim, përmirësim të operacioneve të saj. A ekzistojnë të tilla mangësi në Bankat e Nivelit të dytë, në drejtim të politikës monetare. Një nga problemet që ka BSH është problemi i drejtimit, raportimit monitorimit duke përfshirë Këshillin Mbikëqyrës e duke përfshirë dhe drejtuesin e saj. Po e dëmtove sistemi është shumë vështirë ta rregullosh”, tha Luniku. Sipas ish-Guvernatorit, ngjarja e ndodhur është një mësim jo vetëm për Bankën e Shqipërisë, por edhe për gjithë politikën shqiptare. Ndërsa theksoi se, Parlamenti duhet të marrë në dorë situatën. “Ky është një mësim jo vetëm për BSH, por dhe politikën shqiptare. Pati shumë debate se pse përfshihet politika, është normale që të përfshihet politika, po varet ku përfshihet në rrugë apo parlament. Parlamenti duhet të marrë situatën në dorë”, u shpreh ish-guvernatori Luniku. I pyetur lidhur me faktin nëse Guvernatori i ri duhet të jetë shqiptar apo i huaj, Luniku thotë se me rëndësi është që në krye të BSH të zgjidhet një person me eksperiencë në ekonominë, në drejtim të politikave monetare dhe të atyre bankare, ndërsa thekson se ka mbyllur çdo dritare rikthimi në Tiranë, qoftë edhe si Guvernator i Bankës së Shtetit. “E rëndësishme është që duhet të jetë një person që ka një eksperiencë të gjatë ekonomike, në drejtim të politikave monetare dhe sistemeve bankare. Nëse është i huaj ose i brendshëm pak rëndësi ka. Ana e mirë që bëri kryeministri është se e hapi këtë proces, e bëri më transparent. Për bankat qendrore këto pozicione nuk janë pozicione konkursesh, por është një pozicion shumë i vështirë. Unë nuk do të konkurroj”,- tha Luniku. Për sa i përket konkurseve për anëtarët e rinj të Këshillit të Bankës së Shqipërisë të hapura nga Kryeministri Edi Rama , Luniku shprehet kundër tyre.