Komisioni i Ekonomisë, seancë dëgjimore për kreun e Bordit të AMF

541
Sigal

Kuvendi ka hapur konkurrimin për kryetarin e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare më datë 9 janar 2019 dhe gjatë këtyre ditëve Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka konkluduar me seancat dëgjimore me kandidatët. Sipas njoftimit të Komisionit të Ekonomisë kanë paraqitur interes 4 kandidatura dhe secili prej kandidatëve ka paraqitur platformën e tij para deputetëve. Në diskutimin e tij kryetari i Bordit të AMF-së Pajtim Melani që rikandidon për këtë pozicion u shpreh se gjatë kësaj periudhe ka intensifikuar eksperiencën në mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve financiare nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve të ndryshimeve ligjore në tregjet e rregulluara, rregulloreve të miratuara, pjesëmarrjes në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara në Evropë nga IOPS, nga Komisioni Për Letrat me Vlerë dhe Bursën (SEC) i SHBA, Banka Botërore etj. Sipas tij, partnerët dhe organizmat ndërkombëtare kanë dhënë vlerësime pozitive për AMF-në gjatë viteve të fundit. FMN ka vlerësuar se “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka bërë një progres rrënjësor lidhur me përmirësimin dhe adoptimin e kuadrit të ri rregullativ në lidhje me mbikëqyrjen e tregut të kapitaleve dhe fondeve, duke përmendur hartimin e rregulloreve të reja mbi administrimin e likuiditetit të fondeve të investimeve, transaksionet me palët e lidhura, etj.” Tregjet financiare nën mbikëqyrjen e AMF kanë shënuar zhvillime pozitive me rritje mbi rritjen e ekonomisë në tërësi, me zgjerim të tregjeve financiare si në rastin e licencimit të shoqërisë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a vetëm për veprimtarinë në titujt e Qeverisë të Republikës së Shqipërisë. Bursa ja ka arritur të kryejë transaksione për vitin 2018 në mbi 21 milionë euro në tregjet sekondare bonove dhe obligacioneve të thesarit dhe në një periudhë jo të largët shpresojmë të fillojë aktivitetin edhe në tregtimin e aksioneve dhe obligacioneve bashkiake dhe atyre të shoqërive private. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tregun e sigurimeve ritmi rritjes së primeve gjatë viteve 2015-2018 ka qenë në qenë në nivelin e 5-15 për qind ndërsa pagesa e dëmeve ka qenë me rritje 2.5 herë më të lartë. AMF ka ndjekur një politikë të kujdesshme të mbikëqyrjes dhe rregullimit të Fondeve të Investimeve duke miratuar rregullore të përafruara me legjislacionin evropian kryesisht në drejtim të transparencës dhe menaxhimit të likuiditetit. Tregu i pensioneve private megjithëse ka pasur një bazë të ulët në fillimet e veta, po rritet me shifra dyshifrore vit pas viti.

Objektivat kryesorë sipas tregjeve nën mbikëqyrje sipas z. Melani janë kryesisht:

  1. Zhvillimi produkteve ekzistuese dhe të reja në tregun e sigurimeve dhe mbikëqyrjes me bazë risku me fokus mbrojtjen e të siguruarve, rritjen e dëmeve të paguara dhe plotësimi kuadrit rregullativ për zbatimin e sistemit “Bonus-Malus” dhe sigurimit të drejtpërdrejtë pas miratimit të ligjit të ri “Për sigurimet e detyrueshme motorike në sektorin e transportit.
  2. Zhvillimit i tregut të kapitaleve nëpërmjet procesit të diskutimit të hapur me Komisionin e Ekonomisë, Bankën Botërore dhe FMN të paketës ligjore: a. P-ligjit “Për titujt” dhe p-ligjit “Për fondet e investimeve”, të draftuara nga ekspertët e projektit të BB në përputhje me direktivat e BE-së.
  3. Pas licencimit të “Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG” sh.a., dhe plotësimit të kuadrit rregullator për funksionimin e plotë të Bursës pritshmëritë janë që në vjeshtën e këtij viti të filloj tregtimi obligacioneve tregtare dhe duke parë ecurinë e zhvillimit të kërkesës dhe ofertës në treg vitin e ardhshëm(2020) Bursa të listoj për shitje-blerje aksionet e shoqërive tregtare dhe pse jo edhe obligacionet bashkiake si një instrument i rëndësishëm i zhvillimit të tregjeve financiare;
  4. Zhvillimi kolonës II të pensioneve sipas praktikave më të mira dhe rekomandimeve të Bankës Botërore dhe së fundmi të misionit të FMN-së i cili thekson se kjo do të forconte sigurinë sociale, do te rriste kohezionin social dhe do të thellonte zhvillimin e tregut të kapitalit nëpërmjet instrumenteve financiarë./Monitor