Qeveria shqiptare parashikon që deri në muajin prill të këtij viti të përcaktojë çmime të reja reference për tokat bujqësore dhe jo bujqësore në Shqipëri. Në programin të përgjithshëm analitik të projektakteve që do të paraqiten për shqyrtim në Këshillin e Ministrave gjatë vitit 2024 është edhe projektvendimi “Për miratimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve të tokës në RSH, i cili parashikohet të kalojë në katërmujorin e parë të 2024-ës.
Ky dokument, do të ndiqet në katërmujorin e dytë të vitit nga projektligji “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në RSH, i cili ka për qëllim të përcaktojë hartën e vlerës së tokës për pasuri të paluajtshme truall, tokë bujqësore, pyll, livadh, kullotë.
Vendosja e çmimeve të reja të referencës do t’i paraprijë reformës për taksimin e pasurive të paluajtshme, taksë e cila do të aplikohet në bazë të vlerës së një prone dhe rrjedhimisht do të ketë kosto të shtuara për qytetarët shqiptarë, por do të sjellë edhe më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, të cilat vijnë jo vetëm si rrjedhojë e taksimit, por dhe të transaksioneve, ku shitësi do të duhet të paguajë tatim më të lartë për shkak të rritjes së vlerës së pronës.
Vitin e kaluar qeveria hodhi për konsultim publik projektligjin e për taksimin e pasurive të paluajtshme, i cili pritet të miratohet në 2024, ku përcaktohen normat tatimore në përqindje për të gjitha kategoritë e pasurive dhe synohet gjithëpërfshirje dhe rritje e të ardhurave në buxhet.
Taksa e pasurisë, si do paguajnë familjet dhe bizneset e Tiranës këtë vit?
Familjet dhe bizneset e kryeqytetit do të paguajnë rreth 13 milionë euro shtesë për taksën e ndërtesës këtë vit. Shifrat e programuara në buxhetin e vitit 2024 të bashkisë së Tiranës tregojnë se barra e familjeve dhe bizneseve të kryeqytetit për taksën e pasurisë do të rëndohet me 53 për qind këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar.
Më konkretisht, sipas tabelave për vitin 2023 familjet dhe subjektet tregtare në Tiranë paguan në total rreth 2.48 miliardë lekë si taksë pasurie. Për këtë vit shifra do të rritet në 3.8 miliardë lekë ose rreth 37 milionë euro.
Sipas të dhënave të detajuara, pjesa më e madhe e barrës shtesë shkon për bizneset. Fatura e bizneseve për taksën e pronës rritet me gati 11 milionë euro këtë vit krahasuar me një vit më parë, ndërsa për familjet shtesa është mbi 2 milionë euro krahasuar me 2023.
Rritja e çmimeve të referencës mbi të cilat llogaritet taksa e pasurisë hyri në fuqi në verën e vitit të kaluar. Por efektet e plota të saj për familjet dhe bizneset e kryeqytetit do të ndihen këtë vit me një faturë shtesë mbi 53 për qind më të lartë.
Në zonën e ish-Bllokut, vlera e një apartamenti kushton mbi 2.2 milion lekë për m2, pasuar nga zona e Shallvareve me 1.9 mln/m2, apartamentet tek zona e Stadiumit Dinamo me mbi 1.7 milion lekë për m2, zona e Liqenit dhe e Myslym Shyrit me 1.5 mln/m2, Pazari i ri mbi 1.4 mln/m2 etj.
Zonat si Liqeni, Fusha e Aviacionit, Farka, Petrela, Dajti, Kashari, etj kanë një diferencë të frikshme në rritje çmimesh kohët e fundit duke nisur nga mbi 500 mijë lekë/m2.