FMN gjen 200 milionë euro borxhe të fshehura

481
Sigal

FMN gjeti 200 milionë euro detyrime të prapambetura deri në shtator 2018

Detyrimet dominohen nga borxhet e qeverisë qendrore me rreth 17 miliardë lekë

Fondi Monetar Ndërkombëtar referoi se besueshmëria e qeverisë shqiptare po cenohet prej rikthimeve të detyrimeve të prapambetura ndaj investimeve publike në infrastrukturë dhe në rimbursimin e TVSH-së. Deklarata u lëshua nga Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar pas miratimit të konsultimeve të stafit teknik që vlerësoi zhvillimet ekonomike në Shqipëri gjatë shtatorit 2018. Të dhënat nga Uashingtoni tregojnë se detyrimet e prapambetura kanë arritur në 24.5 miliardë lekë (200 milionë euro) deri në shtator të vitit 2018. Kjo shumë që është sa 1.5 për qind e PBB, dominohet nga borxhet e qeverisë qendrore me rreth 17 miliardë lekë dhe nga borxhet e qeverisë lokale me mbi 7 miliardë lekë. Nga borxhet e qeverisë qendrore, 11.3 miliardë lekë janë detyrime për TVSH -në e pa rimbursuar dhe 6.1 miliardë lekë detyrime të tjera kryesisht ndaj investimeve publike në infrastrukturë. Në raport me fundin e vitit 2017, borxhi i fshehur u ul në rreth 300 milionë lekë për TVSH, por u rrit po në këtë masë për detyrimet e infrastrukturës. Ulje të ndjeshme patën detyrimet e pushtetit vendor, të cilat në shtator 2018 ishin 3.1 miliardë lekë më të ulëta se në fillim se në fund të vitit 2017. Në raport me vitin 2016 detyrimet e prapambetura thuajse janë dyfishuar nga 13 miliardë lekë në 24.5 miliardë lekë. Për të rritur kredibilitetin fiskal, FNM i ka kërkuar qeverisë që të forcojë rregullin fiskal. Ligji organik i buxhetit kërkon që borxhi publik të bjerë në rreth 45 për qind, por nuk përcakton asnjë objektiv operacional në buxhetet vjetore dhe ato afatmesme se si do të arrihet. Stafi rekomandoi caktimin e objektivave sasiorë në buxhetet vjetore për të reduktuar borxhin nën 60 për qind të PBB-së deri në vitin 2021 (në përputhje me Paktin i Stabilitetit dhe rritjes së BE-së) dhe për të mbështetur objektivin e ligjshëm të reduktimit të borxhit në jo më shumë se 45 për qind deri me 2026. Stafi i FMN i kërkoi autoriteteve që të adresojnë vonesat e qeverisë në shlyerjen e detyrimeve. “Parandalimi dhe kontrolli i detyrimeve të prapambetura kërkon forcimin e parashikimit të të ardhurave (duke përfshirë rimbursimet e TVSH-së), menaxhimin e likuiditetit, dhe përmirësimin e kontrolleve të angazhimeve për investimet veçanërisht nga Autoriteti Rrugor.” thuhet ne raportin e FMN-se. Sipas stafit të Fondit, ekziston një nevojë urgjente për menaxhimin e likuiditetit dhe borxhit. Ndërsa autoritetet në Shqipëri kanë bërë përparim në zgjatjen e maturimit të borxhit publik, stafi i ka këshilluar që të vijojë të aplikohet emetimi i bonove të thesarit tremujori. Emetimi i fundit në këtë maturim ka ndodhur në dhjetor 2017, çka ka kufizuar zhvillimin e tregut të parasë, duke e komplikuar administrimin e likuiditetit nga Banka e Shqipërisë dhe duke i privuar autoritetet buxhetore nga një mjet financimi potencialisht të rëndësishëm./Monitor