Fëmijët ia mbathin në emigracion me prindërit. Në 2018-2019 u regjistruan në shkolla 11 mijë nxënës më pak

546
Sigal

Emigracioni “zbraz” shkollat shqiptare. Në vitin shkollor 2018-2019 u regjistruan 11 mijë nxënës e studentë më pak

Emigracioni i lartë i qytetarëve shqiptare po jep ndikim edhe në sistemin arsimor të vendit. Duke shtuar edhe rënien e numrit të lindjeve përgjatë viteve të fundit, ka sjellë si rezultat pakësimin e nxënësve dhe studentëve që ndjekin një cikël shkollor . Instituti i Statistikave ka bërë publik të dhënat që tregojnë se në vitin shkollor 2018-2019 janë regjistruar në shkolla e universitete, 11.500 persona më pak se viti 2017-2018. Sipas INSTAT, në të gjitha nivelet e arsimit u regjistruan gjithsej 641.161 të rinj, me një ulje prej 1,8 %.  Arsimi 9-vjeçar pësoi rënien më të madhe, plot 13.141 nxënës më pak se viti shkollor paraardhës, ose 4.1 % më pak. Arsyeja për këtë rënie te ky grup nxënësish shpjegohet për faktin se shumë persona janë larguar nga Shqipëria familjarisht, pra duke marrë të gjithë pjesëtarët. Në vitin 2018 morën pjesë në arsimin 9 vjeçar 95,6 % nxënës të grup moshës 6-14 vjeç në krahasim me popullsinë përkatëse, përkundrejt 96,5 % të tyre, në vitin 2017. Ndërkohë, rënie pati edhe arsimi i mesëm. Në 2018 rezultojnë gjithsej të regjistruar 116,646 nxënës me një rënie 2.8 në raport me vitin e mëparshëm. Në arsimin e mesëm pjesëmarrja ishte, 77,4 % përkundrejt 76,7 % që ishte në vitin 2017. Në fillim të vitit shkollor 2018-2019 pjesëmarrja në të gjithë nivelet e arsimit, në krahasim me popullsinë e moshës shkollore, ishte 84,4 %. Megjithatë raporti i regjistrimit bruto është i ndryshëm në nivele të ndryshme arsimore. Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% që nga viti 1990 si në numrin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin e 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 43 mijë e 700 nxënës në vitin 2018 nga 68 mijë e 600 nxënës që ishin në vitin 1991, ose 35% nxënës më pak. Rënia më e madhe ishte në arsimin 9-vjeçar, ku këtë vit janë ulur në bankat e shkollës 260 mijë nxënës më pak nxënës se në vitin 1991. Vetëm në dy vitet e fundit, shkollën e vijuan 46 mijë fëmijë më pak. Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar edhe me reduktim të trupës arsimore. Në vitin 1991, numëroheshin 43700 mësues në të gjithë vendin, ndërsa në fillim të këtij viti, numri i tyre ishte 29000, me tkurrje 33% që nga viti i parë i tranzicionit. Gjithashtu numri i shkollave u ul me 35% që nga viti 1991. Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm, këtë vit dhe me 1134 shkolla. Afërsisht, 150 shkolla u mbyllën vetëm këtë vit, për shkak se numri i nxënësve po bie në mënyrë të frikshme në disa qarqe të vendit.