Energjia, do faturohet aforfe deri në fund të 2022-it

301
Sigal

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka vendosur që deri në fund të këtij viti për të gjithë ata që nuk kanë matës apo e kanë atë jashtë funksionit faturimi për periudhën do të bëhet në bazë të vlerave referuese.

Në vendimin “Mbi përcaktimin e metodologjisë së vlerave referuese në rast se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme dhe të paarritshme..” Enti ka ndryshuar pikën dy duke e përshtatur atë me zhvillimet aktuale të tregut të energjisë dhe palëve pjesëmarrëse në të.

“Në rastet kur Furnizuesi merr dijeni nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se një muaj (matësi është i dëmtuar, matësi është jashtë kushtit teknik apo mungon aksesi në të dhënat e matjes), faturimi i energjisë elektrike do të bëhet me vlerë referuese. Kjo vlerë do të përllogaritet bazuar në të njëjtin konsum të muajit respektiv të vitit të mëparshëm. Periudha e faturimit sipas këtyre vlerave referuese nuk mund të zgjasë me shumë se tre muaj” thuhet në vendim.

I njëjti nënvizon se tashmë shtohen edhe dy pika të reja që lidhen me konsumatorët që kanë faturim zëro si dhe për ata që nuk kanë një vit të plotë kalendarik konsumi dhe si do të veprohet në këto raste.

“Pas germës “ç”, të vendimit të bordit të ERE nr.104/2016, i ndryshuar me vendimin nr.181/2016, shtohen germat “d” dhe “dh”, me përmbajtjen si vijon: d. Konsumatorët që nuk kanë referencë asnjë muaj të leximit të matjes së energjisë elektrike do të faturohen me vlerë referuese 0 kËh. dh. Konsumatorët që kanë lexim me matje të energjisë elektrike në një periudhë nga 1 (një) deri në 11 (njëmbëdhjetë) muaj, do të faturohen me vlerë referuese bazuar në vlerën mesatare për muajt e matur të konsumit të energjisë elektrike” nënvizon ERE.

Vendimi përcakton se faturimi me vlera referuese sipas ndryshimeve që janë bërë në vendimin e fundit ka hyrë në fuqi që nga 15 shkurti ndërkohë që do të jetë me efekt juridik deri në fund të vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe furnizuesit të cilët lëshojnë faturë me vlerë referuese, duhet të raportojnë në ERE periodikisht çdo 2 (dy) muaj, jo më vonë se data 20 e muajit pasardhës të periudhës se raportimit, në lidhje me gjetjet e tyre mbi këto modalitete faturimi duke përfshirë analizë krahasimore të ankesave të regjistruara përgjatë aplikimit, si dhe rezultatet e të dhënave reale të matjes.