Ekonomia në rënie/ Flet eksperti: Të shtyhen investimet në infrastrukturë! Rritja e borxhit rëndon mbi qytetarët

337
Sigal

Çdo qytetar i vendit për vitin 2020 ka 5 mijë euro borxh, ndaj shtetit. Ekspertët e fushës e shpjegojnë këtë fakt në bazë të përllogaritjeve të borxhit publik dhe efektit të koncesioneve.

“Një qytetar shqiptar sot ka një borxh publik 3800 dhe nëse fut efektin e PPP-ve shkon në rreth 5000 eurove, pra për një familje me 4-5 anëtar shkon 20 deri 25 mijë euro, që do të thotë që një qytetar duhet të  punoj katër vite për të paguar borxhet. Pra ka arritur niveli i borxhit në atë pikë që edhe vetë FMN është shprehur se duhet të kemi shumë kujdes”, shprehet Enkelejd Dermyshi.

Në të njëjtën linjë me rekomandimet e FMN-së eksperti për çështjet ekonomike dhe fiskale Enkelejd Dermyshi, i cili ka rekomanduar në një komunikim mediatik, se projektet e mëdha infrastrukturore dhe aeroportuale duhet të shtyhen.

“Është shumë e rëndësishme që investime të  tilla të kryhen por jo në këto momente. Tani është e domosdoshme të mbahet nën kontroll deficiti buxhetor dhe ekspozimi i deritanishëm i PPP-ve”, theksoi eksperti.

Përsa i takon buxhetit të vitit 2021, eksperti sqaron se buxheti është hartuar nën kontekstin e një situate normale, teksa thotë se duhet të merren masa për të mbrojtur biznesin.

“Janë shumë pak të prekshme ndryshimet që kanë ndodhur në këtë buxhet, pra është bërë një projeksion sikur do të jemi në kushte normale. Problem është fakti që në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti nuk kemi pasur masa konkrete për përkrahjen e biznesit. Nuk kemi marrë një politikë që sektorin prodhues dhe eksportues ta përkrahim nga importi. Pra ne nuk kemi një politikë proteksioniste këtë periudhë”, pohon Dermyshi.

Dermyshi është pesimist edhe për rritjen e konsumit që deri tani është tkurrur me 7.5%.

“Konsumi rritet atëherë kur ne kemi rritur fuqinë blerëse. Të ardhurat i ke njësoj do të shpenzosh po njësoj ose më pak. Nuk mund të themi vetëm investime publike, dhe PPP, por sa do të përkthehen në të ardhura për qytetarët dhe në mundësi punësimi kjo është e paqartë.  Në Shqipëri ne ende nuk kemi rishikuar nivelin e TVSH-së për mallrat e konsumit dhe është shumë e rëndësishme, duhet të bëhet pasi qytetarët shqiptarë paguajnë 20% për çdo lloj produkti dhe kjo nuk është normale”, u shpreh ai.

Sipas ekspertit duhet patjetër të përcaktohet minimumi jetik në vend, dhe të vendoset një standard jetese, që arrihet vetëm nga fuqizimi i biznesit.

“Nuk kemi krijuar realisht një minimum jetik që është i pamatshëm, 30 mijë lekëshi nuk është një minimum jetik por është paga minimale. Ne duhet të vendosim një standard, por që të shkojmë këtu duhet të ndihmojmë biznesin që të fuqizohet nga ana ekonomike”, pohon eksperti.