Drama në arsim: Në 2 vite mbyllen 149 shkolla

91

Kriza sociale që ka mbërthyer Shqipërinë, emigrimin masiv si dhe mungesa e strategjisë për zhvillimin rural ka bërë që në dy vitet e fundit të mbyllen 149 shkolla. Vetëm për vitin 2020 arsimi ka 70 mijë nxënës më pak dhe në krahasim me 1991 janë 278 mijë nxënës më pak. Lindshmëria, largimi dhe plakja e popullsisë është 0.6 % çdo vit.

 

Tabela 1:

Për vitin 2020

17 mijë nxënës më pak në arsimin fillor

31 mijë nxënës më pak  në ciklin e lartë të arsimit bazë

22 mijë nxënës më pak në shkollat e mesme

 

Tabela 2 :

73 shkolla mbyllen në Lezhë

31 shkolla të mbyllura  në Fier

24 shkolla të mbyllura në Durrës

21 shkolla në Korçë

18  shkolla mbyllen në Lushnje

14  në Elbasan,

Shkodra me 13,

Puka me 12 dhe

Kukësi me 10 shkolla të mbyllura

Arsimi në Shqipëri duket se ka marrë tatëpjetën. Tërmeti, pandemia e Covid-19, ministret që ikin dhe vijnë,  kanë nxjerrë nga shinat situatën. Gjatë dy viteve të fundit, me qindra shkolla mbyllën dyert për shkak të migracionit dhe lindshmërisë  në rënie, duke sjellë  vështirësi  në rritje për prindërit  në  përpjekjen e tyre për të shkolluar fëmijët.

Eldi Vocrri sapo përfundoi klasën e nëntë në fshatin Zerqan të Bulqizës dhe do të vazhdojë të ndjekë gjimnazin. Por ai mund t’i përkasë brezit të fundit të nxënësve në shkollën e Zerqanit, e cila po mbyll dyert pas 127 vitesh,  për arsimin bazë dhe gjimnazin.  Shkak për mbylljen e shkollës  është  bërë  rënia e numrit  të nxënësve  ndër  vite.

“Normalisht që në fillim,  ishim pak të mërzitur se do duhej me pa se ku do të shkonim. Por bashkë me familjen vendosa që të shkoja në gjimnazin “Arbëria” në Bulqizë. Nga këtu me furgon e kam larg  25 minuta,” – thotë Eldi.

Si rasti i Zerqanit ka edhe shumë shkolla të tjera në Shqipëri që vitet e fundit janë mbyllur për shkak të rënies së numrit të nxënësve.Të dhënat e mbledhura nga  Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, nëpërmjet kërkesave bazuar në ligjin për të drejtën e informimit nga drejtoritë e Arsimit Parauniversitar,  tregojnë se në total,  gjatë dy viteve të fundit janë mbyllur 149 shkolla në zonat rurale në të gjithë Shqipërinë – në masën dërrmuese të ciklit fillor dhe arsimit bazë. Mbyllja e këtyre institucioneve arsimore ka ardhur si rrjedhojë e rënies së numrit të nxënësve,  përqendrimit të tyre në shkolla më të mëdha dhe në disa raste, si pasojë e amortizimit të ndërtesave të shkollave. Sipas ekspertëve, mbyllja e institucioneve arsimore është pasojë e migrimit nga zonat rurale dhe e rënies së lindshmërisë në vend. Edhe pse përqendrimi i nxënësve në shkolla urbane shihet si një mundësi për të ofruar arsim më cilësor, ai krijon vështirësi për shkak të kushteve të papërshtatshme për transportin e tyre, të cilat janë bërë edhe më të ndjeshme për prindërit për shkak të pandemisë së  COVID-19.

Rënia e numrit të nxënësve

Sektori i arsimit është reduktuar më shumë se 30% prej vitit 1990, si në numrin e nxënësve, ashtu edhe të mësuesve e shkollave. Sipas të dhënave nga INSTAT, numri i nxënësve që ndjekin arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm ra në 402 940 nxënës në vitin 2020, nga 680 600 që ishin në vitin 1991, ose 41% nxënës më pak. Në vitin 2015, një mësues jepte mësim për mesatarisht 18,3 nxënës, ndërsa në vitin 2018 ky tregues zbriti në 17,4 nxënës.  Për vitin 2019, një mësues mbulonte 17.1 nxënës. Krahasuar me vitin 2015, vetëm në arsimin fillor për vitin 2020 janë afro 17 mijë nxënës më pak, në ciklin e lartë të arsimit bazë afro 31 mijë nxënës më pak dhe në arsimin e mesëm afro 22 mijë nxënës më pak. Për sociologun Gëzim Tushi, proceset që kanë ndikuar në mbylljen e shkollave në zonat rurale lidhen me plakjen e popullsisë me ritmet më të larta në Europë – duke sjellë zhbalancimin demografik  në raport me popullsinë e re dhe asaj të moshuar – dhe emigracioni. Sipas Tushit, ndalimi i këtij trendi negativ mund të arrihet vetëm nëpërmjet politikave largpamëse të zhvillimit  rural.

“Politikat nxitëse dhe motivuese për familjen, sidomos në zonat rurale. Në mënyrë që të kuptojnë se jeta është e jetueshme edhe në ato zona dhe kjo kërkon që të ndalet ideja e diferencuar që mund të jetohet vetëm në zonat urbane,”- tha ai.

“Së dyti, politika për të favorizuar jetën në fshat, duke hapur profile që shkojnë me nevojat e fshatit, që të mos gjejnë vetëm sasinë, por edhe cilësinë e jetës në fshat,” shtoi Tushi. Numri më i lartë i shkollave të mbyllura raportohet nga DRAP Lezhë me 73 shkolla, i ndjekur nga DRAP Fier me 31 shkolla të mbyllura. Në drejtorinë rajonale të Durrësit numërohen 24 shkolla të mbyllura dhe në atë të Korçës 21 shkolla.Në krye të qyteteve me numrin më të lartë të shkollave të mbyllura është Lushnja me 18, e ndjekur nga Elbasani me 14, Shkodra me 13, Puka me 12 dhe Kukësi me 10 shkolla të mbyllura.Nga të dhënat, sipas  “BIRN”  rezulton se zonat veriore kanë numrin më të madh të shkollave të mbyllura, kjo edhe si pasojë e emigrimit të lartë në dekadat e fundit.

Dyndja drejt shkollave në qytete

Fshati Harizaj është afro 10 kilometra larg nga Kavaja. Brenda në fshat, syri të rrok tek-tuk ndonjë person që po punon në vreshtat e rrushit dhe 4 fëmijë në qendër të fshatit që loznin. Shkolla e dikurshme në Harizaj është kthyer në ambulancë dhe në një dhomë është strehuar një familje, banesa e së cilës u dëmtua gjatë tërmetit  të 26 nëntorit. Rovena Dervishi fillon klasën e pestë këtë vit. Ajo edhe shoqet e saj, deri në vitin 2018 e kanë bërë shkollën në fshat dhe prej dy vitesh shkojnë në shkollën qendër në Lekaj.“Po disa shoqet të mia që janë këtu në fshat, që në klasë të parë kanë ik në Kavajë edhe e kanë vazhdu shkollën atje,” tregon Rovena. “Ka disa që shkojnë në Kavajë nga këtu në Harizaj. Ca në Kavajë e ca në Lekaj,”- shtoi ajo. Më shumë se 100  nxënës të zonës së Krastës së Madhe dhe Krastës së Vogël udhëtuan të hënën në dy turne drejt shkollës 9- vjeçare “Abdyl Paralloi” në Elbasan, për shkak të mbylljes së shkollës në zonën ku banojnë. Dy vjet më parë, shkolla vartëse e vendosur në një godinë thuajse të rrënuar u mbyll për shkak të amortizimit të ndërtesës. Rreth 30 fëmijë të arsimit fillor u transferuan në shkollën e qytetit. Nga kjo lagje deri në shkollën “Abdyl Paralloi” në Elbasan, janë mbi 3 kilometra dhe fëmijët  do të duhet të kalojnë një nënkalim hekurudhor që mbulohet nga balta në dimër, unazën e qytetit me shumë rrezikshmëri për kalimtarët, por edhe shumë rrugë në këmbë. Vjollca Bajrami ka dy vajza në shkollë, në klasën e tretë dhe të katërt. Ajo ka lënë punën që t’i shoqërojë në këmbë për në shkollën e qytetit, pasi me autobus ekziston frika e marrjes së koronavirusit. “Në autobus ka shumë dyndje. Ai vjen në orën 08.45 dhe fëmijë e të rritur rrinë ngjitur me njëri-tjetrin.  E çfarë na duhen masat në shkollë, kur koronën fëmijët mund ta marrin shumë mirë në autobus,”-  thotë ajo. Bajrami tregoi se ditën e parë të shkollës këtë shtator, ajo e ka lënë punën për t’i shoqëruar në këmbë vajzat në shkollë.

“Nuk kam zgjidhje tjetër derisa shteti të mendojë për ne dhe të vendosë në dispozicion autobusë vetëm për fëmijët ose të na ndërtojë një shkollë,” – tha Bajrami. “Kërkojmë linjë të veçantë për fëmijët dhe transporti të jetë falas, pasi kështu si jemi, e kemi shumë të vështirë të mbërrijmë në kohë, të mos rrezikojmë jetën ndërsa kalojmë unazën, apo edhe fëmijët të vijnë vetëm dhe ne të punojmë,” -shtoi ajo.

Sami Çeka, prind i një djali 10- vjeç dhe i vajzës 15 -vjeçe dhe banor në qendër të Krastës së Madhe, thotë se për të mbajtur fëmijët në shkollë, banorët kanë kosto të transportit dhe po ashtu shëndetësore. “Sot ata paguajnë gati 2 mijë lekë udhëtim në ditë. Veç kësaj, tani do të duhet të palosen në autobus, ndërkohë që po flasim për koronavirusin që do të paktën 1.5 m distancë,” -u ankua ai.

“Si do mbrohemi ne nga koronavirusi, kur në autobus janë të gjithë ngjitur?”  -pyet Çeka, ndërsa shtoi se banorët e Krastës i kërkojnë shtetit që të paktën për më të vegjlit të ndërtojë një shkollë të re dhe për të tjerët, të ketë një linjë autobusi të dedikuar. Shkollat në zonat rurale shpesh funksionojnë me klasa kolektive, por psikologët mendojnë se  klasat kolektive nuk janë një zgjidhje e mirë. Sipas tyre, menaxhimi i klasës nga mësuesit është i vështirë, ku brenda saj ka fëmijë të grupmoshave të ndryshme“ Ajo që është e frikshme në klasat kolektive është forma e bullizmit që mund t’u bëhet fëmijëve të vegjël, nga fëmijët që janë më të rritur,” -tha psikologia Arjana Muça. “Bullizmi mund të mos jetë në aspektin fizik, por verbal,” -shpjegoi ajo.

Në njësinë administrative Tregan të Elbasanit, zonat e largëta kanë shumë vështirësi për arsimimin e fëmijëve. Mungesa e rrugëve, e ujit të pijshëm dhe mundësive ekonomike ka bërë që shumë fshatra të braktisen.

Shkollat e mbyllura janë kryesisht vartëse me klasa kolektive dhe të arsimit fillor. Mbyllja e tyre ka bërë që fëmijët tashmë të udhëtojnë drejt shkollave më të largëta, me shumë vështirësi për prindërit, duke e bërë shkollimin e tyre një sfidë më vete.

Shkolla e fshatit Kaçivel u mbyll për reduktim të numrit të nxënësve. Për të mbërritur atje duhen rreth 30 kilometra, ku gjysmën e rrugës infrastruktura është tejet e amortizuar.

Kryeplaku i fshatit Kaçivel, Ali Toromani thotë se banorët po largohen dita-ditës për shkak të mungesës së kushteve minimale të jetesës.

“Nuk kemi ujë të pijshëm. Mbushim në një përrua dhe tashmë ai është tharë fare,”-tha ai, ndërsa theksoi se banorët i kanë kërkuar autoriteteve hapjen e një pusi.

“Shkolla është pa ujë. Na thanë që do sjellin ujë me bot që të nisë, por mendoni atje nuk ka depozitë. Duhet çdo ditë të paktën 5 kuintal ujë që shkolla të vazhdojë normalisht në kohën e koronës,” -shtoi Toromani, duke theksuar se “nuk sheh dritë në fund të tunelit.”

Shkolla e fshatit Shënmëhill është rreth 6 kilometra larg qytetit të Elbasanit, po ajo pati gjithashtu fatin e shkollave vartëse të mbyllura për uljen e numrit të nxënësve.

Selami Islami, kryeplak i fshatit thotë se Shënmëhilli është braktisur vit pas viti deri në situatën kritike që është sot.

“Jemi një zonë e thyer. Nuk kemi rrugë, pak mundësi jetese. Shumica e familjeve ose u larguan më afër qytetit në Katund të Ri, ku kanë ndërtuar shtëpi, ose emigracion,” shpjegoi ai, duke nënvizuar se para se shkolla të mbyllej, kishin mbetur vetëm 2 ose 3 nxënës.

“Nuk mund të mbahet hapur një shkollë me pak nxënës dhe ato familje u detyruan të gjejnë një zgjidhje për t’i dërguar fëmijët në shkollë duke u afruar me qytetin,”- përfundoi Islami.

Strategji të zhvillimit rural

Për ekonomistin Selami Xhepa,  nga Universiteti  Europian  i Tiranës, nëse nuk ka një strategji, që paralelisht me ndërtimin e godinave të reja të shkollave, të ketë edhe një zhvillim ekonomik të zonës, këto godina nuk do të kenë rezultat.

“Pra nga njëra anë ne kemi investuar dhe rehabilituar shkollat dhe nga ana tjetër nuk kemi marrë masa ekonomike për të ndihmuar, që popullsia e këtyre zonave të krijojë mundësi ekonomike për jetesë,”- tha Xhepa.

“Për pasojë, shkollat po braktisen. Ka nevojë për një rikonsiderim më përmbajtësor, ideja për zhvillimin e rajoneve. Në të kundërt, përsëri do të kemi investime jo produktive,”- shtoi ai.

Për Xhepën, familjet shqiptare duke mos gjetur mundësi të përshtatshme për edukimin e fëmijëve të tyre në zonën ku jetojnë, i dërgojnë fëmijët në shkolla urbane.

“Rajonalizmi apo përqendrimi i shkollave në zona më të mëdha urbane, në të cilat jo vetëm që mund të investohet më mirë, por edhe me burime njerëzore më të kualifikuara do të ishte një model i suksesshëm,”- theksoi Xhepa.

Jo të gjithë bien dakord me rajonalizimin e shkollës drejt qendrave urbane.

Për sociologun Gëzim Tushi, në Shqipëri ka ndodhur një revolucion urban i zhbalancuar me zbrazjen e fshatrave dhe dyndjen drejt qyteteve, që ka sjellë edhe një sistem arsimor të zhbalancuar. Për Tushin, politikat arsimore nuk duhet të adoptohen në përputhje me nivelet demografike.

“Në fakt, pavarësisht se ne jemi në ekonominë e tregut, e cila i bindet ligjeve të tregut dhe me sa duket, për fat të keq edhe sistemi shkollor është futur në ekonominë e tregut,”- tha ai.

“Unë gjykoj se shteti, qeveritë, të ndjekin një politikë dekomotifikimi, që do të thotë, shmangies së tregut për institucionet arsimore,” sugjeroi Tushi.

Emigrimi dhe rënia e lindshmërisë

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), në projeksionet e saj për popullsinë shqiptare ka rishikuar ulje me 30-40% në pritshmëritë e saj se sa persona do të mbeten në vend deri në vitin 2100. Zhvlerësimi i ndjeshëm ka ardhur brenda një viti (2019 kundrejt 2018) dhe është nxitur si nga rënia e normës së lindshmërisë, ashtu dhe nga trendi i lartë i emigracionit.Organizata e Kombeve të Bashkuara në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona.

Më 1 janar 2020, popullsia e Shqipërisë ishte 2.845.955 banorë. Kjo shifër është bërë publike nga INSTAT, ku theksohet se kemi një rënie të popullsisë me 0,6 %, krahasuar me 1 janarin e vitit 2019. Në 1 janar 2020, mosha mesatare e popullsisë rezulton 37,2 vjeç nga 36,7 vjeç që ishte në 1 janar 2019.Sipas Eurostat, shqiptarët renditen nënshtetësia e tretë në botë, pas marokenëve dhe ukrainasve, që iu është refuzuar hyrja në Bashkimin Europian në vitin 2019 dhe po të tretët për numrin e personave të cilët janë urdhëruar të largohen. Përpos largimit, në vend ka edhe rënie të lindjeve. Gjatë vitit 2019 lindën 28.561 foshnja, duke pësuar një rënie prej 1,3%, krahasuar me vitin 2018. Nga janari 2014 deri në janar të 2018, popullsia e Shqipërisë është zvogëluar mesatarisht me 0,16 % në vit.Si pasojë e këtyre zhvillimeve, raportet e varësisë janë rritur për moshat e vjetra dhe janë ulur për ato të rejat. Numri mesatar i lindjeve nga nënat është 1.37 – nën normën 2.1 lindje për femër, e cila është e nevojshme që popullata të ripërtërihet.Për ekonomistin Selami Xhepa, pas vendeve që janë në luftë, shqiptarët janë popullsia me dëshirën më të madhe për t’u larguar nga vendi. “Në radhë të parë mendoj që është një problem politik,” tha Xhepa.“Pra ideja është që politikat e gabuara, në kuptimin e qeverisjes, mungesa e standardeve demokratike, arsimi jo cilësor, shërbimet jo cilësore, të gjitha këto arsye i kanë detyruar qytetarët e vendit të largohen, me shpresën për të ndërtuar një jetë më të mirë jashtë vendit,”- përfundoi ai.