Çmimet që po varfërojnë qytetarët , nga ushqimet dhe qiratë tek shëndetësia

60
Sigal

Nga kujdesi shëndetësor, ushqimet dhe qiratë, Inflacioni bie brenda objektivit, por çmimet mbeten të shtrenjta

Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me 3.8% në shtator të këtij viti, në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar, ritmi më i ulët i rritjes në një vit e gjysmë, gjë që duket se sinjalizon një kthim në normalitet për stabilitetin e çmimeve, bëhet e ditur nga raporti mujor i Institutit të Statistikave. Ky është edhe muaji i parë gjatë të cilit inflacioni ra brenda marzhit të luhatjes së lejuar nga politika monetare, i cili është plus minus 1% nga shënjestra e rritjes mesatare prej 3%.

Banka e Shqipërisë rriti në mënyrë të papritur normën bazë të interesit javën e kaluar në 3.25% pasi kishte bërë pushim që nga marsi, aludohet për të shmangur një forcim të mëtejshëm të lekut në tregun e këmbimit valutor. Vendimmarrja e bordit të BSH-së pasoi deklaratën vjetore të misionit të konsultimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, në të cilën argumentohej nevoja për të rritur normën bazë të interesit deri në 4 apo 4.5% me qëllim luftën kundër inflacionit. Por në rast se inflacioni vijon të bjerë sipas tendencës aktuale, interesat më të larta të politikës monetare, të cilat ndikojnë interesat që familjet dhe bizneset paguajnë për kreditë ekzistuese apo kreditë e reja, mund të jetë e panevojshme.

Megjithatë, problemi në rastin e inflacionit në Shqipëri lidhet jo vetëm me ritmin e përgjithshëm të rritjes së indeksit, por edhe me përbërjen. Kështu, ndërsa indeksi i përgjithshëm u rrit me 3.8% në shtator, grupi Ushqime dhe Pije Joalkoolike u rrit me 7.4%. Ritmi shumë i fortë i rritjes së grupit të ushqimeve prek veçanërisht ashpër familjet e varfra, konsumi i të cilave është i përqendruar te ushqimet në masë më të madhe se sa për popullsinë në përgjithësi. Por rritja e çmimeve të mallrave të domosdoshme dhe rritja e ngadaltë e mallrave dhe shërbimeve të tjera vë në dukje edhe karakterin e inflacionit, si të tillë të ushqyer nga oferta me çmime të larta dhe jo nga kërkesa e shtuar.

Që nga fillimi i vitit 2021, kur nisi vala aktuale e inflacionit në të gjithë botën, çmimet në Shqipëri janë rritur me 15.4%, ndërsa çmimet e grupit Ushqime dhe Pije Joalkoolike janë rritur me 29%. Grupet e tjera të konsumit kanë pësuar rritje shumë më të ngadaltë. Çmimet e kujdesit shëndetësor janë sot 3% më të larta se sa dy vjet e gjysmë më parë, ndërsa shërbimi arsimor është shtrenjtuar me vetëm 5%. Shqiptarët shpenzojnë 36% të parave për ushqime dhe pije joalkoolike dhe 20% për qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji elektrike për konsum familjar. BIRN