Matjet e Eurostat tregojnë rritje më të madhe të çmimeve se raportimet e INSTAT, inflacioni po bëhet i qëndrueshëm

59
Sigal

Në Europë, rritja e çmimeve u frenua ndjeshëm këtë vit, por në vendin tonë, inflacioni po bëhet i qëndrueshëm.

Sipas matjeve nga metodologjia e Eurostat, në gusht 2023, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) u rrit me 4,7%, teksa matjet e brendshme tregojnë për një rritje me vetëm 4%.

NOA

Në Europë, çmimet u rritën mesatarisht me 5,9%, duke sheshuar gradualisht diferencat ndërmjet ndryshimit të çmimeve me vendin tonë.

Sipas IHÇK-së, rritja më e madhe e çmimeve prej 8,2% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 6,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 6,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,6%, “Veshje dhe këpucë” me 4,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,9%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Shërbimi arsimor” me 2,6%, “Shëndeti” me 1,9%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Komunikimi” me 1,0% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 5,6%.

Teksa ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,4%.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Transporti me 1,5%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,4% secili, “Shëndeti” me 0,3%, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2% secili, “Komunikimi” me 0,1%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” dhe “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,1% secili.

Të dhënat tregojnë se nivelin me të ulët të rritjes së çmimeve e kishte Zvicra, me rreth 1.9% dhe më pas Danimarka, Spanja dhe Belgjika. Në anën tjetër rritja më e madhe me rreth 14% ishte në Hungari, në Çeki me 10%.

Europa u përball me inflacion të lartë vitin e kaluar me mbi 12% si rrjedhojë e efektit negativ që dhanë çmimet e energjisë. Në atë kohë, Shqipëria kishte ritmet më të ulëta të rritjes së çmimeve. Por duke qenë se inflacioni në vendin tonë udhëhiqet nga çmimet e ushqimeve, rritja po bëhet e qëndrueshme.

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar

Shqipëria nisi publikimin e IHÇK-së nga muaji Janar 2017, INSTAT. indeksi llogaritet dhe publikohet sipas strukturës së Klasifikimit Evropian të Shpenzimeve individuale me 12 ndarje kryesore.

Periudha referuese e çmimeve është muaji Dhjetor 2020, ndërsa periudha referuese e indeksit është muaji Dhjetor 2020 Peshat për IHÇK janë llogaritur në përputhje me Rregulloren e Komisionit Europian. Peshat reflektojnë strukturën e shpenzimeve monetare të konsumit final të familjeve shqiptare dhe jo shqiptare në territorin e Shqipërisë./Monitor/