Buxheti 2016: Ulja e borxhit, rrisk real për ekonominë

779
Objektivi i qeverisë për të ulur vitin e ardhshëm borxhin publik, rrezikon të ketë pasoja për ekonominë, pasi shpenzimet do të tkurren, c’ka mund të cënojë cilësinë e disa funksioneve dhe shërbimeve publike, e cila konsiderohet më e rrezikshme se rritja e taksave. Është ky një ndër konkluzionet e analizës që Fondacioni “Shoqëria e hapur për Shqipërinë” i ka bërë buxhetit 2016-të. Sipas raportit, ka dy elementë që duhen mbajtur parasysh në risqet e arritjes së konsolidimit fiskal: nivelet e parashikuara të rritjes ekonomike prej 3.4% që konsiderrohen të larta dhe pesha e madhe e reduktimit të borxhit, që rëndon shumë në uljen e shpenzimeve.

“Rrisku, që një pjesë e uljes jo e arsyeshme e shpenzimeve, pa rritjen e efikasitetit të shpenzimeve buxhetore, mund të cënojnë cilësinë e disa funksioneve dhe shërbimeve publike, përkeqësimi i të cilave është një taksë më e rëndë se rritja e taksave, mbetet i qenësishëm“, – theksohet në analizë. Në buxhetin e 2016-ës investimet publike janë planifikuar të arrijnë në 4% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Ato ulen me 4.4% duke zbritur nga 63.3 miliardë lekë në vitin 2015-të, në 60.5 miliardë lekë në vitin e ardhshëm, ose 2.8 miliardë lekë më pak. Qeveria argumenton se investimet publike mbeten 5.1% e PBB-së, pasi një pjesë e tyre realizohet nëpërmjet fondit të rajoneve.

Në relacionin e buxhetit 2016-të, si sektorë prioritarë identifikohen: energjia, shëndetësia, bujqësia, arsimi dhe sporti, punët e brendshme dhe kultura. Por nga analizimi i të dhënave rezulton se buxheti i parashikuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit nuk pasqyron prioritetet e vetë qeverisë pasi për këtë sektor ka një reduktim prej 3.9 miliardë lekësh. Ministria e linjës që ka rritjen më të madhe në vlerë absolute, por jo në përqindje është Ministria e Bujqësisë me 2.1 mliardë lekë. Ndërsa rritjen më të madhe në përqindjen ndaj totalit e ka Ministria e Mjedisit me 49%.
Sigal