Ja nga do të vijnë dhe si do të shpenzohen 5.1 miliardë euro
Nga ana tjetër, në projektbuxhet nuk është parashikuar të ketë rritje të pensioneve, vetëm indeksimin me vlerë 148,8 miliardë lekë total.
Në projektbuxhetin e vitit 2022, i publikuar nga Kuvendi, financat presin që të mbledhin 537 miliardë lekë të ardhura (4.3 miliardë euro), me një rritje prej 10.6% në krahasim me buxhetin e pritshëm të vitit 2021 (akti normativ).Fatura e pagesave buxhetore ndaj kontratave koncesionare në vitin 2022 do të zgjerohet me 11.3 për qind në krahasim me planin e këtij viti, duke arritur një vlerë prej 13,8 miliardë lekësh (112 mln euro), sipas programit të paraqitur në projektligjin e buxhetit 2022 që tashmë është në Kuvend.
Megjithatë, në raport me madhësinë e ekonomisë (Prodhimin e Brendshëm Bruto-PBB), të ardhurat priten me ulje, në 28.7% të PBB-së, nga një rekord prej 30.3% që parashikon akti normativ 2021, ku të ardhurat u rritën ndjeshëm pas tkurrjes në vitin pandemik 2020, të nxitura dhe nga importet e larta rekord dhe rritja e çmimeve.Në anën tjetër, shpenzimet e pritshme janë 637 miliardë lekë (5.1 miliardë lekë), me rritje prej 4.5% në raport me aktin normativ 2021. Shpenzimet kapitale pritet të jenë 119 miliardë lekë (960 milionë euro), nga 132 miliardë lekë që është akti normativ 2021, me një tkurrje prej rreth 10%.Diferenca prej 101 miliardë lekësh (813 milionë euro) mes shpenzimeve dhe të ardhurave përbën dhe deficitin buxhetor, që pritet të mbulohet përmes marrjes së huave. Borxhi publik pritet të arrijë 78.9% e PBB-së në 2022, nga 80% e PBB-së që është pritshmëria për këtë vit. Për vitin 2021, rritja ekonomike pritet të jetë 7.6%, pas tkurrjes me 4% në vitin pandemik 2020. Për vitin 2022, rritja pritet të jetë 4.1%, ndërsa në 2023 parashikohet të përshpejtohet lehtë në 4.2%.
Të ardhurat
Sipas relacionit, që shoqëron projektbuxhetin, në programimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat për vitin 2022, janë marrë në konsideratë faktorët kryesorë me ndikim në buxhet, veçanërisht situata ekonomike e krijuar nga pandemia Covid 19, përfshirë efektin e politikave të reja fiskale me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë, si dhe performanca janar – gusht 2021 e realizimit të të ardhurave tatimore dhe doganore.
Metodologjia e programimit të të ardhurave është bazuar në modelet bashkëkohore të programimit, dhe në analizën e detajuar të faktorëve që ndikojnë në secilën taksë dhe tatim. Modeli i përdorur bazohet në parashikimet makroekonomike për periudhën 2022-2025 si rritja nominale, deflatori, analiza e importeve të grup produkteve kryesore, analiza e serive kohore si dhe modelet e bazuar në koeficientin e elasticitetit “Buoyancy” dhe “Effective Tax Rate” për çdo taksë. Në planifikim janë harmonizuar faktorët makroekonomikë, me treguesit kryesorë që ndikojnë në taksa specifike. Në mënyrë të detajuar treguesit kryesore për vlerësimin e të ardhurave janë:
- Rritja nominale të PBB-së, duke analizuar këtë efekt në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare tek taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta minerare dhe taksa doganore.
- Kursi i pritshëm i këmbimit të dy monedhave kryesore: USD dhe EURO me Lekun
- Çmimet në bursë që ndikojnë në të ardhurat nga TVSH-ja dhe Renta minerare;
- Sasitë e pritshme të importit të mallrave. Në vitin 2022, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 536.8 miliard lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 500.2 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat 360.5 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen 111 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2021, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 7.8 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 9.9% ose +32.5 miliardë lekë. Të ardhurat doganore janë parashikuar bazuar në analizën e trendit historik të 60 grup-produkteve kryesore, për një periudhë shumëvjeçare. Ky parashikim është korrektuar me efektet e faktorëve të tjerë të 11 jashtëm në secilën taksë. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për të ardhurat nga tatimet, duke marrë për bazë modelin statistikor të projeksionit të të ardhurave të pritshme si dhe faktorët ekzogjenë me ndikim në çdo taksë.
Shpenzimet
Sipas relacionit, totali i shpenzimeve publike për vitin 2022 është planifikuar 637.7 miliardë lekë ose 34.1% e PBB. Shpenzimet e personelit për vitin 2022, reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave kryesisht për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.
Fondi vjetor për rritjen e pagave është planifikuar në shumën 2.4 miliardë lekë dhe parashikon rritjen e pagës për funksion me 6% për punonjësit shëndetësor dhe ata arsimorë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 90.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së. Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 50.7 miliardë lekë ose 2.7% të PBB-së, për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit.
Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2022, 18.7 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 8.75 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, transferuar në nivel vendor, si rrjedhojë, në vitin 2022, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 27.45 miliard lekë.
Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2021 do të jenë 27.6 miliardë lekë ose 6 për qind më të larta se sa i pritshmi i vitit 2021 dhe po thuajse mbi dy herë më të larta se ato të viteve 2013 dhe 2015. Shpenzimet e fondeve speciale që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 212.8 miliardë lekë.
Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2022, parashikohet në masën 148.9 miliardë lekë ose 8% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 2.6 miliardë lekë dhe 3.5 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët. Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2022 janë parashikuar në masën 52.8 miliardë lekë ose 2.8% e PBB nga 46.1 miliardë lekë të planifikuara në vitin 2021.
Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë ose 0.3% e PBB. 14 Shpenzime të tjera sociale, përfshin fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.
- Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 900 milionë lekë.
- Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 23.5 miliardë lekë ose 1.3% e PBB.
- Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliardë lekë ose 0.1% e PBB-së.
- Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë ose 0.1% e PBB-së.
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.55 miliardë lekë duke u rritur krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.
Niveli i fondit rezervë për vitin 2022, planifikohet në masën 3.4 miliardë lekë, përkatësisht 2.4 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave, 500 milionë lekë fond kontigjence për projektet me BE si dhe 500 milionë lekë kontingjencë për projekte specifike për fëmijët.
Investimet Publike për vitin 2022 janë planifikuar në masën 6.4% e PBB-së ose 119.1 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 20 miliardë lekë si dhe transfertën kapitale për fondin e shpronësimeve me 1,8 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2022 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu, si edhe në vitin 2021, dhe në vitin 2022 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Për planifikimin e investimeve janë ndjekur kriteret e mëposhtme:
- Prioritetet e programit të qeverisë për periudhën 2021 – 2025;
- Prioritetet e integrimit evropian;
- Projektet në vazhdim;
- Mbështetja me kosto lokale dhe TVSH për projektet me financim të huaj.




















