Bujqësia shqiptare në gjendje kaotike – Tregu nuk ka qepë dhe patate, kalben mollët dhe mandarinat

810
Sigal

Problemet kryesore: Kostot e larta, emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e orientimit shtetëror

Mungesa e informacionit për tregjet dhe trendet e konsumit po krijon flluska në prodhimet bujqësore

Prodhuesit e perimeve të dimrit, të cilët patën fitime të larta këtë vit, për shkak të shitjeve me çmime gati katër herë më të larta të qepës, preshit, lakrës rrezikojnë të përballen me humbje të mëdha vitin që vjen. Vetëm në Pazarin e Korçës, këto ditë tregtarët kanë shitur rreth 250 mijë euro farë qepë, duke sinjalizuar se vitin tjetër do të ketë kultivim masiv të saj. Superprodhimi, pa gjetur treg eksporti, do të ulë çmimet dhe do të kalbë produktin, ashtu si edhe në vitin 2017 dhe kjo përkthehet në humbje për fermerët. Flluskat në bujqësi po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, kryesisht nga mungesa e orientimit dhe informacionit mbi nevojat e tregut. Shumica e prodhuesve bujqësorë nuk punojnë me kontrata të rregullta dhe mbjelljet bëhen nisur nga tradita dhe mundësitë se sa kërkesa që udhëhiqet nga tregu. Ministria e Bujqësisë përllogarit se, në Shqipëri vetëm 15% e fermerëve prodhojnë me qëllim tregtinë dhe mund të përmbushin nevojat që kërkojnë kontratat afatgjata. Por edhe kjo kategori fermerësh përballet herë pas here me flluska.

Flluskat janë shtuar

Viti 2018 duhet të konsiderohej i artë për bujqësinë për nga kushtet klimatike. Reshjet e bollshme në kohën e mbjelljes dhe rritjes së perimeve ishin garancia për prodhimin e lartë, por ndodhi ajo që ekspertët e “Tiranës” nuk e kishin pritur. Bujqit braktisën ngastrat, duke kufizuar mbjelljet e serave e në fushë për shkak të humbjeve që kishin pësuar në vitin 2017. Bujqësia, sidomos në Shqipëri, ka njohur thuajse si zakonisht humbje për shkak të çmimeve të ulëta, por vera e vitit 2017 nuk ishte e zakonshme për ta. Fermerë në zonën e Korçës dhe Fierit gjatë vitit 2017 kanë shitur të gjithë prodhimet nën kosto në rastin më të mirë, pasi shumica është kalbur në fushë. Prodhimi i lartë dhe mungesa e kontratave të qëndrueshme nga njëra anë dhe spekulimi me çmimet nga ana e tregtarëve dekurajuan fermerët për të mbjellë gjatë verës së kaluar. Në 2018, një kilogram domate u shit mbi 100 lekë, ndërsa perimet e dimrit, si presh, lakra, qepa dhe patatja po shiten me çmime trefish më të larta 12-13 lekë kilogrami.

Eksporti i fruta-perimeve ra më 2018 për herë të parë pas dy dekadash

Prodhimi i kufizuar bujqësor çoi në rënie të eksporteve të perimeve dhe frutave më 2018 për herë të parë pas dy vitesh. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, eksportet e frutave dhe perimeve ranë më shumë se 1% në vitin 2018, me më shumë se 100 milionë lekë. Mungesa e prodhimit ndikoi negativisht edhe furnizimin e tregut vendas, duke rritur furnizimet nga importi vitin e kaluar. Gjatë vitit 2018 importet e frutave dhe perimeve u rritën me 13% pas një stanjacioni në 2017. Gjatë 2018-s u eksportuan jashtë vendit rreth 9.5 miliardë lekë fruta dhe perime, ndërsa në vitin 2017, ishte 9.62 miliardë lekë. Ndërsa importet shënuan 9.4 miliardë lekë nga 8.3 miliardë lekë që ishin më 2017. Kjo ishte rritja më e madhe që nga viti 2015.

Shqetësimet e prodhuesve për vitin 2019

Sektori i bujqësisë nuk parashikohet të ketë zgjerim gjatë vitit 2019, për shkak të çmimeve më të larta të naftës dhe kostove të plehrave kimike, pohojnë fermerët. Brenda këtij sektori, zhvillimet pozitive priten në sektorin e agroturizmit, i cili do të vijojë rritjen edhe në 2019-n, prej rritjes së numrit të turistëve dhe një pakete lehtësuese që qeveria ka miratuar për sektorin, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2019. Bujqit prodhues kanë tre shqetësime madhore për vitin 2019: çmimet e larta të naftës, çmimet e larta të inputeve bujqësore dhe mungesën e tregut.

Tregu nuk ka qepë dhe papate, kalben mollët dhe mandarinat

Mollët në Korçë dhe mandarinat në Jug po kalben poshtë pemëve. Një kilogram mandarinë dhe mollë kushton aktualisht 70 lekë kilogrami në kryeqytet, teksa në pikat e shitjes me shumicë jo më shumë se 20 lekë. Eksperti i bujqësisë në zonën e Korçës, Nevion Telha pohoi se, fermerët e mollëve në Korçë kanë pësuar humbje të mëdha këtë vit. Prodhimi i lartë uli në minimum, çmimin duke mos justifikuar as shpenzimet për shërbimet që ju bënë pemëve. Ndërkohë që magazinat e shumicës janë mbushur plot me mollë edhe sot kur duhen të ishin të boshatisura në shumë pemëtore, mollët po kalben në tokë nga mungesa e tregut.

Kostot shpesh më të larta se çmimet dekurajojnë prodhimin

Fermerët në zonën e Myzeqesë përllogarisin se kostot shpeshherë janë më të larta se çmimet. Stavri Gjini nga Gradishta e Lushnjës thotë se për kultivimin e një dynym serë, kostot vjetore janë 280 mijë lekë, siç shprehet ai, të reja, ndërsa fermeri Maliq Minga nga Vajkani i Fierit thotë se kosto vjetore e kultivimit me fushë është 80 mijë lekë (të reja). Minga tha se “edhe përfaqësuesit e Drejtorisë së Bujqësisë nuk e besuan, por një ditë erdhën në tokat e mia dhe i bënë llogaritë me laps e letër. Kostot për kultivimin e një dynymi dolën më të larta, 85 mijë lekë”. Shpesh çmimet nuk i justifikojnë kostot, pohoi ai, pasi në kohën kur dalin prodhimet e fushës, tregu është plot dhe çmimet bien, shpeshherë duke mos justifikuar shpenzimet e larta. Që investimet të jenë produktive duhet që të sigurohet një sipërfaqe më e madhe toke sesa përpunojnë fermerët aktualisht dhe gjithashtu, skemat e subvencionit duhet të funksionojnë. Familjet fermere në Fier llogarisin se nuk ka asnjë leverdishmëri në sera në më pak se 5 hektarë. Por për Ministrinë e Bujqësisë, për të filluar një biznes në bujqësi, duhen të paktën 20 hektarë, teksa mesatarja e fermave bujqësore aktualisht nuk është më shumë se 1.2 hektarë.

Plakja e popullsisë dhe emigracioni, në kurriz të prodhimit bujqësor

“Ma keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini nga Gradishta e Lushnjës. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë. Ai dhe fermerë të tjerë në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët. Blerina Hoxha