Crown Agents, kontrolle importuesve për akcizën

660
Sigal

Në një javë në Tiranë u kontrolluan 100 subjekteve, disa u bllokuan për shkelje

Një javë pas lançimit të fushatës së ndërgjegjësimit dhe kontrollit të subjekteve që tregtojnë mallra me Akcizë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Crown Agents bëjnë me dije se, vijon puna intensive dhe me ritme të shpejta për krijimin e kushteve për plotësimin e objektivave të kësaj fushate të gjerë. Kështu, grupet e përbashkëta operative të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me specialistë të Departamentit të Akcizës dhe Crown Agents në përbërje të tyre, kanë informuar dhe njëkohësisht kontrolluar një pjesë të madhe të subjekteve që prodhojnë apo tregtojnë mallra me Akcizë, qofshin ata të regjistruar apo jo.

Në saj të këtyre aksioneve të përbashkëta është bërë i mundur kontrolli i rreth 100 subjekteve tregtare në Qarkun e Tiranës, të cilat prodhojnë, importojnë, furnizojnë ose tregtojnë me pakicë mallra me Akcizë. Grafikët e mëposhtëm japin një ide të qartë të numrit të saktë të subjekteve që janë kontrolluar dhe të kategorisë e llojit të produkteve që ata tregtojnë, përfshirë edhe disa tregje me pakicë.

Pavarësisht faktit që java e parë të ishte javë ndërgjegjësimi, janë zhvilluar njëkohësisht edhe kontrolle pas të cilave janë konstatuar disa kundërvajtjeve. Në këto raste, grupet e përbashkëta operative kanë ndërmarrë masa të ndryshme në varësi të rasteve të zbuluara që variojnë nga konfiskimi i produkteve apo bazës materiale, bllokimit të ambienteve të paregjistruara të tregtimit si dhe vënies së gjobave.

Java e dytë e Fushatës do të jetë krejtësisht e përqendruar në kontrollet e subjekteve të Akcizës  që do të intensifikohen dhe zgjerohen në të gjithë territorin e Shqipërisë edhe në javët në vijim. Bazuar në informacionin e mbledhur gjatë javës së parë dhe si dhe analizës së riskut që po përmirësohet me ndihmën e po këtij informacioni, do të bëhet i mundur kontroll më i imtësishëm.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, u bën thirrje edhe një herë bizneseve, të cilat tregtojnë mallra me Akcizë që të rregullojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me ligjin për të shmangur masat shtrënguese që mund dhe do të ndërmerren ndaj tyre.