BSH e fut vjedhjen e Thesarit te shpenzimet, e paguajnë shqiptarët

605
Sigal

Skandali, 713 milionët e grabitura, do shlyhen në 3 vite në zërin ‘Shpenzime’. Fullani e “fullanët” t’i gëzojnë vilat, apartamentet e paratë!

Grabitësit e qindra milionë lekëve të Bankës Shqiptare dhe urdhëruesit apo përfituesit e tyre mund të rrinë të qetë, pasi minimalisht, asnjë qindarkë nuk do të heqin nga xhepat e tyre për t’i kthyer aty ku i zhvatën. Kjo, pasi paratë do i paguajnë taksapaguesit, përfshirë në ‘shpenzime’ të BSH. Pra, Fullani e “fullanët” mund t’i gëzojnë vilat dhe apartamentet që kanë si dhe pasurinë e deklaruar apo të padeklaruar, pasi nuk do u futet “gjemb në këmbë” për këtë skandal. Shifra prej 713 milionë lekësh e vjedhur nga thesari i shtetit në Bankën e Shqipërisë është përfshirë në zërin e shpenzimeve për tre vitet në vijim, çka do të thotë se institucioni më i lartë financiar në vend do të kontribuojë shumë më pak në buxhet duke ulur në mënyrë drastike fitimin që derdh në buxhetin e shtetit. Por viti 2015 edhe pse do ta gjejë Bankën e Shqipërisë në godinën e re në qendër të Tiranës, sërish ky institucion nuk do të shpëtojë nga pagesat për ambiente me qira. Dhe kjo pasi godina e rikonstrukturar nuk mjafton për të gjithë stafin e Bankës Qendrore. Në këto kushte, ky institucion do të vijojë me shpenzime të larta edhe për vitin e ardhshëm. Për rrjedhojë ajo pjesë e fitimi që Banka e Shqipërisë do të derdhë në buxhetin e shtetit për vitin 2015 do të jetë shumë e ulët krahasuar me më parë kur ky institucion drejtohej nga guvernatori tashmë i shkarkuar nga parlamenti Ardian Fullani. Përfaqësues të Bankës së Shqipërisë raportuan këtë të premte në Komisionin parlamentar të Ekonomisë në lidhje me projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Sipas tyre treguesit e tij janë në linjë me sugjerimet e Bankës Qendrore që prioritet të mbetet ulja e borxhit dhe defiçiti fiskal. Kjo mbledhje u shoqërua me debate të ashpra midis Erjon Braçes e përfaqësuesit të BSH. Marin Gjermeni (përfaqësuesi i Bankës së Shqipërisë): Përsa i përket shifrës pse është futur, ose pse është trajtuar si shpenzime. Domethënë në grafikun e paraqitur është totali i shpenzimeve që janë llogaritur nga Banka e Shqipërisë. Erjon Braçe (Kryetar i Komisionit të Ekonomisë): E kuptova atë, jam shumë i qartë. Marin Gjermeni: Përsa i përket logjikës kontabël dhe veprimit juridik do na duhet të kthehemi në Bankën e Shqipërisë  ta ballafaqojmë dhe të japim përgjigje sepse është një njësi tjetër që merret me trajtimin e kësaj shifre. Domethënë këtu ishte thjesht e përfshirë në total  siç ishte dhe rasti i parë për normat e interesit dhe për ekspozimet. Erjon Braçe: Nuk e diskutoj, por mora shkas nga shpjegimi juaj se shpenzimet e Bankës së Shqipërisë janë rritur thatë me përjashtim të vitit 2014, për shkak të përfshirjes së kësaj shume në shpenzime. Dhe normalisht logjika e do, që cila është bazueshmëria ligjore e këtij veprimi që është kryer, nga pikëpamja e kontablit, por edhe nga pikëpamja juridike ligjore, pse këto para të munguara për shkak të një vepre penale  përfshihen në shpenzimet normale të Bankës së Shqipërisë.