Banka e Shqipërisë ka bërë zyrtare ndërhyrjet në tregun valutor gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.Në tregun e brendshëm valutor gjatë këtij tremujori janë zhvilluar katër ankande dhe banka qendrore ka blerë një shumë totale prej 40.7 milionë eurosh. Kjo shumë i shtohet 16.1 milionë eurove të blera në tremujorin e parë të vitit, që e çojnë vlerën totale të blerjeve të valutës për gjysmën e parë të këtij viti në 56.8 milionë euro.
Vlera e blerjeve për gjashtëmujorin e parë është katër herë më e lartë krahasuar me vitin e kaluar. Për vitin e kaluar, banka qendrore zhvilloi vetëm dy ankande, me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh.
Komitetit i Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë vendosi në dhjetor 2020 për blerjen në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove për të gjithë vitin 2021. Ritmi i blerjeve në gjysmën e parë të vitit tregon se Banka e Shqipërisë është drejt arritjes së shumës maksimale të parashikuar në vendim për këtë vit. Vlera më e lartë e blerë nga Banka e Shqipërisë në një vit kalendarik është ajo e vitit 2019, kur u arrit shifra rekord e 155 milionë eurove.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Në fund të muajit gusht, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.15 miliardë Eurove, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qëllimi kryesor i mbajtjes së rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por edhe shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar.



















