Korçë/ Qytetarët nuk arrijmë të blejmë dot bukën, pensionet dhe rrogat prej vitesh qesharake

 

 Fermerët e Korçës: Rritëm sipërfaqet e mbjella, por nuk i ujitëm dot. Rritja e çmimeve që nga viti 2017, varfëria e 2021-it do të mbahet mend gjatë

NOA

 Vepror Hasani

 Varfëria nisi të thellohet që nga viti 2017, dhe që nga ajo ditë nuk po njeh të ndalur. Aktualisht mjerimi është i pranishme në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare, pasi pensionet dhe rrogat vijojnë të mbeten të ulta, ndërsa papunësia gjithnjë në rritje. Madje, sipas INSTAT, inflacioni arriti në masën 2.4% duke shënuar nivelet më të larta që prej muajit janar të vitit 2017. Gjithashtu, referuar të dhënave të fundit të INSTAT për vitin 2021, ndryshimi vjetor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit në muajin korrik ishte 2.7% , ndërsa rritja më e madhe e çmimit, prej 4.7% vërehej në grupin e ushqimeve dhe pijeve jo alkolike. E megjithatë rritja e çmimeve po evidentohet gjithnjë e më shumë te gjithçka që tregtohet në treg, si: buka, bulmeti, vezët, frutat, fasulja, qepa, patatja, (perimet në përgjithësi) orizi, vaji, mishi etj, përfshi këtu edhe mallra të tilla si: duhani, karburantet, veshjet, mobiljet, pajisjet elektroshtëpiake, transportin etj. Pakënaqësia e njerëzve po vjen në rritje. Janë të rrallë ata që nuk ankohen kur janë duke bërë pazarin në treg. “Nuk blejmë dot asnjë çokollatë për mbesën dhe nipin e vogël, sepse nuk na mjaftojnë për të marrë bukën, e nesërmja duket edhe më e pasigurtë, shprehen ata.

Fermerët të demoralizuar

Për sa kohë që moti ishte i favorshëm, përsa i përket lagështisë dhe temperaturave, te fermerët rriti dëshirën për shtimin e sipërfaqeve të mbjella, por mjaftoi 2021-shi, i cili në qarkun e Korçës erdhi me temperatura të larta deri në 28 gradë celcius dhe lagështi të pakët, për t’u treguar fermerëve se ata nuk mund të ujisnin dot të mbjellat e tyre: qepën, fasulen, pataten, hudhrën, domaten etj, sepse ujitja me ujin e ujëmbledhësve ishte e kushtueshme dhe rriste kostot e prodhimit. Edhe për këtë arsye, çmimet në treg, janë më të larta, sepse, edhe pse sipërfaqet e mbjella u shtuan, kurse prodhimi si shkak i mungesës së ujit, qe më i paktë në krahasim me vitet e tjera, por ndërkohë për fermerin shpenzimet ishin rritur. Veçanërisht humbje të mëdha pësuan kultivuesit e fasuleve “krenare” dhe “pllaqi” ku sipërfaqja e mbjellë për këtë vit shkoi në prej 2,390 ha. Më të dëmtuar nga kjo situatë dolën fermerët e Bashkisë Devoll, pjesa e sipërme e kësaj zone. Për pasojë çmimet e shitjes së fasules u rritën, aktualisht fasulja shitet nga 300 deri në 350 kg, kurse pllaqia 400-450 lekë. Më lirë shitet vetëm fasulja e vjetër.

Nuk blejmë dot bukën

Rritja e çmimit të shitjes nuk u evidentua vetëm te fasulja, qepa, patatja, domatja, oriz etj, por edhe te prodhimet e tjera. Një sërë produktesh të shportës ushqimore u shtrenjtuan që nga muaji gusht. Rritje çmimesh njohën edhe një sërë produktesh të konsumit të përditshëm, si: mishi, bulmeti, vezët etj, gjë që ngjalli mjaft pakënaqësi te qytetarët, pasi, sipas tyre, një rritje e tillë e çmimeve për produktet bazë nuk justifikohet me asnjë lloj mënyre. Të pyetuar nga ana jonë, nëse këto çmime ishin të përballueshme ose jo, përgjigjja e tyre ishte: “Me njerëzit që kam në familje, nuk e përballoj dot, janë të papunë, ndihemi të frikësuar nga jeta, buka u rrit, të tëra u rritën. Tashmë mendojmë vetëm për bukën dhe për asgjë tjetër.

 

U bënë disa vjet që jetojmë kështu

U bënë disa vjet që jetojmë me vështirësi, shpjegojnë blerësit. Kjo e vërtetë pohohet edhe nga INSTAT, ku sipas tij “Inflacioni arriti në masën 2.4% duke shënuar nivelet më të larta që prej muajit janar të vitit 2017”. Madje rritja e çmimeve në muajin gusht preku edhe disa grupe mallrash të tjerë, të cilat i përmendëm më sipër. Të gjitha këto tregojnë se jeta e qytetarëve me të ardhura të pakta është rënduar mjaft, kurse për të papunët jeta e tyre është bërë edhe më e vështirë. Sipas prodhuesve të bukës, një ndër faktorët që ndikoi në rritjen e çmimit të bukës është rritja e çmimit të miellit dhe shtrenjtimi i karburanteve, çka solli rritjen e kostos së transportit edhe për këtë produkt. Për qytetarët e qarkut Korçë rritja e çmimeve të artikujve si: mielli, buka, orizi, vaji dhe gjithë ushqimet e tjera bazë, nuk duheshin lejuar, përkundrazi shteti duhej të kishte ndërhyrë, por këtu në Shqipëri kështu ndodh gjithnjë, nuk ka shtet, shprehen banorët e Korçës.