Arben Ahmetaj: Reformat e thella, na shkëputën nga kolapsi ekonomik

993
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj, iu përgjigj dje në parlament, fjalës së mbajtur nga ish-kryeministri Berisha. Ahmetaj e nisi fjalën e tij, duke u ndalur te zhvillimi i biznesit në Shqipëri. Pyetja e ngritur nga ministri Ahmetaj ishte se, cilët ishin ata biznesmenë të cilët paskan dashur të largohen nga Shqipëria dhe që i janë “ankuar” Berishës? Dhe këtu ai nuk kurseu pa kthyer përgjigje për pyetjet e bëra po nga ai vetë. “Le të na thotë këtu cilët biznesmenë ka takuar? Ata, të cilëve iu mbajti 726 milionë dollarë borxh me dhunë apo ata që i masakronte përditë me drejtorin e vet të Tatimeve që nuk pyeste për askënd? Për cilët biznesmenë e ka fjalën? Për ata që i kishte në oborr dhe iu jepte licenca koncesionesh pa fund apo për ata që i degradonte me masa ekstreme fiskale dhe me çuarje në prokurori e kërcënim burgu? Pra, do të ishte shumë e vlefshme për qytetarët shqiptarë, se e ka zakon që i drejtohet qytetarëve shqiptarë, të thoshte biznesmenët se cilët janë? Ndoshta janë ata biznesmenë, të cilët morën mbrapsht nga kjo qeveri, paratë e grabitura në mënyrë arbitrare në punët publike, ato 726 milionë dollarë”? 
Depozitat e biznesit janë rritur 25 miliardë lekë
Më poshtë Ahmetaj tha se “Dua t’ju citoj një nga elementët shumë të drejtpërdrejtë të raportit të Bankës së Shqipërisë, i cili thotë: depozitat e biznesit janë rritur 25 miliardë në krahasim me mesataren e katër viteve dhe kjo ka ardhur drejtpërsëdrejti për shkak të pagesës së borxheve të prapambetura.” Ministri i zhvillimit ekonomik, turizmit, tregtisë dhe sipërmarrjes, përmendi në fjalën e tij përmendi 300 milionë dollarë gjoba që kishte lënë, duke thënë se kjo është gati dyfishi i asaj që mbledh nga tatim-fitimi. E duke mos dashur të ndalet në retoriken e Berishës, Ahmetaj ngrenë pyetjen se cila është klimë e mire dhe e keqe biznesi, dhe gjobat si ndikojnë në biznes. “Cila është klima e biznesit, t’i kthesh borxhin mbrapsht biznesit është klimë e keqe biznesi? Apo t’i grabisësh paratë dhe t’ua mbash me përdhunim, është klimë e mirë biznesi? Apo është terror i drejtpërdrejtë me gjoba? Sigurisht që është terror i drejtpërdrejtë me gjoba”. Sipas ministrit, vetëm gjatë vitit 2015 janë regjistruar 38 mijë e 400 biznese të reja. Po ashtu edhe për rritjen e investimeve të huaja në vend, Ahmetaj u shpreh: “Që në gjashtë mujorin e parë janë rritur investimet e huaja me 34 për qind. Ka investitorë në naftë, Shell me investim të ri po në naftë, Steigenberger me ofertën zyrtare së fundmi, investim gjerman, Forschner, investim gjerman, Skavica ofertë e drejtpërdrejtë turke, e pafund të tjerë”. Në fjalën e tij ministri është shprehur se opozita nuk duhet vetëm të flas, pa thënë gjëra konkrete “Nëse ky njeri nuk do të fliste për kriminelë, për hajdutë, për drogë, për prostitucion, për maniakëri, për varfëri, ky Kuvend do të ishte shumë herë më i mirë dhe kjo qeveri këtu do të vihej në vështirësi shumë herë më të madhe nëse opozita do të vinte me elementë legjitime për ta përmirësuar qeverisjen sepse atë detyrë ka”, – tha Ahmetaj. Ahmetaj ndalet në një krahasim të bërë mes qeverisjes së Berishës në pushtet dhe të mos qenies së tij: “Po ta shihni, në 25 vite që ka qenë prezent në politikën shqiptare, (po kap Enverin dhe këtë e do besoj ai) dhe të shihni zhargonin e tij politik, në vitet kur ai është në pushtet Shqipëria është e dyta pas Gjermanisë. Në vitet kur ai nuk është në pushtet, në pushtet ka bandë kriminale, sipas tij dhe në vitet kur ai nuk është në pushtet bën thirrje për revolucion demokratik. Në vitet kur ai është në pushtet dhe vrau në 21 janar qytetarë ai vjen në Parlament dhe thotë respektoni Parlamentin. Për këtë rënie ekonomie, ministri e quan skenar grek të pikturuar nga Berisha dhe se ’97-ta nuk do t’i rikthehet më Shqipërisë, kjo falë përgjegjshmërisë të kësaj qeverie”, është shprehur Ahmetaj. 
Taksa zero për sipërmarrjen e vogël
Nuk ka precedentë, në 25 vite të një qeverie t’i afrojë sipërmarrjes së vogël taksën zero për ta lehtësuar ka shtuar në fjalën e tij ministri. “Taksa zero për biznesin e vogël të tmerron, e di shumë mirë, të tmerron. Taksa zero për biznesin e vogël të del në ëndërr. Ti kishte ëndërruar dy gjëra në jetën tënde opozitare të këtyre dy viteve, revoltën e biznesit që e shtytë, siç e shtytë dhe një çarje të aleancës. Të dyja të kanë dështuar… Dhe ja ku jemi pra, taksa zero për biznesin e vogël kthen mbrapsht 2 miliardë lekë, 20 milionë dollarë, në konsum”. E teksa flet për konsumin Ahmetaj shprehet se kredia konsumatore është rritur me 5.2 %. “I falëm ato gjoba elektorale 30 milionëshe. Falëm dhe gjobat që kishit vënë për sigurimet shoqërore dhe tani i themi sipërmarrjes së vogël nuk ka më që të gjobitesh sepse një anëtar i familjes punon part- time ose me orë të shkurtuar për të ndihmuar në biznesin e vogël, mjafton që familja, ai që punon përditë dhe që është përgjegjës për sipërmarrjen e vogël të jetë i siguruar”. Batutat nuk kanë munguar në këtë seancë parlamentare, por dhe shpjegimet me fjalë të thjeshta. “E di se çfarë është inventari, meqë flet për terror? Inventari është që, një qeveri vjen i thotë sipërmarrjes: ke probleme me inventarin në magazina, ke probleme me vetë-deklarimin. Nuk e kam atë antikulturë të deri djeshme që të vij të të kap gafil dhe të të gjobis. Por kam kulturën që të të paralajmëroj dhe të të jap kohën e duhur që ti vetë të korrigjohesh, në funksion të transparencës dhe të zinxhirit të rritjes ekonomike”. Kuponi tatimor u bë pjesë e fjalës së ministrit duke e quajtur atë si “institucion”. “Kuponi është institucion dhe biznesi i vogël e ka kontakt të drejtpërdrejtë me shtetin atë kupon, është investimi që sipërmarrja e vogël bën tek shteti. Taksa zero, por detyrim për të lëshuar kupon, sepse do të duhet të mbyllet zinxhiri fiskal dhe zinxhiri financiar”. Ministri e vazhdon fjalën e tij me bujqësinë dhe fermerin, duke iu drejtuar shumë pyetje opozitës në lidhje me rimbursimin, strukturat qeverisëse… “Nuk ka kupon dhe nuk ka taksa në bujqësi dhe t’ia thoni dhe atij që drejton juridikisht opozitën. Dhe keni pasur një rimbursim 6 për qind dhe nuk keni rimbursuar asnjë lekë. Asnjë kokërr leku nuk keni rimbursuar. Pse nuk rimbursuat? Çfarë problemi kishit? Nuk iu lejonte struktura qeveritare? Po ne pse na lejon? 20 për qind e kemi ne TVSH-në e rimbursueshme për fermerët, e bëjmë 8 milionë deri tani. Është formalizim dhe ndihmë e drejtpërdrejtë për fermerin.” Por Ahmetaj nuk lë pa përmendur vitin 2012, vit kur partia socialiste erdhi në pushtet, që sipas tij, “në vitin 2012 varfëria ka qenë në kulmin e vet dhe ka filluar rënia e varfërisë. Rënie modeste, por ka filluar të bjerë varfëria dhe këtë nuk e thotë qeveria shqiptare, këtë nuk e thotë asnjë deputet, këtë e thotë Banka Botërore në raportin e vet të fundit. Banka Botërore thotë se ka rënë varfëria, arriti kulmin në 2012-ën dhe ka filluar të bjerë. 167 mijë vende të reja pune të regjistruara në bordero, ju pëlqen, nuk ju pëlqen juve”, tha Ahmetaj. 
Opzita pa ofertë
Ai tha se: “Po të debatonit për ofertën politike, do të ishim dhe ne në pozicion të vështirë ndoshta-ndoshta, por nuk jemi fare, as komodë nuk jemi, sepse nuk keni një ofertë. Nuk jemi në pozicion të vështirë, sepse nuk keni ofertë dhe nuk jemi prapë më komodë, sepse nuk keni ofertë. Sepse, një opozitë normale do duhej të na kishte vënë ne në pozitë për të përmirësuar operacionet e përditshme qeveritare por edhe politikat, nëse doni. Por nuk e kemi, na mungon. Është disavantazh i madh për një qeveri që të mos ketë opozitë normale që të sjellë ofertë politike dhe ekonomike. Mos e sillni, i tregoni shqiptarëve që nuk jeni gati dhe nuk do të jeni gati për një periudhë shumë të gjatë”. Ahmetaj, u shpreh se Berisha nuk ka pasur guxim të shkoj në Beograd dhe në Preshevë, kurse Edi Rama po. Mes të tjerash Ahmetaj u ndal në frazën e përmendur nga Erion Braçe, “unë nuk e ndiej veten të huaj në Kosovë, dhe nuk është futje hundësh”. Por Ahmetaj ndalet edhe shton: “Po të kishte dëgjuar bota këtë burrin që foli para meje, nuk do të kishte Kosovë të pavarur dhe po qe se do ta kishte lejuar bota këtë burrin që foli para meje të vazhdonte të bënte atë që bëri në ’94-ën, me kontrabandën kundër Kosovës, pro Millosheviçit, rrezik nuk do të kishte as Shqipëri, le më Kosovë. Sepse, nëse faktori shqiptar në të dy shtetet është i fortë, ka vetëm të mirë për faktorin shqiptar”, përfundoi Ahmetaj. 

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 04.12.2015
Sigal