Alarmi i Avokatit të Popullit: 500 mijë prona, të paregjistruara

639
Sigal

Analiza e institucionit: Probleme të mëdha me dokumentacionin për aktet e tokave bujqësore

Alarmi i Avokatit të Popullit: 500 mijë prona janë të paregjistruara

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar një situatë alarmante për sa i përket procesit të regjistrimit të pronave. Sipas Avokatit të Popullit janë rreth 500 mijë prona që kanë mbetur pa u regjistruar në hipoteka. Në analizën e zbardhur nga televizioni SCAN, një prej problematikave më të rënda të konstatuara në procesin e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi është mosplotësimi i dokumentacionit në mënyrë të rregullt, prej ish-komisioneve të ndarjes së tokës, në fshat. Sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit, janë konstatuar parregullsi të rënda në procesin e regjistrimit të marrjes së tokave bujqësore në pronësi, gjë që është penguar në një pengesë masive për regjistrimin e titujve të pronësisë së familjeve përfituese. “Një tjetër çështje e konstatuar në procesin e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi është edhe mosplotësimi i dokumentacionit në mënyrë të rregullt, prej ish-komisioneve të ndarjes së tokës, në fshat. Ky procedim i parregullt, i kryer sidomos prej komisioneve të ndarjes së tokës në fshat në zonën verilindore të vendit, ka penguar regjistrimin rregullisht të akteve të marrjes në pronësi për çdo familje bujqësore, sipas nenit 196, të Kodit Civil, si dhe ka krijuar premisa për konflikte pronësie midis subjekteve”, -thuhet në analizën e Avokatit të Popullit, ku bëhet e qartë se institucionet kompetente, nuk kanë mundësuar ende plotësimin e dokumentacionit të pronësisë edhe pse AKM-ja për kryerjen e këtij procesi, ekziston që prej vitit 2013, por që afati është shtyrë vit pas viti. “Kjo situatë e krijuar dhe trashëguar prej 27 vitesh kërkon impenjimin maksimal të institucioneve përgjegjëse të ngarkuara me ligj, për plotësimin e dokumentacionit si dhe dërgimin e tyre pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Janë 500 mijë prona të ndodhura në 359 zona kadastrale, të cilat ende nuk figurojnë të regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të zyrave vendore”, sqaron Avokati i Popullit.