Aeroporti i Vlorës, procedurë e posaçme për negociatat

955
Qeveria miratoi një projektligj të posaçëm që autorizon fillimin e negociatave me konsorciumin e tre kompanive turke për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. “Qeveria kaloi me procedurë të përshpejtuar një projektligj që do të shkojë dhe në Kuvend lidhur me fillimin e negociatave me një nga konsorciumet me ofertën më serioze për aeroportin e Vlorës. Me këtë i hapim rrugë një prej projekteve më të mëdhenj të infrastrukturës ajrore. Janë tre kompani të mëdha turke që në bashkimin e tyre janë të njëjtat që po ndërtojnë aeroportin e Stambollit, kurse studimi i fizibilitetit për aeroportin e Vlorës është përgatitur nga një kompani amerikane”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Financimi për këtë aeroport, që do të jetë ndërkombëtar, është privat dhe se kostoja llogaritet në 93 milionë euro. “Në vendim parashikohet një grup negociator me përfaqësues nga MIE dhe asaj për Financat dhe Ekonominë, që në një periudhe 90-ditore do të negociojnë për kontratën dhe më pas do të vijohet me nënshkrimin e saj. Ky aeroport nuk do të jetë i vetmi dhe do punojmë edhe për aeroportin e Kukësit. Po kështu po përfundojmë dhe studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës, që do të jetë i orientuar tek turizmi“, tha Gjiknuri. Ministri u shpreh se punimet do të nisin brenda këtij viti, por kreu i qeverisë Rama është shprehur më optimist duke vendosur si afat për nisjen e punimeve qershorin e këtij viti, sigurisht nëse gjithçka do të ecë sipas hapave të parashikuar në vendim.
Sigal