60 mijë biznese çregjistrohen në tatime më 2019

397
Sigal

Shqipëria  ka lehtësuar ndjeshëm në dekadat e fundit regjistrimin e një biznesi në sistemin tatimor, por ndërkohë çregjistrimi është një mision i vështirë që kërkon kohë dhe kosto të shtuara për bizneset e falimentuara. Sipas  të dhënave zyrtare nga tatimet gjatë vitit të kaluar stoku i bizneseve  të çregjistruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit  arriti në 59,288 tatimpagues, ku vetëm për vitin 2019, lanë sistemin 3872, ose 6.5% e totalit. Procesi i çregjistrimit  të tatimpaguesit finalizohet në Drejtoritë Rajonale përkatëse. Sipas tatimeve ky proces tashmë është bërë më i lehtë, pas një marrëveshje mes DPT-së dhe QKB-së. Certifikatat e çregjistrimit të lëshuara nga QKB-ja, aktualisht dërgohen direkt në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve përkatëse në bazë të marrëveshjes së rënë dakord me  e QKB-në, pasi aty do të kryhen dhe veprimet konkrete për çregjistrimin e tatimpaguesit edhe nga Regjistri i tatimpaguesve të DRT-së. Por sipas tatimeve, çregjistrimi mbetet një proces i komplikuar si pasojë e mos përmbushjes së detyrimeve ligjore nga ana e tatimpaguesve, duke mos paguar të gjitha detyrimet dhe dorëzuar të gjitha deklaratat tatimore.

Gjithashtu çregjistrimet vonohen për shkak të mosveprimit të punonjësve të Kontrollit për të vlerësuar deklaratat dhe llogarinë përkatëse të Tatimpaguesit, dhe i mosmiratimit të çregjistrimit nga ana e tyre, për të cilat pengohet çregjistrimi, analizojnë tatimet.

Tatimpaguesi person fizik, i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që dëshiron të çregjistrohet, për çfarëdo arsye qoftë, është i detyruar të paguajë më parë të gjithë detyrimet e tij tatimore  të papaguara. Kërkesa për çregjistrim paraqitet në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas procedurave ligjore përkatëse. QKB-ja nga ana e saj, njofton Drejtorinë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit përkatës, për regjistrimin e hapjes së procedurës së çregjistrimit së personit fizik.

Drejtoria Rajonale e Tatimeve të juridiksionit përkatës, brenda 10 ditëve pune nga marrja e njoftimit për fillimin e procedurave të çregjistrimit, kryen të gjithë verifikimet e duhura lidhur me situatën tatimore të tatimpaguesit,  person fizik, që kërkon të çregjistrohet. Verifikimi përfshin të gjitha detyrimet tatimore, detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat eventuale të lidhura me këto detyrime.

Drejtoria Rajonale e Tatimeve, përveç verifikimit të situatës tatimore të tatimpaguesit person fizik, kur e gjykon të nevojshme, mund të ushtrojë edhe një kontroll tatimor në mjediset e personit fizik ku ai ushtron veprimtarinë e tij ekonomike. Ky kontroll nuk mund të jetë më shumë sesa 30 ditë pune.