Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro në vit për rrugët

578
Sigal

Shqiptarët paguajnë 160 milionë euro taksa për rrugët në vit, Qeveria shpenzon më pak për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e tyre

Në vitin 2018 qytetarët paguan 19 miliardë lekë ose 159 milionë euro taksa direkte për rrugët, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Nga kjo shumë 18.3 miliardë lekë ose 146 milionë euro u paguan nëpërmjet taksës së qarkullimit rrugor, sipas të dhënave zyrtare nga tatimet. Ndërsa rreth 600 milionë lekë ose mbi 4 milionë euro janë paguar taksa direkte nga rruga e Kombit (arkëtimet për rrugën e Kombit janë përllogaritur nga të ardhurat vjetore që përllogarit kompania në kontratë rreth 13 milionë euro. Taksa nisi të mblidhet gjatë tremujorit të fundit 2018), shkruan Monitor. Për të njëjtën periudhë qeveria shqiptare ka harxhuar nga fondet e brendshme buxhetore për ndërtimin e dhe mirëmbajtjen e rrugëve dhe gjithçka që ka lidhje me rrugët 15,4 miliardë lekë (123 milionë euro), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës. Nga kjo shumë 8,1 miliardë u përdoren për të ndërtuar rrugë, 2,1 miliardë lekë u përdoren për rikonstruksion dhe pjesa e mbetur u përdor për të mbuluar emergjencat, për sinjalistike, siguri etj.

Të ardhurat nga taksat e drejtpërdrejta nga rrugët ishin 19 për qind më të larta se shpenzimet nga fondet e brendshme në rrugë.

Vitin e kaluar opinioni publik u përfshi në debatin se barra fiskale me destinacion mirëmbajtjen e rrugëve ishte e lartë, teksa qeveria po vjel taksa direkte në rrugët kombëtare, duke nisur me rrugën e Kombit dhe në plan janë dhe rrugë të tjera kombëtare.

Tatimi që parimisht ka për destinacion mirëmbajtjen e rrugëve dhe që paguhet nga përdoruesit e automjeteve te çmimi i karburantit kalon disa fish nevojat e mirëmbajtjes që kërkon infrastruktura rrugore.

Shqipëria me çmimin më të lartë të naftës në Rajon

Shqipëria ka nivelin e taksimit më të lartë në rajon për naftën, për rrjedhojë vendi ka edhe e çmimin më të lartë të produktit në tregjet e pakicës.

Struktura e të ardhurave tatimore tregon se, TVSH-ja vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në të hyrat publike me 34% të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi të ardhurat personale përbën 22 % të të ardhurave tatimore, Tatimi mbi fitimin zë 22 % të të ardhurave tatimore dhe Taksa e qarkullimit mbi karburantin zë 10% të të ardhurave tatimore.

Së fundmi, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se në shtator qeveria pritet të hapë tenderin për të zgjedhur fituesin për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës dhe pas përfundimit të saj dhe rikonstruksionit të rrugës Tiranë-Plepa, autostrada me trafikun më të madh në vend do të bëhet me pagesë. Pas ndërtimit të rrugës dhe rehabilitimit të Tiranë Plepa, ata që do e përdorin autostradën do të paguajnë me telepass, në bazë të kilometrave që do të përshkruajnë. Balluku shtoi se nuk ka asgjë konkrete për tarifën dhe gjithçka do të vendoset pasi të shihen të gjitha ofertat.

Studimi i KE: Shpenzimet për rrugët janë më të ulëta se pagesat e përdoruesve

Komisioni Europian nëpërmjet programit IPA dhe kompanisë TIEG, që ka dhënë konsulencë teknike për planin e mirëmbajtjes që po zbaton qeveria në studimin e saj konstaton se buxheti i alokuar për mirëmbajtjen e rrugëve është i pamjaftueshëm. Raporti është hartuar në vitin 2016.

Në Shqipëri nga taksa e qarkullimit mblidhen rreth 160 milionë euro në vit, shumë që është mëse dyfishi i kostos vjetore të mirëmbajtjes së rrugëve.

Kompania konsulentë thotë se “shpenzimet aktuale buxhetore për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar janë më të ulëta se, pagesat e përdoruesve të mbledhura (taksat e akcizës së karburantit, taksat e karburantit të qarkullimit”.

Konsulenti thotë se, qeveria shqiptare mbledh taksa për qarkullimin më shumë se nevoja për mirëmbajtjen e rrugëve.

Zhvillimi dhe modernizimi i infrastrukturës së transportit në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Shqiptare.

Po krijimi i parakushteve për integrimin në BE thotë Konsulenti kërkon zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë. Kështu rritja e aksesit të mallrave dhe pasagjerëve në tregti dhe ofrimin e shërbimeve kontribuon dukshëm në rritjen e përgjithshme ekonomike dhe zhvillimin e ekonomi.

Konsulenti vlerëson se prioritet strategjik është përshpejtimi i integrimit të sistemit të transportit në Shqipëri dhe krijimi i një tregu të integruar, i cili përbëhet nga infrastruktura e transportit nga toka (rruga dhe hekurudha), nga deti dhe nga rrugët ujore.

Qëllimi kryesor i zhvillimit të sektorit për periudhën 2015-2020 parashihet të jetë “zhvillimi i një sistemi efikas të transportit, i integruar në rajon dhe në rrjetin e BE, i cili promovon zhvillimin ekonomik dhe cilësinë e jetës së qytetarëve”.

Përkundër investimeve të rëndësishme sidomos në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sektori i transportit ende nuk është bërë një promotor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në Shqipëri, thotë studimi.

Financimi në kohë dhe adekuat i investimeve të programit vjetor dhe afatmesëm mbetet problematik, vëren konsulenti. Për më tepër, cilësia e punëve publike të lidhura me transportin ende nuk është në përputhje me standardet e BE-së.

Konsulenti thotë se, koordinimi i infrastrukturës së transportit me vendet fqinje – vendet e Ballkanit Perëndimor që përbëjnë Shqipërinë, Bosnje dhe Herzegovinën, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi, Serbinë dhe Kosovën duhet të jenë në themel të politikave të transportit në Shqipëri.

Vendet e BE-së kanë miratuar një plan për një zonë të përbashkët të transportit europian drejt një sistemi konkurrues dhe efikas të burimeve të transportit.

Në kuadër të këtij plani deri në vitin 2030, 30% e transportit rrugor mbi 300 km distancë duhet të zhvillojë transportin hekurudhor.

Deri në vitin 2050 duhet të përfundohet një rrjet hekurudhor me shpejtësi të lartë evropiane dhe të ruhet një rrjet i dendur hekurudhor në të gjitha shtetet anëtare. Deri në vitin 2050, shumica e transportit të pasagjerëve me distancë të mesme duhet të jenë me hekurudhë.