RAPORTI EKONOMIK PËR BALLKANIN PERËNDIMOR

824
Sigal

Konsumi, katër qarqe të vendit u varfëruan gjatë viteve të fundit

Konsumi i familjeve në Shqipëri u rrit me vetëm 5.7% mes viteve 2014 dhe 2017, por për 18 për qind të shqiptarëve që jetojnë në qarqet Dibër, Gjirokastër, Lezhë e Shkodër, konsumi i familjeve është shumë më i ulët se sa katër vjet më parë.

 Gjergj Erebara  BIRN 

Rreth 18 % e familjeve shqiptare që jetojnë në qarqet Dibër, Gjirokastër, Lezhë dhe Shkodër, patën konsum familjar mujor nominal më të ulët më 2017, se sa e kishin në vitin 2014, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave. Familjet në Dibër kishin konsum mesatar mujor prej 67 mijë lekësh në vitin 2014 ndërsa në vitin 2017 konsumi i matur nga Anketa e Buxhetit të Familjes të INSTAT ishte pak më shumë se 47 mijë lekë në muaj. Konsumi i familjeve në Dibër ka rënë me 29% në këtë periudhë katërvjeçare dhe ky është rrethi me rënien më të lartë të konsumit në vend. Në Dibër, sipas vlerësimeve të INSTAT jetojnë 121 mijë banorë ose 4.4% e popullsisë së Shqipërisë. Rrethi i dytë me rënie të konsiderueshme në konsum është Gjirokastra. Në vitin 2014, një familje gjirokastrite jetonte me mesatarisht 74 mijë lekë në muaj ndërsa në vitin 2017 konsumi mesatar ra në 62 mijë lekë ose 16% më pak. Familjet e qarkut Lezhë, ku përfshihen edhe Mirdita e Kurbini, kishin konsum prej afro 79 mijë lekë në vitin 2014 ndërsa konsumi i tyre ra në 73 mijë lekë vitin e kaluar me një rënie prej 7.3%. Qarku Shkodër kishte konsum në masën 76,500 lekë për familje katër vjet më parë ndërsa konsumi ra në 73,300 lekë më 2017 me një rënie prej 4.2%. Të tetë qarqet e tjera të vendit njohën një rritje të konsumit përgjatë kësaj periudhe ku rritja më e madhe u shënua në qarqet Korçë, Berat, Durrës e Kukës. Familjet në Tiranë, qarku ku jeton 31% e popullsisë së Shqipërisë ose 884 mijë banorë, patën më 2017 konsum mesatar prej 7.7% më të lartë se sa më 2014. Shqipëria është një vend i pabarabartë sa i përket konsumit sipas qarqeve. Ndërsa konsumi mesatar i familjes në nivel kombëtar ishte në masën 74,400 lekë në vitin 2017, në Tiranë konsumi ishte sa 120% e mesatares kombëtare ndërsa Dibra ishte qarku më i varfër me konsum sa 65% e mesatares. Elbasani është qarku i dytë më i varfër në vend me konsum familjar sa 79% e mesatares kombëtare, pasuar nga Vlora në masën 80%. Anketa e Buxhetit të Familjeve kryhet nga Instituti i Statistikave çdo vit përmes anketimit të rreth 7 mijë familjeve në të gjithë vendin. Ndonëse konsumi është i shprehur në lekë, një pjesë jo e vogël e konsumit të familjeve siç raportohet nga INSTAT nuk blihet me para. Duke qenë se Shqipëria është një vend ku rreth 40% e popullsisë jeton në zonat rurale, INSTAT mat si konsum dhe i jep një vlerë monetare edhe mallrave të prodhuara nga familjet fermere për të mbuluar nevojat e veta. Kështu, ndonëse në Dibër konsumi mesatar i familjes llogaritet në masën 47 mijë lekë në muaj, këtu përfshihen edhe të gjitha produktet bujqësore që fermerët e zonës i konsumojnë vetë. INSTAT raporton të dhënat e konsumit në vlerë nominale. Kjo do të thotë se për të matur mirëqenien reale të familjeve, nevojitet që ndryshimit në përqindje të konsumit minimal t’i heqim normën e inflacionit. Shqipëria ka njohur një rritje anemike të konsumit të familjeve përgjatë të gjithë dekadës së fundit. Në krahasim me vitin 2007, konsumi mesatar i familjeve është rritur në vlerë nominale me vetëm 5.8%, ku familjet që jetojnë në Dibër, Durrës, Elbasan dhe Gjirokastër patën më 2017 konsum më të ulët se sa e kishin një dekadë më parë.

Hetimi tatimor nis zbatimin e planit operacional për tetorin

Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve njofton se ka nisur zbatimin e Planit Operacional përmes strukturave të saj, për periudhën 1-31 Tetor 2018. Qëllimi i zbatimit të këtij plani është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave.

Objektivat kryesorë të tij janë:

Garantimi i përmbushjes vullnetare dhe zbatimi i legjislacionit tatimor;

Identifikimi i tatimpaguesve që përdorin pajisje jo-fiskale në vend-biznes;

Kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet si pika shitje karburanti;

Arkëtimi i borxhit nga tatimpaguesit debitorë

Plani operacional do të zbatohet në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë territorin e vendit dhe më konkretisht, në : Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë. Administrata Tatimore, në asnjë rast nuk ka si qëllim ndëshkimin e tatimpaguesve, por ndërgjegjësimin e tyre për vetëdeklarimet dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.

BB: Qeveria përdori pa kriter propozimet e pakërkuara për koncesionet PPP

Banka Botërore ka prezantuar dje Raportin Ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Në qëndrimet për Shqipërinë, Banka vuri në dukje rreziqet që lidhen me kontratat koncesionare me Partneritet Publik Privat (PPP) që ka përdorur së fundmi qeveria. “Qëndrimi ynë ka qenë në lidhje me përdorimin e propozimit të pakërkuar me këtë intensitet. PPP është një mënyrë për të ekzekutuar një investim publik. Në mendojmë se përdorimi i propozimeve te pa kërkuara është më i lartë se duhet të jetë. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave që ta përdorim sa më mirë këtë instrument”, tha ekonomistja e BB në Shqipëri, Hilda Shijaku. Banka këshilloi se duhet të shikohet racionalizimi më i mirë i investimeve publike në drejtim të eficencës dhe gjithashtu duhen trajtuar me kujdes rreziqet nga investimet me Partneritet Publik Privat. Për sa i përket largimit të Bankave nga Shqipëria dhe të ndryshimeve strukturore, sistemi bankar mbetet një sektor i qëndrueshëm. Megjithatë, autoritetet duhet të mbikëqyrin aktorët e rinj dhe të shmangin konfliktet e interesit. Edhe pse ka pasur përmirësim, sistemi bankar është larg potencialit të kreditimit. Shkalla e rritjes për rajonin e Ballkanit Perëndimor çmohet se është fuqizuar në 3,5% për vitin 2018, sipas këtij Raporti. Perspektiva e rritjes ekonomike të Shqipërisë mbetet pozitive. Rritja vjetore e PBB-së për vitin 2018 parashikohet 4%. Prodhimi i Energjisë Elektrike nga burimet hidrike u dyfishua në gjysmën e parë të vitit 2018. Turizmi po u jep një shtysë eksporteve të shërbimeve. Ndërkohë që investimet private po ngadalësohen me përfundimin e dy projekteve të mëdha të energjisë të financuara nga investimet e huaja. Rritja ekonomike është shoqëruar me krijimin e vendeve të punës. Politika monetare ka mbështetur rritjen, duke ndjekur krahun lehtësues. Në vitin 2018, deficiti fiskal i Shqipërisë parashikohet të ruajë nivelin 2% të PBB-së. Të ardhurat fiskale pritet të rriten me 0.3% të PBB-së. Rritja e të ardhurave nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe taksave kombëtare po kompensojnë arkëtimet më të ulëta se parashikimi i të ardhurave nga TVSH-ja. Borxhi publik pritet që të ulet nga 71.6% në 69.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbiçmimi i kursit të këmbimit pritet të mbajë raportin e borxhit publik ndaj PBB-së në një nivel pak më të ulët se vitin e kaluar. Banka vlerëson se, ritmi i rritjes ekonomike të Shqipërisë parashikohet të ngadalësohet në rreth 3.5% më 2019-2020. Varfëria pritet të bjerë më shpejt gjatë dy viteve të ardhshme duke pasur parasysh performancën e tregut të punës.