Skënder Plasari:Nga filmi “Shtigje lufte”, hoqëm emrin e Kajo Karafilit për të lënë vetëm pseudonimin e Hysni Kapos dhe emrin E

1070
Sigal

INTERVISTA/ Flet skenaristi Skënder Plasari: Kohët ndryshojnë, por  “Kapedani” mbetet kapedan dhe unë jam krenar për të! 

Skënder Plasari është një artist brilant i vendit tonë, por për shkak të modestisë, ai nuk njihet shumë në radhët e figurave artistike. Plasari është skenarist i filmave “Cirku në fshat”, “Kapedani”, si edhe aktor i Estradës së Shtetit. Pa llogaritur këtu mësimdhënien dhe shërbimin si shkrimtar, për skeçet e estradës, apo punës në cirk.  Ai është babai i aktores Sesilia Plasari dhe ka mbi vete një gamë të gjerë krijimtarie, apo përvoje aktoreske. Sot ne i morëm atij një intervistë për ngjarjet dhe detajet  formësuan personalitetin e tij krijues.

  Kush ka qenë momenti i formimit të karakterit tuaj si krijues, por edhe si artist cirku?

Ka qenë periudha kur unë kam qenë ushtar pas përfundimit të shkollës së mesme për fizkulturë. Më caktuan ushtar tek Estrada e Kufirit. Ishte një estradë me profesionistë, por edhe me ushtarë që kishin të dhëna apo prirje për humor apo numra cirku. Unë kisha për numra cirku, por dhe shkruaja pjesë të ndryshme. Aty bëra një universitet më vete. Unë mbarova shkollën 8-vjeçare me rezultate shumë të larta, por më caktuan të shkoja në shkollën teknike. Nuk shkova, s’e kisha qejf. Shkova një vit në punë dhe mandej shkova në shkollën e mesme të fizkulturës.

 Po universiteti është në kohëzgjatje më të madhe…

Eh, unë në ato vite kam bërë plot 40 muaj ushtri, pra 3 vjet dhe katër muaj. Ishte koha e kundërrevolucionit në Hungari dhe ushtria kaloi në gatishmëri numër një. Pra ne të gjithëve të asaj moshe na shtynë ushtrinë dhe 4 muaj. Ishte shumë e vështirë, por atëherë ne na dukej heroizëm që të vepronim apo të ecnim në gjurmë të tilla. Për katër vjet s’kemi lënë repart ushtarak të kufirit pa shkuar. Nga Vermoshi në Konispol kemi shkuar disa herë.

 Edhe tashmë po flitet shumë për filmin “Shtigje lufte”, si të lindi ideja për atë skenar?

 Jo rastësisht.  Ideja ishte e një shkrimtari që kishte qenë në luftë, Safet Kurtit. Ai në një bisedë më hodhi idenë e një skenari filmi mbi librin që ai kishte bërë si monografi për Kajo Karafilin. Pra, ai do të ishte si personazh i filmit.  Pikërisht bëhet fjalë për filmin “Shtigje lufte”! Një film interesant.  Kajo Karafili atëherë mbahej si një nga atentatorët më të mëdhenj. Kishte bazë reale ai skenar. Në fillim i thashë Safetit që ti e ke gati skenarin bëje vetë. Jo më tha, s’di të bëjë skenarë, ndaj dua që ta bësh ti, madje, po deshe, vendos vetëm emrin tënd. Pas shumë diskutimesh pranova. Lënda ishte gati duhej pak përpunim. Unë jam bashkëskenarist në këtë film.  Por më vonë ndodhi diçka  që s’më pëlqeu.

Çfarë ndodhi?

Ideja jonë ishte që të kishte një hero pozitiv që kishte emër në luftën nacional-çlirimtare. Por atëherë skenari kalonte në disa filtra. Nuk u pranua që të dilte heroi pozitiv, pra një hero, apo konkretisht Kajo Karafili.  Nuk duhej që ai të identifikohej si personazh kryesor me emër.  Të hiqej emri i Kajo Karafilit si personazh kryesor më vete. Pati një ndryshim në skenar, ku në plan të parë duhet të dilte heroi masovik, heroi i përbashkët, heroi popullor. Pasi në luftë një hero duhej të kishte dhe ky duhej të ishte Enver Hoxha. Filmi në kohën që u realizua u vlerësua maksimalisht, por unë edhe sot jam i mendimit që dhe regjisori nuk bëri atë ç’ka mendonte. Nuk u gjet ajo përputhja në ide dhe në veprim dhe kjo jo për mos dëshirën tonë, por të ndërhyrjes nga komisioni i vlerësimit për ndryshime në tekst, në skenar. Ne kishim tjetër ide si skenaristë.

 Mbase të qenit në këtë estradë dhe mandej në Estradën e Tiranës ju nxitën të bënit skenarin e filmit “Cirku në fshat”?

 Sigurisht. Më bënë një kërkesë për këtë skenar filmi. U mendova dhe mandej vendosa. Realizimi erdhi në saje të njohjes që kam pas me këtë lloj veprimtaria. Atë kohë cirku ynë ishte i padiskutueshëm më i miri në rajon. Ne realizonim numra nga  më të vështirët.

Do thoja dy nga skenarët e kinokomedive si “Odisea e tifozëve” dhe “Duke kërkuar pesë orarshin”. Dy skenarë që për mua nuk u ngjitën në skenë në idenë e mendimit apo të skicëidesë time. Kjo gjini është e vështirë pasi humori kërkon më shumë punë dhe gjetje si nga ana e regjisë edhe e skenaristit, pasi nuk është e lehtë të bësh të qeshësh një publik të kulturuar.

 A patët ndonjë skenar në regjimin komunist që nuk u vu në skenë?

Po, ishte skenari filmit “Dënimi me vdekje”. Ishte një film realist që nuk e di përse nuk u xhirua. Atëherë s’merrej vesh e vërteta.

 Pengjet e mia nuk mbarojnë. Po. Kam një skenar shumë interesant. Flet për ndihmën e madhe që i ka dhënë populli ynë ish- ushtrisë italiane në Shqipëri, pas kapitullimit të fashizmit. Shumë ushtarë u inkuadruan në radhët e luftës nacional-çlirimtare, por shumë të tjerë u mirëpritën nga familjet shqiptare. I pritën dhe i strehuan. Shumë prej tyre filluan edhe të punojnë nëpër familje. Në atë kohë ne familjarisht ishim në Qeparo. Unë isha i vogël dhe në një pyll aty afër pashë një ushtar italian të fshehur. U thashë në familje dhe ne e ofruam në shtëpi. Ai ishte kirurg. Në Qeparo hapi një dhomë si infermieri. I ndihmonte shumë fshatarët. Por pas thirrjes që bënë anglezët që ushtarakët e lartë italianë do t’i merrte një nëndetëse që do vinte në zonën e Himarës ai donte të largohej. Largimi qe fatal pasi nëndetësja ishte gjermane dhe i vrau të gjithë ata që kishin mundur të afroheshin në vendin e pritjes.

 Ka ndonjë mesazh interesant?

 Sigurisht, në qendër të veprës qëndron humanizmi i pashembullt i popullit shqiptar. Një humanizëm që pak popuj mund ta kenë bërë në luftë. Popujt janë viktima të politikës s’janë ata nismëtarët e luftërave.

 Përse nuk u realizua ky skenar?

 (Qesh). Pasi komisioni i aprovimit e quajti humanizëm borgjez. Humanizëm, i cili nuk duhej të përmendej. U çudita. Si mund të ndahej humanizmi në socialist apo borgjez?!

 Po sot a e ke paraqitur  në institucionet filmike këtë skenar?

 Jo. Por para disa vitesh ja dhashë për ta lexuar një profesori të aktrimit nga SHBA. Ai jep mësim në Universitetet europiane të përgatitjes së aktorëve. Ai e mori dhe e lexoi duke më dhënë vlerësime dhe duke shfaqur habi pse është lënë pas dore. Ky është fati i këtij skenari.

 E keni peng këtë skenar?

 Sigurisht. Ka ngjarje, ka dialog. Ka hapësirë. Ka mesazh. Por vetë koha e ngjarjeve është interesante. Dihet tashmë se çfarë gjurme kanë lënë tek popujt Lufta e Dytë Botërore.

 Kur e shikoni pas kaq vitesh a mendoni se do duhej të ndryshonit diçka tek “Kapedani”?

 S’e besoj. Për skenarin e atij filmi kam punuar me shumë përgjegjësi. Ka dhe skenarë që them me të vërtetë që duhen bërë ndryshime, por jo tek Kapedani. Me kohën ngjarjet sjellin tjetër atmosferë, të tjera këndvështrime. Koha bën që shumë skenarë t’i mendosh ndryshe. Por “Kapedani” mbetet kapedan.

 Gjatë xhirimit a është hequr ndonjë pjesë nga skenari që ju parashtruat?

 Vetëm një pjesë e vogël. Mund të ishte një moment disa sekonda, kur Kapedanit do t’i lanin këmbët. Kjo u hoq për arsyen se Kapedani do të dukej si Pashallarët dikur. Por kjo nuk ndikoi në cilësinë e filmit.