Dr. Jani Basho, themelues i shërbimit mjekësor ushtarak dhe drejtor i pare i spitalit ushtarak të Shqipërisë

1077
Sigal

Dr. Jani Basho u lind në Pogradec në vitin 1892. Mbaroi me rezultate të shkëlqyera gjimnazin grek dhe gjimnazin turk në Manastir. Është studenti shqiptar që fitoi vendin e parë në  Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Vjenës në vitin 1914. Një vit para se të mbaroje fakultetin më 28 nëntor 1920, studentët e Shoqërisë Studentore shqiptare “Albania” të Vjenës e zgjedhin Kryetar të tyre dhe njëkohësisht kryeredaktor të revistës “Djalëria”, organ i kësaj shoqërie. Shkrimet e tij në këtë revistë janë me një frymë të theksuar atdhetare dhe përcjellin mesazhe të qarta lirie dhe drejtësie. Punon për 13 vjet deri në vitin1927 si kryekirurg në spitalin e Vjenës, duke gëzuar respektin e kolegëve mjekë austriakë. Në vitin 1927, vjen përfundimisht në Shqipëri. Emërohet  Drejtor i Përgjithshëm i  Shëndetësisë  Shqiptare që ishte në rang ministri, se Shëndetësia  nuk kishte ministër në atë kohë. Detyrë  tjetër;- ishte mjeku personal i Mbretit Zog . Është themelues i shërbimit mjekësor ushtarak dhe drejtor i parë i spitalit ushtarak të Shqipërisë në vitet 1928 deri në1935. Themelues i shërbimit shkencor të obstetrikës dhe gjinekologjisë në vendin tonë në vitet 1948 deri1956. Nismëtar për ngritjen e institutit të lartë mjekësor në Tiranë dhe i shkollës së parë të mamive në Tiranë. Momentet kulmore të jetës së tij janë refuzimi për të qëndruar në spitalet e Vjenës apo diku tjetër nëpër botë, përpjekjet  titanike dhe të mundimshme për të ngritur mjekësinë e re shqiptare, peripecitë dhe goditjet nga sistemi diktatorial e të tjera ngjarje, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e lartësojnë këtë figurë shembullore.  Albert  Ajnshtajn ka ardhur në Shqipëri në vitin 1932 dhe është pajisur me pasaportë shqiptare nga Mbreti me të cilën iku në Amerikë se përndiqej nga nazistët. Roli i Jani Bashos në këtë çështje është kyç për faktin se njihej aq mirë me mjekët hebrej në Vjenë të cilët  ja kanë kërkuar vetë pajisjen me pasaportë Ajnshtajnin duke ditur lidhjen e tij me mbretin.

Filmi

Për këtë figurë të madhe të mjekësisë shqiptare të lënë në harresë, regjisori i mirënjohur Esat Teliti ka realizuar një film dokumentar shumë interesant. Filmi “Sa kam shpirt, kam shpresë”  është një himn për jetën e mjekut që nuk kurseu asgjë për njerëzit përpara çdo lloj vështirësie. Bashkëkohës dhe mik i Aleksandër Mojsiut, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Eqerem Çabejt, njeriu që solli Albert Ajnshtajn në Shqipëri, që solli projektet nga Vjena dhe ideoi ndërtimin e Spitalit Civil Nr.1 dhe atij Ushtarak Nr.2 në vitet 1929-1932, është lënë tejet në harresë. Idealizmi i bindjeve dhe dashuria për atdheun, përkushtimi i jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë dhe ndaj njerëzve, e bëjnë figurën e Dr. Jani Bashos tepër interesante dhe të veçantë në këtë film shumë kualitativ.  Dr. Basho, është i pari shqiptar që luftoi me mish e me shpirt për të sjellë perëndimin në Shqipërinë gjysme feudale. Filmi është jeta dhe drama intelektuale e një brezi të tërë studentësh të shkolluar në perëndim. Jeta e tij e vënë tërësisht në shërbim të atdheut dhe mjekësisë, është një mesazh i madh që duhet të njihet nga të gjithë shqiptarët.

Albert Z. ZHOLI