“Universiteti i Tiranës, pasuria më e madhe që kanë shqiptarët”

608
Sigal

INTERVISTA/Flet rektori i Universitetit të Tiranës, profesor doktor Dhori Kule

Edhe pak kohë na ndan nga fillimi i vitit të ri akademik 2012-2013 dhe, si kudo, por më tepër në institucionin më të madh arsimor të vendit, në Universitetin publik të Tiranës ndihet një angazhim i jashtëzakonshëm për t’u vënë sa më mirë në gatishmëri. Për rektorin universitetit, simbolin institucional të kësaj pasurie të madhe që kanë shqiptarët, kjo është periudhë më e vështirë dhe më e rëndësishme. Po ja çfarë thotë ai më tej.

 Keni marrë titullin “Qytetar Nderi”, i Sarandës, Kukësit dhe Çairit në Shkup të Maqedonisë, çdo të thotë kjo për ju, Prof. Kule?

Qenia “Qytetar Nderi” është një përgjegjësi e madhe, për mua dhe për Rektoratin e Universitetit të Tiranës, por mbi të gjitha, është ajo që unë e ndjej. Që ne shqiptarët jemi popull me kulturë të vjetër, të trashëguar, që, veç të tjerave, shfaqet në këto dy cilësi shumë njerëzore. Dëshira dhe dashuria për arsim dhe shumë njerëzore. Popujt barbarë nuk e duan Arsimin. Ne këtu dëftojmë që jemi popull me kulturë dhe duam arsimin. Kemi edhe një veti tjetër, që janë të tjerët që na e vënë në dukje këtë veti, jo ne vetvetes. Sepse është e brendshme.

Cila është ajo?

Është mikpritja, një cilësi tepër humane e njerëzore që tregon, krahas faktit real që, kudo të gërmosh në Shqipëri gjen kulturë, të mbuluar me baltë në shumë raste, por të shfaqur këtë kulturë, na dedikon këto dy tipare, shumë të rëndësishme, të karakterit të kulturës së  lashtë që shqiptarët e kanë. Mikpritja dhe dëshira për arsim. Mua më vjen mirë që jam pjesë e kësaj “industrie” që  është prioritare dhe duhet të bëhet e tillë, është një përgjegjësi, në të ardhmen, në shërbim të integrimit, të provokimit e të progresit të kombit tonë.

Para pak kohësh u miratua edhe abetarja e përbashkët  e një kombi. Jemi edhe në 100 -vjetorin e Pavarësisë. Ju keni edhe një rol të veçantë si rektori i Universitetit të Tiranës, çdo të thotë për ju ky 100 -vjetor i Pavarësisë, që jeni edhe qendra e Arsimit shqiptarfolës?

Në pikëpamje të punës, në linja integrimi, përsëri, Arsimi ka një avantazh në krahasim me sektorët e tjerë të jetës. Arsimi, edhe në kohën kur Shqipëria ishte në kohën e diktaturës komuniste, përsëri ishte sektori që nuk kishte nevojë për viza. Dija nuk njeh kufi. Dija përçon dhe komunikimi që realizohet nëpërmjet arsimit është e tillë që i paraprin gjithë sektorëve të tjerë, në procesin e integrimit. Në këtë kuadër, meqë ne jemi në 100- vjetorin e Pavarësisë, dhe bëhet bilanci i ecurisë dhe i përpjekjeve të popullit  e kombit tonë, në procesin e integrimit në bashkësinë rajonale dhe evropiane, kjo do të jetë e suksesshme, por në radhë të parë ne punojmë të integruar me veten tonë.

Duke qenë në të tilla kontakte, çfarë ndjesie ju kanë lënë ata në vlerësimin që i bëjnë Universitetit të Tiranës?

Respektin e madh që kanë për Universitetin e Tiranës. Ata mund të bëjnë doktoraturat e tyre kudo në Europë, por faktin që zgjedhin universitetin e Tiranës, është një përgjegjësi e madhe. Është një besim i madh i tyre dhe një përgjegjësi e madhe për ne. Unë procesin e bashkëpunimit akademik, ndihmës reciproke me universitetet tona e shikoj si një prioritet parësor.

Ç’do të thotë për ju, prof. Kule, bota akademike?

Bota akademike është një nga botët më të bukura, që nuk e ndaj me asnjë tjetër. Është njësoj si të jesh në majë të Tomorrit dhe na atë fuqinë, madhështinë, bukurinë që të jep qenia në malin e shenjtë. Bota akademike ka një fushë të lirisë së veprimit, ku secili e shpreh këtë liri veprimi në të gjithë përmasat, që ai vet ka individualisht.  Bota akademike, puna në fushën e arsimit ka edhe një tipar tjetër, që tani ka filluar të bëhen edhe komente të keqinterpretuara. Është fjala se, cili është institucioni që ka përgjegjësinë për arsimin. Është shteti apo tregu. Keni dëgjuar që sikurse flitet, tregu është rregullator në ekonomi, në financë, në banka, me media, etj., po kështu përpiqen persona që flasin për interesa të tyre, që të  prezantojnë që edhe në fushën e edukimit, tregu ka fuqinë ta bëjë  këtë rregullim.

Lidhur me gjuhën angleze, a i kemi studentët të tillë që mund ta ndjekin mësimin në gjuhën angleze?

Edhe këtu ka një fakt pozitiv. Mesa jam informuar, në Maturën Shtetërore, ndërsa vitin e kaluar, kanë kërkuar që të futen në privimin e zgjedhjes të gjuhës angleze 2.000 studentë, sivjet janë 14.000 studentë. Shqiptarët kështu do të kenë një aftësi konkurruese në tregun e punës  rajonal, jashtëzakonisht të lartë. Nga jashtë, bota akademike duket e vështirë, por ata që janë brenda kësaj bote të magjishme  akademike, ndjejnë shijimin e kënaqësisë e bukurisë së veçantë.

Si janë raportet midis pedagogëve dhe studentëve në auditorët e universiteteve? Ju keni ditur të ndërtoni raporte, sa zyrtare por edhe qytetare, etike dhe morale me studentët tuaj…

Po përpiqemi të çlirohemi nga skemat e vjetra pedagog-student, që sa vjen e bëhen më perëndimore, në kuptimin që në skemat e mëparshme ishte që pedagogu ishte ai që dinte çdo gjë. Studentët e pedagogët jashtë auditorit, duhet të jenë edhe shokë, edhe miq, në auditor janë të ndarë, me një sjellje të karakterit, të komunikimit shkencor. Qëndrimi autoritar i pedagogut ndaj studentit është dobësi e pedagogut. Autoritetin nuk mund ta vendosësh me fuqinë e notës. Autoriteti vendoset me fuqinë e dijes. Eliminimi i pushtetit të notës ka mekanizma me të cilat bëhet. Ne po përpiqemi tani, në kurrikulat e universitetit tonë të mos e lëmë vlerësimin e studentit vetëm në provim, por të jetë vlerësim i vazhdueshëm, gjatë gjithë vitit, rezultati në fund të jetë një shumatore e vlerësimit të punës gjithëvjetore të studentit. Mua më kanë quajtur rektori i studentëve, jo për efekt populist, por jam përpjekur  gjithmonë të shikoj e të heq pengesat administrative, jo efektive në punën tonë. Unë e di që pengesat administrative mund të degjenerojnë në abuzivizëm e  korrupsion. Dua që të lëvrojë logjika cilësore. Bile në mbledhjen e fundit të senatit, diskutuam propozimin e studentëve të mjekësisë, të heqim disa pengesa administrative të studentëve të mjekësisë në vitin e katërt e të pestë.

Profesor, cilat janë përgatitjet për vitin akademik 2012-13?

Universiteti i Tiranës, përsëri  vazhdon me logjikën e mbajtjes së masivizimit. Për nivelin bachelor do të kemi 6.200 studentë të rinj, për sistemin master, do të kemi 4.000 studentë, kemi doktoratura, kemi sistemin par-time. Rreth 13.000 studentë do të ulen në bankat e universitetit.

Si do t’i përballoni elementët e tjerë të infrastrukturës? Ministria e Arsimit, një pjesë të auditorëve, po falen, ose jepen me qira. Si është puna?

– Ta sqarojmë edhe këtë. Është pyetja në kohën e duhur.  Nga pikëpamja e infrastrukturës, universiteti i Tiranës, për fat të mirë,  ka miratuar projektin e kampusit, është futur në procesin e miratimit nga qeveria shqiptare, në Komitetin e Zhvillimit Rajonal, është miratuar një fond për kampusin e UT-së.  Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të zhvillimit të arsimit të lartë shqiptar.  Zhvillimi i kampusit të UT zgjidh shumë dilema e probleme për infrastrukturën, por kampusi do kohën e vet. Në kushtet që jemi, përsëri kemi nevojë, me gjithë ndihmën që na është dhënë. Vitin e kaluar, dua t’ju bëj me dije që me ndihmën e Kryeministrit, na është dhënë ish-NPN-ja, e cila do ta përshtatim për fakultetin  e shkencave sociale. Kjo është një zgjidhje shumë e rëndësishme, për momentin.  Por kemi problem fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku studentët e informatikës, numri i tyre është shtuar, që tregu i do, kemi akoma probleme në infrastrukturë. Senati i UT-së mbajti një qëndrim në lidhje me një lajm , që e kemi marrë nga mediat. Bëhet fjalë për konviktin  e gjuhëve të huaja, me një sipërfaqe 3,500 metra katror, është pjesë e ngjitur me fakultetin e gjuhëve të huaja. Në qoftë se ky objekt nuk do të duhet për nevoja të tjera të fushës së arsimit, atëherë është mëse normale, s’ka nevojë për interpretime dhe konceptime, detyrimi dhe përgjegjësia është që ky konvikt të kalojë nevojat tona. Senati mori vendim dhe më autorizoi që t’i drejtohemi edhe Kryeministrit të vendit për ta zgjidhë këtë problem.  Kam bindjen e plotë, që, sikurse na ka mbështetur dhe na ka zgjidhë për shumë probleme të tjera, edhe këtë radhë, Kryeministri do ta mbështesë këtë kërkesë tonën. Po t’i kalojë ky objekt universitetit të Tiranës, në vitin tjetër akademik, nga pikëpamja infrastrukturore, ne lehtësohemi shumë për të zgjidhur problemet e ambienteve të mësimit, megjithëse, ne i shfrytëzojmë maksimalisht këto. Me ç’kam ndjekur nga media, është problem edhe nga pikëpamja e qirasë, e po diskutohet, e po qe se janë të vërteta ato që thuhen, dyfishin e atyre çmimeve ia japim ne Bashkisë së Tiranës, si universiteti publik i Tiranës. Po të jetë keq Bashkia për 300 lekë/metri katror, ia japim ne, si universiteti i Tiranës.  Unë nuk di të jetë kjo situatë në Bashki, se unë jam njëkohësisht, edhe kryetari i Komisionit Ekonomik dhe të financës,  në Bashki. Në qoftë se ka ndodhur ndonjë lapsus i tillë, kam bindjen, do ta zgjidh, ndërhyrja e Kryeministrit. Po qe se nuk përdoret për nevojat e zonës, për ndonjë shkollë 9-vjeçare, apo shkollë të mesme, e marrim ne. Nuk ka nevojë për shumë komente, situata është shumë e qartë për çdo shqiptar.  Nuk mund të gjejë asnjë element normaliteti dhe justifikimi që një objekt publik të mos i kalojë një institucioni publik kaq i rëndësishëm, sikurse është UT-ja. Hapësira të tjera për institucionet arsimore jo publike, ka sa të duash, ata kur futen në treg, futen me fondet e tyre dhe i kanë ato, kam bindjen që qeveria do ta shikojë me përparësi këtë temë.

Raportet midis shtetit dhe tregut në arsim dhe kulturë

Sepse edukimi nuk është rregullatori i shtetit. Është funksion bazë. Pra, shteti në momentin që do të thotë, që këtë funksion, do t’ia lë tregut, shteti ka dështuar. Duke u dhënë vendin që u takon shkollimeve jopublike, edukimi është përgjegjësi e shtetit dhe universitetet publike, janë prioritet absolut i politikave arsimore shtetërore. Nuk ka përse të ketë ngërçe, për hir të ca interesave të caktuara, të momentit, të politikave, të interesave pragmatiste që politika  të bëjë kompromis me këtë industri prioritare, afatgjatë, e cila do të ketë pasoja negative për perspektivën e zhvillimit. Në vendet e zhvilluara janë të zgjidhura të tilla probleme që arsimi i ka paraprirë zhvillimeve ekonomike, si në SHBA-të, Gjermania, Anglia. Gjitha Evropa e ka të qartë rolin që duhet të mbajë në prioritetin e zhvillimi të arsimit, në përgjithësi, e sidomos të lartë, në veçanti. Fenomeni që shfaqet në Shqipëri nuk është vetëm i yni, është fenomeni i Lindjes, është një dukuri që shfaqet nga mosmaturimi i institucioneve dhe shpesh, duke qenë se institucionet nuk janë të maturuara, fillojnë edhe justifikimet, edhe sofizmat, edhe “teorizimet” për të thënë, që arsimi privat është më i mirë se arsimi publik. Absolutisht, jo! Shteti ka për detyrë atë që ka prioritet të tij, arsimin publik, të mos pengojë arsimin privat. Shkalla e diferencimit është shumë e thjeshtë. Në momentin që mbaron matura shtetërore, studentët më të mirë vijnë në universitetet tona publike. Dhe pedagogët më të mirë, pa dyshim që i kemi ne. Mendësia që të godasim universitetet publike është një mendësi shkatërruese, dhe këtu një përgjegjësi të madhe kanë strukturat qeveritare. Fuqizimi i universiteteve në përgjithësi dhe i universitetit të Tiranës në veçanti, është i një rëndësie kapitale për vendin. Kam një lajm të mirë, për universitetin e Tiranës, për vitin e ardhshëm akademik. Universiteti ynë do të ofrojë module, kurse universitare, në gjuhën angleze. Unë kam kërkuar që të marrim informacione, se cilët pedagogë kanë mundësi që mësimet, modulet e tyre, t’i ofrojnë drejtpërdrejtë në gjuhën angleze. Më vjen mirë, që reagimet, rezultatet zyrtare që po më vijnë janë mjaft pozitive. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, janë 70 pedagogë, që mund ta japin mësimin drejtpërdrejtë në gjuhën angleze.  

Vlerësimet: Nuk nderohem unë, nderohet arsimi shqiptar

Vlerësimet si “Qytetar Nderi” i Sarandës, Kukësit dhe tashmë së fundmi i Çairit të Shkupit, në Maqedoni, unë nuk e shikoj si një vlerësim që qytetarët e qyteteve të Sarandës, Kukësit dhe së fundi edhe Çairi në Shkup të Maqedonisë i bëjnë Dhori Kules. Ky është një sensibilitet, një ndikim dhe një perceptim shumë i madh i atij vlerësimi që shqiptarët kanë brenda vetes. I vlerësimit që shqiptarët i bëjnë Arsimit. Respekti që i bëhet kontributit im, është një  mesazh mjaft i rëndësishëm i asaj vlere të shfaqur dhe të fshehur, që ne shqiptarët e kemi në gjene. Dëshira dhe dashuria për arsim, si një prioritet absolut, në situatën e tanishme, në konkurrencën për të qenë atje ku realisht duhet të jenë shqiptarët, konkretizuar edhe në këtë lloj vlerësimi që i kanë rektorit të Universitetit të Tiranës, simbolin institucional të Universitetit, të kësaj pasurie të madhe, që shqiptarët kanë fatin ta kenë, si një institucion të mësimit e kërkimit, i vlerësuar brenda dhe jashtë Shqipërisë.

“Autostrada” e dijes, Tiranë, Shkup, Prishtinë

Universiteti i Tiranës e ka marrë prej kohësh një iniciativë të tillë, të natyrshme, ne kemi krijuar në vitin 1999 Lidhjen e ekonomisë bashkëshqiptare, ekonomisë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e Diasporës. Pra një eveniment për të dëftuar që shkenca, arsimi, dija punojnë në mënyrë të përbashkët. Gjithashtu, në vitin 2008, në Kukës, para se të vinte autostrada reale e Kombit, neve i paraprimë me “autostradën” e dijes. U krijua rrjeti i universiteteve shqipfolës. Këtë mesazh, të bashkëpunimit midis nesh, të mbështetur maksimalisht nga qeveria shqiptare, unë e kam ndjerë që në strukturat akademike të universitetit të Tiranës, është e mirëpritur. Atë fazë të parë që kemi kaluar, ne e mbajmë mend, por më shumë e mbajnë mend shqiptarët në Kosovë, vendimin e dërgimit të mësuesve të parë nga Shqipëria që punuan në Kosovë dhe Maqedoni. Ata mësues, janë simbol i fuqishëm i përcjelljes së dijes dhe flasin me shumë respekt  në Kosovë e Maqedoni, për mësuesit, sidomos ata të Normales, që u instaluan në trojet shqiptare. Shqiptarët e këtyre trojeve kanë nevojë  prej nesh, për një cilësi tjetër. Kanë nevojë të kualifikojnë stafet e universiteteve të tyre. Dhe në këtë kuadër, mua më vjen mirë, e kam mbështetur dhe do ta mbështet edhe në të ardhmen, që, veç marrjes të studentëve që vijnë nga trojet shqiptare, të kualifikojmë edhe stafet e universiteteve shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë. Para një muaji ne nënshkruam një marrëveshje me universitetin e ri publik të Prizrenit, po operojmë edhe me universitetin e Tetovës. Kjo, veç të tjerash, dëshmon edhe besimin e tyre ndaj Universitetit të Tiranës.