Ermir Dizdari: Operën “Bijtë e Skënderbeut”, Enver Hoxha e vlerësoi në mënyrë të veçantë

702
Sigal

INTERVISTA/  Flet “Mjeshtri i Madh”, dirigjenti Ermir Dizdari: Rita Marko ka qenë Sekretari i Parë që e donte shumë artin

Një njeri energjik, i sinqertë që gjithë jetën ja ka kushtuar muzikës. Muajt e fundit ai ka marrë titullin “Mjeshtri i Madh”, por megjithatë ai mbetet po aq modest dhe i thjeshtë si më parë. I përket brezit të parë të dirigjentëve të përgatitur në Shqipëri, ku sipas tij përgatitja ka qenë e një niveli të lartë, pasi pedagogët e tij kishin mbaruar në shkollat më të mira të Rusisë, Çekisë, Hungarisë, Rumanisë.

 Kur ka filluar për herë të parë shkolla shqiptare e dirigjimit?

Kjo shkollë ka filluar në Janar të viti 1962  me hapjen e Konservatorit shtetëror të Tiranës. Dirigjentët që kishin përvojë apo që ishin më të njohurit në atë kohë, që kishin studiuar të gjithë jashtë ndër shkollat më të mira, ishin dhe pedagogët tanë.

Pra ti je në brezin e parë të dirigjentëve  në Konservatorin shqiptar?

Po unë bëj pjesë në atë plejadë që përfshihen në brezin e parë të dirigjentëve të përgatitur apo të mësuar në Shqipëri.  Gjithsej ne ishim 10 studentë që inauguruam këtë degë. Mbaruam në vitin 1966.

Qysh në hapjen e saj po përgatiteshin disa lloj dirigjentësh, si dirigjent orkestre, orkestre frymore, dirigjent kori. Pra që në fillimet e saj kjo shkollë hapi të gjitha degët e dirigjentëve, që t’i përshtateshin kërkesave të vendit.

 Cilët ishin pedagogët tuja të parë?

Midis tyre unë do të  veçoj Mustafa Krantjen,  Rifat Teqja, Milto Vako, Simon Gjoni. Të katër këta ishin mjeshtra të dirigjimit që kishin mbaruar shkollat jashtë me rezultate të shkëlqyera.  Madje, doja të thoja se ata kishin bërë emër që në fillimet e tyre në këtë profesion.  Milto Vako dhe Rifat Teqja kishin mbaruar në Konservatorin e Moskës, Simon  Gjoni në Konseravtorin e Pragës, Mustafa Krantja që ishte njëkohësisht dhe violinist i shkëlqyer  kishte mbaruar sërishmi në Pragë.

 Më vonë a u rrit numri i studentëve në Konservator për dirigjent?

Sigurisht. Për  çdo vit u rrit numri i studentëve duke pasur parasysh kërkesat. Pasi kërkoheshin dirigjentë dhe për bandat,  bandat e rretheve, por edhe për orkestrat këtu në Tiranë dhe orkestrat e rretheve.

 Para se të vinit në Konservator, a kishte shkolla për parapërgatitjen muzikore të studentëve?

Po, në fillim ishin shkollat 7-vjeçare të muzikës, por të cilat më vonë u bënë shkolla të mesme të muzikës,  ku duhet të përmend Shkodrën, Durrësin, Elbasani dhe Korça. Pra katër shkolla të mesme të muzikës, në qytete kryesore të cilat morën fytyrë në fillim të viteve 1970. Këto shkolla dhe ato 7-vjeçare kishin lëndët kryesore të muzikës, violinë, piano,  violonçeli dhe nga klasa e pestë, fillonin dhe instrumentet e frymës, si flaut, klarinetë, apo fizarmonika, kitara, etj… Fillimet e viteve 1970 në të 27 rrethet, aq sa ishte ndarja administrative e Shqipërisë,  e gjetën Shqipërinë me 27 shkolla 7-vjeçare të muzikës, që nga Kukësi Tropoja deri në Sarandë. Kryesisht mësoheshin lëndët që thashë më lart.  Pra ndërsa 4 qytete kryesore shkollat e muzikës nga 7-vjeçare i bënë të mesme. Në vite të ndryshme u bënë dhe 5 shkolla të tjera të mesme të muzikës siç ishin Fieri, Vlora, Gjirokastra, Berati dhe në Peshkopi. Edhe Konservatori në të gjithë këto vite, duke ndryshuar dhe emrin ka nxjerrë mjaft kuadro si  kompozitorë, dirigjent, muzikologë (teoritikë).  Kështu  doli një trupë pedagogjike mjaft e kualifikuar.

  Kishte ndonjë veçori në  zgjedhjen e godinave të këtyre shkollave?

Sigurisht, duke pasur parasysh që do jepeshin koncerte, zgjidheshin që godinat të ishin sa më në qendër të qyteteve. Madje, godinat do të ishin më të mirat e asaj kohe.

 Kush ka qenë në  grupin tuaj të parë të përgatitjes së dirigjentëve?

 Ishim dhjetë vetë si më poshtë: Ferdinand Deda, unë, Kristofor Xhokaxhiu, Andon Qirko, Syri  Rroi, Fatmir Foçi (dirigjent i Bandës së Ushtrisë),  Sotiraq  Nimali, Kristaq Qirko.

Po Eno Koço?

Eno Koço ka ardhur më mbrapa, pasi në fillim ka studiuar për violinë dhe pas disa vitesh  u regjistrua në klasën e dirigjimit me Simon Gjonin, pasi  bëri lëndët plotësuese të dirigjimit dhe përfundoi studimet për dirigjent, ku dhe punoi pjesën më të madhe të jetës.

 Si ka qenë shkolla jonë e dirigjimit?

Jo vetëm dirigjimi, por të gjitha degët e Konservatorit të Arteve kanë qenë mjaft të mira. Vetë fakti ka treguar se  jo vetëm këtu, por të gjithë ata që kanë studiuar për vegla muzikore,  dirigjentët, etj., kanë zënë vende të mira në të gjithë vendet e botës, ku kanë shkuar. Kjo pasi pedagogët tanë kishin mbaruar në shkollat më të mira të Europës, si në Rusi, Çeki, Leningrad,  Berlin, Varshavë që edhe sot janë shkolla me emër. Ne kishim shumë kërkesë llogarie në shkollë, shumë disiplinë por edhe bazë materiale kishim.

 Mbasi mbaruat Konservatorin ku ju caktuan?

Fill pas studimeve mua më caktuan në Durrës, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” dirigjent dhe përgjegjës muzike. Kështu e kishte organika në atë kohë. Pallati i Kulturës në strukturën e aktiviteteve që bëheshin kishte në program Festivalet Kombëtare,  i Ansambleve artistike, takime Kombëtare te Festivaleve Folklorike që më vonë u quajt Festivali i Gjirokastrës.

 Po më parë ku ishin zhvilluar këto festivale?

Festivali Folklorik i Gjirokastrës në vitin 1967 u zhvillua në Lezhë dhe më vonë, pas atij viti një herë në çdo 5 vjet zhvillohej vetëm në Gjirokastër. Para Lezhës ishte zhvilluar në Elbasan dhe më parë në Tiranë.  Pra pas 1968-s u zhvillua vetëm në Gjirokastër.

 Çfarë takimesh keni zhvilluar?

Po një nga aktivitetet ishte festivali i bandave. Rrethet e kategorisë së parë kishin banda (36-40 vetë), veta, ndërsa  qytetet e kategorisë së dytë dhe qytetet e vegjël  fanfara,  si Shijaku, Kavaja, Peqini, pastaj qytete të vegjël apo qyteza  kishin po fanfara  (18-20 vetë).  Më vonë pas vitit 1970 katër rrethet që kishin shkollat e mesme të muzikës furnizonin me artistë instrumentistë fanafarat apo bandat në qytet, ku ishin. Edhe ne, në Durrës me këta elementë furnizoheshim.  Ndërsa vetëm Tirana në atë kohë kishte formacione profesioniste. Ishte kryeqytet.

 Ç’do të thotë?

Do të thotë që Tirana bënte përjashtim, kishte një tjetër vlerësim, pasi kishte institucione të specializuara në fushën e muzikës si RTSH,  orkestra e Akademisë,  TOB, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, ndërsa të gjithë qytetet e tjera i kishin instrumentistët mbi baza vullnetare, por kishin dhe njëfarë shpërblimi pasi ishin formacione të stabilizuara, pasi vinin jashtë orarit të punës.

 Cilat nga aktivitete në rang Kombëtar veç Festivalit të Gjirokastrës do të veçonit?

 Takimet Kombëtare të Ansambleve të rretheve. Ato bëheshin në qytete të ndryshme. Në vitin 1966 ishte bërë në Durrës dhe çdo vit ndryshonte. Prill 1969 u bë në Vlorë, edhe në 1984 prapë në Durrës në Pallat të Sportit. Takimi i bandave në vitin 1969, e me radhë.

 Ju keni qenë në të gjithë festivalet e Gjirokastrës?

Po, që nga viti 1968 kam qenë pjesëmarrës në të gjitha festivalet herë si Udhëheqës Artistik i Ansamblit të Durrësit herë si Udhëheqës Artistik i të gjithë Festivalit.

 Në Festivalin e Gjirokastrës në vitin 1968 me çfarë pjesësh keni marrë pjesë?

 Por kishim disa pjesë, pasi në rrethin e Durrësit merrnin pjesë edhe Shijaku, Kavaja, Rrogozhina, Ishmi, që kishin disa veshje dhe këngë të veçanta. Ne kishim bërë si një “ekspeditë” në të gjithë zonat si të Ishmit dhe deri në fshatrat e Kavajës, duke zgjedhur kostumet më të bukura dhe këngët më të veçanta të folkut tonë.  Atëherë kishim shumë kontroll të fortë, nga Instituti i Kulturës Popullore dhe nga Akademia e Shkencave. Teknikisht të gjithë Festivalet e Gjirokastrës i udhëhiqnin këto dy institucione, ndërsa direkt Festivalin e drejtonte Ministria e Kulturës. Dy institucionet shikonin në detaj muzikën, kostumet popullore, veglat muzikore sa ishin specifike ato, sa gjetje kishin. Këto dy institucione gjithë jetën e tyre e kishin kaluar nëpër ekspedita për këta elementë që përfshinte Festivali. Rrinin me muaj duke marrë  kontakte me burra dhe gra të vjetra, apo me njerëz bartës të folklorit, valltar, këngëtar, muzikantë, etj… Kur shkonin këta specialistë populli apo vatrat e kulturës, apo Pallatet e Kulturës ishin parapërgatitur. Pra kërkesa e llogarisë ishte në maksimum.

 Gjatë kontrollit të veshjeve dhe këngëve për Festival, specialistët, a ju kanë nxjerrë ndonjë problem?

 Po. Rrok Zoisi, Andromaqi Hadëri na bënë namin që ne kishim grupin e valleve me dimiq, kostum i veshjes së Shqipërisë  së mesme. Kjo veshje sipas tyre ka ardhur nga orienti, nuk është veshja jonë tradicionale. Copa nuk ishte me punim me dorë, zejtarie, por prodhim fabrike. Na thanë që këto veshje do ndryshojnë dhe do bëhen punime me vegj, do shkoni në Krujë, ku është një grua që punon me vegj që rrobat të jenë origjinale. Ju mund të nxirrni një valle me këtë kostum, sepse ka hyr tek ne, sepse mjeshtrat shqiptarë i kanë punuar, por janë të huazuara.  Dhe ne, në Festival një valle e bëmë me këtë veshje

Edhe ju në Durrës kishit bandë?

Po bandë, por ishte me instrumentistë shumë të mirë. Dhe pse të rinj ata kishin shumë dëshirë. Punonin shumë në kohën e lirë.

-Në gjithë këto parapërgatitje dhe në këto përzgjedhje a vinin nga Komiteti i Partisë për kontroll?

Nga Komiteti i Partisë jo, pasi vinin nga dy institucionet e specializuara, por ata sillnin kontrolle rutinë, për të parë mbarëvajtjen e punës për në festival.

Kush ishte Sekretar i Parë i Partisë në atë kohë në Durrës?

Ishte Rita Marko. Një njeri shumë serioz, qe nuk hynte vend e pa vend. Ishte rigoroz dhe tepër korrekt.

Po kur zhvillonit koncerte a vinte Rita Marko?

Ne në Durrës kishim shumë veprimtari dhe thuajse në të gjitha herët Sekretari i Parë, Rita Marko, ishte i pranishëm. Ai vinte familjarisht dhe na uronte. Ishte i dhënë pas koncerteve, e pëlqente muzikën. Kurrë nuk na ndërhyri në punë, madje na përkrahte. Pas tij Sekretar i Parë në Durrës, erdhi Iljaz Reka. Edhe për të ruaj kujtime të mira. Unë nuk gjykoj sistemin, por punën time.

 Në fillimet e tua me këta instrumentistë të rinj cilën pjesë që vutë në skenë do të veçoje?

 Ne menjëherë ju përveshëm punës. Por ajo që do të veçoj është se ne me këto instrumentistë të rinj më vonë vumë në skenë operën “Bijtë e Skënderbeut”, të Adbulla Grinci, kompozitor dhe libret të Matish Gjeluci. Pra opera e parë në Durrës. As që mendohej të vihej një opera përveç Tiranës në një qytet si Durrësi.  Ishte një punë e madhe.

 A pati sukses opera? 

Jashtëzakonisht sukses. I paparashikuar. Ishte pikërisht ky sukses, pra fama që bëri ajo që ne na kërkuan të shkonim në Tiranë dhe ta jepnim aty shfaqjen. Mbas 5-6 ditësh ne shkuam në Tiranë në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Vazhduam 4-5 net rresht shfaqje. Pra çdo gjë jashtë parashikimit. Në natën e pestë erdhi edhe Enver Hoxha me Nexhmijen dhe gjithë Byroja Politike. Ne ishim shumë të emocionuar. Rrinim si mbi gjemba. S’bëhej shaka me Enver Hoxhën.

-Në fund të shfaqjes, cili ishte vlerësimi i Enverit?

Ne prisnim si të hutuar. Një fjalë e tij e keqe të zhyste. Por ai me një buzëqeshje na bëri një vlerësim të tillë duke na thënë: Si ka mundësi që të jetë një orkestër kaq e kompletuar dhe në Durrës?! Ju lumtë! Ishte një shfaqje e bukur”. Sikur u çliruam nga emocionet. Hoqëm një barrë nga vetja. Ky vlerësim ishte i madh për ne, madje special. Dihet se në atë kohë ishte vetëm orkestra e Teatrit të Operës. Orkestra e Radios sapo kishte filluar të ngrihej. Pra ishim një orkestër modeste që dhamë një shfaqje profesionale. Pastaj kësaj shfaqjeje filluan koncertet me radhë… koncertet simfonike, festivalet e këngës, takimet kombëtare për klasën punëtore dhe për pionierë. Pati aktivitete të shumta mbas viteve ‘60.

-A e ke dirigjuar ndonjëherë orkestrën e Radio -Televizionit?

Kohë shumë pas krijimit, pasi unë deri në vitet 1986, isha në Durrës. Në vitin 1986 erdha në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës si specialist në Drejtorinë e Artit, ku kam pasur fatin të kem ministër, Alfred Uçin dhe Drejtor i Drejtorisë së Arteve ishte shkrimtari Vath Koreshi. Këto ishin dy intelektualë të kompletuar. Ajo ka qenë një periudhë e artë. Pikërisht, në këtë periudhë unë kam drejtuar herë pas here Orkestrën Simfonike të Radios dhe të Teatrit të Operës duke dhënë simfoni, koncerte si dirigjent. Kam dhënë edhe koncerte të ndryshme në Akademinë e Artit. Kam drejtuar edhe 2 Festivale të Radios (1987-88). Festivali është përgjegjësi. Aty ishte e gjithë Shqipëria. Koncertin e diplomës e kam dhënë me Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës dhe të Baletit, ku kanë kënduar dy arie Ramiz Kovaçi dhe dy arie Nina Mula. Zëri i tyre është brilant dhe sot i kujtoj me ëndje.

-Në cilën vit ka qenë ky moment?

Ka qenë në vitin 1971. Unë ika më nga shkolla pa e mbrojtur diplomën sepse nuk ishte mundësia në atë kohë, pasi ishim kuadrot e parë që mbaruam. Mbasi vura operën dhe disa aktivitete të tjera në Durrës më dhanë leje një vit dhe unë erdha në Teatrin e Operës. Këtu vura dhe një operë tjetër “Përtej mjegullës” bëra dhe koncertin e diplomës në qershor dhe pastaj u ktheva sërishmi në Durrës.

-Si u lidhe me veprimtaritë folklorike?

Duke u marrë me grupin e Gjirokastrës atje ishte një përvojë shumë e mirë. Kur kam drejtuar orkestrën në të njëjtën kohë jam marrë edhe me veprimtaritë folklorike.

-Në sa festivale folklorike ke marrë pjesë?

Në të gjitha festivalet. Gjithmonë si Drejtor Artistik.

-A ke pasur rastin të takosh herë tjetër Enver Hoxhën në apo pas festivaleve?

Ka qenë viti 1968. Mbasi mbaroi festivali u bë koncerti përfundimtar në Teatrin e Operës. Nga Durrësi kisha zgjedhur grupin e Rrashbullit, me këngëtar Dervish Shaqen dhe një kërcimtare me emrin Merushe. Ato këndonin këngë patriotike dhe këngë trimërie. Unë bashke me grupin u ndodha në skenë dhe kur mbaroi shfaqja, Enver Hoxha erdhi në skenë i falënderoi të gjithëve duke na dhënë dorën dhe duke na thënë “Ju lumtë na mrekulluat!”.

-Kush ka qenë Festivali më i bukur nga Festivalet e Gjirokastrës?

Festivali i vitit 1988 për mendimin tim ka qenë festivali më i arrirë nga të gjithë festivalet.

Çfarë institucionesh kulturore ke drejtuar në këtë periudhë?

Në këtë periudhë u nda Teatri i Operës nga Ansambli dhe unë shkova si Drejtor në Ansamblin e Shtetit 3-4 vjet dhe më pas Drejtor i Qendrës kombëtare folklorike. Vendi i punës dhe jeta mua më lidhën e dhe me veprimtaritë folklorike. Këto ishin me formë ekspeditash. U krijua një lidhje shpirtërore edhe me folklorin. Kësaj iu përkushtova edhe shumë kohë. Unë kam disa vite që kam dalë në pension por duke pasur këto lidhje mua më vjen mirë të punoj jo vetëm si pedagog i jashtëm në Akademi, por edhe si drejtues i shumë aktiviteteve në Shqipëri dhe Kosovë. Këtë vit kam qenë edhe në festivalin e Drenasit. Drenasi është një qytezë e vogël 20-30 km nga Prishtina. Festivalin ata e kanë nisur që në vitin 1961 dhe e kanë mbajtur rregullisht çdo 4 vjet. Në kohën e Luftës e kanë ndërprerë dhe menjëherë pas luftës e kanë vazhduar.

 Qeveria e re “Rama”, ka ndarë së fundi kulturën, Ministri më vete, ç’përbën për ju kjo ndarje?

 Një hap i tillë është vlerësimi më i madh që i është bërë kulturës shqiptare. Kultura është ndërgjegjja dhe historia më dinjitoze e një kombi. Pa kulturë. S’ka komb. Në Ministritë e mëparshme kishte rënë pesha specifike e kulturës. Ishte një ministri, ku kultura dukej e nëpërkëmbur, pa pozicionin dhe justifikimin që kërkon koha.