Ilir Azizolli: “Vijojnë ndërtimet pa leje në lagjet muzeale”

585
Sigal

Kreu i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Berat pezullon ndërtimet dhe merr masa për abuzuesit

Ndërtimet pa leje në lagjet muzeale të qytetit të Beratit janë kthyer në një shqetësim evident për Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Berat, e cila monitoron çdo ditë zonën “Tampon” të këtyre lagjeve. Sipas specialistëve të kësaj drejtorie, pronarët e banesave në lagjet muzeale po fillojnë të ndërhyjnë në shtëpitë e tyre mbi 2400-vjeçare, duke u përpjekur të ndryshojnë fasadat e jashtme, dyert e dritaret, gjë që bie ndesh me origjinalitetin e këtyre vlerave dhe ndryshimin e destinacionit që kanë prej dekadash këto banesa. Sipas Drejtorit të DRMK Berat, z.Ilir Azizolli bëhet e ditur për “Telegraf”, se, këto ndërhyrje janë të jashtëligjshme dhe drejtoria nuk mund të lejojë tjetërsimin e vlerave historike të lagjeve muzeale, tashmë pjesë e UNESCO-s. Azizolli shprehet: “Kemi shumë ndërtime të tilla të jashtëligjshme që po vazhdojnë të lulëzojnë çdo ditë në këto lagje, ku më problematiket janë ndërhyrjet në fasadat e jashtme apo në volum dhe për të gjitha rastet e konstatuara janë ndërprerë në mënyrë të menjëhershme punimet, u është kërkuar pronarëve kthimi i banesave në identitetin e mëparshëm si dhe janë gjobitur të gjithë ata pronar shtëpish që kanë shkelur ligjin”. Nisma të tilla, -tha Azizolli –nuk duhet të lejohen, sepse prishet komplet fasada. I bie që disa banesa të ruajnë origjinalitetin e disa të tjera t’i përshtaten kohëve moderne, por duke qenë se janë pjesë e lagjeve muzeeale ndryshime të tilla nuk duhen lejuar. Nëse këto bëhen atë do të kemi probleme edhe nga UNESCO, sepse jemi pjesë e saj. Pavarësisht të gjithave ne do të ruajmë vlerat e muzeale të qytetit tonë ashtu siç e kanë ruajtur të parët tanë”, tha Drejtorit të DRMK Berat, Ilir Azizolli. Më problematike janë pronarët e rinj. Ata të ardhur nga zonat rurale kanë blera banesa në lagjet muzeale, pasi shumë qytetar beratas janë larguar në qytete të tjerë. Problemi qëndron se ata nuk njohin mirë vlerat muzeale të këtyre banesave, të cilat mbartin vlera qindra vjeçare dhe janë një kompleksë muzeal në këtë qytet, u shprehën disa specialistë të monumenteve të kulturës.