“Artist i Merituar”Ahmet Pasha:Një ditë para dasmës Roland Trebicka më leu me bojë dyert dhe dritaret e shtëpisë

INTERVISTA/ Flet aktori i mirënjohur, miku i ngushtë i Roland Trebickës, Artist i MerituarAhmet Pasha

Ahmet Pasha u lind më 7 shkurt të vitit 1948Kukës, është aktor i njohur shqiptar. Diplomohet në 1970-n dhe emërohet menjëherë aktor në Teatrin Kombëtar, ku në janar të 1971 fillon zyrtarisht karriera e tij e gjatë mbi 43-vjeçare me trupën e këtij teatri. Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri është roli i Flejkut në dramën “Arturo Ui“. Më pas interpreton një sërë rolesh si në dramat “Një dimër i shkurtër“, “Sinjali i kuq“, “Cuca e maleve“, “Lumi i vdekur“, etj.. Ndër sukseset në Teatër ngelen kryerolet Isa Boletini (“Udha e flamurit“), Abdyl Frashëri (“Epoka para gjyqit“), Gjenerali (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur), Inskerdoja (Monserati), Kadriu (Rajmonda), Mumja (Muzeu), si dhe në dramat “Prometeu“, “Në jetë”, “Roemeo e Zhuljeta”, Tiranozauri”, etj., etj.. Në skenën e Teatrit Kombëtar, Ahmet Pasha ka interpretuar rreth 90 role. Krahas teatrit ka marrë pjesë në disa filma artistikë. Është nderuar me çmime e diploma në konkurrime teatrale dhe në vitin 1989 i është dhënë titulli i lartë “Artist i Merituar

NOA

 -Kur jeni njohur për herë të parë me Roland Trebickën?

Me Rolandin jam njohur shumë vite përpara. Jemi parë për herë të parë në një kamp të rinjsh në Durrës. Unë kam qenë me një grup të rinjsh nga Fieri ndërsa Rolandi me një grup djemsh nga Tirana. Atje jemi njohur së largu. Kur kam ardhur në Teatër nuk ishim fare të panjohur. Rolandi ka ardhur në vitin 1970 në TK dhe unë jam emëruar në 1970-n, por siç ishte në atë kohë do të bëje 5-6 muaj zbor, dhe kam filluar  më 1 janar të 1971 punë në teatër. Rolandi ka qenë një vit më përpara në punë. Që në fillim me Rolandin na takoi që të punonim bashkë në dy pjesë. Më pak tek (Arturo Ui), i cili ishte për mua roli i parë në atë kohë. Rolandi kishte një rol të vogël në atë kohë dhe unë kisha një rol të dorës së dytë. Kemi punuar dhe jemi lidhur më shumë tek drama “Një Dimër i shkurtër”, ku kishim dy rolet kryesore me një dramë të Sheri Mitës dhe me regji të Dhimitër Pecanit. Pikërisht, në vitin 1971. Unë kisha  protagonistin e asaj drame dhe Rolandi kishte antiheroin. Pra ishte heroi negativ në rol.

Ky ka qenë kontakti i parë si koleg me Rolandin. Me kalimin e kohës na është dhënë mundësia të punojmë shumë bashkë. Gjatë kësaj kohe ne nuk u lidhëm vetëm si partner me njëri-tjetrin. Ne kishim shumë të përbashkëta dhe bisedonim çdo problem. Me Landin kemi punuar shumë, ai ishte shumë i aftë dhe më ndihmonte edhe në grim. Ai bënte grimin jo vetëm në veten e tij, por edhe tek kolegët e tjerë. Përpara çdo shfaqjeje ai më shikonte me kujdes dhe kur kishte ndonjë gjë që nuk shkonte ai ndërhynte.

Unë kisha ardhur nga një shkollë  artistike, por më bëri përshtypje se ai ishte shumë i apasionuar pas teatrit dhe pas punës së vet. Ishte i apasionuar pas detajeve dhe i jepte shume rëndësi. Me kalimin e  kohës ne kemi luajtur bashkë dhe ishim nëpër turne dhe  lëvizje dhe gjithmonë rrinim bashkë. Ka qenë një marrëdhënie jo vetëm kolegësh, por edhe më tepër se sa kolegë.

Me Rolandin prej vitesh kemi ndarë bashkë edhe  hallet e punës që nuk kanë qenë të pakta, por edhe hallet private dhe individuale. Ne, për hir të vërtetës në atë kohë kishim  një miqësi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin. Ishim një grup shokësh si: me Dhimitër Pecanin, Anastas Kristoforin, Sulejman Dibra, Rolandi, unë. Një grup që rrallë të mos ishim bashkë, jo vetëm në ambiente artistike, por edhe në ato private. Kjo miqësi e jona erdhi edhe duke u shtuar pasi është natyra e punës që të lidh, por ne gjetëm edhe  disa gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin.

-Sa role keni luajtur bashkë me Rolandin?

Shumë, nuk i numëroj dot. Në këto 43 vjet,  gjysmën e shfaqjeve që kam bërë këtu në teatër e kam me Rolandin. Kam pasur rastin që kemi  pasur edhe dublantë bashkë, por gjërat kanë shkuar mirë.

-A ka pasur shenja xhelozie mes shokëve në teatër?

Të gjithë kanë pasur egoizëm profesional dhe egoizëm artistik. Egoizmi artistik duhet të qëndrojë, se pa atë nuk mund të kesh pretendime artistike. Kjo xhelozi apo egoizmi profesional ka qenë një shtytje për mirë. Është shtuar përgjegjësia  e secilit prej nesh. Ka qenë një betejë e vogël për rolin. Ai që dilte më mirë në rolin e tij  kishte  të drejtën e premierës. Pastaj filloi dhe televizioni xhirimet. Xhirimet e  para janë bërë që në vitin 1972. Ai që dilte në premierë kishte të drejtën të bënte edhe xhirime televizive. Ai që dilte në natën e dytë kishte të drejtën të inçizohej në radio. Ishte më i privilegjuari ai që xhironte për televizionin.

Kjo dëshirë ishte tek të gjithë. Nuk bëhej ndonjë luftë për ta kapur këtë pozicion. Gjërat shkonin natyrshëm. Këtu në teatrin tonë ka pasur  shumë raste kur janë përplasur “bajlozët” me njëri-tjetrin edhe  ka fituar ai që nuk mendohej se do të fitonte. Këtu hynin shumë arsye si përshtatja me personazhin, mënyra e të punuarit dhe shumë arsye të tjera.

Kur kjo ndeshje ishte midis shokësh dhe miqsh, por edhe kolegësh shpesh herë  kalonte  me sportivitet. Më kujtohet një rast kur ishim duke punuar në studio dhe ishim me dublantë dhe unë isha me një rol me Ndriçim Xhepën dhe filluam të bëjmë humor me njëri-tjetrin dhe duke hedhur batuta me njëri- tjetrin. Pra ishte një atmosferë ndryshe dhe artistike dhe miqësore dhe shoqërore. Për punën donte që çdo njëri nga ne të arrinte standarde më të larta dhe çdo kush kërkonte që të dilte më mirë se sa kolegu i vet. Rolandi ka bërë shumë role, por ka bërë  edhe me dublantë. Në vitet e para ai bënte  role të  personazheve dramatik. Qëndronte mirë edhe me ato personazhe se ai ka qenë një aktor shumë i mirë edhe në këto personazhe. Pak më vonë ai filloi  të kërkonte ujëra të tjera dhe doli tek ujërat e veta. Bëri  disa personazhe të tjera si tek “Përballë vetes”, “Nata e12”, “Karnavalet e Korçës”, pra ai filloi të bëjë disa personazhe që i trajtoi me elemente të humorit që ishin personazhe të  komedisë. Pastaj ai filloi t’i qëndisë mirë këto personazhe. I kishte si të vetat. Që nga ai moment ai filloi të shkëlqente mbi personazhet e tij. Për spektatorin dukej se ai kulmin e vet e arriti me Jovan  Bregun  tek “Pallati 176”. Ai ishte një personazh i bukur dhe popullor. Por për mua Landi ka pasur personazhe të tjera shumë të bukura si tek një dramë rumune,  tek  “Mbreti po vdes”, “Pas vdekjes” e Çajupit.

Filloi  të luante jo thjesht me një  personazh të natyrës komike, por edhe personazhe me karakter popullor që ai i kishte shumë për zemër. Unë mund të them si koleg dhe si mik i Landit se ai me punën që ka bërë shpesh ne edhe  çuditeshim. I kisha thënë: Të kam zili për pasionin me të cilin punon. Të kam zili për dashurinë që ke për teatrin. Do të doja të isha vetëm 50% kaq sa angazhohesh ti për personazhin. Ai me të vërtetë punonte me një zell të jashtëzakonshëm. Ne, të gjithë kolegët e tij çuditeshim me të. Ai ishte i befasishëm në prova. Gjithmonë sillte gjëra të reja. Rolandi ishte një aktor që asnjëherë nuk i mjaftonte teksti i autorit. Ai sillte shtesat e veta në çdo  tekst të autorit. Nuk ishte  mania e tij për të ndërhyrë  tek autori, por me sa kuptoja unë ai donte që patjetër personazhin ta bënte të vetin. Të bëhej njësh me personazhin. Ai bëhej njësh vetëm kur do të shtonte diçka edhe nga vetja e tij mbi këtë personazh. Ai bëhej bashkautor me tekstin. Po të marrësh personazhe si Vani Bregu dhe të tjerë, po ti shikosh me kujdes, aty një pjesë e madhe e tekstit është e Rolandit.

-Mund të na tregoni ndonjë moment kur e ka ndjerë veten keq në skenë?

Nuk ka aktor që ka ngelur keq në skenë. Skena ka të papriturat e saj. Të mendosh se çdo natë të kesh më shumë se 500 veta përballë është e vështirë që të mos gabosh. Besoj se ka pasur.

Mbaj mend  dy shfaqje kur kemi pasur një dialog bashkë ku  Rolandi me  natyrën e tij që e kishte qejf humorin edhe në skenë, por edhe në jetë edhe provokonte. Duke u ngacmuar pak më shumë se sa duhej në skenë me njëri-tjetrin u krijua një  atmosferë e tillë që u shkaktua edhe gaz nga ana jonë. Edhe ne vetë filluam të qeshim me njëri-tjetrin. Kështu na ka ndodhur njëherë tek shfaqja “Dua burrë”, ka qenë një skenë interesante. Aty filluam dialogun, u ngacmuam dhe  po qeshnim nën buzë, por kjo qeshje e jona ngacmoi edhe publikun dhe u krijua një situatë jo e mirë. Mbaj mend se edhe me aktorë të tjerë të teatrit me Kadriun krijoheshin edhe pjesë të tilla në skenë. Kur krijohen problematika të tilla është e vështirë se si do të  dalësh nga situata. Aktorët që janë të mirë, skenën e kanë bërë si shtëpinë e tyre dhe nuk e kanë të vështirë të dalin nga ajo situatë.

-A  të ka shprehur ndonjë merak?

Unë kam qenë shumë i lidhur me ‘të,  sidomos kohët e fundit. Rolandi ka qenë një aktor i mrekullueshëm, por edhe një njeri me një shpirt të madh. Ka qenë shumë i dhimbsur, por edhe shumë i dashur dhe shumë familjar. Ka pasur një debulesë të jashtëzakonshme për vajzat e veta. Njërën e ka në Francë dhe tjetrën e ka në Shqipëri. Sidomos për dy nipërit që kishte në Francë dhe për mbesën që ka këtu në Tiranë kishte një dobësi të jashtëzakonshme. Ka qenë shumë i lidhur me ‘ta dhe ishte e pamundur që një herë në ditë të mos komunikonte me ‘ta. Roland Trebicka ka një grua, e cila që kur është lidhur me të i ka ndenjur në kokë. E ka trajtuar shumë mirë. I ka qëndruar gjithmonë pranë dhe e ka ndihmuar shumë. Ajo nuk donte që ai të shqetësohej se ishte shumë i ndjeshëm. Gjithçka ai e kishte të gatshme.

Kur pësoi  këtë sëmundje dhe nga momenti që u konstatua kjo sëmundje, ne kemi qenë bashkë në momentin, kur i është thënë diagnoza ai i kuptoi gjërat dhe filloi të mos i shfaq. Kur u kthye pas ndërhyrjeve nga Franca në shtëpinë e tij njëherë i thashë: Kam një jetë që njihemi 43 vjet bashkë, i njihja shumë nga vlerat e tua, por që do të ishe kaq i guximshëm dhe kurajoz  këtë nuk e kam ditur kurrë i kam thënë. Asnjëherë nuk u ankua. Shprehte një lloj optimizmi dhe atë lloj optimizmi e ka pasur të sinqertë. Ai nuk donte të krijonte shqetësim tek njerëzit e familjes, por edhe shokët e tij. Meraku ka qenë kur në një bisedë me njëri-tjetrin më tha: Unë nuk ndaloj dot asgjë, sido që të ndodhi, por njeriu ka disa projekte të veta në jetë, ka disa plane të tija.

Ai donte që ti ndiqte me sytë e vet rritjen dhe zhvillimin e nipërve dhe të mbesave të tij. Kishte merakun e tij. Ai donte të jetonte edhe shumë vite. Ai donte t’i shihte të rritur. Ky ka qenë një shqetësim i tij që e ka shprehur me shumë kujdes. Merak kishte  edhe  për punën. Rolandit kur i ndodhi kjo sëmundje ishte në kulmin e tij të pjekurisë artistike. Dhe fizikisht ishte shumë mirë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Rolandi kishte shumë oferta për hir të së vërtetës.

Rolandi nuk ishte tamahqar, ai përpiqej që t’i seleksiononte personazhet dhe bënte ato që atij i pëlqenin. Në fund të çdo pune të tij ai linte një shije të mirë për spektatorin.

Pra, meraku i tij i dytë ishte se ai donte të punonte akoma. Donte të punonte personazhe të natyrës së dytë. Rolandi mendonte që në tavolinë se si do të vishej dhe si do të grimohej. Rrallë ndodh me aktorët e tjerë kjo. Ai mendonte për çdo detaj të rolit të tij. Këtë e bën një artist që ka ekzigjenca maksimale për  personazhin e vet. Ai ndjente një përgjegjësi për personazhin që bënte.

Këto aktorë janë të rrallë. Ne vijmë nga një brez, jemi produkt i brezit tjetër të mëparshëm që kanë qenë kolosët e skenës. Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe nuk kanë fituar gjë në jetë. Në fund të 15-ditëshit ata prisnin rrogën se ashtu ishte mundësia. Ata vdiqën të varfër, por shpirtërisht ata vdiqën shumë të pasur. Ata krijuan vlera të mëdha artistike.

Unë po flas si vazhdues i punës së tyre. Jo të gjithë që dolën nga ky brez kanë  pasur këtë ekzigjencë. Rolandi ka qenë një nga ata që ka pasur ekzigjenca të jashtëzakonshme për punën e vet.

   Cila është dita që si mik i ngushtë je befasuar me miqësinë e tij?

Kur jam martuar. Një ditë më parë, pa më thënë gjë, ai kish blerë bojë vaji dhe duke mos qenë asnjë ditë bojaxhi për 24 orë më ka lyer me bojë vaji të gjitha dyert dhe dritaret. S’e besoja. Ju fut punës me shumë seriozitet. Unë vetë nuk mund ta bëja diçka të tillë. Atëherë ishte luks lyerja e shtëpisë me bojë vaji. Ai e bëri vetë, me dëshirë, me humanizmin e tij, me shpirtin e tij të pastër. Me ndjenjën e shoqërie vëllazërore, me ndjenjën e besnikërisë shoqërore, me zemrën e tij të gjerë që jo çdo kush e ka. Unë u befasova, madje, mund të them se kam lotuar nga zemërgjerësia e tij. Atë sakrificë rrallë në botë mund ta bëjnë, por e bën një njeri fjalëpakë dhe punë shumë si Landi. Ai mbetet miku më ideal në botë.

 –        Sa role keni luajtur ju deri më sot?

Janë rreth 90 role  në teatër dhe pak nëpër filma dhe  ku 60 role janë role kryesore. Rolet e  tjera janë të dyta, por ka edhe ndonjë rol  të tretë.

Ka aktorë që me kaq vite punë kanë edhe më shumë role. Unë jam shumë i kënaqur që kam bërë ato role sepse kanë qenë role të natyrave të ndryshme, kanë qenë role të karaktereve të ndryshme dhe të dimensioneve të ndryshme dhe kështu merr vlera të ndryshme  artistike. Jo në të gjitha rolet kam kapur nivele shumë të larta. Po t’i hedhësh një sy një arkivi të një artisti shikon se aty ka role që kanë mbetur më pak ose s’kanë mbetur fare, por dhe role që u kanë vënë vulën. Por edhe me mua kështu ka ndodhur. Por ajo që më bën që të jem i kënaqur nga puna ime në teatër duke përjashtuar këto pak vitet e fundit është që  kam punuar me një grup aktorësh të shkëlqyer. Unë  u jam shumë  mirënjohës atyre. Rreth 50-60% e punëve të mia janë produkt i punës që kanë bërë ata me mua. Kur flas për aktorë të mëdhenj e kam fjalën edhe për regjisorë të mëdhenj si: Pirro Mani që nuk e ndaj kurrë nga jeta ime artistike, sepse ka qenë jo vetëm profesori im i madh, por edhe regjisori im i madh.

Unë  nuk nguroj të them që këta kolosë të mëdhenj kanë qenë që nga Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Drita Pelingu, Violeta Manushi, Margarita Xhepa dhe shumë aktorë të tjerë. Nuk do të ndaja nga këta, aktorët e brezit tim si: Anastas Kristoforin, Pavlina Manin, Roland Trebickën, Andon Qesarin dhe shumë të tjerë.