Emin Musliu: Si u ndërprenë punimet në Bushat dhe në Banjë

916
Sigal

Flet Inxhinieri Emin Musliu: Si ishte Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin

Hidrocentrali i Bushatit

Ndodhet poshtë hidrocentralit të Vaut të Dejës; ndërtimi i tij filloi në vitin 1973. Iniciativa jonë për ndërtimin e kësaj vepre, u ndalua në vitin 1974 me një urdhër të posaçëm “nga lart”. Gjatë kësaj periudhe u ndërtua vepra e shkarkimit, vepra e marrjes, ura e hekurudhës etj. Hidrocentrali i Bushatit, sipas projektit, do kishte një fuqi prej 100000 kw dhe do prodhonte rreth 400 milionë kwh energji elektrike në vit. Nga vepra e shkarkimit të prurjeve, rreth 1000 m3/sek, nëpërmjet një kanali, do derdheshin në Belaj ose në det, gjë që krijonte mundësi për mbrojtjen e tokave të Nënshkodrës, pasi në atë kohë lumi i Bunës ishte i lundrueshëm.

 Hidrocentrali i Banjës

Ndodhet në lumin e Devollit, pranë fshatit Banjë, rreth 8 km larg qytetit të Cërrikut ose 15 km poshtë qytetit të Gramshit.

Sipas variantit të parë, hidrocentrali ka një fuqi prej 60 MW dhe do prodhojë rreth 250 milionë kwh energji elektrike në vit. Në variantin e dytë, fuqia e vendosur ishte 100 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë elektrike ishte 400 milionë kwh. Një rëndësi të veçantë kjo vepër do të kishte për ujitjen e fushave nën të. Punimet e kësaj vepre filluan që në vitin 1988 dhe në vitin 1992 u ndërprenë për mungesë të fondeve.

Hidrocentrali i Bugovës dhe Smokthinës

Para vitit 1990, krahas veprave hidroenergjetike që u përmendën më sipër, u ndërtuan edhe shumë hidrocentrale të tjera, si hidrocentrali i Bugovës, hidrocentrali i Smokthinës etj.

 Skema e shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit DrinArritjet në fushën e hidroenergjetikes ishin të shumta, por, për shumë arsye, ndërtimi i tyre u ndërpre deri në vitin 2009.

Siç del nga legjendat e gojëdhënat, nga tregimet dhe nga përshkrimet e popullit, lumi Drin kishte sjellë vetëm dëme dhe fatkeqësi për fshatarët e banorët që jetonin në brigjet e tij, nga Peshkopia e Kukësi e deri në derdhjen e tij në Bunë pranë Shkodrës. Lumi Drin është lumi më i madh që ka vendi. Sipërfaqja shimbledhëse e tij është afërsisht 14200 km2. Ai përbëhet nga dy degë kryesore: nga Drini i Zi, që del nga liqeni i Pogradecit në Strugë, dhe nga Drini i Bardhë, që i ka burimet në Kosovë. Të dyja degët kryesore të lumit Drin bashkohen pranë qytetit të Kukësit dhe që këtej Drini vazhdon rrjedhjen e tij deri në afërsi të qytetit të Shkodrës në Bahçallëk, ku bashkohet me lumin Buna, që del nga liqeni i Shkodrës e që derdhet në detin Adriatik.Gjatë rrugës së tij nga burimet kryesore deri në det, në të derdhen shumë lumenj e përrenj të vegjël, si: Radika, Valbona, Curraj, Gomsiqe, Gjadri etj. Gjatësia e lumit Drin nga liqeni i Pogradecit e deri në derdhjen e tij është afërsisht 280 km. Ndërsa rënia e tij prej daljes së ujit nga hidrocentrali i Spilesë pranë Dibrës (Maqedoni) e deri në det është rreth 485 m. Prurja mesatare shumëvjeçare e lumit Drin në zonën e hidrocentralit të Fierzës është rreth 230 m3/sek, ndërsa në zonën e hidrocentralit të Vaut të Dejës është rreth 330 m3/sek.Në zonën e Fierzës lumi Drin ka një prurje vjetore rreth 7 miliardë m3. Prurjet maksimale të Drinit të vrojtuar në Fierzë janë 3100 m3/sek; në Vaun e Dejës, 5500 m3/sek, ndërsa prurja maksimale me siguri një herë në 10000 vjet është marrë për zonën e Fierzës 9600 m3/sek dhe për Vaun e Dejës mbi 10000 m3/sek.Përpara projektuesve dhe ndërtuesve të hidrocentraleve shtroheshin detyra të mëdha dhe të vështira për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të Drinit, i cili përbën një pasuri të madhe për vendin tonë.Si duhet të shfrytëzohet lumi Drin? Kësaj pyetjeje nuk ishte e lehtë t’i jepej përgjigje në atë kohë (1961-1963). Deri në vitin 1960, nga disa studime paraprake që ishin bërë për shfrytëzimin e lumit Drin nga specialistët tanë dhe të huaj, mbizotëronte mendimi se ai duhet të shfrytëzohej me diga 50- 60 m të larta, pasi në atë kohë ato ishin edhe më të mundshme për t’u projektuar e ndërtuar. Por një shfrytëzim i tillë i Drinit ishte kundërekonomik; kërkonte kohë të madhe ndërtimi për të plotësuar nevojat për energji që kishte vendi dhe, mbi të gjitha, nuk lejonte krijimin e akumulacioneve të mëdha, që të bëhej rregullimi i prurjeve të lumit dhe të përmirësohej cilësia e energjisë elektrike gjatë vitit.

Që në fillim të studimit për shfrytëzimin e potencialit hidroenergjetik të lumit Drin, u pranua teza se Drini duhet të shfrytëzohet duke ndërtuar akumulacione (liqene artificiale) sa më të mëdha, me qëllim që të bëhet rregullim vjetor dhe shumëvjeçar i prurjeve të ujit, që hidrocentralet e ndërtuara mbi të të mbulojnë sa më mirë kërkesat e konsumatorëve me energji elektrike, si në periudhën e thatë, ashtu dhe në periudhën me shumë ujë të vitit. Pasuria e Drinit duhet të shfrytëzohet sa më mirë. Por një gjë e tillë nuk ishte e lehtë të konceptohej dhe jo më të projektohej e ndërtohej, mbasi duhet të projektoheshin e ndërtoheshin diga me lartësi të mëdha që shkonin nga 160-220 m, duheshin vepra shkarkimi për kalimin e prurjeve 5000-9000 m3/sek me rënie të madhe e shpejtësi deri në 35 ml/sek, duheshin projektuar e ndërtuar vepra marrje të ujit me lartësi deri në 100 m, tunele me diametër 10 m e ndërtesa të centraleve me fuqi të mëdha etj.Në atë kohë, edhe në vende të ndryshme të Europës dhe në botë, vepra të përmasave të tilla ishin të pakta. Deri më 31 dhjetor 1962 ishin ndërtuar në botë 25 diga me lartësi mbi 140 m (6 në Zvicër, 3 në Itali, 3 në Francë, 1 në Spanjë, 3 në Japoni, 9 në Amerikë), prej të cilëve, me lartësi mbi 160 m, ishin ndërtuar 10 diga dhe konkretisht:

  • Në Zvicër 2 diga – Gran Diksans e lartë 284 m

–  Movaze e lartë 237 m

  • Në Itali 1 digë – Vaiont e lartë 262 m
  • Në Francë 1 digë – Tinje e lartë 181 m
  • Në Amerikë 6 diga – Bulder Dam e lartë 221 m

–  Shasta e lartë 183 m

–  Hongry Horse e lartë 172 m

–  Gran Kule e lartë 168 m

–  Ross e lartë 165 m

–  Trinity e lartë 164 m

Megjithatë, duke u mbështetur në arritjet e shkencës dhe teknikës botërore të viteve të fundit për ndërtimin e digave të larta, si dhe besimi në vlerat tekniko-shkencore të specialistëve tanë dhe vendosmërisë së tyre, u bë e mundur që të zgjidhen me sukses të gjitha problemet që do të dilnin dhe të merrej vendimi që Drini të shfrytëzohej me diga të larta.

 Albert Z. ZHOLI