Skandali, OSHEE zbulon 51 mijë fatura energjie familjare të paguara, por të pa… regjistruara

609
Sigal

Tre ditë më parë, drejtuesit e OSHEE-së kanë zbuluar një skandal të rëndë financiar, me mos arkëtimin e lekëve të pagesave të faturave, të bëra nga qytetarët në sportelet e ish-CEZ e tashmë OSHEE në Tiranë e në disa rrethe të vendit. Skandali në 70 % abuzim, shtrihet në OSHEE-dega Tiranë. Ky skandal financiar, përveç periudhës së fundit 10-mujore, kur kompania quhej CEZ, përfshin edhe 4 muaj në periudhën e pas “qeverisjes” prej CEZ. Skandali i është raportuar vetëm kryeministrit si “material sekret”, duke mos u bërë publik, për të “mos cenuar imazhin e ri” të punëve të kompanisë OSHEE. Gazeta “Telegraf” e siguroi informacionin nga burime brenda kupolës drejtuese të OSHEE-së. Sipas informacionit, skandali nuk është zbuluar nga puna rutinë e zyrës së financave të OSHEE-së, por i nxitur prej efekteve reaguese e denoncuese që krijoi mbi konsumatorët, aksioni për ndërprerjen e energjisë që vidhej e që nuk paguhej. OSHEE, pas bilanceve të bëra përpara nisjes së aksionit ndëshkues e grumbullues të faturave të papaguara, konstatoi se kishte shumë debitorë, kishin vite e muaj që nuk kishin paguar asnjë qindarkë për energjinë që kishin konsumuar. Pas nisjes së aksionit, ata janë detyruar të shkojnë të paguajnë faturat. Por, ka rezultuar se shumë prej konsumatorëve, edhe pse kishin librezat me vulë e firmë të arkave që kishin kryer pagesat, në “letrat” e OSHEE-së rezultonin se nuk i kishin paguar faturat e energjisë elektrike të disa muajve e viteve më parë. Nisur prej “letrave” të veta, OSHEE u vërsul me pinca në dorë kundër qindra e mijëra familjeve debitore, duke u ndërprerë energjinë elektrike, edhe pse ata me letrat e tyre dhe të arkave të OSHEE-së kanë qenë pagues të rregullt të sasive të konsumuara, por rezultonin debitorë në llogaritë qendrore të degëve të OSHEE-së. Qytetarët e ndëshkuar me ndërprerje të energjisë elektrike si “debitorë”, u konfliktuan e u ballafaquan me OSHEE-në, duke paraqitur librezat dhe faturat e pagesave të kryera, të vulosura e firmosura nga arkat e OSHEE-së. Kaq ka mjaftuar, që të niste verifikimi i 1, 2, 10, 100 e 1000 e krejt librezave dhe faturave të tilla që ishin të vulosura, por rezultonin të paregjistruara si të paguara në sistemin e arkëtimeve të OSHEE-së. Për verifikimin e këtyre faturave të “dyshimta”, Drejtoria e Përgjithshme e OSHEE-së ngriti një ekip pune qendror dhe nga një ekip në çdo prefekturë, më synim evidentimin e debitorëve që ishin pagues në libreza, por nuk figuronin pagues në arkën e OSHEE-së, duke lënë 15 ditë afat, për nxjerrjen e të dhënave, nëse ato ishin paguar apo jo nga qytetarët dhe nëse ishin arkëtuar ose jo nga punonjësit e OSHEE-së. Nga verifikimi rezultoi se skandali i faturave të paguara e të paarkëtuara në llogarinë e OSHEE-së, ka qenë periudha e 10 muajve të fundit në kohën, kur energjia e “qeverisjes” në siglën CEZ deri në 4 muajt e parë pas marrjes në administrim prej ministrisë “Gjiknuri”. Kontrolli i ushtruar, rezultoi me 51 mijë e 764 fatura energjie të paguara nga konsumatorët familjarë. Vlerat e këtyre faturave, nuk rezultojnë të arkëtuara në llogaritë financiare të OSHEE-së. Nuk dihet nëse janë evidentuar arkëtarët që nuk kanë çuar lekët në arkën e OSHEE-së, por informacionet e OSHEE-së, na bëjnë me dije se sipas përllogaritjes totale që nuk publikohen, vlera financiare e 51 mijë faturave të paguara e të paarkëtuara thuhet se kalon edhe vlerën e vjedhur në 25 korrik 2014 në thesarin e Bankës së Shtetit. Gjithsesi, rrezikon që edhe ky skandal, të quhet “gabim njerëzor” dhe ndoshta, si për çdo abuzim tjetër financiar në sektorin energjetik shqiptar të këtyre 22 viteve të fundit, vlera e munguar në arkën e OSHEE-së të trajtohet si “humbje në rrjet” dhe të vazhdojë të kompensohet me fatura aforfe e faturime… qesim!

Përparim HALILI