Ndue Pjetra: Skandali financiar i Dhomës së Avokatisë me 21 milionë USD

2847
Sigal

Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion denoncon Dhomën e Avokatisë shqiptare për skandale me pagesat financiare

Avokati Ndue Pjetra, i cili është njëkohësisht edhe kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion të Shqipërisë, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të kësaj shoqate, Suarda Dalipi, ka bërë këto ditë një denoncim ndaj Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqiptare, e cila u merr avokatëve në formën e pagesave për tarifat, rreth 2 miliardë e 130 mijë lekë në 10 vjet, ose 21 milionë dollarë. Por problemi duket më i thellë, sepse sipas tyre: nëpërmjet provimeve, apo vendimit të klasifikimit të avokatëve, në bazë të eksperiencës së punës, po bëhen veprime të tjera të dyshimta, për të cilat kërkohet transparencë. Ky klasifikim, sipas kësaj shoqate, bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu, sipas këtij denoncimi, nga shoqata e avokatëve antikorrupsion, marrja e licencave të avokatëve organizohet në mënyrë të paligjshme, madje sipas disa zërave edhe duke paguar nga 1 mijë euro në dorë. Në një kohë kur marrja e të gjitha licencave bëhet falas, tek avokatët kërkohet pagesa. Në këtë mënyrë denoncimi publik për Dhomën e Avokatisë, nga avokatët antikorrupsion, bëhet për mënyrën se si kjo Dhomë Avokatie menaxhon, klasifikimin, marrjen e tarifave dhe dhënien e licencave për avokatët. Për këtë arsye, sipas Ndue Pjetrës, duhet ndërhyrë në mënyrë emergjente lidhur me aktivitetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Dy pikat kryesore

Konkretisht, sidomos në dy nga pikat më kryesore, që sipas tij, “duhen trajtuar domosdoshmërisht dhe duhen marrë masa emergjente për zgjidhjen e tyre”. Dhe këto pika janë: “Transparenca dhe justifikimi i shumave marramendëse të parave, të cilat Dhoma Kombëtare e Avokatisë arkëton nga juristët çdo vit, si edhe ndërmarrja e vendimit të klasifikimit të avokatëve në bazë të eksperiencës së punës, ndarje, e cila bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe është krejtësisht abstrakte për t’u pranuar si e ligjshme”.

Pagesat e avokatëve

Duke trajtuar këtë problem të mprehtë, Kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, Ndue Pjetra, jep pjesën e konfuzionit, ku gjenden aktualisht specialistët e avokatisë shqiptare. Ai mendon se:

1. Në lidhje me transparencën  dhe justifikimin e shumave të parave të arkëtuara në arkën e dhomës Kombëtare të Avokatisë. Tarifat dhe pagesat që një jurist i diplomuar për avokati është i detyruar t’i paguajë Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

a) Në momentin e pasdiplomimit, duhet të paguajë tarifën prej 1,000.00 (njëmijë) Lekë, për t’u regjistruar pranë kësaj Dhome.

b) Mbas mbarimit të stazhit 1-vjeçar pranë një avokati apo studioje ligjore, duhet të kryejë pagesën prej 10,000.00 (dhjetëmijë) Lekë për të pasur mundësi për t’iu nënshtruar Provimit të Kualifikimit për Avokat.

Nëse llogarisim numrin e avokatëve që e kanë fituar këtë provim, me tarifën e regjistrimit, Totali i shumës së përfituar nga Dhoma e Avokatisë për një periudhë prej 10 vjet është  600,000,000.00 (gjashtëqindmilionë) Lekë të arkëtuara.

c) Mbasi i nënshtrohen këtij provimi dhe nëse kanë marrë mbi 50% të pikëve totale , duhet të paguajnë tarifën prej 135,000.00 (njëqind e tridhjetë e pesëmijë) Lekë pranë Dhomës së Avokatisë, për tu pajisur me Certifikatën dhe Kartën e Avokatit.

d) Ndërkohë, që një avokat është i detyruar të paguajë çdo vit tarifën 13,000.00 (tridhjetëmijë) Lekë për Kartën Vjetore të Avokatit, pa të cilën nuk mund të kryejë funksionin e tij si avokat. Nëse përllogaritim tarifën vjetorë të kartës së avokatit 13,000.00 (trembëdhjetëmijë) Lekë, me numrin e avokatëve rreth 6,000 (gjashtëmijë) të licencuar, për një periudhë kohore 10 vjet, Totali i shumës që Dhoma e avokatisë arkëton nga avokatët është 780,000,000.00 (shtatëqind e tetëdhjetë milionë) Lekë. Në përfundim, përllogaritja e përafërt e arkëtimeve që Dhoma  Kombëtare e Avokatisë arkëton është rreth 2,130,000,000.00 (dy miliardë e njëqind e tridhjetë milionë) Lekë të reja ose afërsisht 21 milionë USD (dollar). Të gjitha këto veprime kryhen CASH, me lekë në dorë, vërtetuar me një mandate të thjeshtë dhe jo me anë të transaksioneve bankare.

Transparenca

Sipas Ndue Pjetrës, lidhur me këto arkëtime, nga ana e Dhomës së Avokatisë nuk ka asnjë informacion për transparencën e publikut të gjerë dhe mbi të gjitha nuk i është nënshtruar ndonjë Komisioni hetimor Financiar, lidhur me faktin se ku shkojnë këto arkëtime të konsiderueshme.

2. Në lidhje me klasifikimin e avokatëve, në bazë të eksperiencës së tyre të punës.

Rregullorja dhe Ligjin për Avokatinë, i pasqyruar edhe në faqen zyrtare të internetit të Dhomës së Avokatisë, citon: “Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpara çdo gjykate, prokurorie ose organi të administratës publike. ”Ndërkohë është dëgjuar edhe në media, se juristët të cilët nuk kanë një eksperiencë pune prej 15 vjetësh në fushën e jurisprudencës, nuk mund të ndjekin proceset gjyqësore të çështjeve në Gjykatën e Lartë apo në atë Kushtetuese. Avokatët nuk kanë asnjë lloj informacioni konkret, baza ligjore ku mbështetet ky vendim. Kjo është detyrë e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, e cila përveçse zhvat juristët dhe avokatët me tarifa të pajustifikueshme, nuk denjon të informoj për azhornimet e ligjeve apo projektligjet e reja. Ky Ligj nuk gjendet në ndonjë Fletore Zyrtare, por ndërkohë Dhoma Kombëtare e Avokatisë e ka vënë në zbatim për vitin 2013. Është e qartë se ky vendim bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Ligjin për Avokatinë, duke shkaktuar dëm jo vetëm tek juristët e diplomuar dhe të licencuar, por edhe në dëm të qytetarëve, të cilat kanë çështje për t’u ndjekur në shkallët e gjyqësorit.

Licencat

Në këtë radioskopi të gjatë e të hollësishme të Pjetrës, informohet se: “Në shkresën e datës: 03. 09. 2013,  “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptar” i ka dërguar Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i kemi kërkuar kësaj të fundit të na informojë si më poshtë: Numrin e avokatëve që janë licencuar në bazë të pikëve të fituara për vitin 2013, si edhe të ardhurat e përfituara nga këto licencime, sipas mandate pagesave përkatëse, numrin e asistent avokatëve që kanë aplikuar dhe janë pajisur me Kartën e Asistent Avokatit për Vitin 2013, si edhe të ardhurat e përfituara në bazë të mandateve të arkëtuara; bazën ligjore, Projektligjin (Nr. Datë miratimi), në bazë të të cilit janë përcaktuar kriteret për nivelet e licencimit të avokatëve. Cila është baza ligjore, ku jeni mbështetur për të vendosur kushtet e ndjekjes së çështjeve në Gjykatën e Lartë dhe në atë Kushtetuese, në bazë të të cilave një avokat duhet të ketë eksperiencë mbi 15 vjet punë, për të ndjekur këto çështje në këto shkallë të gjyqësorit. Por deri më tani nuk kemi asnjë përgjigje nga Dhoma e Avokatisë.

Denoncimi

Sipas Av. Ndue Pjetrës, deklarohet se: “Menjëherë pas krijimit të saj, Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion të Shqipërisë, me siglën “SH.A.A.SH.”, regjistruar me Vendim Nr. 3635, Datë: 30. 07. 2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe e licencuar me NIPT: L32022451L nga Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave Tiranë, konform objektivave dhe qëllimeve të saj në hulumtimin, denoncimin  dhe ndjekjen e rasteve të konstatimit të akteve të korrupsionit, Këto shuma katastrofike Dhoma Kombëtare e Avokatisë ua merr pasi arkëton nga juristët çdo vit; shuma të konsiderueshme, si edhe nga kuotat, licencat, klasifikimet, etj”.

 Av.Flovian Musta: Mbrojtja ligjore

Neni 6, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale citon: “I pandehuri ka të drejtë të mbrohet vetë ose me ndihmën e mbrojtësit. Kur nuk ka mjete të mjaftueshme i sigurohet mbrojtja falas me avokat.” Atëherë, duke qenë se qytetari ka të drejtë të mbrohet edhe vetë, cili është ndryshimi ndërmjet një avokati që ka rreth 5 vjet eksperiencë pune me atë që ka 10 vjet. Nga ana tjetër, në çdo shkallë të procedimit, qoftë civil apo penal, Kodet Ligjore janë të njëjta. Kodi Civil, Kodi i Procedurës Civile, Kodi Penal, Kodi i Procedurës Penale, Kodi Administrativ, etj., janë të njëjta për çdo shkallë procedimi.

 Av. Ledia Hasani: Shpenzimet e dyfishta

Mos të harrojmë pa përmendur këtu, edhe shpenzimet e dyfishta që një qytetar duhet të përballojë me këto klasifikime të avokatëve. Nëse një avokat e ndjek çështjen nga themeli, duke qenë present që në studimin e çështjes për në shkallë të parë e ka më të lehtë ta ndjekë atë edhe në shkallët e tjera deri në Gjykatën Kushtetuese apo në atë të Strasburgut. Ndërsa nëse në Gjykatë të Lartë je i detyruar të kontraktosh një avokat tjetër, atëherë shpenzimet për avokatin do të dyfishohen, sepse ky i fundit dhet ta studiojë çështjen në themel, duke tërhequr e studiuar dokumentacionin që nga Gjykata e Shkallës së Parë. Kohë dhe shpenzim i dyfishtë, dhe të gjitha këto në kurriz të qytetarit, i cili ka një çështje për shqyrtim

Av. Suarda Dalipi: Arkëtimet nga tarifat

Duke folur për arkëtimet Av. Suarda Dalipi sqaron se: “mungesa e transparencës në lidhje me arkëtimet nga tarifat që ka përcaktuar Dhoma Kombëtare e avokatisë, marrja e vendimeve të paarsyetuara dhe në kundërshtim me ligjin e Kushtetutën, na jep të drejtë të pretendojmë se kjo Dhomë Avokatie kryen veprime korruptive dhe duhet ti nënshtrohet në hetimi të hollësishëm. Një problematikë e tillë nuk duhet anashkaluar, për këtë arsye e denoncojmë rastin publikisht dhe kërkojmë hetim të çështjes nga organet kompetente”.