Elsa Ballauri:“Programet elektorale, janë demagogji e madhe, nga të cilat shume pak gjera do vihen në jetë”

602
Sigal

Është një paradoks që Referendumi  i shoqërisë civile dhe ai i kërkuar nga maxhoranca u takuan në të njëjtën kohë. I pari i përjashtuar nga politika, i dyti, i imponohet popullit nga politika, për të mbuluar gropat e saj. Elsa Ballauri, Kryetarja e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, në intervistën për “Telegraf”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese e vlerëson pozitiv, për faktin që drejtësia nuk ka krijuar modelin e pavarësisë e profesionalizmit të saj. Zonja Ballauri thekson se, e meta e zhvillimeve demokratike është se nuk kemi një shoqëri civile të guximshme.

– Zonja Ballauri, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ju si e vlerësoni për të drejtën e referendumit për plehrat?

Ishte shumë pozitive. Madje mund të them që është një lajm për drejtësinë shqiptare. Ky vendim luajti një rol pozitiv në shumë aspekte, në një kohë kur dyshohet mbi drejtësinë shqiptare dhe ajo për fat të keq nuk e ka krijuar ende modelin e pavarësisë dhe profesionalizmit të vërtetë.

– Përse duhej që gjërat të mbërrinin deri këtu?

Shumë gjëra në Shqipëri mbërrijnë deri këtu, madje edhe më keq. Kjo nuk na çudit më. Ky rast ka qenë shumë komod me raste të tjera që nuk janë konsideruar dhe përfunduar kurrë. Të paktën kjo pati një përfundim. I gjithë procesi i çështjes së plehrave ishte i gjatë, akoma për mendimin tim, nuk ka mbaruar, por të paktën kemi një përfundim dinjitoz, si për gjykatën, edhe për opinionin dhe sidomos për shoqërinë civile që e inicioi.

– Duke marrë shkas edhe nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, a nuk duhet që politika të ndërgjegjësohet për mospërgjegjësinë  e dëftuar, dhe detyrimin që ka për të gjetur gjuhën e mirëkuptimit dhe të kompromisit, sidomos me shoqërinë civile?

Jo, nuk mendoj se duhet të ndërgjegjësojmë politikën për të ndihmuar shoqërinë civile. Asnjë vend nuk ka ndërtuar ndonjëherë organizata të fuqishme në varësi të dëshirës së politikanëve, nëse ndodh kjo, atëherë do të jetë një shoqëri civile e varur, e angazhuar militantisht, e nënshtruar nga frikërat ndaj politikës. Gjuha e kompromisit mund të të çojë në shmangie nga pavarësia. Jo se kjo është e gabuar, përkundrazi, por nuk mund të punohet thjesht për kompromis me qeverinë. Qeveria duhet të ndërgjegjësohet për të pranuar opozitën dhe vërejtjet e shoqërisë civile dhe jo të mundohet t’i manipulojë ato, sipas interesave të momentit. Për t’iu rikthyer çështjes së shoqërisë civile, kjo është edhe e meta e madhe e  zhvillimeve demokratike në Shqipëri, se nuk ka një shoqëri civile të guximshme, që të dalë kundër interesave të tarafeve, nuk ka një shoqëri civile pasionante, misionare dhe largpamëse. Në të kundërt, individët mundohen të bëjnë pakte me politikanët, që të sigurojnë mbijetesën e pashmangshme.

– Mosarritja e kompromisit nga politika për çështjet më madhore të fateve të kombit shqiptar, sikurse plehrat, integrimi, etj, është pasojë e mungesës së kulturës dhe emancipimit demokratik?

Duhet të jemi më pak virtualë dhe të lexojmë më shumë historinë tonë. Historia për fat të keq nuk na tregon shembuj të dhimbjes për çështjet e kombit. Përveç shumë pak intelektualëve nëpër shekuj që kanë pasur shqetësime të sinqerta dhe kulturiluministe, populli shqiptar nuk ka mundur të futet historikisht nën psikologjinë e dhimbjes për çështjen e kombit. Të mos harrojmë historinë se, kur erdhi princ Vidi në Shqipëri, populli e kundërshtoi me parullën “Dum Babën”…dhe baba ishte Sulltani. Unë mendoj se duhet të jemi më modestë, për të njohur dhe shpjeguar historinë tonë dhe sidomos periudha të forta dhe kthesa të rëndësishme. Një nga këto kthesa në qorrsokak ishte edhe komunizmi i gjatë, që e nuk arriti t’i jepte kuptimin e vërtetë dashurisë për atdhe. Kështu që, duhet të jemi realistë, të kuptojmë që psikologjikisht jemi shekuj larg Europës demokratike dhe të përpiqemi të rregullojmë gabimet e shumta.

– Si e shpjegoni reagimin e vakët të shoqërisë civile për ecurinë negative të procesit të integrimit të Shqipërisë?

Ju thashë, që shoqëria civile është gati inekzistente. Në këtë kontekst që thoni ju, shoqëria civile nuk ka nevojë të dalë me parulla dhe me protesta, mjafton të punojë mbi qëllimet që ka marrë përsipër. Së pari, të jetë e pavarur dhe e pakorruptuar, së dyti, të jetë shumë aktive, së treti, të jetë shumë e guximshme…. Kam frikë se do më thoni që po kërkoj shumë, apo të të pamundurën. Unë nuk mendoj kështu…jam pesimiste, por akoma ëndërrimtare…

– Duke gjykuar nga standardet demokratike të arritura, në këto 21 vjet demokraci, e meritojmë të bashkohemi në Familjen Europiane?

Natyrisht që e meritojmë… Ndoshta këtë mund të ma diktojë më shumë pjesa ime virtuale (siç jemi ne shqiptarët), por megjithë gjërat që nuk shkojnë, duhet të jemi një objektiv të largët, një dritë të pashuar që na duhet ta arrijmë. Megjithatë, duhet të jemi realistë për atë që jemi, të harrojmë se jemi qendra e botës, të harrojmë nacionalizmat ekstreme qesharake, por të punojmë me vullnet të mirë dhe me këmbë në tokë. Pra, në këtë aspekt, jemi afër dhe larg Europës.

– Si e shpjegoni divergjencën mjaft të madhe midis aspiratës, dëshirës, e vizionit të shqiptarëve  për t’u bërë sa më parë të barabartë si europianë dhe  politikës,  e pazonja  për të realizuar integrimin europian?

Këtë e lidh më shumë me natyrën virtuale, me naivitetin dhe mungesën e eksperiencës së shoqërisë shqiptare, nga njëra anë dhe nga ana tjetër me makinacionet e politikës demagogjike. Të dyja këto janë pjesë e karakterit të shqiptarëve, prandaj edhe kanë zënë mirë vend dhe funksionojnë. Është një kontradiktë reale, e vështirë për t’u zgjidhur, sepse është pjesë e natyrshme e psikologjisë dhe kulturës sonë. Në këtë rast, një rrugëdalje janë puna e mirë e elitave. Për këto të fundit dyshoj, që i kemi dhe aq më shumë t’i kemi ashtu të afta dhe udhëheqëse… Atëherë duhet bërë përpjekje që të ndërgjegjësohen elitat ekzistuese, të jenë ato që mund të krijojnë një ndryshim në psikologji. Dhe ky ndryshim vjen shpejt tek shqiptarët, mjafton që punët të bëhen me  sinqeritet, me pasion dhe dashuri.

– Cila është përgjegjësia e vetë qytetarëve, e vetë shoqërisë civile për vazhdimësinë e periudhës të tranzicionit e vonesës të proceseve integruese për në Familjen Europiane?

Jam shumë më e zhgënjyer nga qytetarët dhe shoqëria civile se sa nga politikanët. Sepse edhe politikanet, për t’u bërë të tillë janë ndihmuar shumë fort nga qytetarët dhe shoqëria civile. Është ajo shprehja:  “Atë kokë kë, atë feste vër”… Në qoftë se shoqëria civile e qytetarët do të reagonin më me mençuri dhe zgjuarsi, jo me militantizëm, kundër veprimeve të gabuara të pushtetit, do të kishim më shumë sukses me demokracinë dhe do kishim politikanë më të mirë.

– Faleminderit!

Referendumi i shoqërisë civile dhe i …politikës

– Referendumi është shprehje e një qëndrimi të një shume njerëzish, ata që firmosën iniciativën, apo është shprehje e vetë shoqërisë civile shqiptare?

– Referendumi është produkti i shoqërisë civile. Është një shenjë dhe një rast i mirë për t’u kujdesur në analizat që mund të bëjmë, pas kësaj për gjendjen dhe mundësitë e shoqërisë civile. Them shoqërisë civile dhe jo thjesht organizatat, të cilat janë pjesa kryesore e saj, por jo e tëra. Shoqëria civile përfshin edhe individë të angazhuar dhe këta ishin të shumtë në firmat për referendum. Për të vazhduar pak me temën e shoqërisë civile, e cila po bëhet gjithmonë e më shumë një temë shqetësuese dhe problematike, megjithë suksesin e këtij aksioni, personalisht mendoj se shoqëria civile është duke dhënë shpirt nga dita në ditë. Ndoshta çështja e plehrave është një temë më e paparagjykuar edhe politikisht dhe siç dihet ngacmon më shumë se çdo gjë tjetër logjikën e shoqërore se sa atë militante. Prandaj edhe firmat edhe bashkëpunimi ishte me i kollajshëm për t’u realizuar. Në këtë  fokus mendoj se rasti i referendumit të plehrave është një bashkëpunim i shëndetshëm.

– Referendumi i kërkuar nga maxhoranca për votimin e tre ligjeve, mund të barazohet me referendumin e kërkuar nga shoqëria civile për ndalimin e importimit të plehrave?

Jo, sepse është një referendum i kërkuar nga një forcë politike që kërkon të përfshijë forcat shoqërore dhe qytetarët e lirë. Pra, ka një mospërputhje që në thelb.

 

 Varfëria shpirtërore, kulturore, rrënja e dhunës në familje

 –  Cilat janë shkaqet politike, sociale, shoqërore që kanë favorizuar dhunën në familje dhe kundër grave, e cila po merr përmasa galopante?

Është një krizë e madhe që vjen si rezultat i mospërputhjes së asaj që kërkojmë të jemi dhe asaj që jemi. Por më realisht, kjo kuptohet me varfërinë, pamundësinë e zgjedhjeve, që individi duhet të ketë në jetë, varfërinë shpirtërore, kulturore, edukuese. Shoqëria po e pëson akoma më shumë nëpërmjet luftës tradicionale që bëhet mbi më të dobëtit dhe këta, në një vend si yni, janë gratë dhe fëmijët.

– A ka politika që të luftojnë, të parandalojnë dhunën në familje dhe dhunën kundër gruas?

Ka politika të shkruara dhe shumë pak të implementuara.

– Mendoni se deri tani programet elektorale premtojnë se mund të japin zgjidhje problemeve shumë të mëdha ekonomike, sociale shoqërore që shqetësojnë shqiptarët?

Programet elektorale, janë demagogji e madhe, nga të cilat shume pak gjëra do vihen në jetë. Por, të paktën, të bëjmë të bëhet më shumë se ç’është bërë dhe të jetë në drejtimin e duhur.  Shqipëria do të përparojë me milimetra.