Flet Av. Ndue Pjetra, kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion
Reforma në Drejtësi, sot është shndërruar në të kundërtën e misionit të saj. Institucionet e reja nga simbol i luftës kundër korrupsionit, janë kthyer në instrument selektiv të pushtetit politik, që vendos kë të ndëshkojë dhe kë të mbrojë. Kjo është drejtësi e komanduar, që vjen nga lart, e zbret poshtë si urdhër dhe jo si ligj. Në këtë realitet të deformuar, shumë gjyqtarë janë shndërruar në noterë të SPAK-ut, një pjesë e të cilëve janë kthyer në menaxherë financiarë të korrupsionit publik.
- – SPAK-u, që u krijua si institucioni emblemë i Reformës në Drejtësi, sot është shndërruar në të kundërtën e misionit të tij
- – Nga simbol i luftës kundër korrupsionit, është kthyer në instrument selektiv i pushtetit politik, që vendos kë të ndëshkojë dhe kë të mbrojë.
- – Kjo nuk është më drejtësi — është drejtësi e komanduar, që vjen nga lart, e zbret poshtë si urdhër dhe jo si ligj
- – Në vend që të luftojnë pasuritë e paligjshme, një pjesë e prokurorëve të SPAK-ut janë kthyer në menaxherë financiarë të korrupsionit publik.
- -Ata dinë saktësisht se ku ndodhen milionat e vjedhura nga tenderat, koncesionet dhe projektet fantazmë të qeverisë, por nuk i prekin – i ruajnë
- -Sot kemi një sistem ku prokurorët janë bërë administratorë të kapitalit të korrupsionit, duke bërë që drejtësia të funksionojë si një bankë e brendshme e pushtetit
- – Në vend që të ndëshkojnë hajdutët, ata i monitorojnë dhe i “menaxhojnë” që të mos preken njerëzit e gabuar
- -Në këtë realitet të deformuar, shumë gjyqtarë janë shndërruar në noterë të SPAK-ut.
-Vendimet e tyre janë të parapërcaktuara, të diktuara, të nënshkruara në heshtje, sipas dosjeve që u vijnë të gatshme. - -Në vend të një gjykimi të pavarur, kemi formalizim të vendimeve politike
- – Ndërsa dhjetëra qytetarë ndëshkohen për shkelje administrative apo tendera të vegjël, zëvendëskryeministrja Balluku del e paprekur

Nga Av. Ndue Pjetra
Kryetar i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion Shqiptarë (SHAASH)
Një sistem që vepron sipas urdhrave të politikës
SPAK-u, që u krijua si institucioni emblemë i Reformës në Drejtësi, sot është shndërruar në të kundërtën e misionit të tij. Nga simbol i luftës kundër korrupsionit, është kthyer në instrument selektiv i pushtetit politik, që vendos kë të ndëshkojë dhe kë të mbrojë.
Në pamje të parë, SPAK-u shfaqet si strukturë ligjore e pavarur; por në realitet, vepron me logjikë politike. Hetimet nuk drejtohen nga provat, por nga interesat e qeveritarwve. Kush është i pëlqyer nga qeveritarwt, shpërblehet me poste, tendera dhe mbrojtje ligjore; kush është i padëshiruar, shpallet “armik i drejtësisë”.
Kjo nuk është më drejtësi — është drejtësi e komanduar, që vjen nga lart, e zbret poshtë si urdhër dhe jo si ligj.
Prokurorët që menaxhojnë korrupsionin, jo që e ndëshkojnë
Në vend që të luftojnë pasuritë e paligjshme, një pjesë e prokurorëve të SPAK-ut janë kthyer në menaxherë financiarë të korrupsionit publik. Ata dinë saktësisht se ku ndodhen milionat e vjedhura nga tenderat, koncesionet dhe projektet fantazmë të qeverisë. Por nuk i prekin – i ruajnë. Këto para nuk janë zhdukur, por janë ricikluar me bekimin e atyre që duhej t’i sekuestronin. Sot kemi një sistem ku prokurorët janë bërë administratorë të kapitalit të korrupsionit, duke bërë që drejtësia të funksionojë si një bankë e brendshme e pushtetit. Në vend që të ndëshkojnë hajdutët, ata i monitorojnë dhe i “menaxhojnë” që të mos preken njerëzit e gabuar.
Gjyqtarët – noterë të SPAK-ut
Në këtë realitet të deformuar, shumë gjyqtarë janë shndërruar në noterë të SPAK-ut.
Vendimet e tyre janë të parapërcaktuara, të diktuara, të nënshkruara në heshtje, sipas dosjeve që u vijnë të gatshme. Në vend të një gjykimi të pavarur, kemi formalizim të vendimeve politike. Kështu, reforma që duhej të sillte drejtësi të re, ka krijuar një piramidë të centralizuar, ku ligji përdoret si mjet hakmarrjeje e jo si mjet barazie.
Në këtë sistem, gjyqtarët që nuk pranojnë të firmosin verbërisht, përjashtohen, penalizohen ose linçohen publikisht si “armiq të reformës”.

Rasti Balluku – provë e drejtësisë selektive
Rasti i fundit i Belinda Ballukut, ku SPAK-u u tërhoq nga hetimi pas zhurmës mediatike, është dëshmi e qartë se drejtësia e re nuk është më e barabartë për të gjithë.
Ndërsa dhjetëra qytetarë ndëshkohen për shkelje administrative apo tendera të vegjël, zëvendëskryeministrja Balluku del e paprekur, edhe pse mbi të rëndojnë akuza për abuzim me fonde publike në sektorin energjetik dhe rrugor.
Kjo tregon se SPAK nuk heton më për ligjin, por pyet paraprakisht se kujt i përket dosja. Nëse prek interesat e oborrit qeveritar, mbyllet; nëse i shërben propagandës, hapet me bujë.
Milionat që nuk mund të fshihen
Sot është më e vështirë të fshihesh sesa të pasurohesh nga korrupsioni.
Por sistemi i drejtësisë e ka gjetur zgjidhjen: i legalizon paratë e pista përmes shoqërive fiktive, kontratave të bardha dhe investimeve publike. SPAK, në vend që të ndalë këtë proces, është bërë garant i pastrimit të parave, duke e kthyer luftën kundër korrupsionit në marketing antikorrupsioni. Në shumë raste, dosjet e mëdha për tendera, hidrocentrale apo koncesione janë “arkivuar” në heshtje, ndërsa dosjet e vogla ndaj zyrtarëve pa mbrojtje politike janë dërguar në gjykatë për të krijuar iluzionin e drejtësisë.
Kështu, korrupsioni i madh mbrohet, korrupsioni i vogël shërben për propagandë.
Kasaforta e sekreteve qeveritare
Nga emërimet në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe të Gjyqësorit, tek zgjedhjet politike në SPAK e Gjykatën Speciale, çdo hallkë është lidhur përmes interesit të mbijetesës politike. Në këtë sistem, SPAK-u është bërë kasaforta e sekreteve qeveritare – aty ku ruhen dosjet, por nuk hapen kurrë. Reforma në Drejtësi u prezantua si “ilaçi i korrupsionit”, por në duart e pushtetit aktual, ajo është kthyer në monopol mbi të vërtetën. Asgjë nuk ndodh rastësisht: çdo hetim, çdo ndalim, çdo publikim bëhet vetëm nëse i shërben strategjisë së pushtetit për të mbajtur gjallë frikën dhe kontrollin.

Në vend të përfundimit: drejtësi që legalizon padrejtësinë
SPAK-u në formën që ekziston sot nuk është më armë kundër korrupsionit, por mjet për ta menaxhuar atë. Një institucion që flet në emër të ligjit, por që në thelb centralizon korrupsionin nën petkun e drejtësisë. Nëse ky kurs nuk ndalet, Shqipëria do të mbetet peng i një drejtësie që nuk ndëshkon fajin, por e legalizon atë me vulë dhe firmë.
E vërteta është se sot, më shumë se kurrë, drejtësia shqiptare ka nevojë për drejtësi.
Jo drejtësi spektakli, jo drejtësi urdhrash, por drejtësi që i shërben qytetarit dhe jo pushtetit.





















