Todo Bojdani partizani që rrëmbeu Radio Korçën më 10 shtator 1943 dhe partizani që dha sinjalin në Radio Tirana për çlirimin e Shqipërisë

21

Në datën 13 prill në teatrin Andon Zako Çajupi në Korçë promovohet libri i Albert Zholit, Todo Bojdani

Sigal

 

-Si u rrëmbye Radio Korça më 10 shtator 1943 nën hundën e gjermanëve?!

-Të rejat e ribotimit të librit: Cili ishte roli i Koci Xoxes në radiondërlidhjen shqiptare?

-Si lindën kontraditat mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes nga miq në armiq të betuar?

-Çfarë tha Todo Bojdani në Radio Tirana ditë e çlirimit të Shqipërisë?

-Cilat ishin takimet e Todo Bojdnit me Ismail Kadarenë për filmin “Raddiostacioni”?!

-Pse Todo Bojdani ngeli i pakënaqur nga Ismail Kadare për skenarin e filmit “Radiostacioni”?!

– Si e ka realizuar Birçe Hasko rolin e partizanit te “Radiostacioni”?!

-Cili është mendimi I Birçe haskos për këtë rol që ka ngjllur diskutime?

– Po sot a mund ta ndryshonte Kadare skenarin e filmit “Radiostacioni?!

Albert Z. ZHOLI

Sulejman BASHA

 

“Nëse unë nuk do të kthehem më, radiostacionin do të duhet ta vendosësh ti në punë!”

Duhet thënë që në fillim se, ideja për rrëmbimin e radiostacionit të Korçës ka qenë krejtësisht e Todos. Në datat 8 dhe 9 shtator 1943, në Shqipëri hyri ushtria gjermane. Në ditët kur pritej që ushtria gjermane të hynte në Korçë, Todo i kërkoi Qarkorit të Korçës që të dilte partizan dhe të shkonte në Vithkuq, atje ku Todo kishte filluar ngritjen e laboratorit të ndërlidhjes. Ai mendonte se roli dhe kontributi i tij do të ishte më i madh duke ju dedikuar realizimit të ndërlidhjes ndërmjet formacioneve luftarake. Ndaj, në 8 shtator, ai vendosi që të dilte partizan, por përpara se të shkonte, mendoi që të dëmtonte Radio-Korçën, mjetin e vetëm propagandistik të asaj kohe. Ky do të ishte një sinjal shumë i rëndësishëm për pushtuesit gjermanë, se nuk do ta kishin të lehtë nënshtrimin e popullit shqiptar. Me këtë veprim Todo do i hiqte mundësinë komandës gjermane që ta përdorte Radio-Korçën, për të përhapur propagandën naziste.Ja si e shpjegon këtë kohë Todo në shkrimet e tij:

“Ditët që kapitulloi Italia fashiste, sikundër dihet, në Korçë u organizua një demonstratë e madhe, në të cilën, jo vetëm që mora pjesë vetë, porse punova për organizimin e saj. Megjithëse i tronditur nga përfundimi tragjik i kësaj demonstrate, duke e parë si rast shumë të volitshëm, mendova që ta nxjerr Radio-Korçën jashtë funksioni, megjithëse gjermanët e kishin marrë në dorëzim, por nuk kishin bërë asnjë veprim”. Aparaturat e Radio-Korçës, në atë kohë, ndodheshin në dy godina të ndryshme. Studioja e Radio-Korçës ndodhej në lindje të sheshit të Mitropolisë, në pjesën e përparme të shtëpisë së Sotiraq Files, ndërsa pjesa tjetër, radiostacioni, ndodhej pranë Xhamisë së Madhe të Iljaz bej Mirahorit, në qendër të Korçës.Todo shkoi te radiostacioni së bashku me Vasil Dishnicën, teknik i Radio-Korçës, djalosh 17-vjeçar, ndaj të cilit kishte besim të plotë. Todo i tregoi Vasilit planin e tij dhe i kërkoi që të mbante shënim me kujdes për çdo pjesë të skemës që do të çmontonte.Sipas tregimit të Vasilit, Todo i thotë:

“Në luftë mund të ndodhë çdo gjë, ndaj, ti do të mbash shënim me kujdes çdo dëmtim që do i bëjmë, mbasi kështu, nëse unë nuk do të kthehem më, radiostacionin do të duhet ta vendosësh ti në punë!”.

 

Vasili, 17-vjeçar, e vështroi me habi Todon, shefin dhe shokun e tij, i cili ishte tepër i qetë, ndërsa tregonte se po shkonte në luftë i vetëdijshëm se prej andej edhe mund të mos kthehej më! Gjithsesi, Vasili e kuptoi që Todo kishte besim absolut dhe po i linte një përgjegjësi të madhe. Filluan të hiqnin pjesë të skemës, të cilën Vasili e shënonte me kujdes të madh. Papritur, në ambientet e radiostacionit hyri një punonjës që merrej me rrjetin elektrik dhe mbrojtjen nga zjarri. Ai u bë kurioz dhe pyeti se çfarë po ndodh, përse po punoni poshtë stacionit. Shoku pyeti pa qëllim dhe ndonëse ishte njeri i mirë, duhej që ai mos merrte vesh se çfarë po ndodhte. Ndaj Todo iu përgjigj ashtu qetë dhe me cigare në gojë, se po përgatitej të bënte remontin dhe profilaktikën e radiostacionit.Shoku u largua dhe Todo me Vasilin vazhduan ç’montimin e radiostacionit.Por, – siç tregonte Vasili – pas njëfarë kohe, papritmas, Todo i kërkoi Vasilit që të ndërprisnin punën dhe ta vazhdonin ditën tjetër…

“Radiostacionin nuk do ta dëmtojmë, duhet ta rrëmbejmë…” Qarkori cakton Todon, ideatorin e aksionit, përgjegjës të aksionit të rrëmbimit të Radio-Korçës

Të nesërmen, ndërsa u takuan dhe Vasili priste që të vazhdonin punën, Todo i tha: “Duhet ta bëjmë gati radiostacionin. Do vijë Njësiti Guerril që ta marrë, ndaj duhat ta ç’montojmë dhe ta bëjmë gati..” Çfarë kishte ndodhur në të vërtetë? Në Arkivin e Shtetit u gjet një dokument interesant që tregon se çfarë kishte ndodhur, pse Todo kishte ndërprerë në mënyrë aq të papritur dëmtimin e radiostacionit dhe i kishte thënë Vasilit që ta vazhdonin punën të nesërmen. Ndërsa po hiqte pjesë të skemës së radiostacionit duke ja shpjeguar Vasilit, Todo ndryshoi  endim:“Radiostacioni i Korçës është shumë i përshtatshëm si stacion radiofonik, por ai mund të modifikohet dhe të përdoret për radiondërlidhje, kështu që, në vend ta dëmtojmë dhe ta lëmë këtu,më mirë është që ta marrim dhe ta vëmë në funksion të luftës sonë”. Kjo ishte arsyeja që Todo e ndërpreu dëmtimin e radiostacionit! Ishte pikërisht ai moment që Todos i kishte lindur ideja e rrëmbimit të radiostacionit dhe vënien e tij në përdorim për nevojat e luftës çlirimtare. Nga dokumentet rezulton se Todo kishte kërkuar një mbledhje urgjente të Qarkorit të Korçës, e cila ishte mbajtur urgjent po atë ditë. Idenë e rrëmbimit të radiostacionit, ai e kishte shndërruar në një plan të detajuar, të cilin e kishte parashtruar në mbledhje. Ai kishte parashikuar çdo detaj, që nga përgatitja e radiostacionit për t’u transportuar, mjeti i transportit, rrugët që do të ndiqnin për të dalë jashtë Korçës, deri në mbë-rritjen në zonat e çliruara. Gjithashtu, në plan parashikoheshin edhe veprimet për të dalë prej çdo situate të papritur. Shokët e Komiteti Qarkor të Korçës e dëgjuan me vëmendje planin e Todos. Ata kërkuan që të bëhej një takim tjetër, i cili u bë në 9 shtator. Në këtë takim, Qarkori e aprovoi pikë për pikë planin e përgatitur nga Todo dhe e caktoi atë përgjegjës të aksionit të rrëmbimit të Radio-Korçës. Në Korçë ishin ende forcat italiane si edhe forcat e porsambërritura gjermane, të cilat patrullonin rrugët e brendshme dhe rrugët hyrëse e dalëse të saj, ndaj ky aksion do të ishte shumë i rrezikshëm dhe mund të rezultonte fatal për jetën e Todos dhe të shokëve që do të merrnin pjesë në të. Dijeni për aksionin kishin vetëm shokët e Todos, Petro Lako dhe Vasil Dishnica, të cilët do të ishin edhe pjestarë aktivë në këtë aksion.Aksioni ishte caktuar të kryhej në paraditen e datës 10 shtator 1943, mirëpo aksioni u shty, pasi personeli i Radio-Korçës u lajmërua që duhej të paraqitej në studio. Ndërkohë që personeli ishte mbledhur në studion e Radio-Korçës, fiks në orën e caktuar, mbërriti oficeri gjerman, i cili do të merrte në dorëzim Radio-Korçën. Ai vendosi roje në studio dhe mendoi se edhe radiostacioni gjendej po atje, dhe nuk i shkoi në mendje se radiostacioni ishte larg.Sipas kujtimeve të Vasil Dishnicës, oficeri gjerman, mbajti një fjalim ku i vuri theksin luftës heroike të ushtrisë gjermane dhe pushtimit të shumë vendeve të Evropës. Ndërsa ai fliste me një zë të lartë, përkthyesi fliste ngadalë dhe me një zë të mekur. Oficeri gjerman premtoi që, Radio-Korça duhet të ketë një godinë të madhe dhe të veçantë. Ndërkohë, një punonjës, pa qëllim,i tha përkthyesit që t’i shpjegojë oficerit që radiostacioni nuk është në këtë godinë, por ka një godinë tjetër. Ndërkohë Todo, me zë të ulët, i thotë: “Mos ia thuaj këtë, nuk ka përse t’ia tregosh, s’ka rëndësi”. Dhe në fakt përkthyesi nuk ia tha. Oficeri gjerman premtoi se Radio-Korça do të shkëmbente eksperiencë me radiot greke dhe maqedone, si edhe i premtoi vizita të ndërsjellta personelit administrativ, teknik dhe artistik. Ai premtoi gjithashtu se së dhe se do sillte në Korçë një radiostacion të ri të prodhuar në Gjermani, i cili do të ishte më i fuqishëm dhe më i mirë! Ndërkohë, shoku, i cili përsëri pa qëllim, por gjithsesi “i fiksuar” për t’i treguar oficerit gjerman vendndodhjen e radiostacionit, filloi përsëri: “Radiostacioni nuk gjendet këtu po…”, Todo, ndryshe nga natyra e tij e qetë dhe që asnjëherë nuk fliste me zë të lartë, I tha prerazi dhe me ton paksa nervoz:“Të thashë pra, mos ja thuaj këtë”! Ishte veç një moment. Përkthyesi përsëri nuk arriti ta përkthejë,por punonjësit u kthyen me habi dhe vështruan Todon,ndërsa mendonin si ka mundësi që foli kështu!? Todo nuk nxehej kurrë… Përse reagoi ashtu ndaj disa fjalëve të shokut!? Ai nuk u përmbajt dot, pasi, nëse oficeri gjerman do të merrte vesh vendndodhjen e radiostacionit, me siguri do të çonte atje urgjent ushtarë gjermanë për ta ruajtur dhe realizimi i planit të rrëmbimit do të dështonte. Gjithsesi, oficeri gjerman nuk e mori vesh dhe iku i kënaqur, pasi ishte i bindur se Radio-Korça do të ishte në dispozicion të propagandës së komandës gjermane. Vasili kujton që, menjëherë pas mbledhjes, së bashku me Todon u nisën për te Radio-Korça. Tek po ecnim drejt radiostacionit, unë po dëgjoja me vëmendje udhëzimet e Todos. Në një moment gjatë ecjes, u hap pakëz xhaketa e tij dhe unë pashë që ai kishte në brez një pistoletë!

Si duket, unë i pamësuar me situata të rrezikshme, në një moment u shtanga. Pastaj, duket se do të kem bërë ndonjë lëvizje të pavullnetshme, apo ndoshta fytyra ime do ketë ndryshuar. Ndoshta mendova:“po ç’ne Todua me armë!? Ai është i urtë, i butë…”. Ndërkohë, Todo, që duhet të ketë vënë re ndonjë gjë në pamjen e fytyrës sime, më pyeti: -Vaskë, je mirë Vaskë, ke frikë? Vasili tregonte:“Si të mos kisha frikë, kur unë ndoshta do të gjëndesha përballë automatikëve gjermanë!?” Frikë kisha aq shumë sa nuk mund të mendohet… Pashë për një çast Todon, ai dukej i qetë, njësojsi çdo ditë. Si ka mundësi që ky njeri po shkonte pa mëdyshje drejt një rreziku kaq të madh, që mund t’i kushtonte jetën!? Por, ishte thjesht një moment… Mua po më shkonin shtatë, po për çudinë time, nga goja ime dolën fjalët:“Jo ç’ne, nuk kam aspak frikë!”.“Rri i qetë” – më tha Todo me një buzëqeshje të lehtë. Aksioni u krye me ndihmën e njësitit gueril të Korçës,komandant i të cilit ishte Andrea Ziu, si dhe anëtarët e tij Jorgji dhe Sofokli Opari, Miti Visari, Tasi Marko, si dhe shokë të tjerë,të gjithë në moshë të re. Ata, për të mos rënë në sy, ishin veshur enkas me kostume, sikur kishin dalë për shëtitje. Në planin e Todos parashikohej që do të vinte një kamionçinë, të cilën do e drejtonte Petro Lako, i cili do kishte një rol shumë të rëndësishëm.Porsa mbërriti kamionçina, shokët e Njësitit Gueril u afruan dhe si të rastësishëm, “dhanë një dorë” në ngarkimin e radiostacionit në karroceri. Radiostacioni peshonte shumë, ndaj për të ndihmuar u afruan edhe kalimtarë të rastit, të cilët nuk ishin pjesë e aksionit.Vaska tregon:“Ndërsa e ngarkuam stacionin në karrocerinë e makinës, shokët e njësitit gueril hipën në makinë. Po bëhesha edhe unë gati, por ndërkohë Todo më thotë prerë:“Vaskë, jo ti!”. Unë me gëzimin e madh për ç’ka po bënim, frika më kishte ikur fare, doja të shkoja patjetër, por e pashë edhe një herë Todon, me një shprehje lutëse në fytyrën time, por…veç një çast…kuptova që urdhri i Todos ishte i padiskutueshëm. Nuk mund t’i harxhoja asnjë sekondë tjetër, ndaj u shkëputa nga makina dhe ndërsa ajo u nis, unë mora rrugën kokulur për në shtëpi. Besoj se Todokishte parasysh jo vetëm që unë nuk isha ende i inkuadruar me lëvizjen,por edhe moshën time, që në atë kohë isha vetëm 17 vjeç…Mesazhi i Todos ishte i qartë, ç’ka tregonte se edhe në momente të tilla të rëndësishme e delikate, ai dinte të sakrifikonte, por edhe të kursente jetën e njerëzve” Makinën e ngiste Petroja dhe pranë tij u ul Todo. Në karroceri u futën 10 anëtarë të njësitit gueril, të cilët ishin të pajisur me bomba dhe armë automatike. Plani i bërë nga Todo parashikonte që, nëse makina do të ndalohej nga ndonjë patrullë italiane, ai do i fliste italisht, do të paraqitej si punonjës që i shërbente propagandas fashiste, do i tregonte lejëkalimin dhe dokumentin që ishte punonjës i Radio-Tiranës. Me italishten e tij të pastër, të mësuar që në Institutin Teknik, ai do justifikohej që po çonte radiostacionin për riparim në Tiranë, apo në Greqi, në varësi të rrugës nga do kalonin apo vendin ku do e ndalonin. Në këtë mënyrë shpresonte që të kishte gjasa që makina të mos kontrollohej. Por,nëse do të ndaleshin nga ndonjë patrullë me ushtarë gjermanë,atëherë përpjekja me armë do ishte e pashmangshme…

Roli i Todos në këtë aksion konsistonte në: – Ishte ideator i aksionit.- Ishte i vendosur, i qetë dhe me karakter të fortë.- Njohës i mirë i armëve dhe i teknikës luftarake. Ai kishte staturën e një ushtaraku, pasi kishte kryer shkollën ushtarake të plotësimit, ku kishte marrë gradën nëntoger.- Ai kishte parashtruar me Komitetin Qarkor me detaje, të gjithë skemën e aksionit.- Njihte teknikisht radiostacionin. Paralelisht me ngjarjen e rrëmbimit të Radio-Korçës u krye edhe aksioni i rrëmbimit të ilaçeve dhe materialeve të tjera mjekësore nga spitali i Korçës. Këto materiale u çuan në spitalet partizane dhe do ishin një ndihmë e çmuar për të mjekuar partizanët e plagosur.