Brigada IV Sulmuese me kontribut të çmuar në çlirimin e vendi

1394
Sigal

Me gjithë dëmet që shkaktoi armiku në këto operacione, duke djegur dhe masakruar fshatra të tëra, nuk ia arriti qëllimit ti shpartallonte forcat partizane

Brigada IV Sulmuese me kontribut të çmuar në çlirimin e vendi

 (Në kuadrin e 75 vjetorit të krijimit)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Formimi i brigadës

Në fundin e vitit 1943 dhe fillimin e vitit 1944, Lufta Nacionalçlirimtare kundër pushtuesit nazist kishte marrë përpjesëtime të mëdha në të gjitha krahinat e vendit. Për t‘a goditur më me efektivitet armikun, kishte lindur nevoja për krijimin të njësive të mëdha luftarake. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, më 28 dhjetor 1943, në Voskopojë të Korçës, vend me tradita patriotike e kulturore, u formua Brigada e IV Sulmuese (Br. IV S). Në brigadë u inkuadruan partizanë dhe kuadro me shumë përvojë luftarake të fituara në luftimet me armikun. Të tillë ishin luftëtarët e batalioneve partizane “Shqiponja”, “Gor-Opar”, “Tomori”, “Çlirimi”, “Fuat Babani”, “Hakmarrja”, si dhe një numër i madh vullnetarë dhe kuadro nga qyteti i Korçës. Brigada u organizua me katër batalione dhe në ditën e inaugurimit u përbë nga një efektiv prej 600 luftëtarë. Shumë shpejt gjatë luftimeve me armikun, ajo u dyfishua me partizanë vullnetarë të krahinave të Shqipërisë së Mesme. Me Urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, Komandant i Brigadës u caktua Nexhip Vinçani dhe Komisar Pëllumb Dishnica. Ndërsa në shtabin e brigadës dhe në komandat e batalioneve u caktuan dhe shumë kuadro të dalluar në aksione dhe luftime të çetave partizane të qarkut të Korçës. Të tillë ishin Vaskë Gjino, Petrit Dume, Spiro Shalësi, Pano Xhamballa, Zija Kambo, Gafur Çuçi, Xhafer Lubonja, Gaqo Peristeri, Vera Pojani, Eleni Pashko, Fatmir Glata, Raqi Qirinxhi, Milo Qirko, Sotir Filto, Halit Mati etj.

Brigada, pengesë e madhe për lëvizjen e nazistëve

Armiku u trondit dhe u alarmua shumë nga krijimi i Br. IV S në qarkun e Korçës, por dhe nga aksionet e befasishme dhe të vazhdueshme të çetave dhe batalioneve partizane, të cilat me luftimet goditëse ishin bërë pengesë e madhe për lëvizjen e forcave gjermane nga Korça për në Greqi dhe në Jugosllavi. Gjermanët, me qëllim për t’i shpartalluar ato, me forcat e Divizionit, 100 të dislokuar në qarkun e Korçës, me një efektiv prej 900 kuadro e ushtarë, me rreth 1.000 ballistë, si dhe me shumë forca të tjera armike nga Berati dhe Elbasani, ndërmorën dy operacione të mëdha të Dimrit 1943 dhe të Qershorit 1944. Por me gjithë dëmet e mëdha që shkaktoi armiku me këto operacione, në të gjitha krahinat e qarkut të Korçës, duke djegur dhe masakruar shumë fshatra, nuk ia arriti qëllimit për t’i shpartalluar forcat partizane. Në këtë situatë të vështirë, batalionet territoriale dhe forcat e Br. IV S, falë drejtimit të përsosur të komandantit të saj, Nexhip Vinçani, heroizmit të partizanëve dhe mbështetjes masive të popullit të krahinës së Korçës, i shkaktuan humbje të mëdha në njerëz dhe teknikë luftarake

Brigada njësi luftarake e Divizionit të Parë Sulmues.

Pas luftimeve të suksesshme kundër pushtuesve gjermanë në Operacionet e Dimrit dhe Qershorit 1944, Br. IV S, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, në muajin maj 1944 u inkuadrua në Divizionin I S dhe mori pjesë në operacionin mësymës për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Në këtë operacion repartet e Br. IV S, me luftime të shumta kundra pushtuesit gjerman dhe forcave balliste, çliruan krahinat Qarishtë, Zerqan, Mat, Fushë Alie dhe në bashkëveprim edhe me çetat territoriale çliruan qytetet e Dibrës dhe të Elbasanit.. Pas luftimeve të shumta për çlirimin e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut, Br. IV S, së bashku me Br. I, VIII dhe XVII S, më 29 tetor 1944, me urdhër të Shtabit të Korparmatës së Parë mori pjesë në operacionin për çlirimin e Tiranës. Në këtë operacion vendimtar për çlirimin e Tiranës, Br. IV S ju ngarkua detyra të sulmonte në drejtimin kryesor më të fortifikuar të kryeqytetit, në rrugën Elbasan-Tiranë, në sektorin Pallati Mbretëror-Kodra e Kopilit-Kisha e Shën Prokopit. Repartet e Br. IV S, gjatë 45 ditëve lufte të vazhdueshme me autokolonat gjermane në Qafë Kërrabë dhe me forcat gjermane që mbronin kryeqytetin, të mbështetura fuqishëm nga aviacioni anglo-amerikan, i cili çdo ditë bombardonte armikun në rrugëkalimin Qafë Kërraba-Tiranë, jo vetëm bllokoi lëvizjen e autokolonave armike, por pas luftimeve të rrufeshme trup me trup, në betejën historike të Mushqetasë, arriti të shpartallojë dhe asgjësojë forcat gjermane. Në këtë betejë të përgatitur me kujdes për çlirimin e kryeqytetit, efektivi i Br. IV S të lavdishme dha një kontribut të çmuar. Br. IV S, në betejën për çlirimin e Tiranës i dha atdheut 98 dëshmorë. Në të gjitha luftimet, nga krijimi deri në çlirimin e plotë të vendit, Br. IV S, duke qenë një nga njësitë më të suksesshme të Ushtrisë Partizane, i plotësoi me nder detyrat e vëna dhe i dha atdheut 274 dëshmorë, ndërmjet të cilëve zëvendëskomandantin e brigadës Pano Xhamballa, komandantin trim Xhafer Lubonja, partizanët Riza Taçi, Neki Varvara, Kiço Korroveshi, Goie Ruço, Jonuz Selenica etj

Fama dhe rënia e Komandant Nexhip Vinçani dhe Komisarit Pëllumb Dishnica

Komandant Nexhip Vinçani lindi në Vinçan të Korçës në vitin 1916, në një familje atdhetare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa më pas vazhdoi Liceun e Korçës, ku dhe krijoi lidhje me elementë përparimtarë, me shoqërinë “Puna” dhe bashkëpunoi me revistën “Bota e Re”. Më tej ndoqi studimet në Shkollën Mbretërore në Tiranë dhe gjimnazin e Shkodrës. Studimet e larta i ndoqi në Itali, në Universitetin e Romës, në Fakultetin e Drejtësisë, por i ndërpreu dhe u kthye në atdhe. U lidh me LANÇ-in dhe zhvilloi veprimtari aktive antifashiste, duke u bërë një nga figurat kryesore të Luftës në qarkun e Korçës. Mori pjesë si delegat në Konferencën e Pezës. Në qershor të vitit 1943 u caktua komandant i shtabit ushtarak për qarkun e Korçës dhe komandant i Brigadës IV S. Në nëntor 1944, u caktua zëvendëskomandant i Shtabit Operativ për çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit, kreu detyra të rëndësishme në ushtri si komandant divizioni në Peshkopi e në Shkodër. Me rezultate të shkëlqyeshme përfundoi Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë. Emërohet në vitin 1948 komandant Divizioni në Korçë dhe më pas drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes. Në provokacionet e gushtit të vitit 1949 të monarko-fashistëve grekë, ishte komandant i Grupi Operativ. Në Konferencën e Partisë së Tiranës, në vitin 1956, karriera e tij u ndërpre përfundimisht. U çua punëtor në Lushnje e më pas përgjegjës i kantierit të Bonifikimit në Fier. Në vitin 1982 u arrestua e u burgos një vit për agjitacion e propagandë dhe më pas u internua në Gramsh. Dënimi i tij është cilësuar i padrejtë. Ishte njohës i gjuhës frënge, italiane dhe ruse. Veprimtar i shquar i LANÇ-it, gjenerali dhe ushtaraku i lartë, vdiq në Tiranë 6 shkurt 1997.

Komisar Pëllumb Dishnica lindi në fshatin Dishnicë të Korçës në vitin 1919. Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës. Në bankat e shkollës u lidh me Grupin Komunist të Korçës. Mori pjesë në demonstratat kundër pushtimit fashist. Pas pushtimit u arrestua dhe u internua në ishullin Ventotene, në Itali, në vitet 1939-1941. Kur u kthye në atdhe kaloi në ilegalitet. U bë anëtar i PKSH që me themelimin e saj. U caktua komisar i Shtabit të Qarkut të Korçës, në maj, 1943. Ishte ndër organizatorët e formacioneve të armatosura partizane. U caktua komisar i Brigadës IV S që në krijimin e saj, më pas komisar i Divizionit I. Pas çlirimit u emërua zëvendësdrejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Shqiptare, në vitin 1945 me gradën kolonel. Në Kongresin I të PKSH u përjashtua nga Komiteti Qendror, nga partia e ushtria. Në vitin 1956 u dënua për frymë kritike në Konferencën e Organizatës së Partisë të rrethit të Tiranës, u internua për 25 vjet në ishullin e Zvërnecit në vitet 1957-1964 dhe në fshatra të Myzeqesë. Pjesëmarrësi i LANÇ-it, koloneli dhe funksionar politik i Ushtrisë, vdiq në vitin 1989.