Stalinin nuk e lidh asgjë me Shkodrën

934
Sigal

Kujtimet e Qemal Lames, ish-Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë:

Kush e organizoi demonstratën për rrëzimin e bustit të stalinit. Çfarë thanë të arrestuarit, intrigat në dhomat e izolimit, akuzat e hetuesve dhe roli zëvëndësministrit të Brendshëm Zylyftar Ramizi. Ja pse i lirova të akuzuarit që rrëzuan diktatorin

– Frika ndaj hetuesisë, ishte kultivuar kohë më parë nga e kaluara e gjatë e metodave të dhunës

I bindur dhe i ndërgjegjshëm për të korrigjuar veprimet e parregullta të kryera me të ndaluarit.

 – Unë po pres të më sjellin materialet  nga Sigurimi i Shtetit, për të parë fajësinë dhe përse dyshohet i ndaluari.

– Që në fillim të kërkoje provat dhe dokumentet, – i tërhoqa edhe një herë vëmendjen për zbatimin e drejtë të ligjit.

I ndaluari vështronte i habitur. Ai dëgjonte dhe heshtte, kur unë reagoja me qëndrime kritike dhe kërkesë llogarie. Kishte menduar  ndoshta ndonjë sjellje tjetër me të,  dhe jo kërkesë llogarie ndaj hetuesit, në dhomat e izolimit, për t’u zbatuar dhe respektuar me përpikëri ligjin. Qëndrimi im e habiste, në krahasim me veprimet që mund  të ishin kryer më parë me të. Frika ndaj hetuesisë, ishte kultivuar kohë më parë nga e kaluara e gjatë e metodave të dhunës, dhe frika që ishte imponuar  në opinionin shoqëror  për Sigurimin e policinë, si dhe ndaj hetuesisë  në vartësi të ministrisë së punëve të Brendshme, deri para  vitit 1981, sipas kodit të procedurës penale të asaj kohe.

Opinioni shoqëror  vlerësonte  ndryshimet e bëra në zbutjen e politikës  penale dhe qëndrimet e hetuesisë. Shpesh, të ndaluar, të arrestuar apo të dënuar në vendet e vuajtjes së dënimit, habiteshin  me komunikimin  me hetuesit, pushimin e çështjeve etj.  Efekte  jepnin edhe rastet e kontrollit  të prokurorisë dhe pafajësitë nga gjykatat.

Megjithatë, ndryshimet  nuk kuptoheshin  kudo njëlloj. Zbatimi i ligjit mirëpritej, por shpesh krijohej një gjendje shpirtërore e habitshme dhe e papritur, të cilën nuk mund ta shpjegonin personat që deklaroheshin  të pafajshëm dhe që liroheshin në fazën e hetimit dhe gjykimit. Ata shprehnin  falenderime  për këto masa, por në mendime iu mbetej pasiguria, si dhe frika që ndjenin papritur  kur  ata liroheshin,  në rastet e ndalimeve dhe të arrestimeve të  paligjshme. Ata dukeshin  të habitur, kur u kërkohej falje për shkeljet e ligjit nga hetuesit.

Me këto mendime që më shkuan menjëherë në mendje, për të kuptuar efektin e treguar nga të ndaluarit, u futa edhe në zyrat e tjera të hetimit.

Në zyrën tjetër, hetuesi Qemal Dragoshi,  po pyeste të pandehurin që quhej Gjergj Livadhi. Ky më tregoi emrin e më shpjegoi  se kishte marrë pjesë në demonstratë:

– Dy ditë më parë, më kishte thënë Ded  Kasneci,  të merrnim pjesë në demonstratë. Kemi lajmëruar  edhe persona të tjerë. Një ditë më parë, kemi pirë një kafe, te hotel “Rozafa”, ku diskutuam për të marrë pjesë në demonstratë. Do të rrëzonim edhe monumentin e Stalinit. Për këto kemi biseduar më pas  edhe me një  grup  personash.

– Kush e organizoi demonstratën?

– Nuk  di ndonjë organizim të mëparshëm, – u përgjigj i ndaluari.  – Këtu në Shkodër ka më shumë se një javë,  që flitet hapur për demonstratën.  Shumë  persona  kanë pasur dëshirë dhe dolën vetë  në demonstratë. Në çdo familje është folur lirisht  për  zhvillimin  e  demonstratës.

– Po monumentin  e Stalinit, përse  do ta rrëzonit?

Pas një heshtjeje më tha:

– Do ta hidhnim. S’ka pse të rrinte në mes  të qytetit  tonë!

– Përse akuzohesh?

– Nuk e di. Hetuesi po më pyet, përse kam marrë pjesë në demonstratë dhe po ia shpjegoj, kjo është e gjitha. Unë kam qenë i dënuar  për vjedhje më parë,  por tani  nuk kam bërë gjë. Dolëm në demonstratë, por nuk bëmë gjë. Këtë ua thashë edhe atyre të Sigurimit  të Shtetit dhe zëvendësministrit,  Zylyftar Ramizit,  kur më pyetën,  nuk e di përse më ndaluan!

Pyeta hetuesin përse akuzohet ky person i dyshuar dhe përse nuk i kishte komunikuar akuzën.

– Nuk më kanë sjellë materialet, – shpjegoi hetuesi – pres të më vijnë.  E njëjta situatë si me të ndaluarin që pyeta më parë. Ia bëra të qartë edhe këtij hetuesi:

– Vepro në bazë të ligjit, mos bëj shkelje të tilla, pa të dhëna ligjore të dokumentuara,  nuk  mund    të bëhen ndalime dhe pyetje nga hetuesia.

– Si urdhëron, – u përgjigj hetuesi.

Kur dola nga kjo zyrë dhe po hyja  në zyrën tjetër,  erdhi  nga pas kryetari i hetuesisë  së rrethit, Kosta  Karanxha, zëvendëskryetari, Gjergji  Ruli dhe prokurori i rrethit,  Fatmir Brati. Ata po pyesnin një  të ndaluar, i cili po kundërshtonte me zë të lartë.