Shpresim KASAJ:Mbledhja e Armenit dhe rëndësia e saj për përgatitjen e Luftës së Vlorës

1315
Sigal

Aty u  hodh për herë të parë ideja e Luftës së Vlorës dhe u hodhën piketat për zhvillimin e saj

Në verën e sivjetshme mbushen 100 -vjet nga Lufta e Vlorës. Kjo epope e lavdishme u zhvillua nga 5 qershori,  deri më 22 korrik 1920,  por përgatitjet për të kishim filluar më herët.

Përndryshe, ajo nuk do të kish atë sukses që pati.

Që në tetor 1919,  në lagjen Topana të Vlorës, ishte krijuar një “Komitet i fshehtë” që quhej edhe “Komiteti i Vlorës”, i përbërë nga Osman Haxhiu, Hamza Isai, Spiro Jorgo Koleka dhe Alem Mehmeti, të cilët i dorëzuan komandës italiane propozimin për heqjen e trupave pushtuese italiane nga Vlora. Në 28 nëntor të po atij viti, ky Komitet organizoi demonstratën antiitaliane te sheshi para konsullatës italiane, sot sheshi para Bashkisë Vlorë, ku patriotët vlonjatë u përleshën me ushtarët dhe karabinierët italianë për flamurin kombëtar.

Pas Kongresit të Lushnjes, çështja e largimit të trupave pushtuese italiane nga Vlora, çlirimi i saj dhe bashkimi me trupin tjetër të Atdheut doli në pikën e parë të rendit të ditës të patriotëve vlonjatë dhe shqiptarë.

Për të bërë të mundur këtë, u bënë disa mbledhje e takime në disa fshatra të Vlorës, si në Armen, Lepenicë, Brataj dhe Dukat. Në këto takime morën pjesë delegatë dhe pjesëmarrës të Kongresit i Lushnjes, senatorë bile dhe Kryeministri i Qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, Sulejman Delvina. Mbledhja e parë dhe më e rëndësishme e këtyre përgatitjeve për Luftën e Vlorës,  qe Mbledhja e Armenit.

Kjo mbledhje, u organizua një muaj pas Kongresit të Lushnjes, më 23-24 shkurt 1920. Nismëtarët që organizuan këtë mbledhje qenë disa nga patriotët vlonjatë që kishin marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes dhe që zbatonin direktivat e tij si: Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Myqerem Hamzarai, Dhimitër Qypi e ndonjë tjetër.

Në këtë mbledhje të rëndësishme morën pjesë 70 përfaqësues të shquar nga Vlora dhe fshatrat e saj, si nga Dukati, Topalltia, Treblova, Mesapliku, Sevasteri, Kurveleshi, Myzeqeja e Vogël dhe Mallakastra. Për këtë mbledhje flasin në kujtimet e tyre disa nga pjesëmarrësit dhe dëshmitarët okularë, si: Gani Iliaz  Abazi, Beqir Velua, Ibrahim Abdullahu, Muço Delua, Mustafa Bega etj.

Në kujtimet e Muço Delos për Luftën e Vlorës të vitit 1979 fq. 7, thuhet se: “Komiteti i Vlorës u dërgoi përfaqësuesve që do të mernin pjesë në mbledhjen e Armenit, letra me këtë përmbajtje: “Nevojat urgjente për bashkim e kuvendim në interes të vatanit, na thërresin të mblidhemi në katundin  Armen më 23 shkurt. Mirëupjekshim  atje! Komisioni.”

Kështu që, në çifligun e Osman Haxhiut, në Picar të Armenit, u mblodhën 70 burra të shquar nga paria e Vlorës dhe e fshatrave të saj për të kuvenduar për fatet e vatanit. Ja se cilët ishin disa prej këtyre pjesëmarrësve që morën pjesë në këtë mbledhje, që kemi patur mundësinë të evidentojmë  nëpërmjet  kujtimeve  të botuara apo bisedave gojore me moshatarë të atyre viteve:

Nga Armeni: Osman Haxhiu, Sali Bedini, Ramadan Armeni (Veliu), Refat Ali Kasaj, Veledin Kollozi, Veledin Harizi, Ismail Hysen Maliqi.

Nga Vlora: Abaz Mezini, Ibrahim Abdullahu,

Hamza Isai, Qazim Kokoshi, Beqir Sulo Agalliu, Tol Arapi, Sali Hallkokondi, Ymer Radhima etj…

Nga Kanina: Myqerrem Hamzarai, Beqir Velo.

Nga Topallita: Tahir Nuria.

Nga krahina e Dukatit: Hamit Selmani, Sheme Sadiku dhe Alem Mehmeti.

Nga Treblova: Hakim Hysen Musaraj dhe Çon Smaili.

Nga Koculi: Qazim Koculi, Durro Shaska dhe Muço Aliu.

Nga Mavrova: Azbi Canua dhe Isuf Rustemi.

Nga Mallkeqi: Mehmet Selimi.

Nga Gorrishti: Halim Rakipi dhe Salo Islami.

Nga Kudhësi: Hysni Shehu, Rrapo Çelua, Mane Aliu dhe Kanan Mazja.

Nga Velça: Ali Beqiri.

Nga Smokthina: Zigur Lelua.

Nga Brati: Memo Meto.

Nga Tërbaçi: Laze Malo, Halim Xhelo, Murat Miftari, Gani Iliazi dhe Muço Delo.

Nga Vranishti: Sali Murati.

Nga Lepenica: Ahmet Lepenica (Canaj).

Nga Mesapliku: Zaçe Xhelua.

Nga Kuçi: Arif Mëhilli.

Nga Mallakastra: Bektash Cakrani dhe Kamber Belishova.

Sipas kujtimeve te Gani Iliazit, në mbledhjen e Armenit: “Osman Haxhiu bëri një rezyme të situatës së rëndë të vendit nën pushtimin italian. Qazim Koculi foli për vendimet e Kongresit të Lushnjes. Ahmet Lepenica kishte përgatitur të dhëna për armatimin e municionet që gjendeshin në Vlorë dhe armatosjen e fshatarësisë së Vlorës  me to. Në këtë  mbledhje  foli dhe Durro Shaska, i cili u tregua i gatshëm për të vënë në dispozicion  të vatanit mallin dhe gjënë e gjallë.

Do të thosha që mbledhja e Armenit, është një nga fillimet e përgatitjes së Luftës së Vlorës. Procesverbali që u mbajt aty, prej Halim Xhelos dhe një djali nga Armeni me mbiemrin Kollozi, duhet të ketë mbetur në shtëpinë e Murat Miftarit”. (Gani Iliaz Abazi “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia”, Tiranë 1995 fq.42)

Aty, jo vetëm u diskutua për problemet që përmend Gani Iliazi, por u mor dhe vendimi i Luftës së Vlorës që do të fillonte tre muaj më pas.

Këtë fakt na e konfirmon një pjesëmarrës tjetër i asaj mbledhje; – patrioti nga Vlora, Ibrahim Abdullahu, i cili në kujtimet e tij thotë: “Pas Kuvendit të Lushnjes, në muajin shkurt, u mblodhëm në Picar të Armenit. Mbledhja e Picarit, në konakët e  Osman  Haxhiut,  me  përfaqësues  nga  qyteti e katundet, vendosi: Italia shporret nga Vlora vetëm me tytat e armëve dhe me trimërinë e shqiptarëve.” (Bardhosh Gaçe: “Rilindësi i Vlorës Ibrahim Abdullahu.” Tiranë 2009, fq.246.)

Këto fakte i konfirmojnë në kujtimet e tyre edhe  pjesëmarrës  të tjerë si:  Beqir Velua  e Mustafa Bega  nga Kanina, që janë botuar në librin  e më sipërm për Ibrahim Abdullahun. Mustafa Bega në kujtimet e tij të botuara në faqen 282, thotë: “Pas Kongresit të Lushnjes 1920, Halim Xhelon, Hamza Isain, Tol Arapin, Beqir Sulo Agallinë, Ibrahim Abdullahun i pata takuar disa herë në konakët e Beqir Velos në Xhyherinë. Ata ishin kthyer nga mbledhja e Picarit të Armenit, në çiflig të  Osman Haxhiut dhe  fjaloseshin për të organizuar një kryengritje kundër pushtuesve italianë.”

Pra, si përfundim, Mbledhja e Armenit pati një rëndësi të madhe se aty u hodh për herë të parë ideja e Luftës së Vlorës dhe u hodhën piketat për zhvillimin e saj, vendimi përfundimtar i së cilës u  mor  në  Kuvendin e Barçallasë,  më 29 maj 1920.

Fshati Armen dha një kontribut të shquar në këtë Luftë, jo vetëm për faktin se aty u bë mbledhja e më lartme, por se i dha kësaj lufte tre nga drejtuesit kryesorë: Osman Haxhinë që qe ideatori, organizatori dhe udhëheqësi kryesor i saj, Sali Bedini që qe anëtar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe komandant i prapavijës, dhe Ramadan Armenin (Veliun), anëtarin e Këshillit të Luftës, pranë këtij komiteti. Armeni ngriti çetën e tij luftarake me 80 burra që luftuan me trimëri në këtë Luftë, ku lanë dy dëshmorë dhe një invalid, Dule Brahim Harizin, Qamil Veshin dhe Fjezo Islamin, të cilit bomba i këputi këmbët mbi kupën e gjurit. Vepra e këtyre burrave të shquar të Armentit dhe të luftëtarëve të tjerë vlonjatë do të mbetet e paharruar për jetë të jetëve.