Skënder Luarasi: Emri i vërtetë i Ismail Qemalit është, Nëntori 28-të!

36
Sigal

 

  • Jeta e pabesueshme, plot sakrifica dhe dorëheqja e papritur e Isamil Qemalit
  • 28 Nëntori nxorri tribunin popullor, politikanin e madh, filozofin e shquar, diplomatin e palodhur, largpamësin e papërsëritshëm
  • – Në “Zosimea” të Janinës ishte i pari dhe i vetmi nxënës shqiptar muhamedan, që shkëlqeu sa habiti profesorët
  • – Ismail Qemali qe ndër të parët në Turqi që u formua si intelektual i përmasave perëndimore
  • -Turqit nuk e mbyllën dot në “kafazin e florinjtë”

Mësimet e Isamil Qemalit:

  • – Është e pamundur që një popull të përmirësojë gjendjen e tij pa shkolla e pa arsim.
  • – Në Shqipëri ne shohim fusha madhështore, por të papunuara, lumenj, që mund të vaditin tokën
  • -“Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ia lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe të pavarur amanet. Lamtumirë!”
  • -Çdo shqiptar do të mbajë qetësinë, do të ruajë bashkimin njëri me tjetrin, do të rrojë si vëllezër, qofshin turq
  • – Më 22 janar 1914, Ismail Qemali, i dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

 Tomorr Çaushi

“Po ju lë një Atdhe amanet. Lamtumirë!”

                                                   Ismail Qemali

 

Ëndrra e bukur për ta parë Shqipërinë të Pavarur e ka ndjekur popullin tonë ndër shekuj, i ka shoqëruar patriotët brez pas brezi, i ka nxitur luftëtarët që armët të mos i heqin nga krahët, i ka shtyrë mendimtarët që në çdo kohë të përcaktojnë rrugët për realizimin e kësaj aspirate, e kësaj dëshire të zjarrtë për ta parë Mëmëdheun “Zonjë”, ashtu siç duhet të jetë një bijë Perëndie pa “hithra”,  “shpendëra” dhe ‘ferra” mbi krye.

Erdhi një ditë që ëndrra të mos ishte thjesht një frymëzim, një vezullim i përkohshëm, një shkëndijëzë në fund të tunelit të paarritshëm.

Erdhi 28 Nëntori 1912! Një ditë e madhe, që shihej me sy, që prekej me dorë, që simbolizohej te Flamuri Kuq e Zi, i vendosur në Ballkonin e Vlorajve, që pasqyrohej në fytyrën krenare të Ismail Qemalit, në sytë plot shkëlqim të bashkëluftëtarëve, në vallet e bukura shqiptare, të cilat nuk kishin “zaptuar” vetëm sheshin para tribunës, po çdo vatër shqiptare.

 

“Emri i tij i vërtetë  është, Nëntor 28-të”

 

Nga ajo pasdite ku u dha vendimi: “Që sot e tutje Shqipëria është e mosvarme…”, ka kaluar një shekull, me plot ngjarje e bëma, të pritura e të papritura, të qeta e të turbullta, të gëzuara e të hidhëruara. Para turmave popullore herëpasherë janë shfaqur tribunë të rinj, po edhe sundimtarë sherrxhinj e shamataxhinj që gjoksin e tyre e kanë bërë gropë e mbi të tjerët kanë hedhur male me baltë, madje u kanë thithur edhe gjakun.

Vetëm një binom nuk është përbaltur dot: 28 Nëntori i Pavarësisë dhe Njeriu i mençur e patrioti i Madh, Ismail Qemal Bej Vlora, që mjeshtri i penës, Skënder Luarasi, e ka përcaktuar me këto fjalë lapidare: “…Emri i tij i vërtetë është, Nëntor 28-të!” Sa bukur!

Duke marrë parasysh se në këtë libër, që kam përgatitur për botim një vend të veçantë (direkt ose indirekt) zënë edhe ngjarjet, që lidhen me “Mëvetësinë” dhe Shekullin e Pavarësisë, e shoh të nevojshme që hyrja t’ia lërë vendin mendimeve apo shkrimeve të këtij burri të shquar.

Studentët shqiptarë, që patën fatin të arsimoheshin në “Zosime”, u shquan për zellin e treguar në formimin e tyre.

Po Ismail Qemali qe ndër të parët që u formua si intelektual i përmasave perëndimore.

 

Janë disa shqiptarë, që punuan në administratën turke. Po intelektuali i shquar qe ndër të parët që ndjeu nevojën e ndryshimit dhe këtë nuk e mbajti në “kasafortën e dyllosur”, po e tha hapur. Nuk është e plotë po të themi se ai e kuptonte, e ndjente ndryshimin dhe shkonte pas kohës.

Jo! Ai, si del edhe nga dorëshkrimet ka qenë në krahë me ata që qëndronin “në krye të kohës”.

Ishte një parashikues i zhvillimeve, një studiues i perspektivës së Shqipërisë. Shkruan për resurset e vendit të tij, të pasur e të bukur, ashtu siç do të shkruante më vonë Sami Frashëri te libri: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bënetë”.

Le të hedhim më të plota këto mendime të marra nga dy intervistat dhënë në gazetën “Albania” dhe “Tribuna”, ku pasqyrohen mendimet liberale të Ismail Qemalit, të cilat kanë qenë gjithmonë në evokim të vazhdueshëm. Ai si intelektual e patriot dinte çfarë të kërkonte “sot” dhe çfarë të kërkonte “nesër”. E kishte të qartë, se me cilin do të fliste dhe kujt do t’i kërkonte ndihmën, kujt do t’i qante hallin dhe kujt do t’i tregonte vendin. E nuhaste erën e ndryshimeve, po si diplomat gjente kohën e duhur për marrjen e vendimeve dhe kur i merrte nuk tërhiqej. I përdorte të gjitha mjetet e mundshme dipllomatike, qe i përmbajtur, por jo i nënshtruar.

 

Në parlamentin turk

Në parlamentin turk luftoi sa mundi me forcën e logjikës në mbrojtje të Shqipërisë. Kur disa kundërshtarë, duke mos përballuar dot argumentet, e dhunuan fizikisht dhe deputeti shqiptar ua ktheu përgjigjen me grushtat turinjve.

Tolerancat e njeriut të mençur nuk ishte pa kufi. Kjo u duk edhe në marrëdhëniet me xhon-turqit. Në fillim i përkrahu se i besoi programit liberal të tyre, por kur konstatoi se ato ishin demagogji, u bë kundërshtar i vendosur i Turqve të Rinj, të cilët, çdo ditë e më shumë, po vepronin si të parët dhe s’po realizonin premtimet e propaganduar me aq bujë. Ismail Qemali shkëlqeu si diplomat e shndriti si erudit. Ja ç’thotë “Albania” (1900, Nr. 8, Viti IV) me nëntitull: “Ismail bej Vlora”: “Ky shqiptar i madh e i ndritshëm vate në London, duke shkuar nga Brukseli dhe patën nderin të piqemi e të kuvendojmë me Z.T. gjerë e gjatë për punët e Shqipërisë. Shumë njerëz me shkallë të lartë e kanë për së largu famën më të madhe se vlerën e vërtetë. Ismail Qemal Begu, përkundrazi, sado që e ka të madhe famën edhe më tepër e ka vlerën, u gëzuam e na u ngroh zemra duke parë se Shqipëria mund të mburret që ka një djalë me mendime aq të shëndosha e me zemër aq të mirë të lindur!”

Po në këtë numër te “Albania”, jepet lajmi se “Albania e Vogël”, gazetë politike që dilte në Bruksel, boton në numërin e fundit këtë artikull të Ismail Qemal Vlorës: “Shqiptarët që rrojnë në Kosovë, në Shkodër, në Manastir, në Janinë, si edhe në vise të tjera…duhet të shikojnë veten si një trup dhe një popull i vetëm pa dallim fisi dhe feje, duhet të jenë të gjithë si vëllezër. Jeta, nderi, pasuria e besimi i secilit janë nën mbrojtjen e mbahen me ndihmën e të gjithëve…”

Kështu mendonte shqiptari i madh për bashkëkombasit e vetë. Ndërsa për fqinjët ai do të shprehet: “Duhet që shqiptarët të jetojnë në paqe me fqinjët e tyre dhe të njohin të drejtat e tyre, po as fqinjët nuk duhet të ushqejnë qëllime të liga kundrejt popullit tonë. Shqiptarët kanë ndërmend t’u kërkojnë Fuqive Europiane…një administratë të aftë, të ruajë gjendjen…” Më poshtë vazhdon: “Populli shqiptar e di gjendjen e tij dhe thotë se është duke ecur në rrugën e qytetërimit…po meqë është populli më i lashtë i Europës, si për shkak të lashtësisë ashtu edhe për rëndësinë e pozitës gjeografike, shpreson të meritojë dashamirësinë e botës së qytetëruar”.

Pas kësaj që mund të quhet një thirrje për ata që donin “të dëgjonin”, Ismail Qemali jep intervistën te gazeta arbëreshe “Tribuna”, ku mendimet e tij gjejnë një pasqyrim më të gjerë dhe më të plotë. Aty vihet pika mbi “i” dhe përcaktonte qartë, se cila ishte rruga e zhvillimit. Në këtë intervistë lexuesi shikon të pasqyruar qartë, se cili ishte programi për të ardhmen e vendit, ku duhet të viheshin piketat e rrugës së përparimit shoqëror, e një emancipim të përgjithshëm. Midis të tjerave nënvizon: “Ne dëshirojmë me gjithë zemër bashkimin dhe unitetin e racës sonë shqiptare, përparimin e saj intelektual e ekonomik në mënyrë që të bëhemi aq të fortë sa t’u kundërshtojmë të gjithë atyre që duan të na shkelin…” Më poshtë vazhdon: “Nevoja e shkollave është reforma e parë…Është e pamundur që një popull të përmirësojë gjendjen e tij pa shkolla e pa arsim…Njeriu duhet të jetë fare i verbër që të mos e shohë nevojën e shkollës kombëtare, duhet të jetë tradhtar që të dëshirojë lënien pas dore të arsimit në gjuhën shqipe…”

Ideologu i Rilindjes, nga më kryesorët, ka vënë në “tavolinën” e bashkëkombasve programin emergjent që e diktonte koha. Ishte programi që do të përgatiste hapin e dytë të shqiptarëve, atë të Pavarësisë. Programi ishte një pamflet, ishte thirrje, po ishte edhe armë. Ishte ajo që i bashkonte Rilindasit e Mëdhenj dhe “u kyçte” gojën kundërshtarëve. Intervista shprehte mendimin filozofik, analizon gjendjen dhe parashikon të ardhmen, kur thotë: “Në Shqipëri ne shohim fusha madhështore, por të papunuara, lumenj që mund të vaditin tokën, duke e bërë edhe më pjellore dhe që mund të përdoreshin për të transportuar kudo prodhimet tona, por që në të vërtetë janë një rrezik i vazhdueshëm për drithërat dhe vreshtat dhe një pengesë për tregëti, pyje të mrekullueshme që mund të ishin një burim pasurie, por që mbeten të paprekura dhe të egra si në kohërat e lashta, miniera të çmuara, për të cilat nuk interesohet njeri…”

Modele për të ecur në rrugën e mbrothësisë gjejmë gjithandej. Një model i papërsëritshëm është dhe i pari i të parëve shtetarë. I qartë për rrugën që do të ecte, në aleancat që do të lidhte dhe në hapat që do të hidhte. Te libri “Kujtime” dhe te shkrimet e shumë autorëve, dalin direkt ose indirekt këto cilësi që e bëjnë të veçantë forcën e karakterit të tij.

 

Në ditën e 28 Nëntorit 1912

Le t’u referohemi fjalëve në ditën e 28 Nëntorit 1912 para popullit: “Vëllezër shqiptarë! Plot me gaz e lot në sy nga mallëngjimi po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot e këtë minutë Kongresi shpalli Mëvetësinë e Shqipërisë duke lajmëruar gjithë botën mbarë…!”

Po më 28 Nëntor iu drejtohet qarqeve dhe qyteteve me anën e telegramit: “U pa nevoja të shpallej Pavarësia e Shqipërisë nga shkaku i keqësimit të gjendjes. Por tani çdo shqiptar do të mbajë qetësinë, do të ruajë bashkimin njëri me tjetrin, do të rrojë si vëllezër, qofshin turq, qofshin të huaj…Të forcohet harmonia. Këtë ta kemi si një detyrë njerëzore dhe politike…!”

Kur lexon të gjitha shkresat e kësaj dite s’e ke të vështirë të dallosh që edhe në ditën e parë të Shtetit të Ri, të ngarkuar me aq punë, dallon modelin e njeriut të shkëlqyer. I qartë deri në detaj, i aftë dhe me një stil për ta pasur zili çdo zyrtar.

Po atë ditë telegramet shkojnë nëpër dyert e kancelarive europiane, ku vihen në dijeni të aktit të madh që shprehu populli me vullnetin e tij të lirë. Në to shprehej respekt mirënjohje ashtu siç dinte të shkruante njeriu i letrave dhe avokati i shqiptarëve në ditën më vendimtare të historisë së tij.

28 Nëntori nxorri tribunin popullor, politikanin e madh, filozofin e shquar, diplomatin e palodhur, largpamësin e papërsëritshëm. Dhe këtë e tregoi kur u formua si intelektual, kur Porta e Lartë ia kishte nevojën, po nuk e mbylli dot në kafaz kur bënte ecejaket nëpër Europë, kur përgatiste Ditën e Madhe të Mëvetësisë e deri te dhënia e dorëheqjes në të mirë të Shqipërisë.

Kundërshtarët e Pavarësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk hoqën dorë nga ligësitë. Sherrxhinjtë s’e mbyllën asnjëherë gojën. Në shënjestër ishin Pavarësia dhe personaliteti i padiskutueshëm i Kryetarit të Shtetit. Turbullirat në ato momente delikate sa vinte e shtoheshin. Copëtimi i vendit ishte në rend të ditës i qeverive fqinje. Të gjithë armiqtë e jashtëm e të brendshëm, përballë kollosit Ismail Qemalit. “Fëmijën” që lindi donin ta mbysnin që në djep. Në këto situata para diplomatit dhe prijësit të shqiptarëve ndodheshin dy rrugë: Të jepte dorëheqjen që do të ndikonte në qetësimin e situatës, ose të ruante autoritetin personal e të vazhdonte të qëndronte si Kryetar Shteti, por kjo do të rriste tensionet dhe vendi më shumë do të rrezikohej.

Atdhetari zgjodhi rrugën e parë, vendosi të jepte dorëheqjen se kështu i bëhej mirë vendit që i kishte shërbyer një jetë të tërë. Kjo ishte mundësia e fundit për t’i siguruar Shqipërisë një përkrahje më efektive nga Fuqitë e Mëdha e për t’i prerë rrugën fushatës së egër, nga brenda, për të shtuar kaosin që do t’i hapnin plagë të reja shtetit të ri.

Më 22 janar 1914, Ismail Qemali, i dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit.

Pas kësaj në prezencën e ministrave iu drejtua popullit me anën e këtij telegrami, prej të cilit po shkëpusim disa paragrafe: “Meqë disa ngjarje të hidhura janë shfaqur në disa anë, të shtytura nga ambicia dhe interesi vetjak dhe kanë turbulluar harmoninë qeveritare, për të cilën atdheu ynë ka shumë nevojë, sidomos sot kur ndodhet në një gjendje shtetërore të tronditur, çështja kombëtare u rrezikua shumë…Është e domosdoshme që këtyre ngjarjeve të hidhura t’u jepet fund dhe kjo nevojit formimin e një qeverie të njëshme, të fortë dhe autoritare…” Në telegram sqarohen edhe shkaqe të tjera që e detyruan të merrte këtë vendim kaq të vështirë në jetën e tij. “Ju lë pra lamtumirë Juve, Atdheun dhe Kombin e dashur e lë në mbrojtje të perëndisë” – përfundon ai telegram plot dashuri për popullin e tij. Dhe atyre që kishin dalë për ta përcjellë ditën e largimit, u la porosinë: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ia lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe të pavarur amanet. Lamtumirë!”

“…Unë jam Ismail Qemali!/Prapa më vjen historia” – është një varg i këngës popullore labe.

Dhe unë, si për ta vazhduar këtë ide, po cek disa momente të kësaj historie: “Lindi në zemër të Labërisë më 24 janar 1844, në qytetin e Vlorës, Sinan Pasha nga Kanina. Njihet si themeluesi i familjes Vlora, “një shqiptar i kulluar”, shkruan I. Qemali te libri “Kujtime”. Ishte i biri i Mahmud beut dhe i Hadijes nga familja “Alizoti” e Gjirokastrës. Për shkak të dhunës që shpërtheu pas kryengritjes së përgjithshme fshatare, familja mërgoi në Selanik. Për shkollimin u interesua më shumë nëna. Në vegjëli i pëlqente kalorimi, çka qe një veçanti e familjeve aristokrate.

Në moshën 10 vjeç filloi mësimet në “Zosimea” të Janinës. Duke qenë i pari dhe i vetmi nxënës shqiptar muhamedan, ra në sy të shkollarëve dhe të profesorëve. “Kam kujtimet më të bukura për mësuesit e mi” – do të shkruajë djaloshi në kujtimet e tij.

Në moshën 20 vjeçare ndodhej në Stamboll, jo më si student, por si përkthyes në Portën e Lartë. Po këtë vit mori pjesë në të parën mbledhje që organizuan Pashko Vasa, Hoxha Tasini, Koto Hoxhi, Kostandin Kristoforidhi për të filluar punën kombëtare për shkronjat dhe shkollën shqipe. Këtu zë fill edhe aktiviteti patriotik dhe do të përfundonte derisa u nda nga kjo botë.

Nuk e mbyllën dot në “kafazin e florinjtë”

Dihet se Ismail Qemali për aftësi të shquara u thirr nga Porta e Lartë në detyra me rëndësi deri titullar në Ministri. Patriotin nuk e mbyllën dot në “kafazin e florinjtë”. Për këtë e larguan dy herë nga Stambolli, por ai në kokë kishte çështjen kombëtare dhe jo maninë e ofiqeve, as kur e bënë sundimtar në disa vise të Perandorisë. Ai tërë jetën mbeti një liberal. Kjo u duk qartë kur u zgjodh deputet i Vlorës në parlamentin turk, ku mbrojti me argumente bindëse të drejtat e mohuara prej shekujsh të Shqipërisë. Si pjesë të bibliografisë së tij do të përmend edhe marrëdhëniet me Mitat Pashën, një figurë simpatike liberale. Një nga idetë e këtij qeveritari të lartë, ishte që të krijonte një vilajet të Shqipërisë. Për këtë u pushua dhe u syrgjynos. Ismail Qemali në shenjë proteste dha dorëheqje nga sekretaria e përgjithshme e Ministrisë së Jashtme. (Faqe 27 i librit “I. Qemali”)

Që nga ajo ngjarje atdhetari i shquar u dha tërësisht ndaj çështjes kombëtare derisa erdhi Mëvetësimi, derisa mbylli sytë në rrethana të dyshimta. Aq më tepër këtë dyshim e shtojnë kujtimet e të birit, Et’hem beut, i cili në bisedë me Ali Asllanin, thekson se në momentin kur i ati po jepte shpirt, arriti të shqiptonte këto fjalë: “Më hëngër me të pabesë!”

Vdiq më 24 janar 1919 në Peruxha të Italisë. Jetoi as një ditë më pak dhe e as një ditë më shumë se 75 vjet. Jetoi pak, shumë pak në vendin e vet, po bëri më shumë se kushdo tjetër. U sulmua aq shumë nga kundërshtarët, po u mbrojt dhe mbeti simbol i patriotëve dhe i masave popullore, simboli i patjetërsueshëm, Tribuna e shekullit! I vlerësuar nga burra shteti, i adhuruar nga të gjitha shtresat e shoqërisë, si e vetmja dritë që ndriçonte mendjen e kombit në ditët më të vështira. I shkruajta këto rreshta për të parin e Shqipërisë, për atë që i hapi rrugën një shekulli të ri, brenda të cilit jetuan, punuan edhe personazhet e këtij libri që i qaset lexuesit të respektuar.

Kur libri ishte i përfunduar, për koinçidencë u shfaq para ekranit në një tubim popullor nipi i Ismail Qemalit, i cili midis të tjerave bëri thirrjen: “Zgjohuni të rimarrim Shqipërinë!” Ishte një thirrje për bashkim, zhvillim, përparim…Një thirrje për t’u rikthyer edhe një herë te porositë e gjyshit të tij! Unë kështu e kuptova…!