Si u zbulua “grupi i sabotatorve në ekonomi” dhe naftë

3070
Sigal

Debatet e Enverit me Abdyl Këllezin pas letrës së rojes së natës që “zbuloi” sabotimin. Biseda për Panajot plakunbiseda me Hysniun dhe goditja e Theodhosit, Ngjelës, Katit,Lipe Nashit etj 

Dosier/ Enver Hoxha: “Po pse, vëllanë e Panajot Plakut keni vënë ju te Nafta, ku na kanë sulmuar të gjithë armiqtë”?!/

 Debatet e Enver Hoxhws me Abdyl Këllezin pas letrës së rojës së natës që “zbuloi” sabotimin…

Si “zbuloi” Enver Hoxha “grupin sabotator në ekonomi” me në krye, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin

Në këtë numër do japim disa dokumente historike nga fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe fondin personal të Enver Hoxhës, ku bëhet fjalë për një bisedë që ka bërë Enveri në 3 shkurt të vitit 1975 me Abdyl Këllezin në një nga ambientet e “Shtëpisë së Partisë” në Bllokun e udhëheqjes, ku kanë qenë të pranishëm edhe Hysni Kapo me Pilo Peristerin.  E gjithë biseda e zhvilluar në mes tyre, ku Enveri i ka kërkuar llogari Këllezit lidhur me kuadrot e lartë dhe personelin që punonte në sektorin e Naftës, që nga Instituti i Studimit dhe Projektimit, e deri tek Drejtoria e Përgjithshme, si Lipe Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Ramiz Xhabija, etj, të cilët Enveri i ka kaluar të gjithë “në sitë” duke iu përmendur deri ish-bashkëshorten ruse të Beqir Alisë, si dhe Panajot Plakun, vëllanë e inxhinierit të njohur Koço Plaku, të cilin Këllezi e ka marrë në mbrojtje duke thënë se ai ishte një nga gjeologët më të mirë dhe se kishte zbuluar një fushë nafte! Si ia mbajti Enveri të fshehtë Avdylit letrën që ia kishte dërguar një punëtor nga sektori i Naftës, ku në mes të tjerash i thoshte se aty kishte sabotime të mëdha dhe ndërhyrjen e Pilo Persisterit gjatë bisedës duke ia përforcuar Enverit atë që ai mendonte, se “në Naftë kishte punë armiqësore…”!

Pas goditjes së të ashtuquajturit “Grupi armiqësor në Art e Kulturë” me në krye Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramit dhe “Grupit puçist në Ushtri” me në krye Beqir Ballukun, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, në vitet 1974-’75, pak muaj më vonë, në mesi i vitit 1975, Enveri Hoxha “zbuloi” dhe “Grupin sabotator në Ekonomi” me në krye, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Kiço Ngjelën dhe Vasil Katin, ku me përjashtim të këtyre dy të fundit (Ngjelën dhe Katin) që vuajtën në burg deri në vitin 1991, të gjithë të tjerët i shkoi në plumb, duke i akuzuar “si armiq të popullit, tradhtarë e sabotatorë”! Këto gjëra tashmë janë shumë të njohura pasi nga fillimi i viteve ’90-të dhe në vijim, veç të tjerash janë publikuar edhe mjaft dokumente të panjohura që hedhin dritë mbi paranojën e Enver Hoxhën dhe pafajësinë e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij që ai i goditi dhe i eliminoi edhe fizikisht. Sipas disa dokumenteve arkivore dhe gjithashtu mjaft dëshmive të personave që kishin lidhje pune direkte apo familjarëve të tyre. Një nga historitë më të ngatërruara dhe tragjike të gjithë të ashtuquajturve “Grupe armiqësore”, padyshim që mbetet e atij të “Ekonomisë”, zanafilla e së cilit ishte sektori i Naftës. Gjë e cila konfirmohet edhe nga shumë dokumenteve arkivore dhe gjithashtu mjaft dëshmive të personave që kishin lidhje pune direkte apo familjarëve të tyre që u ekzekutuan si “armiq e sabotatorë”?! Kështu, ndërsa për problemet që kishte sektori i Naftës, në fillim të vitit 1975, Enveri kishte ngarkuar Haki Toskën, Abdyl Këllezin, Adil Çarçanin dhe Koço Theodhosin, të cilët pasi morën pjesë në disa mbledhje në qytetin e Patosit (ku dhe ishte Drejtoria e Përgjithshme e Naftës në atë kohë), në mbledhjen kryesore në Fier shkuan Adil Çarçani dhe Haki Toska si të deleguar, dhe pas mbarimit të saj ata raportuan në udhëheqjen e lartë për “problemet që kishte ai sektor dhe detyrat e lëna për përmirësimin e gjendjes”, dhe me aq ajo u konsiderua “problem i mbyllur”. Por duket se ajo gjë nuk i pëlqeu një punëtori, ish-specialist të sektorit të Naftës, i cili pasi kishte përfituar invaliditetin, ishte dërguar të punonte në një punë të lehtë, si roje nate, në një nga zyrat e asaj ndërmarrje. Nisur nga indoktrinimi i tejskajshëm, si dhe i frymëzuar nga “mësimet e Partisë dhe shokut Enver”, sidomos ku flitej për “zërin e masës”, ai shkruan një letër të gjatë, që i adresohej personalisht “shokut Enver”. Ku ai i bënte me dije dhe i ”argumentonte” lidhur me “gabimet, sabotimet dhe punën armiqësore” që ishte bërë në sektorin e Naftës. Por kjo letër e tij e cila mbërriti në dorën e Enverit (ashtu si të gjitha letrat që i dërgoheshin në adresë të tij), rezultoi fatale, pasi Enveri iu rikthye përsëri problemit të Naftës, duke konsideruar si të vërteta të gjitha çka i kishte shkruar ai punëtori që punonte si roje nate. Dhe me atë letër në xhep që e konsideronte si një zbulim, ai thërriste apo bisedonte si rastësisht me Këllezin e Theodhosin, të cilët më pas i shkoi në plumb, duke u mburrur, se “të gjithë grupet armiqësore i kishte zbuluar Partia”. Gjë të cilën Enveri e pranon vetë, duke e shkruar edhe në një nga ditarët e tij të datës, 3 shkurt 1975, të cilën Memorie.al po e publikon në këtë shkrim të plotë dhe pa asnjë ndryshim.

Ditari i Enver Hoxhës Bisedë me shokun Hysni Kapo

3 shkurt 1975

Mbrëmë isha në Shtëpinë e Partisë. Atje erdhi edhe Abdyl Këllezi. «Çfarë kemi ndonjë gjë?», e pyeta. «Nuk kemi gjë», m’u përgjigj. Ndenji një çikë, pastaj tha: «Atje në naftë nuk po na shkojnë punët mirë». «Pse nuk na shkojnë mirë, — ia ktheva unë. — Çfarë ka ndodhur?».

«Po ja, nafta nuk na ecën», vazhdoi ai.

«E di që plani i kërkimeve nuk është realizuar, — i thashë. — Këtë çështje e kemi ngritur edhe në Byronë Politike dhe kemi diskutuar jo vetëm për atë që nuk po realizohet plani i prodhimit, por edhe për çështjen e organizimit. Ne kemi ngritur një institut studimesh për naftën që as shtete të zhvilluara kapitaliste mbase nuk e kanë një të tillë kaq të madh, me qindra veta!».

«Dhe pikërisht atje nuk po na ecën puna•, më tha Abdyli.

«Po si mendon ti, pse nuk na ecën puna?», e pyeta.

«Janë konceptet që pengojnë», u përgjigj ai.

«Cilat janë këto koncepte? Nuk na flet pak për këto?», i thashë.

«Po ja, — m’u përgjigj, — ka lloj-lloj. Sipas njërit prej këtyre në naftë duhet të ecim me hope, sipas një tjetri duhet të ecim duke u thelluar».

Pastaj ai tha se ka grindje midis drejtuesve të këtij sektori.

«Po mirë, — iu drejtova, — për këto grindje përse nuk merr masa Qeveria që t’i zgjidhë?».

«Unë kam vajtur atje në vend, bashkë me Koçon [Theodhosi], në muajin shtator, — pohoi ai, — dhe ia kam thënë të tëra këto që po jua numëroj».

«E ke vënë në dijeni Qeverinë për të tëra këto?», e pyeta.

«Po, kam bërë edhe një raport për këto probleme, bile në detaje», u përgjigj.

«Më thuaj ndonjë gjë edhe mua nga konceptet që kanë drejtuesit atje», iu drejtova atij.

«Kur isha në vend, — më tregoi, — u ngrit njëri e tha: «Shoku Abdyl Këllezi, këtu nuk mund të gjejmë naftë»».

«Po ka naftë apo nuk ka?», i ndërhyra unë.

«Ka», tha Abdyli.

«Atëherë, gjersa ka, përse nuk mund të gjejmë?», iu drejtova.

«Se midis drejtuesve ka teorira që bien në kundërshtim me njëra-tjetrën», theksoi ai.

«Po ti me cilën nga këto je dakord?», e pyeta.

«Unë jam për atë të thellimit», u përgjigj.

«Nuk më thua, si është kjo teori e thellimit?», i kërkova.

«Kjo thotë që, kur t’i futemi një shtrese, t’i vemi asaj deri në fund dhe të gjejmë naftë», shpjegoi.

«Po atëherë përse nuk keni vepruar kështu? — iu drejtova. — Unë kam shtruar çështjen që atje ku ka naftë, të thellohemi».

Abdyli më tregoi se i kishte thënë bashkëbiseduesit që përmendi: «Mirë, more djalë, ne kemi një vendim».

«Po ç’po bëhet këtu?», i qe kthyer ai.

«Vjen një urdhër e kërkon të ngrihet sonda nga një vend ku është vendosur dhe të vejë gjetkë. Shpo këtej, shpo andej; ngrije sondën këtej e çoje diku tjetër».

Unë nuk i ndërhyja Abdylit, se kisha letrën e punëtorit që më jepte disa sinjalizime.

«Po kush i jep këta urdhra njëri pas tjetrit?», i thashë pastaj.

«I jep Instituti i Naftës», m’u përgjigj.

«Kush është për këta urdhra, drejtoria apo ministria?», e pyeta.

«Është drejtoria, — më tha, — se ministria drejton në teori. Në praktikë duket sikur atje drejton Lipe Nashi, po në fakt drejton Instituti».

«Si është e mundur të drejtojë Lipe Nashi, kur këtij nuk i kanë lënë asnjë njeri, kur Drejtoria e Përgjithshme e Naftës nuk ka asnjë kryegjeolog ta ndihmojë?», i ndërhyra unë.

«Kështu është, — pohoi Abdyli, — se të gjithë specialistët e lartë janë në institut».

«Po çfarë bën kjo drejtori?», e pyeta.

«Ajo merret me punët administrative, me kamionët e me çështje të tjera si këto», sqaroi ai.

Kur u interesova të di cilët janë personat që drejtojnë në institut, Abdyli më tregoi se një nga këta është Beqir Aliaj.

«Mos është ai që e ka gruan sovjetike?», shtova unë.

«E kishte, po e ka lënë atë dhe ka marrë një shqiptare», kërceu Abdyli.

Por Beqiri njihet si njeri i rëndë, arrogant e mendjemadh.

«Përveç këtij atje është edhe një tjetër i quajtur Koço Plaku», tha Abdyli.

E pyeta se kush është ky «Vëllai i Panajot Plakut», u përgjigj. «Po pse, vëllanë e Panajot Plakut keni vënë ju të punojë në një sektor kaq jetik të ekonomisë?», iu drejtova.

«Ai është gjeolog i mirë, — nënvizoi Abdyli, — bile ka zbuluar edhe një fushë nafte. Ka pastaj edhe kuadro të tjerë. Vajtëm me Koçon dhe dëgjuam për punët».

«Po çfarë masash morët?», – kërkova të di.

«Së pari, — shpjegoi Abdyli, — diskutova unë atje: U thashë përse po veproni kështu e pse ashtu».

«Po pastaj çfarë u bë? E shtruat në Qeveri problemin dhe çfarë masash mori Qeveria?», e pyeta.

«E shtruam dhe Qeveria ngarkoi shokun Adil që ta shikonte këtë çështje. Ekzakt nuk e di, por më duket se shoku Adil ka bërë disa mbledhje me komisionin, ka nxjerrë disa gjëra dhe më njoftoi që këto ia ka thënë të gjitha shokut Haki [Toska] me radhë në një raport, bile me emra». «Këto janë shumë serioze, more Abdyl», i thashë. Me një fjalë, pata përshtypjen se Abdyli donte të tregonte që këto gjëra i ka thënë ku duhet dhe tani po m’i thotë edhe mua. «Çështjen ju duhet ta merrni më seriozisht, — i theksova. — Gjersa Instituti i Naftës është organizuar me qindra veta, si nuk e keni shikuar më parë këtë çështje? Pastaj, kur është aprovuar gjithë kjo organikë?», e pyeta.

«U aprovua kur u bë mbledhja e Qeverisë», m’u përgjigj.

«Po që instituti po fryhet dhe merr në dorë çdo problem, që Drejtoria e Përgjithshme nuk ka gjë në dorë për të drejtuar naftën, si nuk ju kanë tërhequr vëmendjen këto çështje? Ju nuk i keni vënë një herë pyetjen vetes: «More, po çfarë po bën kjo drejtori? Po pastaj ministria?»», iu drejtova unë. Ai më tha: «Ne më parë kishim njëfarë komisioni të naftës, ku ishte edhe Ramiz Xhabia. Mirëpo atje bëhej siç thoshte Lipe Nashi dhe Ramiz Xhabia u mënjanua».

E pyeta se çfarë bën tani Ramizi.

«Ai është njeri shumë i mirë, — m’u përgjigj, — po një çikë i rëndë, flet, bërtet, ka pretendimin të shtohet kjo, të shtohet ajo etj.»

«Mos i kanë vënë gjë bërrylat të tjerët, more Abdyl?», ia preva fjalën.

«Nuk besoj», më tha. Pastaj e pyeta pse u hoq nga nafta Perikli Prifti.

«Atje ka qenë, — tha, — po e hoqëm, e prumë për mirë në universitet. Ai ishte një kuadër me të vërtetë i mirë në naftë. Andej hoqëm edhe sekretarin e Partisë dhe në vend të tij vumë një inxhinier të naftës, njeri shumë i mirë. Ky tani nuk merret fare me naftën, se merret me të gjitha çështjet».

«Domethënë në naftë tani nuk kemi asnjë anëtar të Komitetit Qendror, — konstatova. Edhe një shoqe kandidate të Komitetit Qendror që kishim sekretare partie në Fier, Naunka Bozon, e hoqëm andej».

SHOKU HYSNI KAPO: Ajo erdhi nënkryetare e Këshillit të Përgjithshëm të BGSH këtu në Tiranë.

SHOKU ENVER HOXHA: Me një fjalë, tani nuk na ka mbetur asnjë nga shokët e Plenumit në këtë sektor kaq të rëndësishëm në Fier. Nuk m’u durua më, prandaj i thashë Abdylit:

«Ju keni përgjegjësi për këtë problem. Shokët e bazës jo me fjalë, por me dokumente më kanë informuar se nafta po na sabotohet». «Po ja, unë i kam vënë në dukje këto gjëra», u justifikua Abdyli. Mendova ta linim me kaq. Por, ndërsa fillova bisedën me shokët për probleme të bujqësisë, Abdyli iu kthye prapë këtij problemi dhe shtoi:

«Duhet ta shohim, shoku Enver, se nafta ka rëndësi të madhe». Atëherë u hodh Pilo Peristeri dhe, siç e ka ai, tha: «Këta intelektualët kështu e kanë, po kjo çështje duhet të shikohet me të vërtetë mirë, se mos ka punë armiqësore në sektorin e naftës». «Po të jetë kështu, këtë nuk na e fal as populli, as Partia, — theksova unë. Për të shtënë në dorë naftën tonë na kanë sulmuar të gjithë armiqtë: italianët, sovjetikët, Tuk Jakova, Pajo Islami e kush nuk na ka sulmuar për të na dëmtuar në këtë sektor. Prandaj ta shikojmë mirë problemin e naftës», përfundova, dhe me kaq e lamë këtë çështje. Doja të ishte edhe Hakiu këtu sot që të na fliste një çikë për këtë problem. Dua të di ç’mendon edhe ai. Bashkangjitur këtij shkrimi, po publikojmë dhe disa foto të rralla me imazhe të panjohura që nga periudha e viteve të para të pas Luftës, (ku duken drejtuesit kryesor të sektorit të naftës që nuk i kanë hequr ende uniformën ushtarake partizane) dhe disa të tjera nga gjyqet e famëshme të “sabotatorëve të Naftës”.

Memorie.al