Sigal

Enveri kundër  Mehmetit: “Na duhet filmi”

 Leonard Veizi

(Vijon nga numri i kaluar)

Pasioni më i madh i tij në jetë është fiksimi në celuloid. Ai është i lumtur të të fusë në kujtesën e “dhomës së errët” peizazhin e një dite vjeshte, buzëqeshjen e një çifti të lumtur dhe përgjakjen e një të vrari me armë zjarri. Asgjë personale. Gjithçka ka të bëjë me punën e tij. Dhe ai e ka bërë këtë kurdoherë, sepse kamera nuk do t’i mungojë mbi supe, dhe as aparati fotografik. Dhe nëse pyet bashkëshorten e tij Aurika, të thotë se Ilia ishte i gatshëm që në shtratin bashkëshortor të flinin të tre, së bashku me kamerën. Nuk e ka lëshuar nga dora aparatin filmik, as në vitin 1991, kur regjimet po ndërroheshin dhe situata ishte krejt e paqëndrueshme, as në vitin 1997 kur shteti po shembej nën krisma armësh dhe shpërthime tritoli dhe as në vitin 1998 kur sulmohej godina e Kryeministrisë dhe e Parlamentit. Ka punuar për gjigantin me emrin “Kinostudio”, por dhe për stacionet e para private televizive në Shqipëri. Megjithëse me një bagazh të madh mbi vete, nuk ka asnjë problem që të xhirojë një dasmë, një ditëlindje apo një gëzim çfarëdo familjar. Ai është i kërkuar gjithandej. Dhe punon me të njëjtin përkushtim si të xhironte një pjesë dramatike, ashtu edhe kur një çift të sapomartuarish kërcejnë “Napolonin”. Së fundi të thotë se ka projekte dhe për disa filma të tjerë dokumentarë, ndërsa pret të nisi dhe një film artistik me metrazh të gjatë.

Kujton se ka shumë detaje gjatë punës si operator, kur i është dashur të filmojë drejtuesit e lartë të regjimit komunist. Madje atij i është besuar që të filmojë çaste intime nga jeta private e Enver Hoxhës. Shumica e atyre që ai ka filmuar, tashmë janë përdorur për të montuar kush e di sa dokumentarë. Megjithatë, ka dhe disa dhjetëra metra film, ende të pa shfaqura në kinema apo ekranet televizive.

Cila ishte rëndësia që Enver Hoxha i vinte propagandës nëpërmjet filmit?

Unë them se Enver Hoxha filmit i dha një rëndësi shumë të madhe. E para sepse në atë kohë nuk kishte televizion dhe gjithçka realizohen nëpërmjet Kinostudios. E dyta qoftë dokumentarët, por dhe filmat artistikë, ishin propaganda më e mirë që mund të bëjë çdo lloj sistemi. Enver Hoxha këtë e kishte kuptuar mirë. Kjo shpjegon dhe nxitjen e tij që Shqipëria, megjithëse një vend i vogël, të kishte një laborator të madh filmi, siç ishte Kinostudioja. Me porosi të veçantë të tij, grupet e xhirimit të Kinostudios duhet të ishin të gatshme në të gjitha aktivitetet e rëndësishme, pritjet e takimet zyrtare, por dhe në të gjitha vizitat që ai kryente në rrethe, apo ndërmarrje të ndryshme industriale kur takohej me punëtorët. Më kujtohet mirë një rast kur për shkak të një informacioni të gabuar, grupi i xhirimit nuk ndodhej për të pasqyruar aktivitetin. Enver Hoxha u mërzit shumë dhe e anuloi takimin duke e shtyrë për një ditë tjetër. Atëherë la si porosi të veçantë, praninë e një operatori në takim dhe që ky gjest të mos përsëritej më.

Ju thatë se Mehmet Shehu nuk ishte njeri që kishte qejf të fokusohej nga kamerat. Po Enver Hoxha?

Në shumicën absolute të rasteve Enver Hoxha ishte mjeshtër i shfaqjeve përpara kamerave. Ai e kuptonte se kur operatori ishte gati për ta filmuar dhe gjithnjë pozonte shkëlqyeshëm, i qeshur dhe energjik. Ai asnjë herë nuk bënte gjeste, gjë e cila të linte përshtypjen se nuk e kishte fare mendjen te kamera, por në të vërtetë ai ishte i kujdesshëm përpara saj. Më kujtohet kur po filmoja Enver Hoxhën në një çast qetësie, kur ai po pinte cigare. Ai ktheu kokën qetësisht dhe më pyeti: “Edhe këtu do të më filmosh mo Ilia?” “Po,- i thashë unë, – na duhen për arkivën shoku Enver”. Vetëm këto fjalë shkëmbyem dhe Enveri ktheu kokën qetësisht, vazhdoi të tymoste pa u shqetësuar, ndërsa ndjente nga afër motorin e kameras që zhurmonte lehtë. Në përgjithësi ai dinte të buzëqeshte përpara kameras, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë.

Ju ka rastisur ta filmoni në çaste zemërimi?

Po disa herë. Më kujtohet se në vitin 1972, Enver Hoxha shkoi për vizitë në Vlorë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në fakt ishte 60 -vjetori i kësaj dite. Më duhej të xhiroja për Kinostudion. Enver Hoxha shkoi për të vënë një buqetë me lule te varri i Ismail Qemalit, gjë që e kishte bërë dhe gjatë 50-vjetorit, pra 10-të vite më parë, ku unë isha po i pranishëm me kameran time. Por varri ishte i rrethuar me kangjella dhe mbyllur me dryn. Drejtuesit lokalë nxituan ta thyenin derën, ndonëse e kishin harruar gjestin e udhëheqësit përpara shumë vitesh. Pra protokolli e kishte përcaktuar këtë vizitë. Por Enver Hoxha, nga ky gjest kishte mbetur i ngrysur gjatë gjithë kohës që ishte në tribunë. Ndërkohë unë nuk mund ta vazhdoja më punën në atë mënyrë, pasi gjithçka e fiksuar në celuloid kishte të ngjarë të mos përbënte elementë për një kronikë që do të transmetohej për publikun. Pastaj pamje të tilla nuk kalonin në Këshillin Artistik, sepse pretendohej gjithmonë që Enver Hoxha duhej të ishte buzagaz. Atëherë iu afrova pak më shumë Enver Hoxhës në tribunë. Isha vetëm një gjysmë metri larg tij dhe po filmoja. Hoqa syrin nga lupa e kameras dhe e vështrova drejt e në sy me një shikim domethënës. Edhe ai më pa. E kuptoi dhe ngriti kokën duke buzëqeshur. Në atë çast salla ku po zhvillohej ceremonia duartrokiti e ekzaltuar. Dhe atëherë unë filmova i qetë.

Po kur Enveri dhe Mehmeti ishin së bashku,

Po ju tregoj një rast konkret që më ka ndodhur. Më kujtohet, kur shkova në Durrës për të filmuar përcjelljen që do t’i bëhej komunistit francez, Moris Torezit. Erdhën vetëm Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Enveri i bëri një dhuratë Torezit. Ishte një bastun, ku ishte gdhendur koka e Skënderbeut. Unë filmoja vazhdimisht që të mos më humbte asnjë sekuencë. Ishte një moment i rrallë. Por Mehmeti më shihte me inat. Në një çast m’u shkreh: Ç’bën mor kështu, se na e grive filmin, – më thotë. Unë u skuqa nga turpi, unë ula kameran. Por Enver Hoxha që, e dëgjoi mirë, i rrahu shpatullat dhe ia ktheu qetësisht: “Lere të punojë, Mehmet. Do të na duhen të gjitha këto”. Atëherë unë ngrita sërish kameran në sup dhe vazhdova të filmoja.

Terpini: “Si e ktheva Enver Hoxhën nga rruga”

“Kam pasur guxim për të ndërhyrë atje ku puna nuk shkonte”,- thotë Ilia. Madje ai shton se i ka qëlluar në disa raste të kundërshtojë dhe kryeministrin e atëhershëm, Mehmet Shehun. “Me ta nuk bëhej shaka, por unë kam ndërmarrë veprime që i kam lënë të habitur kolegët e mi”, shton operatori i njohur. Ilia Terpini kujton se gjatë një vizite në Uzinën “Traktori”, Enver Hoxha takon një punëtor me titullin “Hero i Punës Socialiste”. “Isha ngjitur në një pikë të lartë dhe më duhej të filmoja një plan të përgjithshëm, por e papritura ndodhi”, tregon Ilia. I gjendur përballë një fakti kokëfortë, Ilia Terpini me kamera në sup i afrohet Enver Hoxhës dhe mbledh buzët i pakënaqur. Udhëheqësi komunist, i mësuar tashmë me truket e Ilias, i thotë nën zë; “Hë mo Ilia, ç’ke?” Krejt i shpenguar Ilia i thotë: “Shoku Enver, nuk ju filmova dot kur u takuat me “Heroin e Punës”. Operatori thotë se Enver Hoxha nuk e bëri aspak të gjatë, por me një kthesë mjeshtërore, kthehet pak hapa mbrapa dhe e pyet Heroin për “diçka”. “E filmova tek po flisnin dhe kur i shtrëngoi dorën dhe u qetësova që e realizova atë plan”, tregon Ilia. Por teksa kthehej, Enveri ndesh sërish me sytë e operatorit: “U kënaqe”, i thotë me humor, ndërsa Ilia e miraton me një të tundur të kokës.

Ankesat

Sigurimi pengonte punën e operatorëve

Operatori i vjetër i Kinostudios thotë se një nga pengesat kryesore për mosrealizimi e punës si operator, e ka pasur nga grupi i sigurimit që shoqëronte Enver Hoxhën. “Sulo Gradeci, kryesuesi i grupit shoqërues, ishte i saktë dhe i rreptë në detyrën e tij, por ndonjëherë na pengonte të përmbushnim misionin tonë”, sqaron Ilia Tërpini. “Për të dalë nga situata më është dashur të flas me ndonjë nga personalitetet e tjera, ose direkt me Enver Hoxhën. Dhe në të gjitha rastet na është dhënë e drejta, pasi e thashë më parë, Enveri ishte shumë i ndjeshëm ndaj kameras”, kujton Ilia Terpini. Ai thotë se i ka kërkuar personalisht Enver Hoxhës që ta filmonte duke hyrë në mbledhjen e Byrosë Politike, pasi një fragment i tillë nuk ishte në arkivat e Kinostudios. Dhe për më tepër drejtori i kinostudios nuk guxonte të dërgonte një kërkesë me pretendimin: “Pse ne do ta urdhërojmë Byronë Politike”. Por një kërkesë e tillë e bërë nga Ilia Terpini është pranuar me kënaqësi nga Enver Hoxha. Por Ilia Terpini ka filmuar për llogari të arkivës së Kinostudios edhe çastet nga pushimi i udhëheqësit komunist, si dhe 75- vjetorin e lindjes së tij.

Vizita në Korçë

Enveri u hap rrugë ballistëve

Lufta e klasave ishte në kulmin e  saj, por me sa duket Enver Hoxha dinte të ngrinte fasada që e bënin të admirueshëm në sy të popullit. Ilia Terpini kujton” Enver Hoxha ishte për një tur vizitash në Korçë. Gjatë vizitës në një prej lagjeve të qytetit, kryetari i këshillit i shpreh udhëheqësit shqetësimin që kishte për fëmijët e ish-ballistëve dhe kolaboracionistëve, të cilët kërkonin punë, por se ai nuk i kishte përkrahur. Enveri i tërhoqi vëmendjen Kryetarit të Këshillit duke i thënë se i duhej dhënë punë dhe fëmijëve të tyre. Mbase jo me përgjegjësi të madhe, por sidoqoftë punë u duhej dhënë. Një ditë më pas ishte planifikuar që Enver Hoxha të vizitonte fshatin Progër të Devollit.  Në mëngjes, sapo u informua për axhendën Enveri i kthehet Sekretarit të Parë të Korçës që në atë kohë ishte Mihallaq Ziçishti: “Po pse o Mihallaq, në Progër do më çosh. Progri ka qenë i lidhur me luftën e me Partinë. Më çoni në ndonjë fshat që ka pasur shumë ballistë”. Atëherë Miallaqi vendosi që ekipi të vizitonte fshatin Dumbron. Meqenëse atje nuk na priste njeri, Mihallaqi më thotë që të merrja një makinë, të organizoja një pritje në fshat dhe të filmoja hyrjen e Enver Hoxhas. Sapo mbërrita në Dumbron, takova sekretarin e partisë. I thashë se do të vinte për vizitë Enver Hoxha dhe për ta pritur duheshin nja tre katër nëna dëshmorësh. Sekretari i Partisë së Dumbrovës më pa i habitur dhe ma kthen: Çfarë dëshmorësh kërkon ti more, po këtu ka qenë si Berlini, vetëm familja ime ka qenë më partinë, të tjerët ishin me Ballin”. Gjatë vizitës, Enveri pyet se sa ishin të ardhurat e kooperativistëve nga oborri i tyre personal prej 3 dynymësh. “50-60 mijë lekë të vjetra në vit”, – raporton një nga specialistët e Komitetit të partisë së Korçës. Por ndërhyn kryetari i kooperativës: “Jo shoku Enver maksimumi marrin 15-20 mijë lekë. Atëherë Enveri tha:- “Mos më raportoni më shifra fiktive”

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

Si u zhvilluan punimet e Kongresit të 8-të të PPSH-së dhe batutat e Enver Hoxhës

-Urdhri sekret nga drejtoria. Pse udhëheqësit s’duhej të filmoheshin kokë më kokë

-Acarimi i Mehmet Shehut përpara mbledhjes së Byrosë Politike ku u kryqëzua

(vijon nesër)