Shuko Minga*/ Rilindja dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri

1713
Sigal

Në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit. Enver Hoxhën e cilësuan ‘Burrë Shteti’, Andreas Papandreu, Xhimi Karter, De Gol, Mao Ce Duni

Kohë më parë, në një të përditshme, lexuam se Kryeministri Edi Rama i kërkoi komisionit, për festimin e përvjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë dhe ballistët, të shmanget figura e Enver Hoxhës. I themi Edi Ramës dhe cilitdo se ky përvjetor ka ardhur nga lufta e 20 mijë partizanëve që komandant kanë pasur Enver Hoxhën. Mohimi i kësaj të vërtete është i tipar i atyre që janë antishqiptar, që s’kanë burrëri  e personalitet, i atyre që për para e karrige vihen në shërbim të armiqve të Shqipërisë. Ne, ish-partizanët dhe të gjithë ata që janë me të vërtetë shqiptarë, e kundërshtojmë një deklaratë të tillë. Ky qëndrim është individual apo edhe i forumeve të PS. Koha do e vërtetojë. Heshtja hedh shumë dyshime se partia nuk është pyetur. Kjo do ketë pasoja të rënda nesër. Është fakt se një individ apo parti mund të fshihet pas emrit e programit që ka, por ai dhe ajo dalin te zbuluar lakuriq me qëndrimin konkret që mbajnë për LANÇ-in, për kuadrot që drejtuan luftën, heronjtë dhe dëshmorët e saj. Komisioni i caktuar për të festuar këtë përvjetor, siç është parë dhe siç po shihet është formal. Ai deri tani nuk ka zhvilluar asnjë manifestim për ngjarjet e LANÇ që janë zhvilluar deri tani.

-Nuk ka grumbulluar masa të popullit në përkujtimin e krijimit të njësive të mëdha të ushtrisë partizane.

-Nuk ka bërë asnjë përkujtim për kuadrot që drejtuan këtë luftë, asnjë përkujtim për asnjë dëshmor e hero të kësaj lufte. Prandaj e them me bindje se kjo rilindje për këtë çështje është kthyer në ri vdekje.

-Një fakt që vërteton se ky komision është false dhe i dështuar është manifestimi i përkujtimit të 71-vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm në Labinot, me 10 korrik 2014

-Disa palo përfaqësues të pushtetit vendor dhe disa palo qeveritar të dërguar nga Tirana, i kërkuan komisionit organizator të manifestimit të 71-vjetori të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, mënjanimin e figurës së Enver Hoxhës. Komisioni organizator e kundërshtoi me neveri duke i deklaruar: -Në këtë vend e në këtë përvjetor, Enver Hoxha e kishte vendin në krye të sofrës. Të turpëruar nga ky kundërshtim dhe nga shtimi në rritje i brohoritjeve të të gjithë pjesëmarrësve për PK dhe shokun Enver Hoxha… Manifestimi në Labinot, vërtetoi se edhe sot, si dikur, populli ka pas e ka dashuri e respekt për atë burrë që udhëhoqi me sukses të madh dy epoka të lavdishme të historisë tonë, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, ndërtimet kolosale të pasluftës. Prandaj themi me bindje se Enver Hoxha është maja më e lartë e historisë kombëtare si individ. Ai në LANÇ shkëlqeu si një strateg i madh ushtarak,si komisar dhe si komandat i ushtrisë partizane dhe i drejtoi ato me tepër zotësi dhe nuk njohu kurrë disfatë. -Nën komandën e tij, ushtria  partizane tregoi heroizëm dhe lau me gjak çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, duke kontribuar edhe në çlirimin e popujve të tjerë.

Ndryshimet kolosale në epokën e Enver Hoxhës kanë qenë të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme me periudhën e qeverisjes së Mbretit Zog dhe me qeverisjet që përjetojmë që një çerek shekulli. Ato janë të pakrahasueshme e të paarritshme. Prandaj Koalicioni Rilindja, po qe se njeh LANÇ ashtu si ka qenë në të vërtetë,  duhet të organizojë në sheshe mitingje festimi, në të gjitha qytetet dhe krahinat e Shqipërisë, në datat përkujtimore të çlirimit të tyre si: Skrapari, Berati, Korça, Durrësi, Vlora, Fieri,Gjirokastra, Tirana, Shkodra e me radhë për të gjitha krahinat e qytetet e Shqipërisë. Të organizohen shfaqje filmash me tematikë “Luftën Nacionalçlirimtare”, për heronjtë e dëshmoret e luftës, për drejtuesit e Luftës dhe kuadrot kryesore të ushtrisë partizane. Të hapen ekspozita, të organizohen konferenca e simpoziume akademike për Luftën dhe aktet heroike të partizaneve, duke lartësuar figurat si ato të: Mic Sokolit, Selam Musait, Bajram Currit, Shote Galica, Cerçiz Topulli, Avni Rustemit,Vojo Kushi, Manush Alimani,Vasil Laçi e deri tek Bule e Persefoni. Prandaj ne ish- partizanët duhet t’i demaskojmë e t’i luftojmë me ashpërsi çdo tentative për të mohuar apo quajtur Luftën Nacional çlirimtare si Luftë Civile. Këtë luftë, ne duhet ta mbrojmë me atë inteligjencë si Qemal Stafa, me guxim si Vojo Kushi, me trimëri si Vasil Laçi, me burrëri si Manush Alimani dhe me flamurin e idetë e Enver Hoxhës. Në kohën kur ishte pushteti popullor dhe Enver Hoxha në krye të vendit, kishte punë për të gjithë popullin, ishim kryelartë, krenarë, të vendosur e të papërkulur para vështirësive  e sakrificave, mbanim në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën… Për këto e shumë arritje të tjera personalitete të larta e burra shteti të disa vendeve e kanë vlerësuar dhe e vlerësojnë figurën e Enver Hoxhës ku janë shprehur:“Një popull mund ta detyrosh të duartrokasë udhëheqësin e vet me dhunë, por nuk mundet ta detyrosh të qajë për të”- ka deklaruar Andreas Papandreu. “Mos e nënvlerësoni zotin Enver Hoxha, se është një kokë e madhe”,-e ka vlerësuar Xhimi Karter.“Askush më tepër se Enver Hoxha nuk e meriton thënien:”Lavdia shkon tek ai që nuk e kërkon”;-ka thënë Sharl De Gol. “I vetmi udhëheqës Partie mendimet e gjykimet e të cilit s’u bëra dot ballë, ishte Enver Hoxha”,- ka thënë Çu En Lai

Për figurën e Enver Hoxhës kanë folur  shumë burra shteti dhe kanë dhënë konsiderata të larta. Armët që ka luftuar Enver Hoxha armiqtë e tij nuk kanë qenë vetëm topat, mitralozat, tanket dhe avionët, por edhe aftësia e lartë teorike dhe eksperienca e madhe e fituar gjatë LANÇ, si dhe zotësia e tij organizuese që e mobilizoi popullin për të shëruar plagët e Luftës dhe të ndërtoi vendin e shkatërruar. Edhe populli e përjetësoi në këngë që të gjallë:”50 vjet në luftë e punë /50 vjet për ne pa gjumë”. Vepra e Enver Hoxhës është edhe sot e gjallë. Në rrugën e tij të jetës ai nuk udhëtoi vetëm. Kurrë!..Enver Hoxha, e futi Shqipërinë në rrugën e Revolucionit Socialist. Nga e kaluara trashëguam skamje, varfëri, mjerim, analfabetizëm, gjakmarrje, banda kriminelësh, sëmundje masive që bënin kërdinë në popull, parmendë druri për të punuar tokën. Gjatë sistemit të socializmit janë ndërtuar nga viti 1951-1985 hidrocentralet me fuqi:

-Hidrocentrali “Lenin” Tiranë, 8.000 Kë/orë
-Hidrocentrali “K.Marks” Ulëz 25.000 Kë/orë
-Hidrocentrali “F.Engels” Ulëz 25.000 Kë/orë
-Hidrocentrali “J.Stalin” Bistrica 1 15.000 Kë/orë
-Hidrocentrali Bistricës, Bistrica 2 15.000 Kë/orë
-Hidrocentrali “Drita e Partisë” Fierzë 500.000 Kë/orë
-Hidrocentrali Komanit, Koman 600.000 Kë/orë
-Hidrocentrali “Mao Ce Dun” “Vau Dejes” 100.000 Kë/orë
-Termocentrali Fierit, 80.000 Kë/orë
-Termocentrali Komb. Tekstil “Stalin”, Tiranë 5.000 Kë/orë
-Termocentrali i Korçës, 5.000 Kë/orë
-Termocentrali Maliq, 5.000 Kë/orë
-Termocentrali Metarlurgjik, Elbasan 10.000 Kvv/orë
Si dhe 400 mikrohidrocentrale me fuqi 300.000 Kvv/orë
Te gjitha këto vepra prodhonin 1.695.000 Kvv/orë ose 40.000.000 Kvv/ në ditë. Nevoja e vendit ishte 14.000.000 Kvv/orë. U bëmë vendi i parë në botë për nga numri i digave për frymë. Më 25 Tetor 1970 u elektrifikua edhe  fshati Agim në Fier, i fundit në Republikë. Dhe kjo ditë, 25 Tetori, ka hyrë në histori si Data e “Dritës”. Gjate viteve të “Demokracisë”jo vetëm nuk u ndërtua asnjë hidrocentral, përkundrazi u shkatërruan 260 mikrohidrocentrale dhe 4 termocentrale. Në vitet e pushtetit popullor, jetëgjatësia e popullit arriti 71.6 vjet në krahasim me vitin 1964 ku ishte 64.9 vjet ose 38.3 në vitin 1938. Çdo vit futeshin 45-50 mijë forca të reja në punë, kurse tani janë me qindra mijëra të papunë. Çdo shtetas kishte 0.84 frymë në ngarkim, sot ka familje e fshatra të tëra që nuk marrin asnjë të ardhur. Nën pushtetin popullor, punohej me tre turne dhe gurët e maleve i kthyem në ar dhe metal; ujin lumenjve dhe përrenjve e kthyem në dritë; ndërsa në vitet e “Demokracisë” u kthyen në pluhur dhe hi: uzinat, fabrikat,minierat, porte dhe aeroporte,avionët, tanket, nëndetëset, e gjithë pasuria kombëtare. Pushteti popullor ndërtoi 720 km rrugë hekurudhore, duke e lidhur Shqipërinë nga Hani i Hotit deri në Pogradec e Vlorë. U kthyen në tokë buke 250 km2 sipërfaqe kënetore. Nën drejtimin e Enver Hoxhës, Shqipëria nuk u ligështua por e mbante syrin pishë në thepin e pushkës. Përballuam shumë fatkeqësi natyrore dhe veprimtarinë armiqësore të brendshme si dhe shume rreziqe të jashtme dhe ja dolëm me sukses. Ja pse figura e Enver Hoxhës ka qenë, është dhe gjithmonë do të jetë një burim frymëzimi për gjithë brezat që do te vijnë dhe për popujt e shtypur, proletariatin botëror dhe atdhetarët e revolucionarët shqiptarë që luftojnë për liri e barazi shoqërore. Sot tregun e brendshëm shqiptar e kanë pushtuar mallrat e huaja. Sot populli ka ulur kokën ndërsa politikanët kanë ngritur vila e gradaçela të larta. Situata sot në Shqipëri ka prodhuar dhe prodhon shumë tradhtarë, të cilët po u ngrenë lapidare tradhtarëve të vjetër. Në këto rrethana ç’ qëndrim do të mbajë Partia Socialiste ndaj tradhtarëve të vjetër dhe këtyre të rinj? Do t’i tolerojmë apo do t’ju tregojmë vendin. Do ti demaskojmë ballë për ballë apo do të heshtim? Rilindja nuk duhet tu japi asnjë favor kriminelëve të Ballit Kombëtar e veglave të tjera të okupatorëve nazifashist. Gjatë luftës populli i ironizoi këto vegla: “-Thonë e ç’ nuk thonë/ Për gjyshërit e tyre/Luftuan si trima/Me nazistët në krye”. Ne, ish-pjesëmarrësit e luftës, i themi këto se ne me Enver Hoxhën nuk erdhëm nga kolltukët, por zbritëm nga malet, për ti dhënë Shqipërisë gjithçka, edhe jetën për çlirimin e saj nga okupatoret dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë. Nuk mund të bëjmë sikur asnjë dëm nuk na është bërë në emër të demokracisë. Prandaj sivjet populli feston për të 70-ën  herë, 29 Nëntorin e vitit 1944,  si Ditën e Çlirimit dhe jo si 70 vjet çlirim. Nuk mund t’ua fshehim këtë nga brezat e ardhshëm sepse ky do të jetë një akt frikacaku…

*Pjesëmarrësi i LANÇ-it, kuadër i lartë i ushtrisë, pensionist e veteran 

                                                                                 

SOM 1

Prandaj ne ish- partizanët duhet t’i demaskojmë e t’i luftojmë me ashpërsi çdo tentative për të mohuar apo quajtur Luftën Nacional çlirimtare si Luftë Civile. Këtë luftë, ne duhet ta mbrojmë me atë inteligjencë si Qemal Stafa, me guxim si Vojo Kushi, me trimëri si Vasil Laçi, me burrëri si Manush Alimani dhe me flamurin e idetë e Enver Hoxhës.