Rrëfimet e Sefer Pashës, ish oficer kufiri/ Ja si dropulliti i arratisur Ilia Leka  hodhi bombën në ambasadën shqiptare në Athinë dhe porosia e Enverit për Kadriun

943
Sigal

Rrëfimet e Sefer Pashës, ish oficer kufiri/ Ja si dropulliti i arratisur Ilia Leka  hodhi bombën në ambasadën shqiptare në Athinë dhe porosia e Enverit për Kadriun. Ardhja e tij në Shqipëri me grupin e këngëtares Marinela, milionat e kundërzbulimit  dhe  aktet terroriste

 

Kujtimet e Sefer Pashës, ish-oficer i kufirit: Ilia Leka kishte zgjedhur si shteg vendin në majën e Buretos ku mbaronte kloni

Ilia Leka, Dropulliti që hodhi bombën në Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe tronditi Enver Hoxhën

Kadri Hazbiu: Me grupin e këngëtares greke Marinela ka qenë i maskuar dhe Ilia Leka me pasaportë greke

-Thuhej se Ilia Leka do të bëntë akte terroriste, do të hidhte në erë ambasadën në Athinë dhe godinën e postës kufitare të Kakavijës.

-Zbuluesit më thoshin se Ilia Leka vinte shpesh në taracën e doganës greke

– Drejtori i Kufirt Enver Pata më tha se Enver Hoxhës ia prishëm gjumin

-“Kuçedra” mbërriti në Kakavijë ky ishte pseudonimi i Ilia Lekës, pastaj u fut në grevë urie para ambasadës

– Siç më ka thënë zbuluesi Ropi Kita i gjithë përsoneli diplomatik i ambasadës shqiptare nxorën armët dhe zunë pozicionet

– Ambasadori Ksenofon Nushi e mbushi mitrolozin dhe e nxori në ballkonin e ambadës

– Enver Hoxha i kishte rënë tavolinës me grusht kur ngjarjen ja kishte raportuar Kadri Hazbiu

– Vetë ti Kadri duhet të lësh rakinë i qe hakërryer Enver Hoxha!

– Në ato takime vinte dhe një i afërm i Kryeministrit të Greqisë Andreas Papandreu

– Grupet e Ilia Lekës në rradhë të parë do të merrnin peng oficerin e Sigurimit të Shetit Jorgo Suliotin

Gazeta Telegraf

Në postën kufitare të Kakavijës e mori detyrën shumë i ri. Aty u burrërua, u martua dhe u bë me fëmijë. Pas demonstratave të studentëve në Prishtinë e transferuan në Kukës. Në jetë ku nuk e përplasi fati. U bë dhe zyrtar i lartë në Drejtorinë e Sigurmit të Personaliteteve në Gardën e Republikës. Pa shumë, por “kryeqyteti” i tij mbeti Kakavija, që në ato mote shfaqte dy banorë, rojen dhe qenin e kufirit. Të gjithë të tjerët ishin në vendstrehim.

-Kur isha në Athinë kam dëgjuar shumë për arratisjet drejt Greqisë nga Kakavija. Ndër to dhe për minoritarin Ilia Leka. Keni dijeni për këtë arratisje?

Po!  Kur isha në Kakavijë u arratis për në Greqi në majën e malit të Buretos një minoritar nga fshati Glinë. Quhej Ilia Leka. Dhe e kaloi kufirin me të vëllanë dhe një tjetër. Ilia Leka kishte zgjedhur si shteg vendin në majën e Buretos ku mbaronte kloni. Unë edhe pse nuk kisha lidhje me ngjarjen, ku u dënuan rëndë kolegët e mi më ra për hise në Kakavijë që të merrem shumë me Ilia Lekën, i cili u bë personazh në Athinë dhe në Tiranë. Ai jepte intervista në shtyp dhe në televizionet e Greqisë. Ishte i talentuar dhe shikuesit i bënte për vete. E diskretitonte politikën e shtetit shqiptar të Enver Hoxhës. U bë problem. Ilia Leka kishte lënë në Shqipëri familjen. Kërkonte ta merrte me çdo kusht. Zbulimi i Jashtëm shqiptar në Athinë e ndiqte këmba – këmbës. Thuhej se Ilia Leka do të bënte akte terroriste. Do të hidhte në erë ambasadën në Athinë dhe godinën e postës kufitare të Kakavijës. Zbuluesit më thoshin se Ilia Leka vinte shpesh në taracën e doganës greke. Ngjitej në katin e dytë dhe vështronte me dylbi në drejtim të fshatit Kakavijë. Unë nuk e kisha takuar ndonjëherë Ilia Lekën. Nuk ja kisha parë fytyrën. Oficerët e Zbulimit të Jashtëm më vendosën në zyrën në katin e tretë të postës një aparat, ku unë në ekranin e vogël e shikoja gjithnjë Ilia Lekën. Duhej të familjarizohesha me fytyrën e tij meqëllim që kur ai të vinte në taracën greke unë me anë të “kodit” sekret të njoftoja shërbimin e Drejtorisë së Zbulimit të Jashtëm në Tiranë. “Kuçedra” mbërriti në Kakavijë. Ky ishte pseudonimi i Ilia Lekës. Sa shkoja në zyrë shfaqja filmin me aktorin Ilia Lekën. Mbase do të ishte i vetmi film në botë me një personazh. Ilia Leka në zyrë m’u bë si “koleg”. Edhe pse filmin e shkëputur nga zbuluesit në një kanal grek, ku ai villte vrer, unë e shikoja dhjetë herë në ditë kurrë nuk e përputha fytyrën e tij në film me atë që vinte herë pas here në taracën e shtetit fqinj. Shumë herë raportoja “lart” se erdhi “kuçedra”, por kurrë nuk isha i sinqertë me veten. S’isha i sigurtë. Ilia Lekën e kishin parë dhe kakaviotët që punonin një arë me patate paralel me vijën e kufirit. Ai u kishte folur.

  • Kaq shumë ndikim pati deri në qeveri ky person?

Ilia Leka me të vëllanë e trazuan jetën e qeveritarëve në Tiranë dhe në Athinë. Erdhi në Kakavijë Drejtori i Kufirt Enver Pata dhe tha se Enver Hoxhës ja prishëm gjumin. “Kuçedra” Ilia Leka nuk përballohej. Në oborrin e Ambasadës Shqiptare në Athinë Ilia Leka hodhi një bombë. Ky lajm u përhap në të gjithë Evropën. Pasi Ilia Leka hodhi bombën ai ngriti një çadër tek dera e ambasadës. Aty filloi grevën e urisë. Kërkesa e parë e tij ishte që autoritetet shqiptare t’i çonin në Athinë familjen që ishte e internuar në Shqipëri. Qindra qytetarë të Athinës çdo ditë vinin dhe shikonin shfaqjen që jepte i arratisuri nga Dropulli Ilia Leka. Shumë të arrratisur nga Shqipëria të cilët ishin nëpër ishuj erdhën aty ku zhvillohej greva e urisë e Ilia Lekës. Ata ishin të armatosur. Pritej pushtimi i ambasdës shqiptare. Ligji i gjendjes së luftës ishte në fuqi. Siç më ka thënë zbuluesi Ropi Kita i gjithë përsoneli diplomatik i ambasdës shqiptare i nxorën armët dhe zunë pozicionet për t’u mbrojtur. Ambasadori Ksenofon Nushi e mbushi mitrolozin dhe e nxori në ballkonin e ambadës me fushë pamje nga çadra e grevës së urisë e Ilia Lekës. Ditën e dytë të grevës së urisë mbërriti dhe prifti grek Sebastianos. Ai mbajti një fjalim përpara çadrës me grevistë dhe tha se kur të vdiste në Konicë t’ia kthenin kokën nga Korça dhe Gjirokastra, “që ishin pjesë e teritorit të Greqisë”.

Qeveria greke u vu në vështirësi. Qarqet reaksionare nuk po linin gur pa lëvizur për të mbështetur dropullitin e arrratisur Ilia Leka. Kërkonin me çdo mënyrë që të sulmohej ambasada shqiptare në Athinë. Në mënyrë të befasishme personelit diplomatik ju ndërpre rryma elektrike dhe uji i pijshëm. Helikopterët e Asfalisë Greke fluturonin ngjitur me taracën e ambasadës. Ata kontrollonin pozicionet ku diplomatët kishin bërë gati armët për t’u mbrojtur në rast sulmi nga mbështetësit e Ilia Lekës.  Në shtypin grek thuhej se Ministria e Jashtme po bëhej gati që të tërhiqte nga Tirana ambasadorin.

Greva e urisë e të arratisurit Ilia Leka përpara Ambasadës shqiptare në Athinë e alarmoi Drejtorinë e Zbulimit të Jashtëm të Shqipërisë. Drejtoria e Zbulimit ishte një “ministri” më vete në Ministrinë e Brendshme.

-Si ka reaguar Enver Hoxha në këtë situatë?

Enver Hoxha i kishte rënë tavolinës me grusht kur ngjarjen ja kishte raportuar Kadri Hazbiu. Çfarë bëjnë forcat e kufirit shqiptar?- kishte thënë Enver Hoxha. Flenë gjumë? Vetë ti Kadri duhet të lësh rakinë,- i qe hakërryer Enver Hoxha! Cikloni i ngritur në mes të Athinës ia u prishi terezinë sigurimsave të zbulimit të jashtëm. Unë në ato ditë të vështira largoja njësitet e shërbimit të kufirit dhe hapja shtigjet për të kaluar kufirin zbuluesit (Kështu u veprua tek Përroi i Gjergjicës tek piramida 55 në Sarandë kur zbulimi nisi me mision shkrimtarin Bilal Xhaferin). Mbresat për stuhinë që shkaktoi Ilia Leka janë të panumërueshme. Në një përrua të thellë, në krah të djathtë të postës kufitare të Kakavijës dhe fshatit Aranistë të Greqisë, bëheshin takimet midis oficerëve të zbulimit dhe bashkëpunëtorve të tyre që vinin nga Athina. Valixhet ishin plot me dollarë. I kam parë me sytë e mi. Aty ku bëheshin takimet jetonin vetëm ujqërit. Ishte mbi një kilometër gjerësi ku nuk shkelte këmba e njeriut. Në një shesh mes lisave shekullorë piqeshin mishrat në hell. Nuk kishin të numëruar shishet e verës, të konjakut, uiskit dhe të rakisë së rrushit. Në ato takime vinte dhe një i afërm i Kryeministrit të Greqisë Andreas Papandreu. Të gjithë bashkëpunëtorët grek ishin të veshur e të qethur si të qenë shqiptarë. Doemos se veprimet kryheshin në tokën shqiptare. Aty qëndrohej me ditë e me javë. Kushëriri i Papandreut ka vajtur dhe në Tiranë. E kam përcjellë tek porta e klonit me duart e mia. Ato ditë të tensionuara flitej vetëm për Ilia Lekën. I arratisuri nga Glina kërkonte që t’i çohej familja në Athinë. Nëse nuk i plotësohej ky kusht do të rrëmbehej sekretarja e komitetit të Partisë të Gjirokastërs Afesa Lulua. Por grupet e Ilia Lekës në rradhë të parë do të merrnin peng oficerin e Sigurimit të Shtetit Jorgo Suliotin, të cilit kuvendi Popullor me porosi të Enver Hoxhës i kishte dhënë titullin e lartë të Heroit të Popullit. Jorgo Sulioti ishte nga fshati Peshkëpi e Dropullit. Komshi me fshatin Glinë, vendlindjen e Ilia Lekës. Në një fjalim që kishte mbajtur Ilia Leka tek çadra e grevës së urisë, ai kishte thënë se ashtu siç varën sigurimsat Anastas Marin tek Rrapi i Vriserasë në Dropull, do të varej përpara ambasadës shqiptare në Athinë Jorgo Sulioti.

-Vendi ku takoheshin zbuluesit tanë a kishte emër konkret?

Vendin ku punonin zbuluesit i kishin vënë nofkën “oda e grekut”. Veprimtaria në pyllin e fshehtë vazhdoi gjatë. Aty flinte Drejtori i Zbulimit të Jashtëm Sefer Rama dhe disa zbulues të tjerë si Ropi Kita, që kishte pasaportë dhe futej në zyrat e Asfalisë greke. Nuk do t’i harroj ato ditë. Sa hiqej një mish nga helli vendosej në shkop tjetri. Kur bashkëpunëtorët u velën me mish gjingji për ta u soll peshk i egër nga deti i Sarandës. E gatuanin vetë grekërit. Makinat e shkrimit nuk pushonin nën lisa. Qindra faqe shkruheshin në ato “zyra” pa “çati e pa dritare”. Enver Hoxha priste informacione se ç’po bëhej me Ilia Lekën. Radigramët që dërgonte “komandanti” porosisnin që zbulimi të tregohej i kujdesshëm. Të mos shkelej në dërrasë të kalbur. Enver Hoxha nuk donte që të cënoheshin marrëdhëniet me shtetin grek. Drejtorin nuk e zinte gjumi nën lisa. Ishte në presë të briskut koka e tij.

Në ato ditë ku vetëm grekërit e shijonin mishin e qingjit ne kishim problem korbat që  futuronin për ndonjë kockë. Nuk ishin vetëm korbat, por dhe gjeraqinat e Janinës. Shpendët mund të bëheshin shkak që Asfalia të binte në gjurmët e “odës së grekut” paçka se ajo qe ngritur në tokën shqiptare. U dha porosi që sidomos gjethet me pika gjaku të digjeshin. Gjaku i gjingjave ngacmonte shpendët që vinin nga Janina. Edhe pse u groposën kockat dhe gjethet korbat nuk na ndaheshin. Jo vetëm shpendët, por dhe tufat me çakej. Por çakejt na vinin në ndihmë. Ata kockat e hedhura në anë të lumit i bluanin dhe si të thuash qenë “fshesarët” e rrezikut. Qëllonte që grupi i zbulimit të jashtëm të shpërndahej me detyra në drejtime të ndryshme. Prej tyre ndiqej i rrethuar në çadrën e grevës së urisë Ilia Leka. Unë ndjeja një boshllëk kur e shikoja “odën e grekut” të braktisur. Sigurisht që ndryshe nga zbuluesit kthehesha dhe e kontrolloja “odën”. Nuk i dihej. Por për një gjë gëzohesha. “Fshesarët” çakenj nuk kishin lënë rrotull asnjë kockë. Lëkurët e qingjave i kishin xhvarrosur dhe i kishin zhdukur. Unë këtë e ndjeja nga mungesa e ushtrisë së korbave. Ato ishin larguar dhe nuk linin ndonjë dyshim tek forcat e kufirit grek me qendër në Kakavijë. Kur ktheheshin zbuluesit u thoja se “fshesarët” i kanë kryer mirë detyrat. Nuk ka asnjë shenjë nga masakra e sofrës së përbashkët me bashkëpunëtorët grek. Por kjo vazhdonte shumë pak. Sa vihej mishi i rradhës në hell “fshesarët” këndonin anës lumit “himnin” për t’i gostitur me ndonjë kockë. Zbuluesi Ropi Kita plëncin dhe zorrët u ndante “fshesarve” që u bën si të shtëpisë tek “oda e grekut”. Edhe ata u bën pjesë e lojës së zbulimit në luftën kundër të arratisurit Ilia Lekës.

-Kush i priste dhe i përcillte nga kloni zbuluesit tanë?

Unë kur ndonjë zbulues që përcillte postën për në Tiranë e nxirja nga kloni kthesha për pak kohë në zyrën e katit të tretë të Kakavijës. Shikoja librin e shërbimit për të rejat më të fundit në taracën greke. A mos kishte ardhur aty Ilia Leka?. Tek pushoja hapja kasetën me filmin e Ilia Lekës. E vështroja dhe i thoja me ironi: – “Po ç’na bëre more shef Ilia”? Na vure zjarrin. I therëm të gjithë shqerrat e kopesë së kooperativës së Jergucatit”. Na shqepe nga të ngrënët. Jemi enjtur nga mishrat e pjekur në hell. Po dhjamin do ta tresim në burg. Do të na e këputësh kokën more “shef Ilia”. Ra dera dhe në zyrë u fut kolegu im Xhafer Meta. Ishte i shqetësuar. Po ti vazhdon të shikosh në ekran Ilia Lekën tha ai dhe i hodhi sytë nga “aktori”, që fliste në televizionin shtetëror grek. Nuk e more vesh vazhdoi Xhaferi se ç’më punoi ministri në telefon. Unë sa përcolla në vijën e kufirit grupin e këngëtares Marinela. Ajo kishte dhënë koncert në Tiranë. Ministri Kadri Hazbiu më tha i tërbuar se me grupin e këngëtares greke Marinela ka qenë i maskuar dhe Ilia Leka me pasaportë greke. Unë u përpoqa ta sqaroj ministrin e revoltuar se grupin e këngëtares e kontrollova kokërr më kokërr. Me grupin e Marinelës nuk ishte Ilia Leka.

U ngrita i alarmuar. Kolegun Xhafer Meta e lashë të mërzitur. Xhaferi mbulonte me zbulimin e jashtëm një linjë tjetër. Mbante lidhje me Alqi Andonin, që edhe ai në Kakavijë e kishte ngritur “kasollen”. Me Xhaferin i kishim të ndara detyrat. Gjithçka ishte sekret. Pa humbur kohë mbrrita tek grupi i zbuluesve tek “oda e grekut”. U thashë se çfarë kishte thënë ministri i brendshëm. Drejtori foli anglisht me bashkëpunëtorët grek. Bën goxha debat. Pastaj zbuluesi Ropi Kita, i cili sa ishte kthyer nga Athina më qetësoi. Ilia Lekën e kishte parë me sytë e tij përpara çadrës së grevës së urisë. Për këto që po thua janë dizinformacione që i përhap Asfalia greke,- më tha ai. Asfalia është shërbim shumë i kualifikuar. Por ju të kufirit duhet të forconi regjimin e kufirit. Ilia Leka është shprehur i sigurtë se do ta rrëmbejnë në mes të Gjirokastrës Heroin e Sigurimit të Shetit Jorgo Suljotin.  Unë e ndërpreva bisedën me Ropi Kitën. Më kërkuan në radio.

-Pse? Kishte situatë tjetër?

Po! Aty ku dega e lumit të Drinos e kalon vijën e kufirit valët e lumit po sillnin varg pas vargu mijëra fotografi të Enver Hoxhës. Fotot qenë futur në qese plasmasi. Në kapakun e fotos thuhej se Enver Hoxha është në prag të vdekjes. E gjithë pika kufitare e Mullirit që mbulonte lumin e Drinos po përpiqeshin që t’i nxirnin fotot në breg. Por siç më thosh në radio komandanti Filip Llakaj kjo ishte e pamundur. Disa nga këto foto kishin mbërritur deri tek Ura e Mifolit në Vlorë. Edhe për këtë gjë që po ndodhte e informova grupin e zbuluesve, të cilët po shtypnin materialet në makinat e shkrimit të vogla si krah gjeraqinash. Jemi në dijeni m’u përgjigjën. Kudo është dora e Ilia Lekës e dirigjuar nga Asfalia. Unë nuk e kisha përvojën e zbuluesve dhe u thoja atyre që të bëhet ç’është e mundur dhe Ilia Leka të rrëmbehet në Athinë ashtu si Anastas Mari disa vite më parë. Dhe Ilia Leka të varet tek fabrika e ujit të Glinës. Oficerët e zbulimit vinin buzën në gaz. Nuk është e njëjta situatë më kundërshtonin ata. Enver Hoxha ka folur mirë për këngëtaren greke Marinela. Prandaj udhëheqësi ka qenë i indinjuar për atë që po ngjet me të arratisurin Ilia Leka. Ka kohë që Enver Hoxha po tenton që të përmirësohen marrëdhëniet me shtetin grek.

Tek “oda e grekut” lajmet e Ilia Lekës sikur i binte era e Janinës. Me aq sa nuhasja, se nuk kisha asnjë pun. Bashkëpunëtorët grek të Zbulimit të Jashtëm merrnin shpërblime të majme. Valixhet me dollarË ishin plot. Shpesh kur zbuluesit kishin takime në pyll me të tjerë njerëz misteriozË valixhet i ruaja unë.

Një nga korierët e zbulimit pruri lajmin nga çadra e urisë e Ilia Lekës se së shpejti Asfalia do të rrëmbente oficerin e Sigurmit të Shtetit Jorgo Suliotin. Korrieri tregoi dhe vendin. Përballë fshatit Kakavijë do të kalohej Jorgo Sulioti i paketuar në valixhe qysh nga Gjirokastra.

 

Nesër do të lexoni:

-Si vinin valixhet me dollar, konjak dhe mish qengji tek “Oda e grekut”

– Në Gjirokastër Jorgo Sulioti sigurohej sikur të qe ndonjë Anëtar i Byrosë Politike

– Ilia Leka e kishte bërë gati trekëndëshin pranë çadrës, ku do të varej Jorgo Sulioti.

– Tek “oda e grekut” një mbasdite vet grekërit sollën një femër të bukur, quhej Marta

-Në demokraci takova Martën ishte gazetare dhe donte të shkonte te varri i Enverit

– Unë pyeta, por askush nuk ma tregoi varrin e Enver Hoxhës

–   Më në fund Ilia Leka triumfoi Tirana zyrtare i çoi familjen në Kakavijë

-Një skalitës gurësh më tha se arkivolit të Enver Hoxhës kanë hedhur në beton mbi një ton hekur.

– Tek dogana e dikurshme, që ishte sa një kasolle Shtrausi vështronte me kureshtje sheshin e rrethuar me tela

– Guxova dhe i thashë fotografit Niko Xhufka të më bënte një foto me Shtrausin

– Idiot më tha Niko Xhufka largohu se do të fusin në burg, , jemi me pamje nga greku