Dalan BUXHELI/ Sot, 71 vjetori i masakrës së përgjakshme të 4 shkurtit 1944

1314
Sigal

Veteranët i bëjnë apel qeverisë që në kujtim të 84 viktimave të kësaj masakre, të ngrihet një memorial ën Tiranë

71 vjet më parë, duke u gdhirë 4 shkurti 1944, në kryeqytetin tonë, ndodhi masakra e Tiranës, vepër e duarve të Gestapos gjermane, e forcave të zeza të xhandarmërisë dhe të policisë sekrete të qeverisë së atëhershme kuislinge, nga të Rexhep Mitrovices, të regjimentit “Kosova” dhe të ballisto-zogistëve. Ata kryen krimin më çnjerëzor që njeh historia jonë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku me egërsi të padëgjuar, natën e 4 shkurtit 1944 u derdhën mbi familjet e pafajshme të Tiranës, e rrëmbyen me forcë nga vatrat e popullit të Tiranës dhe ekzekutuan 84 qytetarë të thjeshtë, arrestuan, torturuan dhe dërguan në kampet e përqendrimit (shfarosës) nazist, mbi 500 të rinj patriotë prej nga nuk u kthyen më. Të pushkatuarit i kishin masakruar, i kishin sakatosur e përçudnuar në fytyrë e në trup për së vdekuri. Një masakër e përbindshme e tipit nazist. Atë natë zezane, duke u gdhirë 4 shkurti 1944, rrugët e Tiranës u lanë me gjakun e bijve të saj të pavdekshëm, që sot i përkujtojmë me dhimbje e krenari duke u ulur në gjunjë me respekt të thellë përpara veprës dhe kujtimit të tyre të paharruar. Kombet e qytetëruara dinë të nderojnë dëshmorët e atdheut. Ata janë ura lidhëse midis brezave që shkuan, të sotmen dhe atyre që do të vinë nesër. Kush vdes për atdhe ka fituar të drejtën e nderit për tu vendosur në panteon. Liderët tanë të sotëm, bëjnë thirrje nëpër tubime në Veri e Jug të vendit për të rishikuar historinë e popullit tonë, për të thënë të gjitha të vërtetat historike ashtu siç janë. Dhe unë sot nëpërmjet këtij shkrimi përpara lexuesve, përpara familjeve dhe të afërmve të heronjve dhe dëshmorëve të atdheut, do të përpiqem të flas me zë të lartë e të rrëfej ideatorët, skenarin, ekzekutorët e masakrës së 4 shkurtit 1944, kush i hartoi listat e personave që do të pushkatoheshin, do të arrestoheshin, do të burgoseshin, do të internoheshin dhe cili qe përfundimi i kësaj hakmarrje mizore. Një sërë dokumentesh arkivor, civile dhe ushtarake, tregime dhe kujtime gojore të veteranëve që përjetuan atë mënyrë të tmerrshme, rrëfime të nënave, baballarëve, vëllezërve dhe motrave që iu rrëmbyen nga gjiri i familjes bijtë e tyre të dashur, vërtetojnë katërcipërisht të vërtetën e madhe se ç`ndodhi natën e 3 shkurtit, duke u gdhirë 4 shkurti në Tiranën martire. Masakrës së 4 shkurtit i priu ardhja e 15 partizanëve në Tujan të Tiranës, trupat e të cilëve i sollën në qytet duke i shëtitur rrugëve, mbi kuaj e karroca. Më pas, jo vetëm 4 shkurti, por krejt muaji shkurt u quajt “muaji i terrorit”, i masakrave, i kasaphanës së pa dëgjuar. Kështu, me 12 shkurt, dy djelmosha në moshe fare të njomë vdiqën në birucë, të torturuar mizorisht nga xhandarët e Hysni Demës. Me 21 shkurt, kufoma të rinjsh shqiptarë, të torturuar me hekur të nxehët në dritën e syve u gjendën të vdekur (mbytur me tel) në rrethinat e Tiranës. Me 28 shkurt, 4 djem në lule të rinisë i nxorën nga burgu dhe i masakruan barbarisht në mes të rrugës. Këta ishin: Trajan Pekmezi, Skënder Kosturi, Gjergj Frasheri, Viktor Gjokoreci. Me 29 shkurt, me urdhër të kriminelit Xhelal Staravecka, arrestojnë djaloshin 24 vjeçar Muhamet Gjollesha, e torturojnë gjithë natën dhe të nesërmen e varin të vdekur në litar tek pazari i ri. Në kohen kur bishat e zeza planifikonin të kryenin masakrën e 4 shkurtit, situata në Shqipëri ishte kthyer në favor të LANC. Tirana ishte qendra kryesore e lëvizjes, prandaj nazistët e bashkëpunëtorët e tyre morën vendim për tu dhënë grusht të fuqishëm Tiranës nëpërmjet organizimit dhe kryerjes së masakrës së 4 shkurtit 1944. Në atë periudhë, LANC, kishte hyrë në një fazë të re e më të lartë organizimi dhe po merrte përmasa gjithnjë e më të gjera. Pikërisht, të trembur nga përmasat e gjera të shtrirjes së lëvizjes në çdo fshat, qytet e krahinë të Shqipërisë, komanda gjermane e pushtimit, e përkrahur dhe e mbështetur nga Balli Kombëtar, nga Legaliteti dhe nga forcat e tjera kolaboracioniste, ndërmorën operacionin e dimrit 1943-1944 me synimin që të asgjësonin forcat partizane e të likuidonin lëvizjen NCL. Operacioni i dimrit dështoi dhe kjo i tërboi armiqtë. Prandaj, ata hartuan planin për të bërë një terror masiv, për të trembur popullin e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, për të trembur mbështetësit dhe aktivistët e Luftës çlirimtare, për të trembur patriotët e ndershëm dhe në këtë mënyrë për të kthyer situatën në favor të tyre. Plani i kësaj masakre, i këtij terrori masiv, u hartua në zyrën e kryeministrit të atëhershëm dhe u firmos nga ai vetë, tradhtari i popullit Rexhep Mitrovica. Pjesëmarrësit kryesorë në hartimin e planit të masakrës ishin Xhafer Deva, ministër i Brendshëm dhe Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar nën drejtimin e padronit të tyre, oficerit të lartë të Gestapos Haufinan Lange. Në planin ogurzi, ishin caktuar arrestimet dhe pushkatimet e personave në listat e hartuara nga policia sekrete. Në radhë të parë në listë ishin emrat e patriotëve, aktivistëve, përkrahësve të lëvizjes NCL, zbulimi dhe asgjësimi i bazave ilegale të luftës, i teknikës së shtypit ilegal. Urdhri nga lart që të arrestuarit të mbylleshin në burgun e komandës së përgjithshme të xhandarmërisë (ish gjimnazi i Tiranës). Operacioni do të mbahej shumë sekret. Ai do të niste në orët e pasdites së 3 shkurtit dhe do të përfundonte në mëngjesin e 4 shkurtit 1944. Ashtu ndodhi. Hienat gjuajnë në mes të errësirës pus të natës dimërore. Gestapoja gjermane këtë operacion ia ngarkoi ta kryenin vendasit, qeveria kukull e Rexhep Mitrovicës. Grupet nacionaliste-thoshte Gestapoja, sot natën do të ndërmerrnin një kundër aksion. Të gjithë pjesëtarët e trupës gjermane në postet e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj gjendjeje. Kuptohet qartazi hileja. Hidh gurin e fshih dorën. Natyrisht ky ishte një mashtrim se gjoja forcat gjermane kishin ardhur kalimthi në Shqipëri, jo si pushtues, por vetëm si kalimtarë. Si u ekzekutua masakra e 4 shkurtit? Sipas skenarit të caktuar, operacioni nisi në orët e para të kësaj dite, duke marrë shkas nga disa atentate të inskenuara arrestuan qytetarë të pafajshëm, të cilët ishin duke shkuar nga puna në shtëpitë e tyre dhe i pushkatuan në vend. Këta ishin Todi Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku dhe Gani Koci. Fill pas kësaj ngjarje, forcat e xhandarmërisë, të policisë dhe të regjimentit “Kosova” të armatosur gjer në dhëmbë, vendosën parulla nëpër rrugët e Tiranës, dhe nga kjo kohë në kryeqytet u vendos ndalim qarkullimi deri në mëngjesin e 4 shkurtit, u bastisën qindra shtëpi tiranase, u arrestuan mbi 500 vetë, nga të cilët 84 u pushkatuan në prag të shtëpive dhe përpara syve të prindërve të tyre. Nga të pushkatuarit pati edhe nga kombësi të tjera si italianë, malazez, maqedonas, grek dhe hebrenj. Të gjithë i vrasin nazistët gjermanë me dorën e bashkëpunëtorëve të tyre. Udhërrëfyes ishin spiunët e fëlliqur, xhandarët halldup, ballisto-zogistët e koteceve të pulave. Në krye të bandave kriminale ishin frymëzuesit dhe organizatorët e kasaphanës, Mit`hat Frasheri, kryetar i partisë së Ballit Kombëtar, Rexhep Mitrovica, kryeministër kuisling, Xhafer Deva ish ministër i Brendshëm, kriminel më damkë, Abas Kupi kryetar i partisë zogiste të Legalitetit që sot janë shpallur si patriot të mëdhenj. Ishin gjithashtu agjentët e Gestapos gjermane, agjentë të SIMIT si Xhelal Staravecka me Mehdi Frasherin në krye. Të gjithë këta hartuan listat e arrestimeve dhe të ekzekutimeve dhe drejtonin operacionin makabër. Në raportin e Komandës së Përgjithshme të xhandarmërisë thuhet: Forcat e xhandarmërisë së bashku me forcat e regjimentit “Kosova” dhe vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 487 persona të dyshuar, nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. (AQSH, Fondi 1230, dosja 134). Një kosovar besnik i Xhafer Deves, në intervistën e dhënë në gazetën Ballkan në Suedi, me 2 qershor 2005, thotë: “Du me ken burrë i ndershëm se me 4 shkurt 1944, kena vra shumë njerëz dhe disa te vrame u kemi prerë gishtat për të marrë unazat e floririt. Ky operacion asht ba me urdhër të gjermanëve dhe asht drejtue nga komandanti i xhandarmërisë Xhafer Deva”. Pas masakrës, xhelatët ngazëlleheshin duke përplasur duart si bisha të plagosura në shtrofullën e tyre. Gazeta e atëhershme, me logon mashtruese Balli i Kombit, çirrej “duam gjak!”. Kalemxhiu Nebi Cika, që i bënte hosona regjimit pushtues, bënte thirrje dhe ai për hakmarrje, gjaku lahet me gjak etj., i këtij mendimi ishte edhe kalemxhiu Eqerem Telhai që mburrte veprimet e hordhive naziste e balliste. Bashkimi i Kombit, në editorialin e saj te datës 4 shkurt 1944, shkruante se vetëm me gjak mundet të lirohet nga bishat partizane komuniste etj. 4 shkurti është një ndër kulmet e rezistencës dhe e heroizmit qytetar tiranas, shembulli i qëndresës heroike kundër forcave të errëta regresive. Ajo natë zezane ka hyrë në historinë e popullit tonë si simbol i terrorit çnjerëzor të forcave të errëta, që koha i nxori shpejt nga skena e historisë. Mbrojtja e kujtimi i masakrës së 4 shkurtit është prova për të mbrojtur LANC, për të mbrojtur emrin e papërlyer të gjakosur të Tiranës.. N.q.s populli shqiptar do të shkonte pas atyre që kryen masakrën e 4 shkurtit, Shqipëria do të ishte radhitur me fuqitë e boshtit dhe do të dënohej si fuqi armike. Përkundrazi, i udhëhequr me largpamësi nga PKSH, populli ynë nuk e bëri atë gabim historik fatal, por u radhit në krahë të aleatëve fitimtarë dhe çliroi Shqipërinë me forcat e veta, duke i dhënë një ndihmë të madhe edhe vëllezërve tanë në Kosovë. Pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve të 4 shkurtit bëjnë thirrje për mirëkuptim e vetëpërmbajtje, në të mirë të popullit e kombit. Gjak popullor u derdh atëherë, por gjak popullor u derdh tek ne edhe në vitin 1997, me 15 mars 2008, kur u zhduk një fshat i tërë, Gërdeci, me 21 janar 2011 po në këtë bulevard ku u vranë 4 demonstrues të pafajshëm, të pa zbardhura nga drejtësia shqiptare. Organizata për dëshmorët e atdheut, në këtë ditë përkujtimore, i bën homazhe kujtimit të 84 dëshmorëve të rënë me 4 shkurt 1944, me zotimin solemn se ata do të rrojnë përjetësisht në zemrat e mendjet tona. Duke i kërkuar Këshillit Bashkiak të Tiranës mbajtjen e premtimit për ngritjen e një memoriali në një shesh të Tiranës, ku të shkruhen emrat e tyre, i cili do tu jepte mundësi qytetarëve të bëjnë homazhe në nderim të tyre.