Rexhep Alimemaj: Lufta Antifashiste e LANÇ në altarin e lirisë

1388
Sigal

Mes 76 heronjve të popullit shqiptar 15 janë heroina të popullit me moshë mesatare 22 vjeç.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare në altarin e lirisë

Rexhep G. Alimemaj

 

Lufta për çlirimin e Tiranës dhe Shqipërisë së Veriut

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dallohet për nga pjesëmarrja e gjerë e popullit, për nga organizimi i lartë, për nga udhëheqja e përsosur, për nga cilësitë e larta moralo-politike. Më datë 18 nëntor 2019, një e përditshme kish botuar një shkrim nga gazetari A. G me titull “Pse 17 nëntori është dita e liri-robërisë për Tiranën”, ku thuhet se “Beteja e Tiranës ndër të pakta e ushtrisë partizane në disa vjet, nuk pat kurrë ato përmasa, në të cilat na është përshkruar. Ditët e fundit të saj, vetëm një kompani gjermane në emër, se jo të gjithë ishin gjermanë, po kozakë, ukrainas të konvertuar , mbanin frontin dhe gjysmën e qytetit. Qyteti. Qyteti-kryeqyteti i lëruar pa luftë! Dhe vazhdon …atë që po ja bënin komunistët popullit të tyre, s’ia kishte bërë kush kurrë, as italiani, as gjermani e as dreqi e i biri!

Unë kam lexuar kujtimet e komandantit të Br. I S. gjenerallejtënant, Hero i Popullit shqiptar Muhamet Prodani, “Ja si u çliruar Tirana nga gjermanët dhe lufta heroike e popullit të Tiranës”. Lufta e Tiranës ka hyrë në histori si moment i kalimit të forcave partizane në formacione të rregullta luftarake dhe është mbajtur si baza e krijimit të ushtrisë së rregullt shqiptare. Sipas librit të kujtimeve “Nga lufta në luftë” të komandantit të brigadës, gjeneral Muhamet Prodani, ajo mori detyrë të afrohet drejt Tiranës në gjysmën e parë të shtatorit 1944. Por as komanda e brigadës dhe as vet komandanti i Div. I S nuk shikonin mundësinë e sulmit mbi Tiranë me vetëm një brigadë partizane, nga ku u kërkua që të vinte dhe Br. IV S dhe tri brogada partizane të tjera me eksperiencë në përballje luftarake.

Në Br. I S ishin të atashuar dhe dy ushtarakë anglez, majori Ridell dhe një kapiten, të cilët e ndoqën këtë brigadë në luftimet e Dibrës, Matit dhe Krujës dhe nga aty i kërkuan Komandës së Mesdheut ndihma në armatime dhe ushqime për luftimet në Tiranë. Ndihma nga aleatët anglo-amerikanë ishte në Vlorë e u muar për luftën e Tiranës dhe ishte shumë e rëndësishme për armatimin e ushtrisë në përballje me gjermanët. Gjatë gjithë tetorit Br. I S dhe brigadat e tjera u morën me organizimin, armatimin dhe ishin në pritje të trupave të tjera të cilat do të sulmonin Tiranën. Gjatë kësaj kohe nga radhët e gjermanëve kishte lëvizje të rrufeshme. Gruparmat (E) e përqendruar në Greqi nga e cila varej Korpusi 21 me qendër në Shqipëri, me kohë kishin filluar tërheqjen e forcave në veri. Më 25 tetor u largua për në Shkodër komanda e Korpusit gjerman duke lënë një garnizon me 300 ushtarë në Tiranë, nën komandën e Div. 297. Komandanti i Korpusit gjerman shpërndau qeverinë kuislingë dhe aparatet e saj. U shpërnda xhandarmëria dhe njerëzit e Ballit u larguan për në Prezë dhe më pas për në Shkodër dhe morën arratinë nëpër botë me në krye Mithat Frashërin.

Gjermanët në mbrëmjen e 16 nëntorit u tërhoqën nga përroi i Lanës dhe Tirana në ora 06 të mëngjezit të 17 nëntorit ishte e lirë pas 19 ditë, ditë lufte. Në luftën e Tiranës ranë 127 dëshmorë, 250 të plagosur.

Sapo u çlirua Tirana Komanda e Përgjithshme dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare, u dhanë urdhër njësive të ushtrisë nacionalçlirimtare që të vazhdonin veprimet luftarake në zonat veriore të vendit, për të përfunduar çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në këtë kuadër më 20 nëntor forcat e Br. VII S çliruan Lezhën, ndërsa Br. VIII S, pasi kreu një varg veprimesh kundër forcave armike në tërheqje, gjatë rrugës Prizren-Kukë-Pukë dhe në rrethinat e Prizrenit së bashku me Br. V S, më 16 nëntor, ajo mori pjesë në luftimet për çlirimin e Prizrenit. Më 17 nëntor forcat partizane goditën kolonën e ushtarëve gjermanë që drejtoheshin për në Kukës dhe më 18 nëntor çliruan përfundimisht qytetin e Kukësit. Pas dy ditësh më 20 nëntor Br. XXII S çliroi Pukën. Tani e gjithë Shqipëria me përjashtim të Shkodrës ndodhej e çliruar. Për çlirimin e Shkodrës, qyteti i fundit që ndodhej nën kontrollin e forcave gjermane, u ngarkua Br. VI, VII,XXIII, XXIII S dhe grupi partizan i Shkodrës. Luftimet me forcat armike u zhvilluan përreth Shkodërs, në Postribë, në kodrat e Drishtit dhe në të majtë të lumit Kir. Kundërsulmet që ndërmorën trupat gjermane më 28 nëntor u thyen me humbje të rënda. Kështu gjatë ditës së 28 nëntorit dhe në të gdhirë të 29 nëntorit forcat armike u detyruan të lënë qytetin. Në mëngjesin e datës 29 nëntor, në Shkodrën e lirë hynë luftëtarët e UNÇSH të pritur dhe të përshëndetur nga qytetarët e Shkodërs. Çlirimi i Shkodrës shënon çlirimin e plotë të vendit.

Kështu, para se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore, Fronti Nacionalçlirimtar që udhëhiqej nga PKSH mori pushtetin në vend. Këtë fitore Fronti dhe PKSH e arritën në saj të angazhimit total të forcave në luftë për çlirimin e Shqipërisë, duke e radhitur atë denjësisht në krah të forcave Antifashiste Botërore Anglo-Sovjeto-Amerikan. Kjo e vërtetë e madhe është e paraqitur në të gjitha dokumentet e kohës, në arkiva në Shqipëri dhe në vendet Evropiane. Për nga vet thelbi, rëndësia historike, përmasat, kompleksiteti i vlerave dhe arritjeve LANÇ-i është konsideruar nga historian të afirmuar shqiptar dhe të huaj si kryengritja më e madhe e armatosur e popullit shqiptar e të gjitha kohërave. Në librin e tij “Fitorja e hidhur” autori Reginald Hibbert ish përfaqësues i grupit anglez pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, shkruan se “pika e kthesës ndodhi në vitin 1943-1944 kur Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, mori një hov të tillë vendimtar, sa të njihej zyrtarisht nga ana e Britanisë, Amerikës dhe BS, gjë që bëri të sigurt pavarësinë e vendit brenda kufijve të para 1939”.

Vetëçlirimi dhe sakrificat

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore u çlirua me forcat e veta. Ky fakt i jashtëzakonshëm u bë i mundur si rezultat i një kombinimi të disa faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Në fakt ishte lëvizja partizane që përfshiu tërë vendin dhe që, në vitin 1944, mori një karakter mbarëkombëtar. Shqipëria ishte i vetmi vend unikal në Evropë që u çlirua vet, pa aleatë të kohës që dhe kryeqyteti Tirana është i vetmi kryeqytet evropian i çliruar nga forcat partizane shqiptare. Për më tepër armatat partizane shqiptare dolën dhe jashtë kufijve shtetëror për të luftuar nazizmin deri në Vizhegrad të Jugosllavisë. Në këtë luftë u shfaq më tepër dhe humanizmi i popullit shqiptar, jo vetëm në mbrojtje të shpëtimit të jetëve të hebrenjve, por dhe të ushtarëve italianë të kapitulluar në shtator të vitit 1943 që gjetën mbrojtje dhe strehim tek shqiptarët.

Vlerat kryesore të LANÇ-it nuk qëndrojnë thjesht në numrin e të rënëve apo madhësinë e betejave, por në atë që populli shqiptar u orientua drejt dhe përkrahu që në fillim luftën e armatosur kundër fashizmit. Populli shqiptar me plot të drejtë krenohet që u rreshtua në anën e antifashistëve. Shqipëria i qëndroi besnik deri në fund parimeve të Aleancës dhe kontribuoi me ato fuqi që kishte në fitoren mbi nazizmin. Kjo është dhe arsyeja që Aleatët i dhënë asaj gjithë ndihmën e duhur për të dalë fitues mbi okupatorët nazi-fashistë. Nga radhët e luftëtarëve antifashistë shqiptarë ranë 28.000 mijë dëshmorë, u ndeshën trimërisht me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre, duke luftuar me armë pa u përkulur, edhe burgjeve, internimeve, torturave, kërcënimeve, pushkatimeve dhe varjeve në litar, edhe duke u djegur me zjarr. “Por populli nuk soset me të vrarë, do luftojë sa të fitojë lirinë”, thoshte heroi i popullit Fuat Babani.

Mes 76 heronjve të popullit shqiptar që ranë dëshmorë në LANÇ, 15 janë heroina të popullit. Mosha mesatare e heroinave është 22 vjeç. Ajo varion nga 15 vjeç me Ylbere Bylikbashi dhe Nimete Progonati e deri në 67 vjeç që ishte Mine Peza. Një veçori tjetër e papërsëritshme ishte mënyra si u ndëshkuan dhe si dhanë jetën heroinat Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Ganimete Tërbeshi, Sofia Noti, u dënuan me varje në litar. Liri Gero ishte vetëm 17 vjeç kur u kap e plagosur rëndë, pa ndjenja dhe u dënua me djegie së gjalli. Heronj të popullit Nikoll Tupe, Ferid Xhajko dhe Hamit Mëzezi, të tre ishin spiunuar nga bashkëpunëtorët e fashizmit, i arrestuan, i torturuan dhe i varën në litar në oborrin e burgut në Tiranë. Vasil Laçi, hero i popullit, trimi i Piqerasit 18 vjeçar i cili kur Viktor Emanueli që kish ardhur në Shqipëri në vitin 1941, kur po kalonte në rrugën e Durrësit, Vasili e qëlloi me pesë plumba. Heroin pushtuesit e varën në litar. Nga 29 fëmijë dëshmorë, 2 prej tyre ishin 14 vjeç, 9 ishin 15 vjeç, ndërsa 12 në moshën 16 vjeç.

Thënë për luftëtarët partizanë

Çurçilli, kryeministri i Brtianisë së Madhe në dhomën e komunëve në nëntor 1943 ka deklaruar se “mijëra guerilas shqiptar janë duke luftuar në malet e Shqipërisë për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre”. Ndërsa gjenerali Dejvis ka shkruar se “në të gjithë veprimet e kryera në LANÇ, partizanët janë ndeshur me trupat të përziera gjermano-balliste, të armatosur mirë”. Fan Noli ka theksuar se “trimat partizanë e shpëtuan Shqipërinë nga nazistët, fashistët dhe bejlerët”.

Aleati ynë i madh amerikan për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ka bërë vlerësimin se qeveria e SHBA në dhjetor 1943 me anën e sekretarit të shtetit Gordell bënë këtë deklaratë “Qeveria e SHBA kanë konsiderata për qëndresën në vazhdim të popullit shqiptar kundër trupave fashiste italiane dhe nazistëve gjermanë. Përpjekjet kundër armikut të përbashkët të çetave partizane në Shqipëri, ngjalli admirim dhe vlerësim të lartë këtu në SHBA.

Qeveria e BS, më 18 dhjetor 1943 për luftën dhe Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare bënë këtë deklaratë “Qeveria e BS e sheh me simpati të plotë Luftën Çlirimtare që zhvillojnë partizanët shqiptarë”.

Ndërsa në librin e tij, Peter Lugas “Misioni Amerikan në Shqipëri” do të shkruante se “Balli Kombëtar bashkëpunoi me gjermanët pushtues në një qeveri kuislinge dhe së toku me gjermanët luftoi kundër partizanëve… Shtetet e Bashkuara dhe Anglezët në të vërtetë vendosën të mbështesnin komunistët… gjatë nëntë muajve të parë të vitit 1943 partizanët ishin tepër aktiv kundër Boshtit, italianëve dhe gjermanëve, ku bënin pjesë pesë divizione italiane dhe më vonë dy divizione e gjysmë gjermane, duke sulmuar karvanët e tyre e çlironin zona të caktuara”.