Prof. Sami Repishti/ Kur Patriarkana e Stambollit akuzonte Nolin si komunist

880
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” mori nji qëndrim të preme kundër kësaj manovre tinzake dhe në nji Mbledhje Plenare të mbajtun në New York City vendosi të lëshojë nji deklaratë publike ku të sqarohej qëndrimi i saj
Në vitin 1949, Patrikana Greke e Stambollit dërgoi në SHBA një “peshkop” grek “shqipfolës” i quejtur Mark Lipa, me qëllim që të marrë në dorë Kryepeshkopatën Orthodokse Autoqefale Shqiptare, (KOASH) të themelueme dhe të mirëmbajtun nga i ndjeri, Imzot Fan S. Noli. Ardhja e “Peshkop Lipes” shkaktoi nji ndamje të fortë në mesin e popullsisë orthodokse në Amerikë dhe rrezikoi përfundimin e Kishës (K.O.A.SH) në nji degë të Kishës Greke të Amerikës. Në mes të veprimeve anmiqsore të nji grupi të shqiptarëve orthopdoks të Bostonit, ka qenë edhe nji fushatë shpifje e organizueme dhe e drejtueme kundër të ndjerit Imzot Fan S. Noli, kryetar i KOASH-it.
Në numrin e saj 2350, datë 13-19 mars 2015, gaeta “Illyria” e New Yorkut botoi nji përgënjeshrim të plotë të progandës pro-greke të grupit “Peshkop Lipa” shkrue nga mjeshtri i madh i pendës Imzot Fan S. Noli. Me këtë rast, edhe Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” mori nji qëndrim të preme kundër kësaj manovre tinzake dhe në nji Mbledhje Plenare të mbajtun në New York City vendosi të lëshojë nji deklaratë publike ku të sqarohej qëndrimi i saj. Ma poshtë do të lexoni deklaratën në gjuhën shqipe. Me keqardhje duhet të pohojmë se edhe disa ish emigrantë politikë antikomunistë, të zemruem nga qëndrimi i Imzot Fan S. Nolit që shikohej si pro-qeverisë së Tiranës, nxituen dhe përkrahën “Peshkop Lipen” deri sa kuptuen gabimin e tyne. 
Deklarata e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”
Bashkësia shqiptare në SHBA ka mësuar me një keqardhje tronditëse, (megjithëse nuk është habitur) veprimtarinë e kohëve të fundit të ndërmarrë nga Peshkop Mark Lipa kundër Dioqezës Shqiptare Orthodokse në Amerikë, si një tentativë tjetër në përpjekjet e tij për të shkatërruar ose të marrë në dorë këtë dioqezë. Këshilli Qëndror i Federatës “Vatra”, në mbledhjen e tij plenare, i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që mban në ruajtjen e interesave të bashkësisë shqiptare në SHBA, i kushtoi një vëmendje të veçantë këtij rreziku të ri që vjen nga jashtë dhe pas një studimi të imtë të gjendjes së krijuar, vendosi të adaptojë, si parim drejtonjës të qëndrimit të tij kundrejt Peshkop Mark Lipës, deklaratën e bërë nga i ndjeri Metropolit Fan S. Noli, ish – Kryetar Nderi i Federatës “Vatra” dhe – ish Kryetar i Kishës Shqiptare Orthodokse në SHBA. Deklarata thotë sa vijon:
“Patrikana Greke e Stambollit nuk është në luftë vetëm me Kishën në Shqipëri, ajo është në luftë gjithashtu edhe me Kishën Shqiptare në Amerikë. Për këtë qëllim, Patrikana dërgoi Mark Lipen, Peshkop Titullar i Lefkit në SHBA më 1949. Misioni i tij është që të shkatërrojë Kishën Shqiptare Orthodokse në Amerikë dhe të marrë kishat në dorëzim. Pretendimi i tij se është nga raca shqiptare nuk ndryshon aspak situatën. Këtu nuk është fjala për prejardhje kombëtare. Këtu ka rëndësi autoriteti kishtar që ai i shërben dhe natyra e misionit të tij. Ne të gjithë e dimë se ai i shërben Patrikanës Greke të Stambollit dhe misioni i tij është që të vërë shqiptarët orthodoksë të SHBA nën juridiksionin e asaj agjensie greke dhe armike. Për këtë arsye ai është vetëm një peshkop grek, pavarësisht nga origjina e tij. S’ka asnjë dyshim se përpjekja e tij është donkishoteske dhe e pa shpresë. Ai nuk mund të kthejë prapa rrotën e historisë. Këshilli Qendror i Federatës ‘Vatra’ mori në shqyrtim gjithashtu faktin se një propagandë e shthurur ka mpirë ndjenjat e detyrës morale të disa bashkëadhetarëve tanë. Është një krim të ushqesh në mendjet e bashkësisë shqiptare në SHBA iluzionin se zgjidhja e vetme e problemit të krijuar artificialisht në Kishën Shqiptare Orthodokse është të pranosh nji peshkop të paligjshëm dhe që ka bërë veten kryetar të saj. Nuk ka dyshim se është shumë më e ndershme të deklarosh haptas (ashtu siç vepron organizata ‘Vatra’) se një grup njerëzish preferon sundimin e individit më shumë se sundimin e ligjit dhe se ky grup dëshiron të imponojë vullnetin e tij kundër frymës dhe shkrimit të Kushtetutës. Duke manovruar me përmbajtjen e errtë të një letre, ata kanë hedhur poshtë ligjin themeltar të Dioqezës sonë që është formuluar, shkruar dhe aprovuar nga i njëjti lider, kujtimin e të cilit ata pretendojnë të nderojnë sot. Pas një perdeje të mjegullt fjalësh, qëllimi i vërtetë i tyre duket akoma i qartë: ata po përpiqen të krijojnë një precedent në shkeljen e Kushtetutës sot që emocionet kanë arritur kulmin, me qëllim që të jenë të lirë të përsërisin akoma më vonë, sipas kapriçove të një grupi ambicioz, me pikësynimin e fundit të nënshtrojnë plotësisht Dioqezën tonë interesave të këtij grupi. Është pikërisht ky qëndrim i gabuar që përbën rrezikun e vërtetë për Kishën Shqiptare Orthodokse në SHBA. Prandaj ‘Vatra’ ka marrë përsipër detyrën që të vëjë në dijeni të gjithë shqiptarët e Amerikës për faktin se ligji themeltar i njërit nga institucionet tona, d.m.th. i Kishës Shqiptare Orthodokse të Amerikës po shkelet vazhdimisht. ‘Vatra’ vë dukje faktin se është e para herë që bashkësia shqiptare këtu në SHBA po përballon një rrezik të tillë, i cili po të mos ndalohet mund të bëhet vdekjeprurës për Dioqezën Shqiptare Orthodokse në Amerikë. ‘Vatra’ i drejtohet të gjithë bashkësisë shqiptare në SHBA, pa dallim feje dhe bindje politike, të bashkohen në një përpjekje të sinqertë për të zhvilluar akoma më shumë frymën e lirë dhe demokracinë brenda institucioneve tona, duke krijuar kështu një shembull të shkëlqyer për brezenitë e sotme dhe të ardhme. Ne duhet të veprojmë në këtë drejtim për arsyen e thjeshtë dhe themelore se është e vetmja mënyrë e drejtë për të vepruar. Më në fund, Këshilli Qendror i Federatës ‘Vatra’ përkrahu unanimisht deklaratën e bërë nga Presidenti i saj, me të cilen ai premton ndihmë morale dhe materiale të pakursyer për Dioqezën Shqiptare Orthodokse në SHBA në luftën e saj kundër ndërhyrjes së huaj dhe në përpjekjet e saj për të jetuar si një institucion fetar dhe shqiptar i lirë”.
(Këshilli Qendror i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, 12 qershor 1966, Sheraton Atlantic Hotel-New York City).
Sigal