Në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria u shkel nga dy fuqi militare pushtuese, Italia fashiste dhe Gjermania naziste. Gjatë konfrontimit ushtarak midis palëve ndërluftuese, nga ana e okupatorëve pati jo vetëm të vrarë e të plagosur, por edhe robër. Sipas historianit Marenglen Kasmi, vetëm numri i robërve nazistë në Shqipërinë e pas luftës duhet të ketë qenë rreth 1000 vetë. Riatdhesimi i tyre, konform konventave ndërkombëtare, u krye përgjatë viteve 1945-1951. Ata u përqëndruan kryesisht në Tiranë, por edhe në qytete të tjera. Duke pasur parasysh pasojat e rënda, që kishte shkaktuar lufta, qeveria shqiptare e kohës gjykoi se edhe robërit nazistë duhet të përfshiheshin në kantiere të ndryshme të rindërtimit të vendit.
Për ata që llomotitin se gjatë Luftës së Dytë Botrore në Shqipëri nuk pati luftë antifashiste, por luftë civile, me të drejtë shtrohet pyetja: po pushtuesit e vrarë apo robërit nga radhët e tyre, janë produkt i trillimeve artistike apo fakte të pakontestueshme?!

Diktuar nga ky realitet historik, për okupatorët që lanë kockat në Shqipëri, Ismail Kadareja shkroi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ndërsa për robërit, Petro Marko shkroi romanin”Qyteti i fundit” kurse Anastas Kondo shkroi skenarin e filmit artistik “Ura”!
Shkas për këtë shkrim u bë një dokument arkivor (Arkivi i M. Brendshme, Dosja nr.42, V.1946, Fl. 5), ku jepen emrat e 11 robërve nazistë, të cilët i kishin çuar në kanterin e Vranishtit për rindërtimin e objekteve të shkatërruara, shkaktuar këtij fshati martir nga barbaria pushtuese. Në një korespodencë të N/ Prefekturës Llakatund me Komitetin Ekzekutiv të Vlorës përpilohet kjo listë:
- Karl Heckmaner
- Hans Kelsser
- Franz Spanier
- Henrich Michel
- Herman Schram
- Nikolaus Reichmann
- Hans Novak
- Alois Kiefer
- Anton Krauz
- Adam Bracht
- Hubert Ronsenstak
E veçanta e këtij fakti është se numri i robërve nazistë, përputhet me numrin e një pararoje naziste asgjësuar më 18 dhjetor 1943 në Vranisht, gjatë fazës së parë të Operacionit të Dimrit të koduar “Bergkessel” (“Kazani malor”).

Pararoja naziste, që vinte nga Tërbaçi, në rrethana të papritura përballet me një njësit partizan të Brigadës së Pestë afër qendrës së fshatit. Në një situatë të tillë, shkëmbimi i zjarrit ishte i paevitueshëm dhe i menjëhershëm midis palëve ushtarake. Taktikisht, pararoja naziste, për të futur në kurth palën kundërshtare, tërhiqet në dalje të fshatit dhe pozicionohet brenda mureve të një shtëpie të rrënuar në pritje të forcave që vinin nga Tërbaçi, por aty ajo rrethohet dhe shpartallohet nga njësiti partizan që ishte vënë në ndjekje në bashkëveprim me njësitin territorial të fshatit.
Për të treguar dhëmbët e tyre, forcat naziste që mësynë më pas në Vranisht, folën me gjuhën e terrorit duke ekzekutuar nëpër rrugë 10 fshatarë të pa-armatosur, midis të cilëve edhe gra. Për shkak se në rrethinat e Vranishtit ndodheshin forca partizane, jo vetëm të Brigadës së Pestë, por edhe të Brigadës së Parë, nazistët nuk e panë të udhës të përshkallëzonin masakrën, falë edhe një veprimi aktoresk të Aishe Kalemes, e cila qau mbi trupat e nazistëve të vrarë. Ata u kthyen mbrapsht, por nuk fshinë nga memorja grushtin e rëndë që hëngrën në Vranisht.
Hakmarrjen e thellë forcat naziste e konkretizuan më 9 dhe 10 shkurt, kur në zbatim të fazës së tretë të Operacionit të Dimrit “Und dennoch” (“Dhe megjithatë”), masakruan 48 burra dhe gra, 18 në rrugët e fshatit dhe 30 të tjerë në Brataj, pa harruar të shkrumbonin pothuajse gjithë shtëpitë e fshatit.
Gjatë periudhës që 11 robërit nazistë përveshën llërët së bashku me fshatarët vranishtjotë për normalizimin e plagëve sociale të luftës, familjarët e viktimave të masakrës naziste nuk cënuan fizikisht apo moralisht asnjërin prej gjermanëve, si ekzekutorë të gjëmës së madhe që i shkaktuan këtij fshati, Shqipërisë dhe mbarë botës. Një qëndrim i tillë human anë e kënd vendit me robërit e luftës, fisnikëronte popullin e Vranishtit dhe gjithë popullin shqiptar.
Çudia e madhe ndodhi më 1991. Histeria antikomuniste u shpërnda në gjithë vendin si epidemi. Kësaj epidemie nuk i shpëtoi as Vranishti. Pasardhësit e atyre që e futën kokën në qylafin e Ballit Kombëtar, sikur të ishin bijtë e Atilës (monarku fuqiplotë i Huntëve, që në vitin 451 dogjën e plaçkitën çdo vlerë të perandorisë romake në perëndim), ju vërsulën në mënyrën më vandale Muzeut Historik për të kryer një masakër po aq të dhimbshme sa ajo e dimrit 1943-1944, pasi me aktin e tyre antikombëtar, rivranë të rënët duke ju grisur fotografitë e afishuara dhe shkrumbuar dosjet e 50 Dëshmorëve të Atdheut; thyen bustet në allçi të dy Heronjve të Popullit, Sali Muratit dhe Hysen Çinos; asgjësuan gjithë pasurinë dokumentare dhe grabitën reliket e ekspozuara, duke mos kursyer as ato të kohës ilire, për ta kthyer këtë ambjent të memories historike në gërmadhë.
Në këtë muze ishte edhe një libër përshtypjesh për vizitorë të ndryshëm. Më kishte lënë emocion të veçantë impresioni i shkrimtares Natasha Lako, e cila në ligjëratë të drejtë, në mesin e viteve ’70 –të, kishte shkruar vetëm një fjali: “Vranishti, një pushkë e varur në supet e lirisë”. Edhe ndaj këtij libri u veprua ashtu si me gurët kur hidhen në kaminat e gëlqeres, njësoj siç bënë nazistët kur hodhën të gjallë patriotët Rexhep Çino dhe Dalan Kaçin në zjarrin e shtëpive të shkrumbuara.
Vandalët mund të djegin e rrafshojnë çdo gjë, por vlerat e historisë, që janë shkruar me gjak martirësh nuk i fshijnë dot, pasi ato rilindin si feniksi nga hiri.
Pluhur e hi u bë edhe stenda e masakrës naziste. Sa turp!! Për shkak të frymës nihiliste, për gjithë ata, që çështjen e masakrës naziste në Vranisht vazhdojnë ta trajtojnë si ngjarje të mbuluar me mjegull dhe mister, doja që të njiheshin me një dëshmi tepër kruciale, e cila vjen nga pena e një ish kuadri me peshë të pushtetit vendor të Vlorës. Pikërisht bëhet fjalë për Luan Muhametin, ish kryetar i Komitetit Ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit Vlorë, i cili në kujtimet e tij për Sihat Tozaj, midis të tjerash thekson:
“Në fillim të vitit 1983 më erdhën në zyrë Maman Saliu dhe Bejo Xhaferri (sekretar i byrosë së partisë të kooperativës Vranisht-Tërbaç) me kërkesën që vranishtjotët e vrarë nga gjermanët në përroin e Bratit më 1943, të shpalleshin dëshmorë.
Ngarkova njerëz për t’u marrë me këtë çështje dhe pashë e studiova dokumentet përkatëse. Kërkova mendimin e Shefqet Peçit e të Manush Myftiut. I “armatosur” shkova dhe takova Sihat Tozaj. Ai pasi më dëgjoi, më tha se si e kishte gjykuar Komiteti Ekzekutiv më 1979, duke marrë më parë mendimin e Hysni Kapos.
Thirra pas dy-tre muajve Maman Saliun dhe Bejo Xhaferrin dhe iu thashë që vranishtjotët e vrarë nuk plotësojnë kriteret për t’u bërë dëshmorë, pasi Komiteti Ekzekutiv e ka parë këtë kërkesë.
- E ka parë Sihat Tozaj, por jo Komiteti Ekzekutiv, – reagoi i nxehur Mamani.
- Kur e ka parë Sihati, ishte gjallë Hysni Kapua?!
- Po, – m’u përgjegj.
- Ta kishte mbyllur derën ty?
- Jo, – më
- Atëherë pse nuk e zgjidhe në atë kohë me ata që kishe luftuar, por ma kërkon mua që kam lindur në 1945?! Njerëzit që ju dorëzuan gjermanëve me flamur të bardhë në dorë nuk shpallen dëshmorë, – konkludova !
Mamani nuk foli më dhe u largua së bashku me Bejo Xhaferin nga zyra ime”.
Kështu shkruan ky ish zyrtar i lartë i kohës në Vlorë, që nga largësia e viteve, deformon të vërtetën. Por nga ana tjetër, ky zyrtar nxjerr në pah një fakt të pamohueshëm, se çështja e masakrës naziste nuk është lënë jashtë impenjimit maksimal nga strukturat drejtuese të kohës në Vranisht si edhe nga organizata e veteranëve të Luftës.
Luan Muhameti, kur shkruan për ngjarjen në fjalë, ngatërrohet me këmbët e veta.
Së pari. Masakra naziste në Vranisht ka ndodhur në dy faza: më 18 dhjetor 1943 dhe më 9-10 shkurt 1944. Të vrarët në përroin e Bratit, i përkasin datës 10 shkurt 1944 dhe jo vitit 1943, siç shkruan “Luani i Vlorës”. Në Brataj janë vrarë vetëm 30 veta, kurse 28 të tjerë janë ekzekutuar rrugëve dhe shtëpive të Vranishtit.
Së dyti. Maman Saliu së bashku me bashkëluftëtarin e tij të ngushtë Jonuz Mersinin, nuk kanë pritur Luan Muhametin, kur ky ishte kryetar kooperative në Cakran, deri sa të bëhej kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Vlorë për të takuar Hysni Kapon rreth kësaj çështje sensitive, por me inisiativën e tyre e kanë realizuar takimin me të në zyrën e tij në KQ, qysh në fillim të viteve ’70, ku i kanë shprehur shqetësimin për vlerësimin e drejtë të të gjithë personave të masakruar nga nazistët në dimrin 1943-1944. Bazuar nga normat e ngurta të kohës, se dëshmorë nga popullsia civile mund të bëheshin vetëm ata që kishin aktivitet pro luftës, Hysni Kapua i nxiti për të bërë propozimet përkatëse në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, si insitucioni që jepte statusin e “Dëshmorit të Atdheut”.
Së treti. Nisur nga kjo mbështetje politike, strukturat drejtuese në Vranisht kanalizuan zyrtarisht në institucionin vendimarrës informacionin përkatës për ngjarjen shoqëruar me relacione të nominuara për atë pjesë të të masakruarve, që e meritonin statusin e Dëshmorit të Atdheut. Dhe nga ky kontigjent, më 1979 u vlerësuan dëshmorë 24 bijë e bija të Vranishtit.
Meqenëse dikush mund të dyshojë nga kjo që po them publikisht, kam përgjegjësinë morale të shpalos emrat e kësaj liste:
Zeqir Llanaj, Shaban Llanaj, Azem Lamaj, Hamit Lamaj, Sali Xhama, Sinan Xhama, Qerim Shakohoxha, Hyso Shakohoxha, Myftar Tahiraj, Iljaz Tahiraj, Azbi Ramadani, Razi Shyti, Dervish Caraj, Dino Çela, Dervish Skëndomemaj, Shefit Bitri, Rexhep Çino, Trëndafile Hasanaliaj, Sabedi Gjikondi, Mato Limaj, Halim Karroqaj, Mersin Metaj, Yzeir Kongjoni dhe Yzeir Barjamaj.
Pra, emrat e kësaj liste të masakruarish janë shpallur Dëshmorë të Atdheut kur në krye të Komitetit Ekzekutiv ka qenë pikërisht Sihat Tozaj, një nga shtetarët më me vlera të regjimit monist dhe jo siç i katranos dhe i zhvendos ngjarjet në kohë Luan Muhameti.
Vlen të theksohet, se fill mbas çlirimit, nga të masakruarit në Operacionin e Dimrit, ishin shpallur Dëshmorë të Atdheut edhe 4(katër) të tjerë. Konkretisht, Sulejman Limaj e Faik Janushaj (ish partizanë të Brigadës së Pestë), Asqeri Hasanaliaj (ish sekretare e këshillit antifashist të grave) dhe Hajro Çino, aktivist i shquar i lëvizjes antifashiste.
Deri në fund të regjimit komunist, nga 50 Dëshmorë që pati gjithësej Vranishti, për tre periudha kyçe të historisë: Lufta e Vlorës, Lufta Antifashiste dhe përballja me bandat diversioniste, 28 prej tyre i përkisnin pikërisht masakrës naziste.
Të shtyrë nga dëshira e mirë për të vlerësuar si dëshmorë edhe atë pjesë që e meritonte, këmbëngulja e strukturave të kohës në Vranisht mbeti shqetësim permanent. Me këtë preokupacion Maman Saliu dhe Bejo Xhaferi kanë kontaktuar me Luan Muhametin në vitin 1983, për të finalizuar atë punë të mirë që bëri Komiteti Ekzekutiv i Vlorës nën drejtimin e Sihat Tozajt në vitin 1979, por kryetari pasardhës e mbylli këtë rubinet, me poshtërimin që ju bënte viktimave të terrorit nazist se ”ju dorëzuan me flamur të bardhë gjermanëve”!!!
Po pse more zotri (ndjesë pastë), shqetësimi i përfaqësuesve të popullit të Vranishtit në zyrat e pushtetit ekzekutiv ishte që të nderoheshin kapitullantët e luftës apo të vlerësoheshin moralisht të gjithë ata që u martirizuan për lirinë e popullit?!
Ndërsa për ata vranishjotë të dizinformuar për trajtimin e kësaj ngjarje të dhimshme gjatë regjimit komunist, doja t’ju sugjeroja që të analizojnë qëndrimin e Luan Muhametit për të konkluduar se nëse është heshtur, apo është vepruar me përgjegjshmëri të lartë politike dhe ndjesi patriotike?!
Për të vërtetën disa njerëz kërkojnë fakte, kurse gënjeshtrën e besojnë menjëherë.
Dhe personalisht, duke mos kapërdirë dot gënjeshtrat bajate, po servir fakte, jo për t’ju mbushur mendjen nihilistëve, por për të sqaruar opinionin e shëndoshë brenda dhe jashtë Vranishtit se si është e vërteta.
Gjatë gjithë periudhës së shtetit demokratik, me inisiativë të familjarëve, janë shpallur Dëshmorë të Atdheut vetëm 3(tre) prej të masakruarve: Ismail Shakohoxha, Xhevdet Shakohoxha dhe Hariz Varfi. Po për pjesën e mbetur prej 27 personash kujt do t’i vishet qyrku i fajit?! Pra, përgjatë kohës 1945-1979, në 34 vite monizëm, u bënë dëshmorë 28 të masakruar, ndësa në 34 vite demokraci janë bërë dëshmorë vetëm 3(tre) prej tyre!! Bilanci flet vet!!
Borova pati 107 viktima dhe vetëm para tre viteve (më 2022) ata morën statusin e Dëshmorit të Atdheut !! Në Çezmën e Thatë të Beratit më 26 Maj 1944 nazistët masakruan 72 jetë njerëzish, por vetëm njëri prej tyre gëzon statusin e Dëshmorit të Atdheut!!
Atëherë pse qenka “lënë në heshtje masakra naziste në Vranisht”, kur 50% e të masakruarve morën statusin e Dëshmorit të Atdheut?!!
Debati i herëpas hershëm për numrin e Dëshmorëve të Atdheut gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pavarësisht nga tendenca e rrymave të caktuara politike për të nulizuar rezistencën antifashiste, duhet pranuar fakti se numri i Dëshmorëve me të vrarët gjatë kësaj lufte, nuk përputhet! Kjo ka ardhur si rrjedhojë e një logjike absurde të regjimit komunist, i cili i klasifikoi të rënët në dëshmorë dhe viktima. Numri i 28.000 të rënëve, i deklaruar në Konferencën e Paqes në Paris më 1946 nga kryeministri i Shqipërisë, ishte i saktë, por ky numër u amplifikua më pas si 28’000 dëshmorë.
Vetëm nga Vranishti gjatë Luftës Antifashiste ranë në fushën e nderit 92 bij e bija, por nga ky kontigjent, kanë statusin e dëshmorit 49 veta, ndërsa 27 të masakruar dhe 16 të vrarë si pasojë e luftës italo-greke vazhdojnë të cilësohen viktima.
Një situatë e ngjashme është pothuajse në gjithë vendin, kudo ku pati masakra dhe bombardime nga okupatorët nazi-fashistë. Gjykimi i ngurtë për këtë çështje, nuk e nderon shtetin e djeshëm.
Përsa u përket korit të shpirtkalburve, që për masakrat që bënë okupatorët anë e kënd vendit, i mëshirojnë ata si “njerës paqësorë” dhe anatemojnë luftëtarët antifashistë si “shkaktarë”, le të vazhdojnë avazin e tyre për t’u përçmuar nga pjesa dërrmuese e popullit si patriotë folklorikë, fals dhe të shtirur.
Koha për të çertifikuar Dëshmorë të Atdheut të gjithë ata që u masakruan nga bisha nazi-fashiste ka ardhur. Aktualisht, shteti demokratik nuk e ka thjesht detyrim moral, por edhe ligjor. Prandaj, duke lënë mënjanë retorikën e zbrazët dhe narrativat shterpe, nga të preokupuarit e kësaj çështjeje, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve si edhe institucionet shtetërore të merren inisiativa konkrete për të operuar konform procedurave ligjore të liberalizuara duke gjykuar me urti për të bërë një vlerësim realist.


















