Inxh. Emin Musliu/ Potenciali hidroenergjetik i vendit dhe masat e marra për shfrytëzimin

592
Shqipëria me sipërfaqen e saj prej 28.748 km2 në përgjithësi është një vend malor, ku 70% e zënë malet, kodrat, sipërfaqet e liqeneve dhe shtretërit e lumenjve. Lidhur me pasuritë ujore dhe potencialin hidroenergjetik të saj, ajo radhitet ndër vendet e para në Europë për frymë të popullsisë. Territori hidrografik i Shqipërisë ka një sipërfaqe prej 44.000 km2 ose 57% më shumë se territori shtetëror i vendit tonë. Lartësia mesatare e territorit hidrografik të Shqipërisë është rreth 700 m mbi nivelin e detit.
Shqipëria është një vend me reshje relativisht të shumta.
Në territorin hidrografik të saj bien mesatarisht rreth 1400 mm shi në vit. Në lartësinë mbi 1000 m bien reshje dëbore e në zonat e thella malore dëbora qëndron për disa muaj, duke siguruar në këtë mënyrë furnizimin me ujë të lumenjve për periudhën e pranverës e deri diku dhe në verë. Megjithatë, për arsye të shpërndarjes jo uniforme të reshjeve gjatë stinëve të vitit, edhe prurjet e lumenjve kanë ndryshime të mëdha. Në periudhën e dimrit prurjet e lumenjve janë të shumta, ndërsa në periudhën e verës ato bien ndjeshëm. Kjo është një nga karakteristikat themelore të lumenjve tanë në përgjithësi, pasi rreth 70% e prurjes së tyre vjetore derdhet në periudhën e ftohtë të vitit e rreth 30% derdhet në periudhën e ngrohtë. Prurja mesatare shumëvjeçare e rrjedhjes së përgjithshme të lumenjve tanë është rreth 1245 m3/sek, e një rendi me lumenjtë e njohur të Europës, që derdhen në detin Mesdhe, si lumi Po (me prurje 1275 m3/sek) dhe lumi Ron (me prurje 1350 m3/sek). Të gjithë lumenjtë e Shqipërisë, me përjashtim të lumit të Vermoshit, e kanë drejtimin e rrjedhjes nga lindja në perëndim dhe derdhen kryesisht në detin Adriatik e pjesërisht në detin Jon. Lumenjtë më të rëndësishëm të Shqipërisë për nga prurjet janë Buna, me një prurje mesatare shumëvjeçare prej 652 m3/sek e më pas Drini me 340 m3/sek, Vjosa me 210 m3/sek, Semani me 101 m3/sek, Mati me 74 m3/sek, Shkumbini me 60 m3/sek etj.
Rrjet i tërë lumenjsh
Përveç këtyre lumenjve kryesorë, për vetë natyrën e tij fiziko-gjeografike, vendi ynë ndërpritet nga një rrjet i tërë lumenjsh e përrenjsh malorë, që kanë burimet ujore 500-1000 m mbi nivelin e detit dhe kanë vlera të mëdha hidroenergjetike. Ndër lumenjtë malorë, që kanë rezerva ujore dhe potencial hidroenergjetik të konsiderueshëm, përmendim Valbona, Curraj, Cemi, Fani i Madh e Fani i Vogël, Kiri, Gjadri, Mati, Erzeni, Osumi, Devolli, Shkumbini, Smokthina, Bënça etj. Megjithëse prurjet e këtyre lumenjve janë relativisht të vogla, ato kanë rënie të mëdha dhe bëjnë që potenciali hidroenergjetik i tyre të jetë i konsiderueshëm për vendin tonë. Të gjitha këto e bëjnë Shqipërinë një vend të pasur për nga rezervat ujore dhe potenciali hidroenergjetik që mund të shfrytëzohet për arritjen e vlerave të rëndësishme në zhvillimin e vendit. Nga studimet paraprake të bëra, rezulton se potenciali hidroenergjetik i mundshëm për t’u shfrytëzuar arrin në rreth 20 miliardë kwh në vit.
Në konferencën e parë shkencore
Në nëntor 1969, në konferencën e parë shkencore të Ministrisë së Ndërtimit, u mbajt nga unë referati për këtë potencial dhe në emër të studiuesve, projektuesve dhe ndërtuesve, u deklarua se të gjitha veprat hidroenergjetike në të ardhmen do projektohen dhe ndërtohen nga specialistët tanë, çka u bë realitet me ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, Fierzës dhe Komanit. Në këtë vit popullsia e Shqipërisë kishte arritur rreth 2000000 banorë dhe duke iu referuar potencialit hidroenergjetik të llogaritur në atë kohë sipas një studimi të bërë, i binte që për çdo banor ne të kishim rreth 10000 kwh energji elektrike në vit.
Pasuria e burimeve tona hidroenergjetike dhe leverdia e tyre ekonomike vjen nga një sërë faktorësh gjeografikë dhe klimaterikë, si: Reshjet relativisht të bollshme – lumenjtë kanë relativisht prurje të mëdha për sipërfaqen ujëmbledhëse. Relievi relativisht i lartë bën që energjia potenciale e lumenjve të jetë e madhe krahasuar me prurjet.
Lumenjtë tanë kanë një pjesë të territorit ujëmbledhës jashtë kufijve të Shqipërisë.
Ndërsa në pjesën më të madhe të vendeve evropiane lumenjtë kryesorë nuk mund të shfrytëzohen për energji elektrike, pasi luginat e tyre përbëjnë pjesën kryesore të sipërfaqes ku janë zhvilluar industria, bujqësia, komunikacioni, janë vendosur qendrat e mëdha të banimit etj., në vendin tonë pjesa më e madhe e luginave të lumenjve kryesorë, si: Drini, Vjosa, Devolli, Osumi, Mati, Valbona etj., janë pak të banuara. Rrjedhimisht, këta lumenj, e sidomos lumenjtë malorë, mund të shfrytëzohen plotësisht me dëmtime relativisht të vogla për sa u përket përmbytjeve. Cilësia e burimeve tona hidroenergjetike lidhur me prurjet e lumenjve gjatë periudhave të ndryshme të vitit, arrihet me ndërtimin e liqeneve artificiale. Hidrocentralet tona ekzistuese kanë një rregullim vjetor të fuqisë mesatare të tyre. Hidrocentrali i Vaut të Dejës në fillim nuk pati rregullim, por, me ndërtimin e hidrocentralit në Fierzë, të gjitha hidrocentralet tona në shfrytëzim kanë tashmë një rregullim të plotë vjetor. Ndërkohë, në ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës bëhet edhe rregullimi shumëvjeçar. Hidrocentrali i Skavicës mbi lumin Drin i Zi, sipas studimeve të bëra në vitin 1963 me skemën e shfrytëzimit hidroenergjetik të Drinit, jep mundësi që akumulimi i tij të bëjë një rregullim pothuaj të plotë shumëvjeçar për vete dhe për të gjitha hidrocentralet e Drinit. Me liqenin e tij artificial kolos me mbi 6 miliardë m3 ujë, ku depozitohet një energji prej 6.5 miliard kwh, ai jep mundësinë që fuqia e siguruar me 90% e gjithë hidrocentraleve të Drinit të jetë mbi 95% e fuqisë mesatare të tyre. Për më tepër, duke u shfrytëzuar si rezervuar kompensimi, ai do të bëjë në të ardhmen që hidrocentralet e ndërtuara në lumenjtë e Shqipërisë të kenë një fuqi të siguruar të lartë edhe nëse hidrocentralet në lumenjtë e tjerë të mos kenë rezervuar rregullimi. Një cilësi e tillë e burimeve hidroenergjetike është padyshim një gjë jashtëzakonisht e rrallë dhe me vlera të mëdha. Për të mbushur rezervuarin e Skavicës me ujin që sjell Drini i Zi, deri në nivelin e tij normal, duhen dy vjet. Krijimi i rezervuarit të Skavicës natyrisht do të shkaktojë përmbytjen e rreth 5000 hektarëve tokë, por, po të marrim në konsideratë anët pozitive të tij, duhet thënë se është një vepër që vlen shumë për të ardhmen e vendit. Me ndërtimin e tij bëhet i panevojshëm krijimi i rezervuarëve të mëdhenj në lumenjtë e tjerë dhe për pasojë përmbytjet në këta lumenj, si në Vjosë etj., të jenë sa më të pakta. Në kushtet e reja të krijuara, kjo pjesë e Drinit të Zi duhet të studiohet me kujdes.
Zonat që krijohen nga ndërtimi i disa rezervuarëve (liqeneve), që në shumicën e rasteve janë zona malore mjaft tërheqëse, do zbukurojnë më shumë natyrën dhe lundrimi në këto liqene me ujë të kulluar do të jetë një kënaqësi e veçantë. Liqenet artificiale të krijuara gjer më tani, si liqeni i Ulzës, i Shkopetit, liqeni i vogël i Bistricës dhe sidomos liqenet e mëdha të Vaut të Dejës, Fierzës e Komanit kanë bukuri të rrallë. Liqeni i Vaut të Dejës rrethohet nga male të larta të veshura me gjelbërim dhe mjaft tërheqëse; liqeni i Fierzës rrethohet po ashtu nga male të larta dhe të pyllëzuara; liqeni i Komanit me grykat e tij e me male të larta është mjaft tërheqës. Uji i këtyre liqeneve është i kulluar dhe në ditë me diell reflektimi i natyrës në sipërfaqen e ujit është mjaft i këndshëm. Buzë këtyre liqeneve do të ngrihen qytete e fshatra dhe popullsia që do të banojë atje do të njihet edhe me elemente të reja të jetës, si: lundrimi, peshkimi, transporti ujor, turizmi etj. Në secilin prej këtyre liqeneve mund të ngrihen qendra turistike (hotele, restorante, pishina, vila etj.), ku mund të pushojnë mijëra njerëz. Organizimi i lundrimeve në këto liqene duhet të jetë më i mirë në të ardhmen.
Sigal