Prof. Qemal Lame: Ja kush e vuri në shënjestër poemën “Gard krutane” të Kol Jakovës dhe romanin “Dasma” të Kadaresë

1084
Sigal

Mbi qarkullimin e kuadrit dhe kontrollin punëtor

Në lidhje me politikën e qarkullimit të kuadrit, elementi armik shprehet se: “Në këtë mënyrë likujduan njerëzit e dyshimtë, kurse me kontrollin punëtor duan të likujdojnë disa drejtues që për këta janë të padëshirueshëm dhe të justifikohen  sikur  i heq masa.  Nga  ana  tjetër,  duan të bëjnë  sa  më shumë spiunë”. Një element armik në Durrës thotë: “Që të jetosh sot duhet të jesh servil, të jesh i poshtër dhe spiun se kështu të duan këta”. Kurse një element antiparti në Lushnjë shprehet kështu: “Ne kemi kritikuar me kohë treshet në ndërmarrje, por këta nuk na kanë dëgjuar. Këta kanë ekzistuar dhe  do të ekzistojnë, por  këta  i  godasin  tani  për  të justifikuar veten  dhe të trembin të tjerët”. Në Rrëshen një element armik thotë: “Masa nuk mund ta kalojë cakun e kritikës, pse ajo nuk mund të kritikojë sistemin shoqëror, politik dhe ekonomik ashtu siç bëhet në Çekosllovaki. Diktatura e proletariatit tek ne nuk drejtohet nga masat, por nga Partia”…

Mbi letërsinë, artin dhe kulturën

Ka pasur   komente   nga  disa   intelektualë,  të  cilët   të  influencuar   nga

ngjarjet e jashtme, në mënyrë të ndryshme shprehen kundër masave të

Partisë  për  revolucionarizimin e artit  e kulturës,   flasin  për  “censurë”,  që gjoja ekziston në krijimtarinë tonë artistike dhe në botimet tona, për receta dhe diktime nga lart, për apolitizim, liberalizëm dhe demokratizim si kushte të domosdoshme për zhvillimin e artit dhe të letërsisë sipas shembullit të Çekosllovakisë dhe vendeve të tjera revizioniste, lidhur me këtë thonë: “Iku koha e dikurshme e shfaqjeve, tani gjendja e artit po bëhet keq e më keq.”

Se ajo që të kënaq dhe të zbut ndjenjat është muzika klasike, por këta duan që njeriu të jetë i vrazhdë, ashtu siç është dhe jeta dhe koha jonë. Tani nuk ka më muzikë në vendin tonë, dhe po të vazhdojë kështu, për 2-3 vjet gjithçka do të mbarojë. Në Shqipëri është thënë shumë herë se njerëzit kanë të drejta të flasin  dhe të shkruajnë  në shtyp ato që mendojnë, por po të flasësh  lirisht,  fillojnë  menjëherë  presionet.  Të gjitha  këto që po dëgjojmë, na bëjnë që librat dhe dijet për marksizmin t’i mbledhim dhe t’i hedhim poshtë. Si është bërë sot, as që duhet shkruar  gjëra  në konflikte  shoqërore, se i nxjerr telashe vetes, duhet bërë siç bëjnë disa njerëz krejtësisht të patalentuar,  drama,  pllakate, pa konflikte  dhe boshe,  në të cilat  nuk  sheh asgjë artistike. Këta (Partia) i bëjnë gjërat të maskuara, p.sh., kur një njeri sipas tyre duhet diskredituar, caktojnë njerëz që t’i vënë fletë-rrufe, ose mbledhin kolektivin ku ka njerëz të porositur që më parë që të ngrihen dhe ta godasin e kjo duket sikur del nga masat: por në të vërtetë asgjë nuk del nga masat dhe çdo vendim përgatitet nga lart.

Disa intelektualë shprehin pakënaqësinë lidhur me mungesën e kontaktit me botën e jashtme, me artin dhe kulturën botërore dhe thonë se me këtë mënyrë nuk mund të zhvillohet shkenca dhe kultura në vendin tonë. Lidhur me  këtë  një  intelektual në  Durrës  shprehet:  “Neve   si  inxhiniera nuk  na krijohet mundësia të shprehim aftësitë tona, mbasi na është mbyllur rruga për literaturën e huaj, në Tiranë njerëzit që merren me përkthime janë bërë si të hutuar. Këta po e shtrëngojnë punën dhe duan të bëjnë pastrime dhe në art e letërsi, ashtu siç bëjnë kinezët, për t’u dhënë atyre të kuptojnë se edhe ne ecim paralel me revolucionin kultural”. Kurse në Shkodër një intelektual thotë: “Politika është vënë mbi artin, kjo nuk është aspak e drejtë, mbasi populli ka nevojë për art dhe jo për politikë. Po të botohen vepra,  njëra politike  dhe tjetra artistike, kuptohet se do të lexohet  më tepër kjo e fundit. Po të vazhdohet kështu, do të arrijmë në eliminimin e çdo gjëje artistike, duke zëvendësuar atë me politiken.

Këta, duke vënë politikën në plan të parë dhe mbi artin, nuk lejojnë përkthimin e veprave më të mira të letërsisë dhe artit botëror”. Komente dhe parulla ka pasur edhe rreth diskutimit që është bërë kohët e fundit në rrethet letrare mbi poemën “Garda krutane” të Kolë Jakovës dhe romanit “Dasma” të Ismail Kadaresë. Për të parën shfaqen mendime se është kritikuar pa të drejtë, kurse për të dytën thonë se ai është mohim i realitetit tonë dhe se mbrohet pa të drejtë. Kështu, një element armik në Krujë thotë: “Letërsia e realizmit socialist është e dobët, nuk pasqyron drejt realitetin, bile shpeshherë e shëmton dhe kjo shfaqet dhe në romanin ‘Dasma’”.

Një shkrimtar thotë se: “Kritiku i ‘Dasmës’ është një prozator i madh dhe një sërë çështjesh i ka pasë të drejta. Romani ‘Dasma’ nuk e meriton, atë e lavdëruan me pa të drejtë dhe e ngritën në qiell, sidomos për ato pjesë që të gjithë i shohin se është për tokë”. Kurse një shkrimtar tjetër shprehet se: “Kjo vepër gjithçka mund të jetë, por socialiste jo”. Një letrar i ri në Laç thotë: “‘Tuneli’ i Dhimitër Xhuvanit nuk është më i keq se ‘Dasma’ e Ismail Kadaresë, kjo është 100 herë më e poshtër se ‘Tuneli’”. Një tjetër letrar në Laç është shprehur se romani “Dasma” është si ato që thotë shoku Mehmet, që: “99 rreshta i lyen me sheqer dhe vetëm 1 me helm, por te ky roman ka 1 me helm dhe 98 boshe”. “Edhe romani ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, vazhdon ky, “është krejtësisht me frymë revizioniste. Në radhët e shkrimtarëve ka komente se në veprat e Kadaresë, si ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Përbindëshi’, ‘Dasma’, nuk ka përmbajtje të shëndoshë komuniste, se nën pretekstin e frymës së re, ai sjell idetë revizioniste në letërsi,  por ky  përkrahet  nga  të mëdhenjtë  dhe s’guxon njeri  ta kritikojë”.

Me sa shohim nga analiza e këtyre të dhënave, në disa rrethe letrare që janë

krijuar në disa qendra industriale e qytete të vogla, rezulton se kontrolli i organeve përkatëse nuk është në lartësinë e duhur. Këto kanë një përbërje heterogjene dhe në to bëjnë pjesë edhe elementë të deklasuar me qëndrim jo të mirë politik. Kështu ka ndodhur, për shembull, në Laç ku të tillë elementë kanë qenë drejtues të rrethit letrar. Këtu janë bërë diskutime për teza të ndryshme dhe janë paraqitur edhe shkrime me frymë jo të shëndoshë dhe në diskutimet rreth këtyre nuk nisen nga pozita partie, por krejtësisht nga pozita sentimentale dhe për të mbrojtur njëri-tjetrin, duke marrë në mbrojtje edhe vepra dhe persona që janë kritikuar edhe në shtyp. Kështu, për shembull, kur u botua në gazetën “Drita” kritika mbi “Gardën krutane”, këta, pasi kanë diskutuar, kanë përgatitur një letër proteste për shtypin, për të cilën u mor edhe mendimi i autorit, por ky u tha: “Këtë letër të mos e nisni, pasi më dëmton mua shumë”. Po kështu, kur doli artikulli që demaskonte kritikuesin e “Dasmës”, aty pati elementë që u shprehën kundër autorit të romanit në këtë mënyrë: “Le të ngrihemi të gjithë dhe t’i japim atë që meriton këtij kokoshi të përkëdhelur të autoriteteve”.