Si u vra në 28 Qershor 1389, Sulltan Murati nga Milloshi nga Kopiliqi i Drenicës
Sulmi mbi Gadishullin Ilirik dhe strategjia e pushtimit osman me vrasje dhe plaçkitje
Shqiptarët dhe 632 -vjetori i betejes së Fushë Kosovës
Mënyra se si Sulltan Bajaziti e vendosi Kosovën 610 vjet nën Serbi (1389-1999)
Sulmi mbi Gadishullin Ilirik dhe strategjia e pushtimit osman me vrasje dhe plaçkitje
28 Qershori 1389 është dita e triumfit të pushtuesve osmanë mbi koalicionin e ushtrive të vendeve ballkanike që mbronin lirinë dhe territoret e tyre nga strategjia pushtuese e osmanëve.
Popujt e Ballkanit, e në veçanti Arbëria, u sulmuan dhe u masakruan në mënyrën më të egër e më të llahtarshme. Për këtë arsye, për shqipëtarët dhe popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, 28 Qershori është dhe duhet të kujtohet si dita më e zezë e historisë.
Në kuadrin e strategjisë së pushtimit, bandat dhe ushtarët e panumërt që vinin nga Azia, zbatonin mënyrat më të egra të torturës, të djegieve, të plaçkitjes, të vrasjeve e të shpërnguljeve masive të popullsisë. Gjithë këtë masakër përpiqeshin ta justifikonin duke u fshehur nën islamin politik apo islamin ushtarak, (siç e quajnë autorët e mesjetës), i cili predikonte që vendet e të pafeve (vendet e të krishterëve), duhen ndriçuar me fenë islame dhe se të pafetë e pabindur, duhen shkuar në shpatë. Në lidhje me krimet dhe barbaritë që osmanët kryenin, Kantakuzeni tregon se si ushtarët dhe komandantët osmanë, ishin indokrinuar deri në atë masë, saqë besonin që kush vritej në betejat kundër të krishterëve, ose kush vriste e masakronte më shumë të krishterë, do të merrte menjëherë shpërblimin më të lartë nga allahu. Nga ky këndvështrim, islami ushtarak që solli dhe përhapi ushtria osmane, nuk ka asgjë dhe asnjë pikë të përbashkët me islamin kuranor, e as me profetin Muhamet. Në fillimet e veta, ajo që më vonë do të quhej ushtria osmane, përbëhëj nga fise dhe banda kalorësish të egër, të cilët masakronin e plaçkisnin çdo gjë që ju dilte përpara. Ndërsa thelbin e mënyrës së pushtimit e përbëjnë vrasjet, shfarosjet masive dhe shpopullimet e vendeve evropiane, të shoqëruara me sjelljen e vazhdueshme të kolonëve nga Anadolli dhe vendet e egra të Azisë. Osmanët kaluan urën e Bosforit dhe u vendosen për herë të parë në Evropë në vitin 1354. Ndërsa në vitin 1361, pushtuan Adrianopojën dhe e shpallën kryeqytetin e tyre të përkohshëm në territorin e Evropës. Menjëherë pas pushtimit, Adrianopojën e pushtuar me shpatën e mizorisë, e populluan me kolonë të sjellë nga Azia. Ashik Pashazedeja, shkruan se: “Luftëtarët muslimanë zunë pronën e të pafeve dhe zbrazën shumë prej pallateve të tyre. Ai (Sulejman Pasha) i dërgoi fjalë t’et, Orhan Gaziut, me zellin dhe fatin e të cilit Rumelia u pat pushtuar. Tani të pafetë morën fund me gjithësend. Tani e mbrapa këto kështjella e qytete të sapopushtuara duhen mbushur me myslimanë. Ki mirësinë e na dergo shokë të fuqishëm – yarar yoldas”. Në këtë rrugë e mënyrë, u përgatit edhe sulmi Osman dhe fitorja e tyre historike në Fushën e M’llijave, apo siç quhej ndryshe Fusha e Madhe e Dardanisë. 28 Qershori 1389, është duhet të kujtohet si dita e pushtimit Osman të Ballkanit.
Që nga ajo ditë, duket sikur është ngrirë e stopuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe zhvillimi mbi baza historike, kulturore, morale, mirëbesimi e zhvillimi të demokracisë dhe të fqinjësisë së mirë. Në mënyrë specifike, për shqiptarët nuk ka patur as edhe një ditë të bardhë dhe nuk është kryer as edhe një punë për së mbari.
Sulltan Murati dhe mënyra se si është vrarë në Fushën e madhe të Dardanisë
Historia tregon mënyrën se si arbërit, dardanët, dalmatët, etj, për shkak të pushtimit osman, humbën shumicën e territoreve të tyre, përkundrejtë osmanëve pushtues të cilët e rritën perandorinë e tyre me mbi 461 herë. Këtë realitet mund ta lexoni më gjerësisht tek libri me titull “Osmanet-me personalitetet dhe institucionet e tyre monumentale”, i shkruar nga Osman Nuri Topbash (Istambul, 1999), ku thuhet që Osman Gazi (1258-1326), është djali i Ertugrul Gaziut që hodhi themelet e perandorisë pushtuese osmane. Osmani është sulltani i parë i dinastisë së sulltanëve osmanë, i cili përmes pushtimeve, arriti që territorin e tribusë së tij, ta zgjerojë nga 4800 km 2 në 16 000 km2. Ndërsa i dyti sulltan që vazhdoi strategjinë dhe projektin e pushtimeve pas Osmanit, ka qenë djali i tij, Orhan Gaziu (1281-1360). Në vitin 1326, sulltan Orhani ka pushtuar Bursën. Historia tregon se si brenda 33 viteve, sulltan Orhani e gjashtëfishoi territorin osman, duke e zgjeruar nga 16 000 në, 95 000 km2.
Sulltani i tretë Osman në radhë e që është vrarë në Fushë Kosovë, ka qenë Murati (1326-1389). Sulltan Murati është mbiquajtur “prijës luftërash”, “Sheh ahi”, “Shehid-Dëshmor”, etj. Ky është sulltani që pasi siguroi rendin e qetësinë në Anadoll, ju sul me shpatë e mizori Rumelisë, ku e copëtoi e degradoi përgjithmonë territoret Iliro-Arbënore në zemër të Evropës.
Përballë këtij sulmi, shtetet e krishtera të Ballkanit organizuan një ushtri, që sipas disa kronikanëve, shkonte në 100 000 luftëtarë. Ndërsa ushtria osmane erdhi valë-valë nga Azia, duke arritur në mbi 150 mijë ushtarë. Në mëngjesin e 28 Qershorit 1389, ushtria osmane është rreshtuar për luftë. Në qendër qëndronte vetë Sulltan Murati, në krah të djathtë ishte djali i tij Bajaziti, kurse në krahun e majtë, ishte princi Jakup Qelebi. Kronikani Osman i asaj beteje shkruan: “osmanët e shkundën Fushë Kosovën në qëndër të Evropës”. Sulltan Murati, thuhet që e kaloi zgjuar natën e fundit në Fushë Kosovë. Fjalë për fjalë shkruhet që:“pasi kaloi një natë plotë furtunë aty, (Nata e Beratit), fali dy zeqate namaz dhe u lut me lot në sy për fitore”. Në mëngjesin e disfatës së madhe të ushtrive ballkanike, shkruhet se era e fortë që frynte ndaloi dhe se filloi të binte një shi i lehtë. Para fillimit të betejës, thuhet se Murati mbajti para ushtarëve fjalimin historik, në të cilin ju tha: “Flamuri ynë do të valëvitet sot fitimtar, në këtë shesh të Kosovës, e do të përparojë drejt brendësisë së Hungarisë, e do të bëhët shkak për lartësimin e fjalës së Allahut në të gjithë Rumelinë”. Sulmi frontal i osmanëve filloi në mëngjesin e datës 28 Qershor 1389 dhe vazhdoi për 8 orë me radhë, e ku thuhet se ushtria e krishterë u asgjësua pothuajse tërësisht. Në vazhdim shkruhet se, pas fitores, kur Murati po kalonte nëpër fushë betejë për të parë për të plagosurit, në momentin që po pyeste një të plagosur, nga grumbulli i të plagosurve, u ngrit një ushtar dardan (Milloshi nga Kopiliqi i Drenicës) e i tha: “Lermëni t’ia puth dorën padishahut, pasi mbreti Lejan është kapur, e tani po e sjellin” Tregohet se rojet e sulltanit u hutuan duke parë mbretin Lejan të lidhur, ndërsa Milloshi i plagosur ia nguli në gjoks Muratit thikën që nxori nga mënga e këmishës dhe e shqeu me gjithë forcën e shpirtit. Tregohet se e shqeu me thikë deri në mjekër dhe la të vdekur në vend. Rojat e kapën vrasësin e Sulltanit dhe e vranë duke e prerë copa-copa. Ndryshe nga sa është folur për varr e për kufoma, në fakt vetëm organet e brendshme të trupit të sulltan Muratit, i copëtuan me hanxhar, dhe i varrosën në vendin ku është vrarë. Në atë vend është ndërtuar edhe një tyrbe. Kurse kufoma e sulltanit është transportuar dhe është varrosur në Bursa, aty pranë xhamisë së ndërtuar prej tij, në lagjen Çekirgë, ku është ndërtuar edhe një tyrbe e tjetër e dytë. Pas vitit 1389 e deri më sot, tyrbja në Fushë Kosovë, ka shërbyer si vend peligrinazhi dhe është shpallur vend i shenjtë. Ky objekt, edhe pas vitit 1912, me një marrëveshje dhe ligj të posaçëm, mbrohet nga Turqia. Kujtoj faktin që edhe sulltani i tretë, Murati, mbretëroi 20 vite duke pushtuar e zgjeruar territoret e perandorisë mbi tokat dhe territoret e Evropës. Përmes pushtimeve, principatën e vogël me 95 000 km2, që trashëgoi nga i ati, e zgjeroi në 500 000 km2, dhe e shndërroi në një perandori të madhe.
Mënyra se si Sulltan Bajaziti e vendosi Kosovën 610 vjet nën Serbi (1389-1999)
Pas rënies së dinastisë së Nemanjave në vitin 1355, në fronin e Serbisë është ngjitur Lazar Grebljaniviç, djalë i lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore e Stefanit Dushan. Dihet shumë mirë fakti që pas divorcit të Stefanit me Evdhoksi Engjëllin Komnenën, princi Radon, që ishte nipi i Aleks Komnenit (themeluesit të Despotatit të Epirit), është bërë mbret i Dalmacisë. Ndërsa Stefani është bërë mbret i Serbisë dhe është martuar me një princeshë anzhuine, nga ku e kanë origjinën 5 brezat e njohur të dinastisë së Uroshit. Pavarësisht nga fakti se si është manipuluar me origjinën dhe demografinë e shqiptarëve, dinastia mbretërore e Stefanit dhe dinastia e mëvonëshme e Karagjorgjeviçit (që rrjedh nga Gjergj Pjetra, djali i Pjetër Marashit të fisit Iliro-Dalmat të Kelmendit), që të dyja janë dinasti me origjinë Arbënore –Stefani, dhe Dalmate – Gjergji. Mbreti Lazar nuk ka patur qëndrim korrekt me fqinjët, e as me shtetet e Evropës që kërkonin ndaljen e bashkëpunimit të tij me osmanët. Nga ana tjetër, edhe beteja e përgjakshme midis ushtarëve elitë të ushtrisë osmane dhe forcave shqiptare të komanduara nga princi Gjergj Balsha I, e cila është zhvilluar në Savër të Lushnjes në vitin 1385, i dha një goditje të rëndë qëndresës dhe gjithë faktorit politik e ushtarak Arbënor. Ky dobësim ka ndikuar shumë në fitorën e ushtrisë osmane në betejën e Fushës së Madhe të Dardanisë. I ashtuquajturi “koalicioni i të krishterëve ballkanas”, drejtohej nga despoti Lazar, që herë bëhej vasal i sulltanit, e herë ngrinte krye kundër tij. Ndërsa dihet që, beteja është zhvilluar në një territor krejtësisht shqiptar (Dardani), e ku kanë marrë pjesë të gjithë princat shqiptarë. Kronikat e kohës e theksojnë pjesmarrjen e shqiptarëve në koalicionin e krishterë, ata janë shënuar me termat: “Arnavud”, “Arnavud Askeri”. Në formacionin e rregullt ushtarak të ballkanasve, në mes qëndronte despoti serb Lazar, me të birin. Kurse në të djathtë kishte nipin dhe dy dhëndurrët e tij, Vuk Brankoviçin dhe Gjergj II Balsha, i cili qëndronte në krye të luftëtarëve nga Dalmacia, nga Zeta, Shkodra, Pulti, etj. Në këtë formacion ka marrë pjesë edhe Theodor Muzaka me luftëtarë të ardhur nga Desartia dhe Muzakia. Kurse nga ana e majtë, qëndronte princi i Bosnjes dhe Dhimitër Jonima (Jund Oglu në burimet osmane), etj. Ndërsa Murati që qëndronte në mes të ushtrisë osmane e që mbante në krahun e djathtë djalin e tij, Bajazitin. Vlen për të theksuar faktin që, pas vrasjes së sulltan Muratit nga Millosh Kopiliçi, despotin Lazar të kapur rob, e ekzekutojnë osmanët në Fushën e Dardanisë, duke e bërë copa -copa. Ndërsa sulltani i ri i osmanëve, është shpallur menjëherë Bajaziti, i cili ka marrë menjëherë në dorë veprimet e mëtejshme për ndarjen dhe copëtimin e rajonit të pushtuar. Siç dihet e që duhet të theksohet sa më shumë, menjëherë pas disfatës, sulltan Bajaziti i thirri në bisedime dy djemtë e Stefanit Lazareviç dhe nënshkroi me ta një traktat, përmes të cilit, ua njihte zotërimet e të atit në Serbi, me kushtin që ata të paguanin taksat rregullisht, dhe të vinin me ushtri në shërbim të sulltanit, sa herë që të ishte nevoja. Me të njëjtin traktat, mbreti serb do t’i jepte sulltanit motrën, (Elivertën) për martesë kanonike, nga e cila lindi sulltan Mehmeti (Mehmet pushtuesi), i cili sulmoi me egërsi dhe dogji, plaçkiti, vrau dhe masakroi kudo qytetet, kalatë dhe popullsinë shqiptare, para dhe pas vdekjes së Skendërbeut. Sipas traktatit, në krye të vitit, të dy djemtë e Lazarit (Stefani dhe Vuku), e shoqëruan motrën e tyre deri në Stamboll, ku dhe qëndruan për një kohë të gjatë pranë sulltan Bajazitit. Ajo që duhet të kuptojnë kosovarët dhe shqiptarët, ka të bëjë me faktin që, në një traktat tjetër të po asaj dite të zezë, sulltan Bajaziti ja dorëzoi Dardaninë-Kosovën, Vuk Brankoviçit (dhëndrrit të Llazarit), i cili u caktua për ta administruar e për të grumbulluar taksat. Ndërsa dy vite më vonë, në vitin 1391, sulltani do të dërgonte në Kosovë, Jixhit Beun, i cili futi në dorë minierat e Kosovës, më pas pushtoi edhe Shkupin dhe në fund, u vetëshpall edhe guvernator. Ka shumë kronika, deftere e traktate që tregojnë se edhe në Kosovë dhe rajone të tjera të Shqipërisë, pushtuesit osmanë zbatuan të njëjtën praktikë dhune, shpopullimi dhe ripopullimi me kolonë të sjellë nga vende të tjera. Në mënyrë të përmbledhur, më rezulton se, nga humbja e betejes së Fushë Kosovës (nga shqiptarët është quajtur Fusha e M’llijave ose edhe Fusha e Madhe e Dardanisë) në vitin 1389, më shumë nga të gjithë u përçanë, u plaçkitën dhe u masakruan territoret, popullsia, kultura dhe faktori politik e shtetëror shqiptar. Nga kjo betejë, Serbët e avancuan dhe e forcuan edhe më shumë bashkëpunimin me perandorinë osmane, nga ku, përveç të tjerave, fituan edhe administrimin dhe shfrytëzimin e Kosovës për më shumë se 610 vite (1389-1999).